Çfarë mund të na ndihmojë që ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës?
NJË KRITIK arti që punonte për një gazetë, një herë shkoi të shihte një pjesë teatrale. Atij nuk i pëlqeu shumë dhe më pas shkroi: «Nëse doni të shihni një gjë të parëndësishme, atëherë shkoni patjetër të shihni këtë pjesë teatrale.» Më vonë, reklamuesit e pjesës teatrale botuan një reklamë që kishte si aspekt kryesor një citim nga recensioni i kritikut. Citimi ishte: «Shkoni patjetër të shihni këtë pjesë teatrale!» Në reklamë citoheshin saktë fjalët e kritikut, por ato ishin shkëputur nga konteksti dhe, si rrjedhim, e paraqitnin krejtësisht ndryshe recensionin e tij.
Ky shembull ilustron se sa i rëndësishëm mund të jetë konteksti i një pohimi. Duke i marrë fjalët jashtë kontekstit mund të shtrembërohet kuptimi i tyre, ashtu si Satanai e shtrembëroi kuptimin e Shkrimeve kur u përpoq të mashtronte Jezuin. (Mateu 4:1-11) Nga ana tjetër, duke marrë parasysh kontekstin e një pohimi, kjo gjë na ndihmon të kemi një kuptueshmëri më të saktë të kuptimit të tij. Për këtë arsye, kur studiojmë një varg nga Bibla, është gjithmonë e mençur të shohim kontekstin dhe ta shikojmë vargun në tërësinë e rrethanave të tij, me qëllim që ta kuptojmë më mirë se për çfarë po fliste shkrimtari.
Ta përdorim me kujdes
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përkufizon fjalën «kontekst» si «pjesa e një teksti të shkruar, e cila ka një kuptim të plotë dhe na jep mundësi të përcaktojmë qartë kuptimin e përdorimin e çdo fjale, togu fjalësh a fjalie që bën pjesë në të». Po sipas këtij fjalori, konteksti mund të jetë «rrethi i ngjarjeve a rrethanat, në të cilat zhvillohet ose përfshihet diçka». Për kuptimin e dytë, një sinonim për fjalën «kontekst» do të ishte fjala «sfond». Shqyrtimi i kontekstit të një shkrimi është veçanërisht i rëndësishëm po të kemi parasysh atë që i shkroi apostulli Pavël Timoteut: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» (2 Timoteut 2:15) Që ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë, kemi nevojë ta kuptojmë siç duhet dhe pastaj t’ua shpjegojmë të tjerëve në mënyrë të ndershme e të saktë. Respekti për Jehovain, Autorin e Biblës, do të na nxitë që të përpiqemi për ta bërë këtë dhe shqyrtimi i kontekstit do të jetë një ndihmë e rëndësishme.
Sfondi i letrës së dytë drejtuar Timoteut
Le të shqyrtojmë për shembull letrën e dytë drejtuar Timoteut.a Për ta filluar shqyrtimin, mund të bëjmë pyetje rreth sfondit të kësaj letre. Kush e shkroi letrën e dytë drejtuar Timoteut? Kur? Në cilat rrethana? Pastaj mund të pyesim: Cila ishte gjendja e «Timoteut», emrin e të cilit mban kjo letër? Pse kishte nevojë ai për informacionin që gjendet në këtë letër? Përgjigjja e këtyre pyetjeve do ta rritë shumë çmueshmërinë për këtë letër dhe do të na ndihmojë të shohim se si mund të nxjerrim dobi prej saj.
Vargjet hyrëse tregojnë se ky libër biblik është një letër e shkruar nga apostulli Pavël drejtuar atij. Vargjet e tjera tregojnë se kur Pavli e shkroi atë, ishte i burgosur për shkak të lajmit të mirë. Ndërsa ishte braktisur nga shumë persona, Pavli mendonte se fundi i tij ishte afër. (2 Timoteut 1:15, 16; 2:8-10; 4:6-8) Kështu, ai duhet ta ketë shkruar letrën gjatë burgosjes së tij të dytë në Romë, ndoshta rreth vitit 65 të e.s. Menjëherë pas kësaj, Neroni me sa duket e dënoi me vdekje.
Ky është sfondi i letrës së dytë drejtuar Timoteut. Megjithatë është për t’u përmendur fakti se Pavli nuk i shkroi Timoteut për të qarë hallet e veta. Përkundrazi, ai e paralajmëroi Timoteun për kohët e vështira që e pritnin dhe e inkurajoi mikun e tij të shmangej nga shpërqendrimet, të vazhdonte ‘të merrte fuqi’ dhe t’ua kalonte të tjerëve udhëzimet e Pavlit. Ata nga ana e tyre do të ishin të pajisur aq sa duhej për të ndihmuar po ashtu persona të tjerë. (2 Timoteut 2:1-7) Çfarë shembulli i shkëlqyer interesimi altruist për të tjerët, edhe në kohë të vështira! Çfarë këshille e shkëlqyer për ne sot!
