Libri biblik numër 53—2 Selanikasve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Korint
Shkrimi përfundoi: rr. 51 të e.s.
1. Si kuptohet se ku dhe kur u shkrua 2 Selanikasve, dhe ç’e nxiti Pavlin ta shkruante këtë letër?
PA KALUAR shumë kohë nga letra e parë, apostulli Pavël shkroi letrën e dytë drejtuar të krishterëve në Selanik. Dimë se kjo letër u shkrua pak pas së parës dhe madje nga i njëjti qytet, Korinti, sepse po ata vëllezër, Silvani dhe Timoteu, i dërguan përshëndetje kongregacionit të Selanikut bashkë me Pavlin. Këta ishin të gjithë shërbëtorë udhëtues të kongregacionit të hershëm të krishterë, dhe nuk ka asnjë të dhënë që kanë qenë të tre përsëri bashkë pas vizitës në Korint. (2 Sel. 1:1; Vep. 18:5, 18) Çështja që trajtoi dhe natyra e diskutimit tregon se Pavli e pa të nevojshme ta ndreqte kongregacionin pa humbur kohë në lidhje me një gabim që kishte bërë.
2. Ç’gjë vërteton autenticitetin e 2 Selanikasve?
2 Autenticiteti i kësaj letre është po aq i vërtetuar sa edhe ai i 1 Selanikasve. Edhe kjo letër është cituar nga Ireneu (shekulli i dytë i e.s.), si dhe nga autorë të tjerë të hershëm, duke përfshirë Justin Martirin (po ashtu i shekullit të dytë), i cili me sa duket i referohet 2 Selanikasve 2:3, kur shkruan për ‘njeriun e paligjshmërisë’. Kjo letër shfaqet në po ata katalogë të hershëm ku shfaqet edhe 1 Selanikasve. Megjithëse tani mungon në Papirusin Çestër Biti nr. 2 (P46), thuhet gati me siguri se ajo gjendej në dy faqet e para nga shtatë faqet që mungojnë pas 1 Selanikasve.
3, 4. (a) Ç’problem kishte lindur në kongregacionin e Selanikut? (b) Kur dhe ku u shkrua letra dhe ç’kërkoi të arrinte Pavli nëpërmjet saj?
3 Cili ishte qëllimi i kësaj letre? Nga këshillat që u dha Pavli selanikasve kuptojmë se disa në kongregacion ishin të mendimit se prania e Zotërisë pritej nga çasti në çast, se këta spekulues po e predikonin me shumë zjarr këtë teori të tyre dhe se po krijonin goxha trazirë në kongregacion. Madje duket se disa po e përdornin këtë si një justifikim që të mos punonin për të mbajtur veten. (2 Sel. 3:11) Në letrën e tij të parë, Pavli e kishte përmendur praninë e Zotërisë, dhe pa dyshim kur këta spekulues dëgjuan fjalët e letrës, u treguan të shpejtë t’i shtrembëronin fjalët e tij dhe të lexonin midis rreshtave gjëra që ai as i kishte pasur ndër mend. Madje ka mundësi që një letër që i ishte atribuar gabimisht Pavlit të ishte interpretuar sikur tregonte se «erdhi dita e Jehovait».—2:1, 2.
4 Me sa duket Pavli mësoi për këtë situatë, mbase nga një person që i çoi kongregacionit letrën e tij të parë, ndaj mezi priste të ndreqte mendimin e vëllezërve të tij, të cilët i kishte aq për zemër. Kështu, në vitin 51 të e.s., Pavli bashkë me dy shokët e tij, nga Korinti i nisi një letër kongregacionit të Selanikut. Përveçse ndreq pikëpamjen e gabuar në lidhje me praninë e Krishtit, në këtë letër Pavli i inkurajon me ngrohtësi të qëndrojnë të patundur në të vërtetën.
