Jehovai do të të mbështetë
«Ti, o Jehova, do ta mbështetësh në shtratin e lëngatës.»—PSAL. 41:3.
1, 2. Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes ndonjëherë, dhe cilët shembuj biblikë të vijnë në mendje?
E KE pyetur ndonjëherë veten: «A do të shërohem nga kjo sëmundje?» Ose mbase ke pyetur nëse do ta marrë veten një familjar a mik i dashur. Kur dikush ka probleme të rënda shëndetësore, është normale të jetë në merak. Një merak të tillë e shprehën edhe dy mbretër në kohën e profetëve Elija dhe Elise. Mbreti Ahaziah, biri i Akabit e i Jezebelës, pyeti ‘nëse do ta merrte veten’ pasi u rrëzua keqas. Më vonë, mbreti i Sirisë, Ben-Hadadi, u sëmur rëndë, prandaj pyeti: «A do ta marr veten nga kjo sëmundje?»—2 Mbret. 1:2; 8:7, 8.
2 Sigurisht, shpresojmë që në fund gjërat të shkojnë mirë për ne dhe për njerëzit tanë të zemrës. Megjithatë, shumë kanë pyetur veten se ç’ndihmë do t’u japë Perëndia. Në kohën e atyre mbretërve, Perëndia kryente hera-herës mrekulli që ndikonin në jetën dhe në shëndetin e njerëzve. Me anë të profetëve të tij, Jehovai madje ringjalli disa. (1 Mbret. 17:17-24; 2 Mbret. 4:17-20, 32-35) A ka arsye të presim të bëjë gjëra të tilla sot?
3-5. Ç’fuqi kanë Perëndia e Jezui, dhe cilat pyetje lindin?
3 Nuk ka pikë dyshimi se Perëndia ka fuqi të ndikojë në shëndetin e dikujt. Në Bibël kemi prova për këtë. Ndonjëherë, ai i ndëshkoi disa me sëmundje, si për shembull, faraonin në kohën e Abrahamit dhe më vonë motrën e Moisiut, Miriamin. (Zan. 12:17; Num. 12:9, 10; 2 Sam. 24:15) Perëndia i paralajmëroi izraelitët se, po të mos tregoheshin besnikë, do t’i mundonte me «gjithfarëlloj sëmundjesh e plagësh». (Ligj. 28:58-61) Nga ana tjetër, Jehovai mund t’i hiqte ose t’i parandalonte sëmundjet. (Dal. 23:25; Ligj. 7:15) Po ashtu, mund t’i shëronte njerëzit. Kur Jobi vuante nga një sëmundje aq e rëndë, sa donte të vdiste, Perëndia e shëroi.—Jobi 2:7; 3:11-13; 42:10, 16.
4 Pra, as që diskutohet se Perëndia ka fuqi të ndërhyjë e ta shërojë dikë. E njëjta gjë mund të thuhet për Birin e tij. Bibla tregon se ai shëroi me anë të mrekullive të lebrosur, epileptikë, të verbër e të paralizuar. (Lexo Mateun 4:23, 24; Gjoni 9:1-7) Sa na forcohet besimi kur mendojmë se shërimet që kreu Jezui janë një tablo e asaj që do të bëjë në një shkallë madhështore në botën e re! Në atë kohë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isa. 33:24.
5 Por a duhet të presim që Perëndia ose Jezui të na shërojnë me ndonjë mrekulli sot? Si duhet t’i shohim sëmundjet a problemet e rënda shëndetësore, dhe çfarë duhet të bëjmë për to?
MBËSHTETJE NË SHTRATIN E LËNGATËS
6. Çfarë dimë për ‘dhuratën e shërimit’ që kishin disa të krishterë të hershëm?
6 Bibla tregon se në shekullin e parë Perëndia u dha fuqi disa të krishterëve të mirosur që të kryenin mrekulli. (Vep. 3:2-7; 9:36-42) Në ‘shumëllojshmërinë e dhuratave’ të frymës, përfshihej edhe «dhurata e shërimit». (1 Kor. 12:4-11) Por këto bashkë me dhurata të tjera, si të folurit në gjuhë të ndryshme dhe profetizimi, nuk do të zgjatnin shumë. (1 Kor. 13:8) Sot nuk i kemi këto dhurata. Prandaj nuk kemi asnjë bazë të presim që Perëndia të na shërojë me ndonjë mrekulli ne ose njerëzit tanë të dashur.
7. Çfarë sigurie gjejmë te Psalmi 41:3?