Pavli e quan Timoteun ‘bir i dashur’. (2 Timoteut 1:2) I riu përmendet shpesh në Shkrimet e Krishtere Greke si shoku besnik i Pavlit. (Veprat 16:1-5; Romakëve 16:21; 1 Korintasve 4:17) Kur Pavli ia shkroi këtë letër, duket se Timoteu ishte në të tridhjetat dhe prapëseprapë ai shihej si një i ri. (1 Timoteut 4:12) Sidoqoftë, ai kishte qenë tashmë një shembull i shkëlqyer besnikërie, ‘duke u skllavëruar bashkë me Pavlin’ ndoshta për 14 vjet. (Filipianëve 2:19-22) Edhe pse Timoteu ishte relativisht i ri, Pavli i caktoi detyrën që të këshillonte pleqtë e tjerë që ‘të mos ziheshin për fjalë’, por të përqendroheshin mbi çështje më të rëndësishme të tilla, si besimi dhe qëndrueshmëria. (2 Timoteut 2:14) Po ashtu, Timoteu ishte i autorizuar të bënte emërimet e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës të kongregacioneve. (1 Timoteut 5:22) Gjithsesi, ai mund të ketë qenë disi i pasigurt në vetvete në lidhje me ushtrimin e autoritetit të tij.—2 Timoteut 1:6, 7.
Ky plak i ri në moshë po haste disa sfida serioze. Së pari, dy individë, Himeneu dhe Fileti, ‘po minonin besimin e disave’, duke mësuar se ‘ringjallja kishte ndodhur tashmë’. (2 Timoteut 2:17, 18) Me sa duket, ata besonin se e vetmja ringjallje ishte ajo frymore dhe se tashmë kishte ndodhur për të krishterët. Ndoshta po citonin jashtë kontekstit pohimin e Pavlit se të krishterët kishin qenë të vdekur në mëkatet e tyre, por Perëndia u kishte dhënë jetë me anë të frymës së tij. (Efesianëve 2:1-6) Pavli paralajmëroi se ky ndikim apostat do të shtohej. Ai shkroi: «Do të vijë një periudhë kohe, kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, . . . do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme.» (2 Timoteut 4:3, 4) Paralajmërimi përpara kohe i Pavlit tregonte se ishte urgjente që Timoteu t’ia vinte veshin këshillës së Pavlit.
Vlera e letrës sot
Nga sa u tha më sipër, shohim se apostulli Pavël e shkroi letrën e dytë drejtuar Timoteut të paktën për këto arsye që vijojnë: (1) Ai e dinte se fundi i tij ishte afër dhe po përpiqej ta përgatiste Timoteun për kohën kur nuk do të ishte më që ta mbështeste atë. (2) Dëshironte ta pajiste Timoteun që të mbronte kongregacionet që ishin nën mbikëqyrjen e tij nga apostazia dhe nga ndikimet e dëmshme. (3) Donte ta inkurajonte Timoteun të ishte i zënë në shërbim të Jehovait dhe të mbështetej në njohurinë e saktë të Shkrimeve të frymëzuara, që të mbante një qëndrim të patundur kundër mësimeve të rreme.
Kuptueshmëria e sfondit na e bën më domethënëse letrën e dytë të Timoteut. Edhe sot ka apostatë si Himeneu dhe Fileti, të cilët nxitin idetë e tyre dhe duan të na minojnë besimin. Për më tepër ‘kohët kritike, të vështira për t’u përballuar’ që profetizoi Pavli, kanë ardhur. Shumë veta kanë provuar vërtetësinë e paralajmërimit të Pavlit: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:1, 12) Si mund të qëndrojmë të patundur? Ashtu si Timoteu duhet t’u vëmë veshin këshillave të atyre personave që i kanë shërbyer Jehovait prej vitesh. Gjithashtu, me anë të studimit personal, lutjes dhe shoqërisë së krishterë, mund ‘të vazhdojmë të marrim fuqi’ nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar të Jehovait. Për më tepër, duke pasur siguri në fuqinë e njohurisë së saktë, mund t’i vëmë veshin nxitjes së Pavlit: «Vazhdo ta mbash modelin e fjalëve të shëndosha.»—2 Timoteut 1:13.
‘Modeli i fjalëve të shëndosha’
Cilat janë ‘fjalët e shëndosha’ për të cilat foli Pavli? Ai e përdor këtë shprehje për t’iu referuar doktrinës së vërtetë të krishterë. Në letrën e parë drejtuar Timoteut, Pavli shpjegoi se ‘fjalët e shëndosha’ janë në thelb «ato të Zotërisë tonë Jezu Krisht». (1 Timoteut 6:3) Duke imituar modelin e fjalëve të shëndosha, si rrjedhojë do të kemi mendje të shëndoshë, natyrë të dashur dhe konsideratë për të tjerët. Meqë shërbimi dhe mësimet e Jezuit janë në harmoni me mësimet e tjera që gjenden në krejt Biblën, shprehja ‘fjalët e shëndosha’ mund t’i referohet në një shtrirje më të gjerë të gjitha mësimeve të Biblës.
