Aristarku: Një shok besnik
ARISTARKU ishte mes bashkëpunëtorëve të shumtë të besuar të apostullit Pavël. Çfarë të vjen ndër mend, kur dëgjon emrin e tij? Asgjë? A do të ishe në gjendje të thoje se çfarë roli luajti ai në plotësimin e historisë së hershme të krishterë? Megjithëse Aristarku mund të mos jetë një prej personazheve biblikë, me të cilët jemi më të familjarizuar, ai ishte, gjithsesi, i përfshirë në një numër episodesh të treguara në Shkrimet e Krishtere Greke.
Kush ishte, pra, Aristarku? Çfarë marrëdhënieje pati me Pavlin? Përse mund të thuhet se Aristarku ishte një shok besnik? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga shqyrtimi i shembullit të tij?
Hyrja dramatike e Aristarkut në tregimin që gjendet në librin e Veprave, ndodhi mes britmave dhe rrëmujës së një turme histerike në qytetin e Efesit. (Veprat 19:23-41) Bërja e altarëve të argjendtë të hyjnisë së rreme Diana [Artemis, BR], ishte një aktivitet fitimprurës për Dhimitrin dhe për argjendarë të tjerë efesianë. Prandaj, kur fushata e predikimit të Pavlit në qytet bëri që një numër i konsiderueshëm të braktiste adhurimin e papastër të kësaj perëndeshe, Dhimitri nxiti zejtarë të tjerë. Ai u tha se predikimi i Pavlit jo vetëm që përbënte një kërcënim për sigurinë e tyre financiare, por edhe ngrinte mundësinë që adhurimi i Artemisës të përfundonte në hiç.
Në pamundësi për ta gjetur Pavlin, turma e zemëruar tërhoqi zvarrë me forcë shokët e tij Aristarkun dhe Gajin, për në teatër. Meqenëse që të dy ishin në një rrezik të konsiderueshëm, miqtë e Pavlit iu lutën atij «të mos e vinte veten në rrezik në teatër».
Imagjinoje veten në atë situatë. Për rreth dy orë, turma histerike vazhdonte të bërtiste: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» Të shihnin veten në dorë të asaj turme fanatike, pa pasur as mundësi për të folur në mbrojtje të vetvetes, duhet të ketë qenë një sprovë vërtet e frikshme për Aristarkun dhe Gajin. Ata duhet ta kenë pyetur veten nëse do të dilnin gjallë që andej. Lumturisht, po. Në të vërtetë, gjallëria e tregimit të Lukës, i ka bërë disa studiues të sugjerojnë se ai ka shfrytëzuar dëshmitë e dëshmitarëve okularë, ndoshta ato të Aristarkut dhe Gajit vetë.
Më në fund, kancelari i qytetit e qetësoi pështjellimin. Për Aristarkun dhe Gajin duhet të ketë qenë një lehtësim tepër i madh ta dëgjonin tek u njihte me objektivitet pafajësinë dhe më pas të shihnin shpërndarjen e trazirës rreth tyre.
Si do të ishe ndjerë pas një përvoje të tillë? A do të kishe nxjerrë përfundimin se të qenët shok misionar i Pavlit nuk ishte për ty, se qe tepër e rrezikshme dhe se do të ishe më mirë të kërkoje një jetë më të qetë? Aristarku jo! Duke qenë se ishte nga Selaniku, ka të ngjarë që ai të ishte tashmë shumë i vetëdijshëm për rreziqet e shpalljes së lajmit të mirë. Kur vetëm dy vjet më parë Pavli predikoi në qytetin e tij, edhe atje plasi një trazirë. (Veprat 17:1-9; 20:4) Aristarku e mbështeti besnikërisht Pavlin.
Nga Greqia në Jerusalem
Disa muaj pas trazirës së argjendarëve, Pavli ndodhej në Greqi dhe ishte gati të nisej për lundrim në Siri, në rrugën për Jerusalem, kur «judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij». (Veprat 20:2, 3) Kë gjejmë me Pavlin në këto rrethana të rrezikshme? Aristarkun!
Ky kërcënim i ri, e bëri Pavlin, Aristarkun dhe shokët e tyre, të ndryshonin planet, duke udhëtuar së pari përmes Maqedonisë, pastaj me etapa përgjatë bregut të Azisë së Vogël, përpara se së fundi t’i hipnin anijes drejt Fenikisë në Patra. (Veprat 20:4, 5, 13-15; 21:1-3) Me sa duket qëllimi i këtij udhëtimi ishte t’u dërgonin vëllezërve të tyre nevojtarë në Jerusalem, kontributet e të krishterëve në Maqedoni dhe Akai. (Veprat 24:17; Romakëve 15:25, 26) Udhëtonin së bashku një numër i madh udhëtarësh, ndoshta sepse atyre u ishte besuar kjo përgjegjësi nga kongregacione të ndryshme. Pa dyshim që një grup i madh do të garantonte edhe një siguri më të madhe.