7 Prapëseprapë, nëse jemi sëmurë, mund të mbështetemi te Perëndia që të na japë zemër, të na mbajë e të na japë mençuri, siç bënë adhuruesit e vërtetë në të kaluarën. Mbreti David shkroi: «Lum ai që mendon për të varfrin! Në ditë të keqe Jehovai do t’i sigurojë shpëtim. Ti, o Jehova, do ta ruash e do ta mbash gjallë.» (Psal. 41:1, 2) Ne e dimë se asnjë nga ata që mendonte për të varfrit në kohën e Davidit nuk jetoi pambarimisht. Prandaj, Davidi natyrisht s’donte të thoshte se ai që merakosej për të tjerët do të mbetej gjallë me një mrekulli, duke fituar kështu jetën e përhershme. Këto vargje të frymëzuara duhet të kenë kuptimin se Perëndia do ta ndihmonte një besnik që mendonte për të tjerët. Si? Davidi shpjegoi: «Ti, o Jehova, do ta mbështetësh në shtratin e lëngatës. Gjatë sëmundjes, ti do ta shndërrosh shtratin e tij.» (Psal. 41:3) E pra, kush mendonte për nevojtarët mund të ishte i sigurt se Perëndia s’do ta harronte atë vetë dhe besnikërinë e tij. Gjithashtu, aftësia ripërtëritëse që i ka dhënë Perëndia trupit të njeriut, mund ta ndihmojë të shërohet, ta marrë veten nga sëmundja.
8. Sipas Psalmit 41:4, çfarë i kërkoi Davidi Jehovait?
8 Nisur nga përvoja e vet, Davidi u shpreh: «Unë thashë: ‘O Jehova, më jep hir. Shëroje shpirtin tim, sepse kam mëkatuar kundër teje.’» (Psal. 41:4) Ai mund t’i ketë shkruar këto fjalë për kohën kur Absalomi u orvat të uzurponte fronin ndërsa Davidi vetë ishte sëmurë dhe nuk mund t’i bënte ballë atij problemi. Ndonëse Perëndia e fali, Davidi nuk e harroi mëkatin që kishte bërë me Betshebën dhe pasojat e tij. (2 Sam. 12:7-14) Prapëseprapë, mbreti ishte i sigurt se Perëndia do ta mbështeste në shtratin e lëngatës. Por, a po kërkonte Davidi ndonjë mrekulli që të shërohej e t’i zgjatej jeta?
9. (a) Nga ndryshonte rasti i Davidit me atë të mbretit Hezekia? (b) Çfarë mund të priste Davidi nga Jehovai?
9 Vite më vonë, Perëndia vendosi ta shëronte mbretin Hezekia, i cili «u sëmur për vdekje». Perëndia ndërhyri në atë rast të veçantë. Hezekia e mori veten dhe jetoi për 15 vite të tjera. (2 Mbret. 20:1-6) Nga ana tjetër, Davidi nuk u lut që Perëndia ta shëronte me një mrekulli. Siç tregon konteksti, Davidi i kërkoi Jehovait që ta ndihmonte siç do të ndihmonte dikë që mendonte për nevojtarët. Kjo përfshinte ta mbështeste «në shtratin e lëngatës». Mëkati i Davidit ishte falur, prandaj ai mund të kërkonte që Perëndia t’i jepte zemër e ta mbante, si edhe që aftësitë ripërtëritëse të trupit ta ndihmonin të merrte veten. (Psal. 103:3) Edhe ne mund të veprojmë njësoj.
10. Ç’përfundim mund të nxjerrim nga përvoja e Trofimit dhe e Epafroditit?
10 Ashtu si Davidi, edhe Trofimi, një nga bashkëpunëtorët e apostullit Pavël, nuk u shërua e as iu zgjat jeta me anë të një mrekullie. Dimë se Pavlit hera-herës i jepej fuqi që të shëronte të sëmurët. (Lexo Veprat 14:8-10.) Ai shëroi ‘të atin e Publit që dergjej në shtrat e lëngonte nga ethet dhe dizenteria’. Pavli «u lut, vuri duart mbi të dhe e shëroi». (Vep. 28:8) Por nuk veproi kështu me Trofimin, i cili e kishte shoqëruar në një udhëtim misionar. (Vep. 20:3-5, 22; 21:29) Kur Trofimi u sëmur dhe nuk mund të vazhdonte udhëtimin me Pavlin, apostulli nuk e shëroi, por e la në Milet që ta merrte veten. (2 Tim. 4:20) Në mënyrë të ngjashme, kur Epafroditi «u sëmur, aq sa qe buzë vdekjes», nuk thuhet askund që Pavli ta ketë shëruar me ndonjë mrekulli mikun e tij të dashur.—Filip. 2:25-27, 30.
