Dobi nga dashuria për Fjalën e Perëndisë
«Duaje [mençurinë] dhe ajo do të të mbrojë. . . . Do të të lëvdojë, sepse e ke përqafuar.»—PROVERBAT 4:6, 8, BR.
1. Çfarë përfshin ta duash vërtet Fjalën e Perëndisë?
LEXIMI i Biblës është thelbësor për një të krishterë. Megjithatë, vetëm leximi i saj nuk tregon në vetvete dashuri për Fjalën e Perëndisë. Ç’të themi nëse një person e lexon Biblën, por më pas praktikon gjëra që Bibla i dënon? Kuptohet, ai nuk e do Fjalën e Perëndisë ashtu siç e deshi shkrimtari i Psalmit të 119-të. Dashuria për Fjalën e Perëndisë e shtyu këtë të fundit që të jetonte në harmoni me kërkesat e saj.—Psalmi 119:97, 101, 105.
2. Çfarë dobish vijnë nga mençuria e bazuar në Fjalën e Perëndisë?
2 Jetesa në harmoni me Fjalën e Perëndisë kërkon përshtatje të vazhdueshme të mënyrës së të menduarit dhe të mënyrës së jetesës. Një drejtim i tillë pasqyron mençurinë hyjnore, e cila do të thotë ta zbatosh në praktikë njohurinë dhe kuptueshmërinë që merr nga studimi i Biblës. «Duaje [mençurinë] dhe ajo do të të mbrojë. Çmoje shumë dhe ajo do të të lartësojë. Do të të lëvdojë, sepse e ke përqafuar. Kokës sate do t’i japë një kurorë tërheqjeje, një kurorë bukurie do të të japë.» (Proverbat [Fjalët e urta] 4:6, 8, 9, BR) Sa inkurajim i shkëlqyer për të zhvilluar dashurinë për Fjalën e Perëndisë dhe për t’u drejtuar prej saj! Cili nga ne nuk dëshiron të jetë i mbrojtur, i lartësuar dhe i lëvduar?
Të mbrojtur nga dëmet e përhershme
3. Përse të krishterët kanë nevojë më shumë se kurrë për të qenë të mbrojtur dhe prej kujt?
3 Si mund ta mbrojë dikë mençuria që fiton prej studimit dhe zbatimit të Fjalës së Perëndisë? Së pari, e mbron nga Satana Djalli. Jezui i mësoi ithtarët e tij të luteshin për t’u liruar nga i ligu, Satanai. (Mateu 6:13) Sot, nevoja për ta përfshirë këtë kërkesë në lutjet tona është vërtet urgjente. Pas vitit 1914, Satanai dhe demonët e tij u hodhën nga qielli dhe për pasojë Satanai ka «zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë». (Zbulesa 12:9, 10, 12) Në këtë orë të vonë, zemërimi i tij duhet të jetë i zjarrtë, ndërkohë që pa sukses bën luftë kundër atyre «që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin».—Zbulesa 12:17, BR.
4. Si janë të mbrojtur të krishterët nga presionet dhe grackat satanike?
4 Në zemërimin e tij, Satanai vazhdon t’u shkaktojë probleme këtyre shërbëtorëve të krishterë dhe të nxitë persekutimin e dhunshëm ose të shkaktojë pengesa të tjera ndaj aktivitetit të tyre. Ai dëshiron, gjithashtu, t’i grishë lajmëtarët e Mbretërisë që të përqendrohen në gjëra të tilla, si: spikatja në botë, dashuria për një jetë të rehatshme, grumbullimi i gjërave materiale dhe ndjekja e kënaqësisë, në vend që të përqendrohen mbi veprën e predikimit të Mbretërisë. Çfarë i mbron shërbëtorët besnikë të Perëndisë që të mos i dorëzohen presionit të Satanait ose të mos bien në grackat e tij? Sigurisht, lutja, një marrëdhënie e ngushtë personale me Jehovain dhe besimi në sigurinë e premtimeve të tij janë jetësore. Por që të gjitha këto janë të lidhura me njohurinë dhe vendosmërinë për t’u vënë veshin përkujtesave të Fjalës së Perëndisë. Këto përkujtesa i marrim duke lexuar Biblën dhe mjetet ndihmëse për studimin e Biblës, duke ndjekur mbledhjet e krishtere, duke ia vënë veshin këshillës biblike që na jep një bashkëbesimtar ose thjesht duke medituar në lutje mbi parimet biblike që na sjell ndër mend fryma e Perëndisë.—Isaia 30:21; Gjoni 14:26; 1. Gjonit 2:15-17.
