Të kujdesemi për të moshuarit—Një përgjegjësi e krishterë
«Edhe kur të plakeni unë do të jem i Njëjti. Edhe kur të thinjeni do t’ju mbaj.»—Isaia 46:4, BR.
1, 2. Në ç’mënyrë kujdesi që tregon Ati ynë qiellor ndryshon nga kujdesi që tregojnë prindërit njerëzorë?
PRINDËRIT e devotshëm kujdesen për fëmijët gjatë foshnjërisë, gjatë fëmijërisë dhe gjatë adoleshencës. Edhe kur fëmijët e tyre rriten dhe kanë familje, nënat dhe baballarët me dashuri vazhdojnë t’u kushtojnë vëmendje dhe t’i ndihmojnë.
2 Ajo që mund të bëjnë njerëzit për fëmijët e tyre ka një kufi, kurse Ati ynë qiellor është në gjendje që me dashuri t’u kushtojë vëmendje dhe t’i ndihmojë shërbëtorët e tij besnikë gjithmonë. Duke iu drejtuar popullit të tij të zgjedhur në kohët e lashta Jehovai tha: «Edhe kur të plakeni unë do të jem i Njëjti. Edhe kur të thinjeni do t’ju mbaj.» (Isaia 46:4, BR) Sa siguri u japin këto fjalë të krishterëve të moshuar! Jehovai nuk i braktis ata që i qëndrojnë besnikë. Përkundrazi, ai premton se do t’i ndihmojë, do t’i mbështetë dhe do t’i udhëheqë ata gjatë gjithë jetës, madje edhe në moshë të thyer.—Psalmi 48:14.
3. Çfarë do të shqyrtohet në këtë artikull?
3 Si mund të imitojmë interesimin e dashur të Jehovait për të moshuarit? (Efesianëve 5:1, 2) Le të shqyrtojmë disa mënyra se si fëmijët e tyre, mbikëqyrësit e kongregacioneve dhe çdo i krishterë mund të kujdesen për nevojat e pjesëtarëve të moshuar të vëllazërisë mbarëbotërore.
Përgjegjësia që kemi si fëmijë
4. Çfarë përgjegjësie kanë fëmijët e krishterë ndaj prindërve?
4 «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Efesianëve 6:2; Eksodi [Dalja] 20:12) Me këtë citim të thjeshtë, por domethënës, nga Shkrimet Hebraike, apostulli Pavël u kujtoi fëmijëve përgjegjësinë që kanë ndaj prindërve. Por, si zbatohen këto fjalë për kujdesin që duhet treguar ndaj të moshuarve? Një shembull inkurajues i kohëve para krishterimit do të na ndihmojë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.
5. (a) Cila gjë tregon se Jozefi nuk i kishte harruar detyrimet e tij ndaj prindërve? (b) Çfarë do të thotë të nderojmë prindërit? Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jozefi në këtë drejtim?
5 Për më tepër se 20 vjet Jozefi nuk kishte asnjë lidhje me të atin e moshuar, patriarkun Jakob. Gjithsesi Jozefi nuk e kishte humbur dashurinë për Jakobin. Në fakt kur Jozefi u zbuloi vëllezërve se kush ishte në të vërtetë, ai i pyeti: «A është ende gjallë ati im?» (Zanafilla 43:7, 27; 45:3) Në atë kohë në vendin e Kanaanit kishte rënë zia e bukës. Prandaj Jozefi i çoi fjalë të atit, duke i thënë: «Zbrit tek unë, mos u vono; ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; . . . Dhe atje unë do të të ushqej.» (Zanafilla 45:9-11; 47:12) Po, të nderojmë prindërit e moshuar do të thotë që t’i mbrojmë ata dhe t’u sigurojmë gjërat materiale kur nuk janë në gjendje të kujdesen për veten. (1 Samuelit 22:1-4; Gjoni 19:25-27) Jozefi e pranoi me gëzim këtë përgjegjësi.
6. Si shfaqi Jozefi dashuri të çiltër për të atin? Si mund ta imitojmë shembullin e tij?
6 Me bekimin e Jehovait, Jozefi ishte bërë një nga njerëzit më të pasur e më me pushtet në Egjipt. (Zanafilla 41:40) Megjithatë ai nuk mendonte se ishte aq i rëndësishëm ose aq shumë i zënë, saqë nuk mund të nderonte të atin 130-vjeçar. Kur mori vesh se Jakobi (ose Izraeli) po afrohej, «Jozefi e mbrehu qerren e tij dhe mori të përpjetën për në Goshen që të takonte Izraelin, atin e tij; sa e pa, iu hodh në qafë dhe qau gjatë i shtrënguar pas tij». (Zanafilla 46:28, 29) Kjo mikpritje nuk ishte thjesht një shfaqje respekti sa për t’u dukur. Jozefi e donte shumë të atin e moshuar dhe nuk kishte turp të shfaqte dashurinë e tij. Nëse kemi prindër të moshuar, a e shfaqim po kaq bujarisht përzemërsinë që ndiejmë për ta?