MERR MASA TË ARSYESHME
11, 12. Pse Luka mund të ishte një ndihmë e vërtetë për Pavlin, dhe ç’mund të themi për kualifikimet e Lukës?
11 Me Pavlin udhëtoi edhe «Luka, mjeku i dashur» dhe shkrimtari i librit të Veprave. (Kolos. 4:14; Vep. 16:10-12; 20:5, 6) Është e arsyeshme që Luka t’i ketë dhënë Pavlit këshilla për shëndetin dhe t’u ketë bërë shërbime mjekësore atij dhe të tjerëve që e shoqëronin në udhëtimet misionare. Pse ishte e nevojshme kjo? Sepse edhe Pavli u sëmur gjatë udhëtimeve. (Gal. 4:13) Luka mund të jepte atë ndihmë mjekësore që përputhej me fjalët e Jezuit: «Njerëzit e shëndetshëm nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»—Luka 5:31.
12 Bibla nuk tregon se ku dhe kur u kualifikua Luka si mjek. Mendohet se Pavli ua përmendi të krishterëve në Kolose profesionin e Lukës si mjek meqë ata e njihnin. Është interesante se në qytetin fqinj të Laodicesë kishte një shkollë mjekësie. Sido të ketë qenë, rekomandimet që jepte Luka për shëndetin nuk ishin dërdëllitjet e një amatori; ai ishte mjek profesionist. Kjo duket qoftë nga termat mjekësorë specifikë që përdori në ungjillin e tij e në librin e Veprave, qoftë nga fakti që u përqendrua te shërimet e Jezuit.
13. Ç’pikëpamje të ekuilibruar duhet të kemi kur bëhet fjalë për rekomandimet shëndetësore?
13 Asnjë nga bashkëbesimtarët tanë nuk e ka ‘dhuratën e shërimit’ që të na heqë sëmundjet. Prapëseprapë, disa vëllezër me qëllime të mira japin rekomandime për shëndetin pa ua kërkuar kush. Natyrisht, dikush mund të japë thjesht disa sugjerime praktike e të përgjithshme. Edhe Pavli e bëri këtë kur Timoteu kishte probleme me stomakun, ndoshta për shkak të ujit të ndotur.a (Lexo 1 Timoteut 5:23.) Megjithatë, kjo ndryshon kryekëput nga rasti kur përpiqemi t’i mbushim mendjen një Dëshmitari të përdorë ndonjë bimë mjekësore, kurë ose dietë që mund të jetë e paefektshme ose, në disa raste, edhe e dëmshme. Nganjëherë, disa janë përpjekur t’i bindin të tjerët me një shpjegim të tipit: «Një i afërmi im kishte një sëmundje të ngjashme dhe mori. . . . Më pas u bë mirë.» Por sado i sinqertë qoftë rekomandimi, bëjmë mirë të mbajmë në mendje se mund të ketë rreziqe edhe me ilaçe dhe trajtime të përdorura gjerësisht.—Lexo Proverbat 27:12.
ËSHTË E MENÇUR TË TREGOSH KUJDES
14, 15. (a) Si përfitojnë disa nga sëmundjet e të tjerëve? (b) Si na ndihmon Proverbat 14:15 kur bëhet fjalë për rekomandimet shëndetësore?
14 Dëshira jonë normale është të kemi shëndet të mirë që ta gëzojmë jetën e t’i shërbejmë Perëndisë me të gjitha forcat. Megjithatë, kemi trashëguar papërsosmërinë, prandaj s’u shpëtojmë dot sëmundjeve. Kur sëmuremi, mund të ketë një sërë kurash ose trajtimesh mjekësore. Çdokush ka të drejtën të zgjedhë cilën do të pranojë ose do të përdorë. Mjerisht, në këtë botë lakmitare ka nga ata që përfitojnë nga sëmundjet e njerëzve për të mbushur xhepat. Disa shesin «trajtime» ose «kura», të përkrahura nga pohime të rreme ose nga dëshmi të atyre që gjoja kanë gjetur derman. Disa persona ose kompani reklamojnë përdorimin e produkteve shumë të shtrenjta që të nxjerrin fitime të mëdha. Këto «kura» mund ta tërheqin një të sëmurë që kërkon me gjithë shpirt të lehtësohet nga sikleti ose të jetojë më gjatë. Gjithsesi, të mos harrojmë se Fjala e Perëndisë na këshillon: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»—Prov. 14:15.