Për Timoteun, ashtu si edhe për të gjithë pleqtë e krishterë, modeli i fjalëve të shëndosha ishte ‘një gjë e shkëlqyer që i ishte lënë në dorëzim’ e që duhej ruajtur. (2 Timoteut 1:13, 14) Timoteu duhej ‘të predikonte fjalën, ta bënte këtë me urgjencë në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë, të qortonte, të hiqte vërejtje, të nxiste me plot shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje’. (2 Timoteut 4:2) Kur mendojmë se mësimet apostate po përhapeshin në ditët e Timoteut, kuptojmë përse Pavli theksoi që të mësoheshin me urgjencë fjalët e shëndosha. Po ashtu, shohim se Timoteu duhej të mbronte kopenë ‘duke qortuar, duke hequr vërejtje, duke nxitur’ me plot shpirtgjerësi, nëpërmjet ushtrimit të aftësive të shkëlqyera të mësimdhënies.
Cilëve duhej t’u predikonte fjalën Timoteu? Konteksti hedh idenë se Timoteu si plak që ishte, do të predikonte fjalën brenda kongregacionit të krishterë. Duke parë presionet që ushtronin kundërshtarët, Timoteu duhej të ruante ekuilibrin frymor dhe të shpallte me guxim fjalën e Perëndisë dhe jo filozofitë njerëzore, idetë personale ose spekulime të padobishme. Është e vërtetë se kjo mund të shkaktonte kundërshtimin e disave që prireshin nga gjërat e gabuara. (2 Timoteut 1:6-8; 2:1-3, 23-26; 3:14, 15) Sidoqoftë, duke ndjekur këshillën e Pavlit, Timoteu do të vazhdonte të ishte një pengesë për apostazinë, ashtu siç kishte qenë edhe vetë Pavli.—Veprat 20:25-32.
A zbatohen fjalët e Pavlit për të predikuar fjalën edhe jashtë kongregacionit? Po, siç tregon edhe konteksti. Pavli vazhdon të thotë: «Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka, duro të ligën, bëj punën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Timoteut 4:5) Ungjillëzimi, pra predikimi i lajmit të mirë për shpëtimin e jobesimtarëve, është thelbësor në shërbimin e krishterë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Dhe ashtu si fjala e Perëndisë predikohet në kongregacion edhe «në kohë të vështirë», po kështu ngulmojmë për t’u predikuar fjalën atyre jashtë kongregacionit edhe në rrethana të vështira.—1 Selanikasve 1:6.
Baza e të gjithë predikimit dhe mësimdhënies sonë është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Ne kemi sigurinë më të plotë në Bibël. Pavli i tha Timoteut: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:16) Këto fjalë shpesh me të drejtë citohen për të treguar se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Por, cili ishte qëllimi i Pavlit kur i shkroi ato?
Pavli po fliste me një plak, me dikë që kishte përgjegjësinë ‘për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’ brenda kongregacionit. Kështu ai po i kujtonte Timoteut të kishte besim te mençuria e Fjalës së frymëzuar, në të cilën Timoteu ishte mësuar që nga foshnjëria. Disa herë pleqtë, ashtu si Timoteu, duhet të qortojnë keqbërësit. Kur bëjnë një gjë të tillë, ata duhet të kenë gjithnjë besim në Bibël. Për më tepër, meqenëse Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia, i gjithë qortimi i bazuar në to është në të vërtetë qortim nga Perëndia. Kushdo që hedh poshtë qortimin e bazuar në Bibël po hedh poshtë, jo disa ide njerëzore, por këshillën e frymëzuar që vjen nga vetë Jehovai.
Sa e pasur me mençuri të perëndishme është letra e dytë drejtuar Timoteut! Dhe sa më tepër domethënëse është ajo kur e shqyrtojmë këshillën e saj brenda kontekstit! Në këtë artikull, vetëm sa e kemi prekur në sipërfaqe informacionin e frymëzuar e të mrekullueshëm që përmban kjo letër, por mjafton për të treguar se sa e dobishme është të shqyrtojmë kontekstin e asaj që lexojmë në Bibël. Kjo do të na ndihmojë të sigurohemi se vërtet ‘po e përdorim drejt fjalën e së vërtetës’.
[Shënimi]
a Për informacione shtesë, shihni librin Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht), vëllimi 2, faqet 1105-1108, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 27]
Pavli dëshironte ta pajiste Timoteun që të mbronte kongregacionet
[Figura në faqen 30]
Pavli e kujtoi Timoteun që të kishte besim në mençurinë e Fjalës së frymëzuar