7. Pse Jakobi deshi të varrosej në Kanaan?
7 Jakobi qëndroi plotësisht i përkushtuar ndaj Jehovait deri në fund të jetës. (Hebrenjve 11:21) Për shkak të besimit që kishte te premtimet e Perëndisë, Jakobi kërkoi që eshtrat e tij të varroseshin në Kanaan. Jozefi e nderoi të atin duke ia plotësuar kërkesën, me gjithë koston e lartë dhe përpjekjet që iu deshën.—Zanafilla 47:29-31; 50:7-14.
8. (a) Cili është motivi kryesor që na shtyn të kujdesemi për prindërit e moshuar? (b) Çfarë bëri një shërbëtor në kohë të plotë për t’u kujdesur për prindërit e tij të moshuar? (Shih kutinë në faqen 17.)
8 Çfarë e nxiti Jozefin që të kujdesej për të atin? Ndonëse kishte dashuri dhe ndihej borxhli ndaj atij që i kishte dhënë jetën dhe që e kishte rritur, pa dyshim Jozefi dëshironte shumë edhe t’i pëlqente Jehovait. Po kështu edhe ne duhet të kemi këtë dëshirë. Pavli shkroi: «Nëse një vejushë ka fëmijë ose nipa e mbesa, këta le të mësojnë më parë të praktikojnë devocionin hyjnor me ata të shtëpisë së vet dhe të vazhdojnë t’u japin prindërve dhe gjyshërve shpërblimin e duhur, sepse kjo është e pranueshme në sy të Perëndisë.» (1 Timoteut 5:4) Po, dashuria për Jehovain dhe frika plot nderim për të do të na nxitin që të kujdesemi për prindërit e moshuar, pavarësisht nga vështirësitë që mund të përfshijë kjo.a
Si kujdesen pleqtë?
9. Cilët ka caktuar Jehovai për të kullotur kopenë, përfshirë edhe të krishterët e moshuar?
9 Aty nga fundi i jetës së tij të gjatë Jakobi e quajti Jehovain «Perëndia i vërtetë ka qenë bariu im gjatë gjithë ekzistencës sime deri më sot». (Zanafilla 48:15, BR) Sot Jehovai kujdeset si një bari për shërbëtorët e tij tokësorë nëpërmjet mbikëqyrësve të krishterë ose pleqve, nën drejtimin e Birit të tij, Jezu Krishtit, ‘kryebariut’. (1 Pjetrit 5:2-4) Si mund ta imitojnë Jehovain mbikëqyrësit kur kujdesen për pjesëtarët e moshuar të kopesë?
10. Çfarë është bërë për t’u siguruar ndihmë materiale të krishterëve të moshuar? (Shih kutinë në faqen 19.)
10 Pak kohë pas formimit të kongregacionit të krishterë apostujt emëruan «shtatë burra me dëshmi të mirë, plot frymë dhe mençuri» që të mbikëqyrnin «shpërndarjen e përditshme» të ushqimit për vejushat e krishtere nevojtare. (Veprat 6:1-6) Më vonë Pavli e udhëzoi mbikëqyrësin Timote që t’i shënonte vejushat e moshuara shembullore në listën e atyre që ishin caktuar të merrnin ndihmë materiale. (1 Timoteut 5:3, 9, 10) Po kështu sot, mbikëqyrësit e kongregacioneve me gatishmëri organizojnë që të krishterët e moshuar të kenë ndihmë praktike, kur kjo është e nevojshme. Megjithatë të kujdesemi për të moshuarit besnikë përfshin diçka më shumë.
11. Çfarë tha Jezui për vejushën nevojtare që dha një kontribut të vogël?