15 Njeriu «mendjehollë» tregon shumë kujdes nëse ‘fjala’, ose rekomandimi, vjen nga dikush me kualifikime të dyshimta. Një «mendjehollë» mund të arsyetojë: «Ai thotë se kjo vitaminë, bimë mjekësore a dietë e paska ndihmuar dikë, por a ka dëshmitarë të besueshëm që ta provojnë këtë? Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri. A ka arsye të vlefshme të besoj se do të më bëjë mirë edhe mua? A duhet të bëj më shumë kërkime ose edhe të konsultohem me disa që njihen si specialistë a njerëz të kualifikuar në këtë fushë?»—Ligj. 17:6.
16. Cilat pyetje mund të na ndihmojnë të kemi «mendje të shëndoshë» për sa u përket rekomandimeve shëndetësore?
16 Fjala e Perëndisë na këshillon «të jetojmë me mendje të shëndoshë . . . mes kësaj bote». (Titit 2:12) Duhet të kemi medoemos një «mendje të shëndoshë», ose të kthjellët, kur shpjegimi i një terapie a i një metode diagnostikuese duket i çuditshëm ose misterioz. A është në gjendje ai që e praktikon ose e reklamon të japë një shpjegim të kënaqshëm se si funksionon? A përputhet kjo terapi a metodë me faktet e njohura? A ka mjaft specialistë që e konsiderojnë të besueshme? (Prov. 22:29) Apo u bën thirrje kryesisht ndjenjave? Mbase pretendohet se është gjetur ose përdorur në vise të largëta a të thella dhe sikur nuk e kanë zbuluar as kërkimet moderne. A ka prova për këtë pretendim ose madje a duket i arsyeshëm? Për disa pajisje diagnostikuese ose lloje trajtimesh thuhet se përdorin një «substancë sekrete» ose «forcë të panjohur të trupit». Ky është një sinjal që duhet treguar shumë kujdes, sepse Perëndia na ka paralajmëruar ‘të mos përdorim fuqi magjike’ dhe mediume.—Isa. 1:13; Ligj. 18:10-12.
«JU UROJMË SHËNDET!»
17. Ç’dëshirë të arsyeshme duhet të kemi?
17 Trupi udhëheqës në shekullin e parë u dërgoi një letër të rëndësishme kongregacioneve. Pasi rendiste disa gjëra që të krishterët duhej të shmangnin, në fund thoshte: «Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju vejë mbarë. Ju urojmë shëndet!» (Vep. 15:29) Edhe pse fjalët e fundit ishin një mënyrë për të mbyllur letrat, ato mund të përkthehen edhe «qofshi të fortë». Patjetër që duam ‘të na vejë mbarë shëndeti’ dhe të jemi të fortë ndërsa i shërbejmë Perëndisë tonë të madh.
18, 19. Çfarë mund të presim me padurim në botën e re?
18 Për sa kohë të ekzistojë ky sistem dhe të jemi të papërsosur, sëmundjet do të jenë pjesë e jetës. Sot nuk mund të presim të shërohemi me ndonjë mrekulli. Megjithatë, Zbulesa 22:1, 2 flet për kohën kur do të shërohemi plotësisht. Apostulli Gjon pa në vegim «një lumë me ujin e jetës» dhe «pemët e jetës» me gjethe «për shërimin e kombeve». Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë ilaç bimor sot ose në të ardhmen. Përkundrazi, theksohet masa që ka marrë Jehovai nëpërmjet Jezuit për t’i dhënë njerëzimit të bindur jetën e përhershme, që mezi e presim.—Isa. 35:5, 6.
19 Teksa presim këtë të ardhme fantastike, e dimë se Jehovai interesohet për secilin prej nesh, edhe kur jemi sëmurë. Ashtu si Davidi, mund të jemi plotësisht të sigurt se Perëndia ynë do të na mbështetë kurdo që të jemi sëmurë. E mund të bashkohemi me këto fjalë që i tha Jehovait: «Ti më ke përkrahur për shkak të integritetit tim, dhe do të më mbash në praninë tënde përgjithnjë.»—Psal. 41:12.
a Libri Origjina dhe historia e lashtë e verës (anglisht) thotë: «Nga eksperimentet është provuar se mikroorganizmi që shkakton tifon, si edhe mikrobe të tjera të rrezikshme, ngordhin shumë shpejt kur përzihen me verë.»