PËRMBAJTJA E 2 SELANIKASVE
5. Për çfarë e falënderojnë Perëndinë Pavli dhe shokët e tij, për çfarë i sigurojnë selanikasit dhe për çfarë luten?
5 Zbulohet Zotëria Jezu (1:1-12). Pavli dhe shokët e tij falënderojnë Perëndinë për rritjen e shkëlqyer të besimit të selanikasve dhe për dashurinë e tyre për njëri-tjetrin. Qëndrueshmëria dhe besimi i tyre përballë përndjekjeve janë provë e gjykimit të drejtë të Perëndisë se ata janë quajtur të denjë për Mbretërinë. Perëndia do t’i shpaguajë me shtrëngim ata që i shkaktojnë shtrëngim kongregacionit dhe do t’u japë lehtësim atyre që vuajnë. Kjo do të ndodhë ‘kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu tok me engjëjt e tij të fuqishëm kur ai të vijë për të marrë lavdi në lidhje me të shenjtët e tij’. (1:7, 10) Pavli dhe shokët e tij luten gjithmonë për selanikasit, që Perëndia t’i quajë të denjë për thirrjen e Tij dhe që emri i Zotërisë Jezu të marrë lavdi në ta e ata të marrin lavdi në unitet me të.
6. Ç’duhet të vijë para ditës së Jehovait dhe si?
6 Para pranisë së Jezuit vjen apostazia (2:1-12). Vëllezërit nuk duhet të trazohen nga ndonjë mesazh që thotë se dita e Jehovait ka ardhur. «Ajo nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë, biri i shkatërrimit.» Tani ata e dinë se «cila është ajo gjë që vepron si një forcë frenuese», por kjo paligjshmëri, që është një mister, është tashmë në veprim. Kur të hiqet kjo forcë frenuese, «atëherë, vërtet do të zbulohet i paligjshmi, të cilin Zotëria Jezu do ta shfarosë me frymën e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me shfaqjen e pranisë së tij». Prania e të paligjshmit vjen me veprimin e Satanait—me vepra të fuqishme e mashtrim—dhe Perëndia lejon që mbi ata që nuk e pranuan dashurinë e së vërtetës të veprojë një ndikim mashtrues, që t’i besojnë gënjeshtrës.—2:3, 6, 8.
7. Si mund të qëndrojnë të patundur vëllezërit e të jenë të mbrojtur nga i ligu?
7 Të patundur në besim (2:13–3:18). Pavli vazhdon: «E kemi për detyrë të falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain, sepse Perëndia ju zgjodhi për shpëtim që nga fillimi, duke ju shenjtëruar me frymë dhe prej besimit tuaj në të vërtetën.» Për këtë qëllim atyre iu shpall lajmi i mirë. Prandaj, vëllezërit duhet të qëndrojnë të patundur dhe të mbajnë fort traditat që u janë mësuar, se Jezu Krishti dhe Ati, që me dashuri u dhanë ngushëllim të përhershëm e shpresë, mund t’i bëjnë «të patundur në çdo vepër e fjalë të mirë». (2:13, 17) Pavli u kërkon të luten «që fjala e Jehovait të vazhdojë të përhapet me shpejtësi dhe të marrë lavdi». (3:1) Zotëria, që është i besueshëm, do t’i bëjë të patundur e do t’i ruajë nga i ligu. Pavli lutet që Zotëria të vazhdojë t’u prijë zemrave të tyre në udhën e duhur, që të kenë dashuri për Perëndinë dhe qëndrueshmëri për sa i përket Krishtit.
8. Ç’këshillë të fortë jep Pavli dhe në ç’fushë kanë lënë shembull Pavli dhe shokët e tij?