11 Nga fundi i shërbimit të tij në tokë, Jezui u ul në tempull dhe «nisi të vërente se si turma po hidhte para në arkat e thesarit». Pastaj vëmendja e tij u përqendrua te dikush. Tregimi thotë: «Një vejushë e varfër erdhi dhe hodhi dy monedha të vogla, që kanë shumë pak vlerë.» Jezui thirri dishepujt pranë vetes dhe u tha: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se të gjithë ata që hedhin para në arkat e thesarit, sepse të gjithë ata hodhën nga teprica e tyre, kurse ajo, nga skamja e saj, hodhi gjithë sa kishte, tërë atë që kishte për të jetuar.» (Marku 12:41-44) Nga ana materiale, kontributi i vejushës ishte i vogël, por Jezui e dinte se sa shumë i vlerëson Ati i tij qiellor këto shprehje të përkushtimit ndaj Tij të bëra me gjithë shpirt. Pavarësisht nga mosha e vejushës së varfër, Jezui nuk e shpërfilli atë që bëri ajo vejushë.
12. Si mund të tregojnë pleqtë çmueshmëri për ndihmesën që japin të krishterët e moshuar?
12 Ashtu si Jezui, mbikëqyrësit e krishterë nuk e shpërfillin atë që bëjnë të moshuarit për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. Pleqtë kanë arsye për t’i lavdëruar të moshuarit për pjesëmarrjen e tyre në shërbim dhe në mbledhje, për ndikimin e mirë që kanë në kongregacion dhe për qëndrueshmërinë e tyre. Një fjalë e sinqertë inkurajimi mund t’i ndihmojë të moshuarit që të gjejnë «shkak për ngazëllim» në shërbimin e shenjtë. Në këtë mënyrë nuk do të shkurajohen duke e krahasuar veten me atë që bëjnë të krishterët e tjerë ose me atë që kanë bërë vetë ata në të kaluarën.—Galatasve 6:4.
13. Si mund të përfitojnë pleqtë e kongregacioneve nga përvoja dhe nga aftësitë e të moshuarve?
13 Pleqtë mund të pranojnë ndihmën e vlefshme të të krishterëve të moshuar duke përfituar nga përvoja dhe aftësitë e tyre. Disa herë të moshuar shembullorë mund të përdoren për të bërë demonstrime ose mund të intervistohen. Një plak thotë: «Auditori tregohet shumë i vëmendshëm dhe dëgjon me kujdes kur intervistoj një vëlla ose motër të moshuar që i kanë rritur fëmijët në të vërtetën.» Pleqtë e një kongregacioni tjetër raportojnë se një pioniere 71-vjeçare ka pasur sukses t’i ndihmojë lajmëtarët e Mbretërisë që të marrin pjesë rregullisht në shërbim. Gjithashtu ajo i inkurajon ata që të bëjnë «gjërat bazë», si të lexojnë Biblën dhe shkrimin e ditës e të meditojnë për atë që lexojnë.
14. Si tregoi çmueshmëri një trup pleqsh për një mbikëqyrës të moshuar?
14 Pleqtë çmojnë edhe ndihmën e mbikëqyrësve të moshuar. Zhozeja, i cili është më shumë se 70 vjeç dhe shërben si plak prej dhjetëra vjetësh, kohët e fundit bëri një operacion të rëndë. Meqë do t’i duhej kohë të shërohej, ai mendoi të hiqte dorë nga privilegji si mbikëqyrës drejtues. Zhozeja thotë: «Reagimi i pleqve të tjerë më befasoi. Në vend që të pranonin atë që u thashë, më pyetën se për çfarë ndihme praktike kisha nevojë që të vazhdoja të përmbushja përgjegjësitë e mia.» Me ndihmën e një plaku më të ri në moshë, Zhozeja vazhdoi të shërbente me gëzim si mbikëqyrës drejtues, dhe kjo ka qenë një bekim për kongregacionin. Një plak tjetër thotë: «Vëllezërit e çmojnë shumë punën e Zhozesë si plak. Ata e duan dhe e respektojnë për përvojën dhe për besimin shembullor. Ai është një pasuri për kongregacionin tonë.»
Të kujdesemi për njëri-tjetrin
15. Pse të gjithë të krishterët duhet të interesohen për mirëqenien e të moshuarve?
15 Jo vetëm fëmijët e tyre dhe shërbëtorët e emëruar duhet të interesohen për të moshuarit. Duke e krahasuar kongregacionin e krishterë me trupin e njeriut, Pavli shkroi: «Perëndia e formoi trupin, duke i dhënë shumë më tepër nderim asaj pjese që kishte diçka mangut, në mënyrë që në trup të mos ketë ndarje, por që gjymtyrët e tij të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.» (1 Korintasve 12:24, 25) Në një përkthim tjetër thuhet: «Çdo pjesë [e trupit duhet] të kujdeset për mirëqenien e pjesëve të tjera.» (Knox) Që kongregacioni i krishterë të funksionojë në harmoni, çdo pjesëtar i tij duhet të interesohet për mirëqenien e bashkëbesimtarëve, përfshirë edhe të të moshuarve.—Galatasve 6:2.