5. Në cilat mënyra na mbron mençuria e bazuar në Fjalën e Perëndisë?
5 Ata që e duan Fjalën e Perëndisë mbrohen edhe në mënyra të tjera. Për shembull, ata shmangin shqetësimet emocionale dhe sëmundjet fizike që vijnë si pasojë e gjërave të tilla, si: abuzimi me drogat, përdorimi i duhanit dhe imoraliteti seksual. (1. Korintasve 5:11; 2. Korintasve 7:1) Ata nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të tendosura nga thashethemet ose nga i foluri i pasjellshëm. (Efesianëve 4:31) As nuk bien viktimë e dyshimit, duke rrëmuar në filozofitë mashtruese të mençurisë së botës. (1. Korintasve 3:19) Duke e dashur Fjalën e Perëndisë, ata mbrohen nga gjërat që mund t’u prishin marrëdhënien me Perëndinë dhe t’u heqin shpresën e jetës së përhershme. Ata mbahen të zënë duke ndihmuar njerëzit e tjerë për ta vendosur besimin në premtimet e mrekullueshme që përmban Bibla, duke e ditur se në këtë mënyrë do të ‘shpëtojnë veten dhe ata që i dëgjojnë’.—1. Timoteut 4:16.
6. Si mund të na mbrojë mençuria e bazuar në Fjalën e Perëndisë edhe nën rrethana të vështira?
6 Vërtet, që të gjithë, madje edhe ata që e duan Fjalën e Perëndisë, janë të ekspozuar ndaj ‘kohës dhe ngjarjes së paparashikuar’. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Është e pashmangshme që disa prej nesh të përjetojnë shkatërrime natyrore, sëmundje të rënda, aksidente ose vdekje të parakohshme. Megjithatë, ne jemi të mbrojtur. Asnjë katastrofë nuk mund t’i sjellë dëme të përhershme një personi që e do me të vërtetë Fjalën e Perëndisë. Prandaj, nuk duhet të jemi tepër të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në të ardhmen. Pasi të marrim të gjitha masat e arsyeshme paraprake, është më mirë t’i lëmë gjërat në duart e Jehovait dhe të mos lejojmë që pasiguria e sotme e jetës të na heqë paqen. (Mateu 6:33, 34; Filipianëve 4:6, 7) Mbaj ndër mend sigurinë e shpresës së ringjalljes dhe të një jete më të mirë, kur Perëndia ‘do të bëjë çdo gjë të re’.—Zbulesa 21:5; Gjoni 11:25.
Jep prova se je ‘tokë e mirë’
7. Çfarë ilustrimi u tha Jezui turmave që erdhën për ta dëgjuar?
7 Në një nga shëmbëlltyrat e tij, Jezui theksoi rëndësinë e pasjes së një pikëpamjeje të duhur për Fjalën e Perëndisë. Ndërsa Jezui po shpallte lajmin e mirë në të gjithë Palestinën, turma të tëra njerëzish u mblodhën për ta dëgjuar. (Luka 8:1, 4) Megjithatë, jo të gjithë e donin me të vërtetë Fjalën e Perëndisë. Pa dyshim, shumë veta erdhën ta dëgjonin sepse donin të shihnin mrekulli ose ngaqë u pëlqente mënyra e tij e mrekullueshme e të mësuarit. Prandaj, Jezui u tha turmave një ilustrim: «Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet. Ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra, ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën. Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.»—Luka 8:5-8.
8. Çfarë është fara në ilustrimin e Jezuit?
8 Shëmbëlltyra e Jezuit tregoi se do të kishte reagime të ndryshme ndaj predikimit të lajmit të mirë, të cilat do të vareshin nga gjendja e zemrës së dëgjuesit. Fara që mbillet është «fjala e Perëndisë». (Luka 8:11) Ose, siç thuhet në një tregim tjetër të shëmbëlltyrës, fara është ‘fjala e mbretërisë’. (Mateu 13:19) Jezui mund të përdorte secilën nga këto shprehje, pasi tema e Fjalës së Perëndisë është Mbretëria qiellore nën Jezu Krishtin si Mbret, me anë të së cilës Jehovai do të shfajësojë sovranitetin e tij dhe do të shenjtërojë emrin e tij. (Mateu 6:9, 10) Në fakt, fara është mesazhi i lajmit të mirë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Dëshmitarët e Jehovait e theksojnë këtë mesazh të Mbretërisë ndërsa mbjellin farën duke imituar Mbjellësin e parë, Jezu Krishtin. Çfarë reagimi hasin ata?
