Shpërblimet e nderimit të prindërve të moshuar
ADHURUESIT e vërtetë të Perëndisë respektojnë, nderojnë dhe kujdesen për prindërit e tyre të moshuar, sepse i duan. Kjo është pjesë e adhurimit të tyre. Bibla thotë: «[Fëmijët dhe nipërit] le të mësojnë së pari të praktikojnë devotshmërinë hyjnore në familjet e tyre dhe të vazhdojnë t’u japin shpërblimin e duhur prindërve dhe gjyshërve të tyre, sepse kjo është e pranueshme në sytë e Perëndisë.» (1. Timoteut 5:4, BR) Qofshim të rinj apo të vjetër, është e përshtatshme që t’u ofrojmë prindërve dhe gjyshërve tanë «shpërblimin e duhur». Në këtë mënyrë, tregojmë çmueshmëri për dashurinë e tyre, punën e tyre të madhe dhe kujdesjen për ne gjatë kaq shumë viteve. E pra, jetën tonë ua kemi borxh prindërve!
Vëre se dhënia e shpërblimit të duhur prindërve dhe gjyshërve është «e pranueshme në sytë e Perëndisë». Ajo është e lidhur me «devotshmërinë hyjnore» tonën. Prandaj, duke vepruar sipas kësaj këshille, ne shpërblehemi, duke e ditur se po bëjmë atë që është e pëlqyeshme për Perëndinë. Kjo gjë na sjell gëzim.
Është një gëzim kur u japim të tjerëve, veçanërisht kur u japim atyre që na kanë dhënë me bujari. (Veprat 20:35) Ç’shpërblim është, pra, të veprosh në harmoni me parimin biblik: «Le të gëzojë yt atë dhe jot ëmë, le të galdojë ajo që të leu!»—Proverbat 23:25, Dom Simon Filipaj.
Në ç’mënyrë mund t’u japim prindërve dhe gjyshërve tanë shpërblimin e duhur? Në tri mënyra: materialisht, emocionalisht dhe frymësisht. Secila sjell shpërblimet e veta.
Të japim mbështetje materiale
Ata që i shërbejnë Perëndisë, e dinë se është e rëndësishme të sigurojnë mbështetje materiale për anëtarët e afërt të familjes. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.»—1. Timoteut 5:8.
Tunji dhe Xhoi jetojnë në Afrikën Perëndimore. Ndonëse janë shumë ngushtë nga ana financiare, ata i ftuan prindërit e moshuar të Xhoit të banonin me ta. Babai i Xhoit ishte i sëmurë dhe së fundi vdiq. Tunji shprehet kështu: «Kur vdiq vjehrri, vjehrra përqafoi gruan time dhe tha: ‘Ju bëtë gjithçka që ka në dorë njeriu. Nuk duhet të ndiheni në asnjë mënyrë fajtorë për vdekjen e babait’. Megjithëse e humbëm babain, e dimë se blemë ilaçin më të mirë për të dhe gjithmonë u përpoqëm ta bënim të ndihej i dëshirueshëm dhe i nevojshëm; bëmë të pamundurën për të përmbushur përgjegjësinë tonë të dhënë nga Perëndia. Kjo qe kënaqësia që patëm.»
Sigurisht, jo kushdo është në gjendje t’i ndihmojë të tjerët materialisht. Një burrë që jeton në Nigeri, tha: «Nëse një njeri nuk mund të mbajë dot veten e vet, si mund të mbajë një tjetër?» Në shumë vende, në vitet që po vijnë situata mund të bëhet edhe më e keqe. Sipas një parashikimi të Kombeve të Bashkuara, së shpejti gjysma e popullsisë së Afrikës nën Saharanë, do të jetojë në varfëri absolute.
Nëse gjendesh në situata të varfra ekonomike, mund të marrësh ngushëllim nga tregimi i vërtetë i një të veje nevojtare. Kur Jezui ishte në tokë, vërejti një vejushë që dha një kontribut të vogël në thesarin e tempullit. Ajo dha vetëm «dy pare të vogla». Megjithatë, duke e njohur situatën e saj, Jezui tha: «Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre, . . . kurse ajo në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.»—Luka 21:1-4.
Ngjashëm, nëse bëjmë të pamundurën në lidhje me kujdesin material për prindërit apo gjyshërit tanë, edhe pse mund të jetë i paktë, Jehovai e vëren dhe e vlerëson. Ai nuk pret prej nesh që të bëjmë përtej asaj që kemi mundësi. Ndoshta edhe prindërit apo gjyshërit tanë do të ndihen në mënyrë të ngjashme.
Të japim mbështetje emocionale
Të sigurosh mbështetje për prindërit dhe gjyshërit tanë, përfshin më shumë sesa thjesht kujdesin për nevojat e tyre materiale. Të gjithë ne kemi nevoja emocionale. Kushdo, duke përfshirë edhe të moshuarit, ka dëshirë që ta duan, të ndihet i nevojshëm dhe i dëshirueshëm, si dhe të jetë anëtar i vlerësuar në familje.
Meri, e cila jeton në Kenia, është kujdesur tre vjet për vjehrrën e saj të moshuar. Meri thotë: «Përveç sigurimit të mbështetjes për nevojat e saj materiale, bisedojmë gjithmonë me të. Vjehrra nuk mund të bëjë shumë punë shtëpie, por ne bisedojmë dhe jemi bëre mike të ngushta. Disa herë flasim për Perëndinë, disa herë për njerëzit e vendit ku banonim më parë. Megjithëse i ka kaluar të 90-at, kujtesa e saj është shumë e mirë. Ajo kujton dhe flet për jetën kur ishte një vajzë e vogël, në ditët përpara 1914-s.»