16. Si mund të tregojmë interesimin tonë ndaj të moshuarve kur ndjekim mbledhjet e krishtere?
16 Mbledhjet e krishtere janë një mundësi e shkëlqyer për të treguar interesimin tonë ndaj të moshuarve. (Filipianëve 2:4; Hebrenjve 10:24, 25) A lëmë kohë për të biseduar me të moshuarit në këto raste? Edhe pse mund të jetë e përshtatshme t’i pyesim për shëndetin, a mund ‘t’u japim ndonjë dhuratë frymore’, ndoshta duke u treguar një përvojë ndërtuese ose një mendim nga Shkrimet? Meqë disa të moshuar kanë vështirësi në të ecur, do të ishte mirëdashëse nga ana jonë që të shkojmë ne t’i takojmë, e jo të presim që të vijnë ata te ne. Në qoftë se vëllai ose motra ka vështirësi në të dëgjuar, ndoshta duhet të flasim me ngadalë dhe qartë. E nëse duam që të ketë ‘një shkëmbim të vërtetë inkurajimi’, duhet të dëgjojmë me vëmendje atë që thotë vëllai ose motra e moshuar.—Romakëve 1:11, 12.
17. Si mund të tregojmë interesimin tonë për të krishterët e moshuar që janë të izoluar në shtëpi?
17 Çfarë të bëjmë kur ndonjë i moshuar nuk mund të ndjekë mbledhjet e krishtere? Te Jakovi 1:27 tregohet se e kemi për detyrë ‘të kujdesemi për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre’. Njëri kuptim i foljes greke të përkthyer «kujdesem» është «vizitoj». (Veprat 15:36) Sa shumë e çmojnë të moshuarit vizitën tonë! Kur ndodhej i burgosur në Romë rreth vitit 65 të e.s., Pavli «i moshuar» ishte vetëm fare. Ai digjej nga dëshira për të parë bashkëpunëtorin e tij Timote dhe shkroi: «Bëj çmos që të vish sa më shpejt tek unë.» (Filemonit 9; 2 Timoteut 1:3, 4; 4:9) Megjithëse nuk janë të burgosur në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, disa të moshuar janë të izoluar në shtëpi për shkak të problemeve të shëndetit. Në të vërtetë ndoshta mund të jenë duke thënë: ‘Ju lutem, bëni çmos të më vizitoni sa më shpejt.’ A po u përgjigjemi këtyre thirrjeve?
18. Çfarë dobish mund të vijnë kur i vizitojmë të moshuarit?
18 Kurrë të mos nënvlerësojmë dobitë që vijnë duke vizituar një vëlla ose motër të moshuar. Kur një i krishterë që quhej Onesifor, ndodhej në Romë, ai e kërkoi Pavlin me ngulm, e gjeti dhe pastaj ‘shpeshherë i solli freskim’. (2 Timoteut 1:16, 17) Një e krishterë e moshuar thotë: «Më pëlqen ta kaloj kohën me ata që janë më të rinj se unë. Ajo që më pëlqen më shumë është se më trajtojnë si një pjesëtare të familjes së tyre. Kjo më jep zemër.» Një e krishterë tjetër e moshuar thotë: «E çmoj shumë kur dikush më dërgon një kartolinë, më merr në telefon vetëm për pak minuta ose më viziton vetëm për pak çaste. Është sikur të thith ajër të pastër.»
Jehovai i shpërblen ata që kujdesen për të moshuarit
19. Çfarë bekimesh vijnë kur kujdesemi për të moshuarit?
19 Të kujdesemi për të moshuarit na sjell shumë bekime. Vetë fakti që shoqërohemi me të moshuarit, që mund të përfitojmë nga njohuria dhe përvoja e tyre është në vetvete një privilegj. Ata që kujdesen për të moshuarit përjetojnë një lumturi të madhe që vjen kur japin, si edhe përjetojnë kënaqësi e paqe të brendshme që kanë përmbushur një përgjegjësi biblike. (Veprat 20:35) Përveç kësaj, ata që kujdesen për të moshuarit nuk kanë frikë se mos ata vetë do t’i braktisin kur të jenë të moshuar. Fjala e Perëndisë na siguron: «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.»—Fjalët e urta (Proverbat 11:25).