9. Kë paraqet fara që bie (a) anës rrugës? (b) në gurishte? (c) ndër ferra?
9 Jezui tha se një pjesë e farës bie anës rrugës dhe e shkelin. Kjo u referohet njerëzve që janë tepër të shqetësuar e prandaj fara e Mbretërisë nuk zë rrënjë në zemrën e tyre. Para se të mund të zhvillojnë dashurinë për Fjalën e Perëndisë, «vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë». (Luka 8:12) Një pjesë tjetër e farës bie në gurishte. Kjo u referohet njerëzve që ndihen të tërhequr nga mesazhi i Biblës, por nuk e lënë atë që të ndikojë në zemrën e tyre. Kur vjen kundërshtimi ose kur u duket e vështirë të zbatojnë këshillat e Biblës, «ata tërhiqen» ngaqë nuk kanë rrënjë. (Luka 8:13) Pastaj janë ata që e dëgjojnë fjalën, por ua zënë frymën «shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete». Përfundimisht, si bimët që ua zënë frymën ferrat, ata «mbyten plotësisht».—Luka 8:14, BR.
10, 11. (a) Kë paraqet toka e mirë? (b) Çfarë duhet të bëjmë për ta ‘ruajtur’ Fjalën e Perëndisë në zemrën tonë?
10 Në fund, është fara që bie në tokë të mirë. Kjo u referohet njerëzve që e marrin mesazhin me «zemër të ndershme dhe të mirë». Natyrisht, secilit prej nesh do t’i pëlqente të besonte se futet në këtë kategori njerëzish. Megjithatë, në fund të fundit ajo që ka vlerë është pikëpamja e Perëndisë. (Proverbat 17:3; 1. Korintasve 4:4, 5) Fjala e tij thotë se për ‘zemrën e ndershme dhe të mirë’ japim prova me veprimet tona, duke filluar nga tani e deri në vdekje ose deri kur Perëndia të sjellë fundin e këtij sistemi të lig gjërash. Nëse reagimi fillestar ndaj mesazhit të Mbretërisë është pozitiv, kjo është një gjë e shkëlqyer. Megjithatë, ata që kanë një zemër të ndershme e të mirë e pranojnë Fjalën e Perëndisë dhe «e ruajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri».—Luka 8:15.
11 E vetmja mënyrë e sigurt për ta ruajtur Fjalën e Perëndisë në zemrën tonë është ta lexojmë e ta studiojmë atë si personalisht, ashtu edhe në shoqëri me bashkëbesimtarët. Kjo përfshin përfitimin në masë të plotë nga ushqimi frymor që sigurohet nëpërmjet kanalit të caktuar për t’u kujdesur për interesat frymore të ithtarëve të vërtetë të Jezuit. (Mateu 24:45-47) Në këtë mënyrë, ata që e ruajnë Fjalën e Perëndisë në zemrën e tyre motivohen nga dashuria për ‘të dhënë fryt me qëndrueshmëri’.
12. Çfarë është fryti që duhet të japim me qëndrueshmëri?
12 Çfarë fryti jep një tokë e mirë? Në botën bimore, farërat bëhen bimë që japin fruta të cilat kanë brenda po atë lloj fare, e cila pastaj mund të shpërndahet për të dhënë fruta të mëtejshme. Në mënyrë të ngjashme, tek ata që kanë një zemër të ndershme e të mirë, fara e fjalës rritet, duke bërë që të përparojnë frymësisht derisa ata, nga ana e tyre, mund ta mbjellin farën në zemrën e të tjerëve. (Mateu 28:19, 20) Gjithashtu, vepra e tyre e mbjelljes dallohet për qëndrueshmërinë. Jezui e tregoi rëndësinë e qëndrueshmërisë në mbjellje, kur tha: «Ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet. Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën, si një dëshmi për gjithë kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi.»—Mateu 24:13, 14.
‘Të japim fryt në çdo vepër të mirë’
13. Çfarë lutjeje bëri Pavli që tregonte lidhjen mes fryteve dhe njohurisë së Fjalës së Perëndisë?