Meri vazhdon: «Nuk është e lehtë të kujdesesh për një person të moshuar, por fakti që e kemi pasur me vete, na ka sjellë shpërblime të pasura. Në familje kemi paqe dhe harmoni. Fakti që unë i jap asaj, ka nxitur një frymë dhënieje edhe tek të tjerët në familje. Burri im ka më shumë respekt për mua. Nëse vjehrra dëgjon të më flasë ashpër dikush, hidhet menjëherë për të më mbrojtur. Askush nuk mund të më thotë një fjalë të ashpër, nëse është ajo nëpër këmbë!»
Të japim mbështetje frymore
Ashtu si dhënia materiale dhe emocionale i sjellin shpërblime atij që jep, po kështu ndodh edhe me çështjet frymore. Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit të krishterë në Romë: «Unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunti frymore, që të fortësoheni. Dhe kjo është që unë të ngushëllohem [inkurajohem, BR] bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.»—Romakëve 1:11, 12.
Në të njëjtën mënyrë, kur është fjala për t’u dhënë mbështetje frymore të moshuarve që i shërbejnë Perëndisë, shpesh inkurajimi është i dyanshëm. Osondu, i cili jeton në Nigeri, tregon: «Ajo që më intereson shumë në lidhje me gjyshërit e mi, është mundësia që më japin për t’i hedhur një vështrim të kaluarës. Gjyshi im, me sytë që i rrëzëllojnë, do të tregojë për territorin që ka punuar si shërbëtor në kohë të plotë në vitet ’50 dhe ’60. Ai bën krahasimin ndërmjet strukturës së tanishme të kongregacionit me atë se si ishte kur ai u bë Dëshmitar. Këto përvoja më ndihmojnë në shërbimin tim si pionier.»
Edhe të tjerët në kongregacionin e krishterë mund të ndihmojnë në dhënien ndaj të moshuarve. Tunji, i përmendur më sipër, shpjegoi se çfarë ndodhi në kongregacionin e tij: «Një vëlla, pionier i ri, të cilit i ishte caktuar të mbante një fjalim publik, e solli skemën tek vjehrri, kështu që mundën ta përgatitnin së bashku. Drejtuesi i Kullës së Rojës erdhi dhe i tha vjehrrit: ‘Ti ke përvojë. Ç’mund të më thuash, që të më ndihmosh për t’u përmirësuar.’ Vjehrri mundi t’i jepte atij plaku ndonjë këshillë praktike. Vëllezërit e përmendnin emrin e vjehrrit disa herë në lutjet e kongregacionit. E gjithë kjo e bënte atë të ndihej i dëshirueshëm.»
Sjellja e shkëlqyer i afron njerëzit ndaj Perëndisë
Disa herë, ndërsa tregojmë nderim dhe dashuri për prindërit dhe gjyshërit tanë, ne i afrojmë njerëzit ndaj Perëndisë. Apostulli Pjetër shkroi: «Silluni mirë ndër johebrenjtë [kombet, BR], që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira.»—1. Pjetrit 2:12.
Andrea, një plak i krishterë në Afrikën Perëndimore, udhëtonte 95 kilometra, dy herë në javë, që të kujdesej për babain e tij të sëmurë, i cili nuk ishte një besimtar. Ai tregon: «Kur u bëra Dëshmitar i Jehovait, babai im qe shumë kundër. Por kur vërejti se si po kujdesesha për të në kohën që ishte i sëmurë, vazhdoi t’i nxiste vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla: ‘Duhet të bashkoheni me fenë e vëllait tuaj!’ Kjo i nxiti ata dhe tani të nëntë fëmijët e babait tim janë Dëshmitarë të Jehovait.»
Nderimi dhe kujdesi për prindërit tanë të moshuar mund të jetë një sfidë, veçanërisht në kohë të vështira ekonomike. Por ndërkohë që të krishterët përpiqen ta bëjnë këtë, korrin shpërblime të shumta. Mbi të gjitha, ata përjetojnë gëzimin e dhënies, bashkë me kënaqësinë që vjen nga dijenia se po i pëlqejnë Perëndisë Jehova, i cili është «Ati i të gjithëve».—Efesianëve 4:6.
[Kutia në faqen 6]
Këshilla hyjnore për ata të cilëve u tregohet kujdes dhe për ata që e tregojnë atë
Ji inkurajues: «Secili nga ne le t’i pëlqejë të afërmit për mirë, për ndërtim.»—Romakëve 15:2.
Ji i palëkundur: «Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.»—Galatasve 6:9.
Ji i përulur: «Mos bëni asgjë për rivalitet, as për mendjemadhësi [egoizëm, BR], por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se veten.»—Filipianëve 2:3.
Ji bërës i së mirës: «Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.»—1. Korintasve 10:24.
Ji i arsyeshëm: «Arsyetueshmëria juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit.»—Filipianëve 4:5, BR.
Ji i dhembshur: «Bëhuni mirëdashës ndaj njëri-tjetrit, me dhembshuri të butë, duke falur lirshëm njëri-tjetrin.»—Efesianëve 4:32, BR.
[Figura në faqen 7]
Pleqtë më të rinj mund të përfitojnë nga përvoja e atyre që janë më të vjetër