20, 21. Si i sheh Jehovai ata që kujdesen për të moshuarit? Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
20 Jehovai i shpërblen bijtë me frikë Perëndie, mbikëqyrësit dhe të krishterët mirëdashës që kujdesen me altruizëm për nevojat e bashkëbesimtarëve të moshuar. Një frymë e tillë është në përputhje me këtë fjalë të urtë: «Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.» (Fjalët e urta 19:17) Nëse dashuria na nxit që të tregojmë mëshirë ose t’i japim hir të varfrit a të përvuajturit, Perëndia e sheh këtë si një hua dhe na e shpërblen me bekime. Gjithashtu Ai na shpërblen që kujdesemi me dashuri për bashkadhuruesit e moshuar, shumë prej të cilëve janë ‘të varfër për sa i përket botës, por të pasur në besim’.—Jakovi 2:5.
21 Sa bujarisht na shpërblen Perëndia! Në këtë shpërblim përfshihet jeta e përhershme. Për pjesën më të madhe të shërbëtorëve të Jehovait, ky shpërblim do të jetë jeta e përhershme në një tokë parajsore, ku pasojat e mëkatit të trashëguar të zhduken dhe të moshuarit besnikë të gëzojnë përtëritjen e fuqisë së tyre rinore. (Zbulesa 21:3-5) Ndërsa presim këtë kohë të bekuar, le të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësinë e krishterë për t’u kujdesur për të moshuarit!
[Shënimi]
a Për sugjerime praktike se si të kujdesemi për prindërit e moshuar, shihni Zgjohuni! 8 shkurt 1994, faqet 3-10, anglisht.
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund t’i nderojnë bijtë e tyre prindërit e moshuar?
• Si tregojnë pleqtë çmueshmëri për pjesëtarët e moshuar të kopesë?
• Çfarë mund të bëjë çdo i krishterë për të shfaqur interesim të vërtetë ndaj të moshuarve?
• Çfarë bekimesh vijnë kur kujdesemi për të krishterët e moshuar?
[Kutia në faqen 17]
Kur prindërit e tij kishin nevojë për ndihmë
Filipi shërbente si vullnetar në fushën e ndërtimit në Liberi në vitin 1999 kur mori lajmin se i ati ishte i sëmurë rëndë. Duke qenë i bindur se mamaja nuk do të mund t’ia dilte mbanë vetëm, vendosi të kthehej në shtëpi për t’u kujdesur për të atin.
«Nuk e kisha të lehtë të kthehesha,—kujton Filipi—por mendova se në radhë të parë kisha detyrime ndaj prindërve.» Gjatë tri viteve vijuese u gjeti prindërve një shtëpi më të përshtatshme dhe me ndihmën e të bashkëkrishterëve vendës ia përshtati atë nevojave të veçanta të babait.
Mamaja e Filipit tani është më e përgatitur për t’u bërë ballë problemeve të rënda shëndetësore të të shoqit. Kohët e fundit Filipi pranoi ftesën për të punuar si vullnetar në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Maqedoni.
[Kutia në faqen 19]
Ata janë kujdesur për nevojat e saj
Kur Ada, një e krishterë 85-vjeçare nga Australia, mbeti e izoluar në shtëpi për shkak të shëndetit të dobët, pleqtë e kongregacionit morën masa për ta ndihmuar. Ata organizuan një grup bashkëbesimtarësh që ta ndihmonin. Këta vëllezër e motra ishin të lumtur të kujdeseshin për punë të tilla si pastrimi, larja, gatimi dhe bërja e pazarit.
Kjo ndihmë filloi të jepej pothuajse dhjetë vjet më parë. Deri tani më shumë se 30 Dëshmitarë të Jehovait kanë ndihmuar për t’u kujdesur për Adën. Ata vazhdojnë ta vizitojnë, t’i lexojnë botimet biblike, t’i tregojnë për përparimin frymor të pjesëtarëve të kongregacionit dhe të luten rregullisht me të.
Një plak vendës komentoi: «Ata që kujdesen për Adën e quajnë një privilegj ta ndihmojnë. Shumë veta janë nxitur nga shërbimi i saj besnik gjatë disa dhjetëvjeçarëve dhe as që mund ta mendojnë që të mos kujdesen për nevojat e saj.»
[Figura në faqen 16]
A e shfaqim bujarisht përzemërsinë tonë ndaj prindërve të moshuar?
[Figurat në faqen 18]
Të gjithë në kongregacion mund të shfaqin dashuri për bashkëbesimtarët e moshuar