Aristarku pati privilegjin e madh të shoqëronte Pavlin nga Greqia në Jerusalem. Megjithatë, udhëtimi i tyre i ardhshëm duhej t’i çonte nga Judeja deri në Romë.
Udhëtimi për në Romë
Këtë radhë rrethanat ishin krejt të ndryshme. Në Cezare Pavli kishte qenë nën arrest për dy vjet, i ishte apeluar Cezarit dhe duhej të dërgohej në Romë në pranga. (Veprat 24:27; 25:11, 12) Përpiqu ta imagjinosh se si ndiheshin shokët e Pavlit. Udhëtimi nga Cezarea për në Romë do të ishte i gjatë dhe emocionalisht sfilitës, me një rezultat që s’mund të parathuhej. Kush mund të shkonte me të për t’i ofruar përkrahje dhe ndihmë? U zgjodhën, apo e vunë veten në dispozicion si vullnetarë, dy burra. Ata ishin Aristarku dhe Luka, shkrimtari i veprave.—Veprat 27:1, 2.
Si patën mundësi Luka dhe Aristarku të hipnin në të njëjtën anije në etapën e parë të udhëtimit për në Romë? Historiani Xhuzepe Riçoti, sugjeron: «Këta të dy hipën si pasagjerë privatë . . . apo, ka më shumë të ngjarë, u pranuan nga dashamirësia e centurionit, i cili pretendonte që ata të konsideroheshin si skllevër të Pavlit, meqenëse ligji i lejonte një qytetari romak të ndihmohej nga dy skllevër.» Sa duhet të ketë marrë zemër Pavli nga prania dhe inkurajimi i tyre!
Luka dhe Aristarku e demonstruan dashurinë e tyre për Pavlin, duke vënë veten në rrezik. Në fakt, ata përjetuan një situatë që u kërcënonte jetën, kur bashkë me shokun e tyre rob, u fundosën në ishullin e Maltës.—Veprat 27:13-28:1.
«I burgosuri me» Pavlin
Kur Pavli shkroi letrat e tij drejtuar kolosianëve dhe Filemonit në vitin 60-61 të e.s., Aristarku dhe Luka ishin ende në krah të tij në Romë. Aristarkut dhe Epafrasit u referohet si ‘të burgosurve me’ Pavlin. (Kolosianëve 4:10-14; Filemonit 23, 24) Prandaj, me sa duket, për një periudhë kohe, Aristarku qe pjesëmarrës me Pavlin në prangat e burgut.
Megjithëse Pavli ishte i burgosur në Romë për të paktën dy vjet, i ishte lejuar të banonte i ruajtur në shtëpinë e tij me qira, ku mundi t’u shpallte lajmin e mirë vizitorëve. (Veprat 28:16, 30) Aristarku, Epafrasi, Luka dhe të tjerë në atë kohë, i shërbyen Pavlit, duke e ndihmuar dhe duke e përkrahur.
«Një ndihmë forcuese»
Pas shqyrtimit të episodeve të ndryshme në të cilat shfaqet Aristarku në dokumentimin e frymëzuar biblik, çfarë ideje na krijohet për të? Sipas shkrimtarit W. D. Tomas, Aristarku «dallohet si një burrë që mundi t’i bënte ballë kundërshtimit dhe që kaloi përmes tij me besim të palëkundur dhe pa zvogëluar vendosmërinë për të shërbyer. Ai dallohet si një burrë që e deshi Perëndinë jo vetëm në ditë të bukura, kur dielli shkëlqen nga një qiell blu, por edhe në tallje dhe stuhi».
Pavli thotë se Aristarku dhe të tjerët ishin «një ndihmë forcuese» (greqisht pa·re·go·riʹa) për të, domethënë një burim ngushëllimi. (Kolosianëve 4:10, 11, BR) Pra, duke e ngushëlluar dhe duke i dhënë zemër Pavlit, Aristarku ishte një shok i vërtetë në kohë nevoje. Pasja e shoqërisë dhe e miqësisë së apostullit për një periudhë disavjeçare, duhet të ketë qenë një përvojë shumë e kënaqshme dhe pasuruese në aspektin frymor.
Ndoshta ne nuk gjendemi në rrethana po aq dramatike, sa dhe ato të përjetuara nga Aristarku. Megjithatë, për të gjithë ata që sot ndodhen në kongregacionin e krishterë, është e domosdoshme një besnikëri e ngjashme ndaj vëllezërve frymorë të Krishtit dhe ndaj organizatës së Jehovait. (Krahaso Mateun 25:34-40.) Ka të ngjarë që bashkadhurues, të cilët i njohim, herët a vonë të vuajnë kundërshtimin apo pikëllimin, ndoshta për shkak të ndonjë humbjeje të madhe, sëmundjeje apo sprovash të tjera. Duke u qëndruar besnikë atyre dhe duke u siguruar ndihmë, ngushëllim dhe inkurajim, ne mund të gjejmë gëzim dhe të provojmë se jemi shokë besnikë.—Krahaso Proverbat 17:17; Veprat 20:35.