13 Edhe apostulli Pavël foli për nevojën që të japim fryt dhe e lidhi dhënien e fryteve me Fjalën e Perëndisë. Ai u lut që bashkëbesimtarët e tij ‘të mbusheshin me njohurinë e saktë të vullnetit [të Perëndisë] në çdo mençuri dhe kuptueshmëri frymore, që të ecnin denjësisht për Jehovain, me qëllim që t’i pëlqenin plotësisht atij, ndërsa vazhdonin të jepnin fryt në çdo vepër të mirë’.—Kolosianëve 1:9, 10, BR; Filipianëve 1:9-11.
14-16. Në harmoni me lutjen e Pavlit, çfarë frytesh prodhojnë ata që e duan Fjalën e Perëndisë?
14 Pavli tregon, pra, se fitimi i njohurisë së Biblës nuk është në vetvete qëllimi përfundimtar. Në vend të kësaj, është dashuria për Fjalën e Perëndisë ajo që na nxit të ‘ecim denjësisht për Jehovain’, duke vazhduar të ‘japim fryt në çdo vepër të mirë’. Çfarë vepre të mirë? Predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë është caktimi i mrekullueshëm për të krishterët në këto ditë të fundit. (Marku 13:10) Përveç kësaj, ata që e duan Fjalën e Perëndisë bëjnë më të mirën e tyre për ta mbështetur rregullisht nga ana financiare këtë vepër. Ata gjejnë kënaqësi në këtë privilegj, duke e ditur se «Perëndia do një dhurues të gëzuar». (2. Korintasve 9:7) Kontributet e tyre shkojnë për të mbuluar koston e funksionimit të më shumë se njëqind ndërtesave Bethel, nga të cilat drejtohet aktiviteti i predikimit të Mbretërisë dhe në disa prej të cilave prodhohen Bibla dhe literaturë biblike. Gjithashtu, kontributet e tyre ndihmojnë për të mbuluar koston e kongreseve të mëdha të krishtere dhe të dërgimit të mbikëqyrësve udhëtues, misionarëve dhe ungjilltarëve të tjerë në kohë të plotë.
15 Vepra të tjera të mira përfshijnë ndërtimin dhe kujdesjen për qendrat e adhurimit të vërtetë. Dashuria për Fjalën e Perëndisë i nxit adhuruesit e tij që të sigurohen se Sallat e Asambleve dhe Sallat e Mbretërisë nuk lihen pas dore. (Krahaso Nehemian 10:39.) Duke qenë se në fasadën e këtyre ndërtesave shfaqet emri i Perëndisë, është jetësore që ato të mbahen të pastra dhe tërheqëse, jashtë e brenda dhe që sjellja e atyre që adhurojnë brenda këtyre sallave të jetë e paqortueshme. (2. Korintasve 6:3) Disa të krishterë kanë mundësi të bëjnë edhe më shumë. Dashuria për Fjalën e Perëndisë i shtyn ata që të udhëtojnë në largësi të mëdha për të marrë pjesë në ndërtimin e vendeve të reja të adhurimit, në ato pjesë të botës ku ka nevojë për shkak të varfërisë ose të mungesës së aftësive.—2. Korintasve 8:14.
16 ‘Të japim fryt në çdo vepër të mirë’ përfshin edhe të kujdesemi për detyrimet familjare dhe të tregojmë interes për të bashkëkrishterët. Dashuria për Fjalën e Perëndisë na nxit të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të atyre që janë «në familjen e besimit» dhe ‘të praktikojmë devocionin hyjnor në familjet tona’. (Galatasve 6:10; 1. Timoteut 5:4, 8, BR) Në këtë aspekt, një vepër e mirë është të vizitohen të sëmurët dhe të ngushëllohen të pikëlluarit. Gjithashtu, çfarë pune e mrekullueshme kryhet nga pleqtë e kongregacioneve dhe nga Komitetet e Lidhjes me Spitalet për të ndihmuar individët që përballohen me situata të vështira mjekësore! (Veprat 15:29) Përveç këtyre, ka një numër në rritje katastrofash, disa prej të cilave janë natyrore dhe të tjerat të shkaktuara nga marrëzia e njeriut. Me ndihmën e frymës së Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë një emër të mirë në shumë pjesë të tokës, në sigurimin me shpejtësi të ndihmës për bashkëbesimtarët dhe viktimat e tjera të katastrofave dhe të aksidenteve. Që të gjitha këto janë fryte të mira të shfaqura nga ata që e duan Fjalën e Perëndisë.