8 Më pas, ai u jep një këshillë të fortë: «Tani, vëllezër, në emër të Zotërisë Jezu Krisht, po ju urdhërojmë që të largoheni nga çdo vëlla që ecën në mënyrë të çrregullt e që nuk ecën sipas traditës që morët nga ne.» (3:6) Pavli u kujton shembullin që la ai dhe shokët e tij misionarë, duke derdhur mund natë e ditë që të mos u bëheshin barrë atyre e që të mund të jepnin urdhrin: «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!» Por tani po dëgjojnë se disa të parregullt nuk punojnë dhe përzihen në gjëra që s’u takojnë. Këta duhet t’i shtrohen punës që ta nxjerrin vetë bukën e gojës.—2 Sel. 3:10; 1 Sel. 4:11.
9. Çfarë thotë Pavli për bërjen e së mirës dhe për turpërimin e të pabindurve? Si e përfundon ai letrën e tij?
9 Vëllezërit nuk duhet të heqin dorë nga bërja e asaj që është e drejtë. Por nëse ndokush nuk u bindet fjalëve që u ka shkruar Pavli në këtë letër, kongregacioni duhet ta shënojë e të mos shoqërohet më me të, që të turpërohet, por në të njëjtën kohë duhet këshilluar si vëlla. Pavli lutet që Zotëria i paqes t’u japë «paqe gjithmonë dhe në çdo mënyrë» dhe e mbyll letrën me përshëndetjet e shkruara me dorën e vet.—2 Sel. 3:16.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
10. Ç’mësime dhe parime bazë gjejmë te 2 Selanikasve?
10 Kjo letër e shkurtër drejtuar selanikasve, e shkruar nën frymëzim, trajton një sërë të vërtetash të krishtere, të gjitha të vlefshme për t’u shqyrtuar. Ja disa nga mësimet dhe parimet bazë që nxjerrim: Jehovai është Perëndia i shpëtimit dhe ai shenjtëron me anë të frymës dhe besimit në të vërtetën (2:13); i krishteri duhet të durojë vuajtje që të quhet i denjë për Mbretërinë e Perëndisë (1:4, 5); të krishterët do të jenë të mbledhur së bashku pranë Zotërisë Jezu Krisht në kohën e pranisë së tij (2:1); Jehovai do t’u japë një gjykim të drejtë atyre që nuk i binden lajmit të mirë (1:5-8); të thirrurit do të marrin lavdi në unitet me Krishtin Jezu, sipas dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë (1:12); ata janë thirrur nëpërmjet predikimit të lajmit të mirë (2:14); besimi është një kërkesë e domosdoshme (1:3, 4, 10, 11; 2:13; 3:2); është e përshtatshme të punojmë për të mbajtur veten në shërbim; nëse një njeri nuk punon, mund të bëhet përtac e të fillojë të përzihet në gjëra që s’i takojnë (3:8-12); dashuria për Perëndinë shoqërohet me qëndrueshmërinë (3:5). Edhe një letër e frymëzuar kaq e shkurtër, mund të ketë një thesar me mendime ndërtuese!
11. Ç’informacion i rëndësishëm dhe ç’siguri është paraqitur në lidhje me Mbretërinë?
11 Në këtë letër, Pavli tregoi interesim të thellë për mirëqenien frymore të vëllezërve të tij në Selanik dhe për unitetin e përparimin e kongregacionit. Ai ua ndreqi pikëpamjen në lidhje me kohën se kur do të vinte dita e Jehovait, duke u treguar se në fillim duhet të shfaqet «njeriu i paligjshmërisë» që ulet në «tempullin e Perëndisë, duke treguar hapur se është një perëndi». Megjithatë, ata që ‘quhen të denjë për mbretërinë e Perëndisë’ mund të jenë plotësisht të sigurt se Zotëria Jezu do të shfaqet nga qielli në kohën e caktuar dhe do të hakmerret me një zjarr flakërues, kur «të vijë për të marrë lavdi në lidhje me të shenjtët e tij dhe për t’u admiruar atë ditë në lidhje me të gjithë ata që treguan besim».—2:3, 4; 1:5, 10.