Dobi të shkëlqyera në të ardhmen
17, 18. (a) Çfarë po kryhet nga mbjellja e farës së Mbretërisë? (b) Në cilat ngjarje me rëndësi kolosale do të jenë dëshmitarë së shpejti ata që e duan Fjalën e Perëndisë?
17 Mbjellja e farës së Mbretërisë vazhdon t’i sjellë dobi të mëdha njerëzimit. Vitet e fundit, më shumë se 300.000 njerëz në vit kanë lejuar që mesazhi i Biblës të zërë rrënjë në zemrën e tyre, deri në atë masë që ia kanë dedikuar jetën Jehovait dhe e kanë simbolizuar këtë me anë të pagëzimit në ujë. Çfarë e ardhme e shkëlqyer i pret!
18 Ata që e duan Fjalën e Perëndisë e dinë se së shpejti Perëndia Jehova do të ngrihet për të lartësuar emrin e tij. «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme, do të shkatërrohet. (Zbulesa 18:2, 8) Atëherë, ata që refuzojnë të jetojnë në harmoni me Fjalën e Perëndisë, do të përfundojnë me vdekje nga Mbreti, Jezu Krishti. (Psalmi 2:9-11; Danieli 2:44) Pas kësaj, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë çlirim të përhershëm nga krimi, lufta dhe katastrofa të tjera. Nuk do të ketë më nevojë për të ngushëlluar njerëzit për shkak të dhimbjes, sëmundjeve dhe vdekjes.—Zbulesa 21:3, 4.
19, 20. Çfarë e ardhme e shkëlqyer i pret ata që e duan me të vërtetë Fjalën e Perëndisë?
19 Çfarë veprash të mira të lavdishme do të kryhen atëherë nga ata që e duan Fjalën e Perëndisë! Ata që do të mbijetojnë nga Harmagedoni do të fillojnë me punën e gëzueshme të transformimit të kësaj toke në parajsë. Ata do të kenë privilegjin rrëqethës për t’u përgatitur për nevojat e të vdekurve që tani prehen në varr dhe janë në kujtesën e Perëndisë me perspektivën për të marrë pjesë në ringjalljen e të vdekurve. (Gjoni 5:28, 29) Gjatë asaj kohe, udhëzimet e përsosura do të vërshojnë për banorët e tokës nga Zotëria Sovran, Jehovai, nëpërmjet Birit të tij të lartësuar, Jezu Krishtit. ‘Do të hapen rrotulla’ që zbulojnë udhëzimet e Jehovait për jetën në botën e re.—Zbulesa 20:12.
20 Në kohën e duhur të Jehovait, i gjithë trupi i të krishterëve besnikë të mirosur do të ngrihet në shpërblimin e vet qiellor si «bashkëtrashëgimtarë të Krishtit». (Romakëve 8:17) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, të gjithë njerëzit në tokë, të cilët e duan Fjalën e Perëndisë, do të ngrihen në përsosmëri mendjeje dhe trupi. Pasi të dalin besnikë në një sprovë të fundit, ata do të shpërblehen me jetën e përhershme dhe do të arrijnë të gëzojnë «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21, BR; Zbulesa 20:1-3, 7-10) Sa kohë e mrekullueshme do të jetë ajo! Vërtet, cilado qoftë shpresa që na ka dhënë Jehovai, qiellore ose tokësore, dashuria e qëndrueshme për Fjalën e tij dhe vendosmëria për të jetuar në përputhje me mençurinë hyjnore do të na mbrojnë. Veç kësaj, në të ardhmen, ‘do të na lëvdojnë, sepse i kemi përqafuar’.—Fjalët e urta 4:6, 8, BR.
A mund të shpjegosh?
◻ Si do të na mbrojë dashuria për Fjalën e Perëndisë?
◻ Çfarë është fara në ilustrimin e Jezuit dhe si mbillet ajo?
◻ Si mund të japim prova se jemi ‘tokë e mirë’?
◻ Çfarë dobish mund të kenë që tani ata që e duan Fjalën e Perëndisë?
[Figura në faqen 16]
Fara në ilustrimin e Jezuit paraqet mesazhin e lajmit të mirë që përmban Fjala e Perëndisë
[Burimi]
Garo Nalbandian
[Figura në faqen 17]
Dëshmitarët e Jehovait imitojnë Mbjellësin e Madh
[Figurat në faqen 18]
Ata që do të mbijetojnë nga Harmagedoni, do të gëzojnë frytet e tokës