Jehovai e quajti ‘miku im’
«Ti, o Izrael, je shërbëtori im, ti, o Jakob, i zgjedhuri im, je fara e Abrahamit, mikut tim.»—ISA. 41:8.
1, 2. (a) Nga e dimë se njerëzit mund të bëhen miq të Perëndisë? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
QË NGA djepi gjer në varr, mbi gjithçka kemi nevojë për dashuri. Vërtet, njerëzit kanë nevojë dhe janë të etur për dashuri—e këtu s’është fjala thjesht për dashurinë romantike. Neve na digjet zemra për miqësi dhe lidhje njerëzore. Por ka një dashuri për të cilën kemi nevojë më shumë se për çdo dashuri tjetër. Është dashuria e Jehovait. Shumë veta nuk arrijnë ta përfytyrojnë se si mund të lidhin njerëzit miqësi të ngushtë e të ngrohtë me Perëndinë e Plotfuqishëm, që është një person i padukshëm në qiell. Mos vallë e kemi edhe ne këtë dyshim? As që bëhet fjalë!
2 Bibla flet për njerëz të papërsosur që janë bërë miq me Perëndinë. Pse të mos meditojmë për shembullin e tyre? Në fund të fundit, s’ka synim më me vlerë në jetë sesa të ndërtojmë miqësinë me Perëndinë. Një shembull i shkëlqyer i dikujt që e kultivoi këtë miqësi është Abrahami. (Lexo Jakovin 2:23.) Si u lidh aq fort me Jehovain ai? Një element thelbësor i asaj miqësie ishte besimi. Në fakt, Bibla e quan Abrahamin «ati i të gjithë atyre që kanë besim». (Rom. 4:11) Le të shohim, pra, si e ndihmoi besimi Abrahamin që të ndërtonte një miqësi të ngushtë me Perëndinë. Secili nga ne mund të pyesë veten: «Si mund ta imitoj besimin e Abrahamit dhe të forcoj miqësinë me Jehovain?»
SI U BË ABRAHAMI MIK I JEHOVAIT?
3, 4. (a) Përshkruani atë që duhet të ketë qenë sprova më e madhe e besimit për Abrahamin. (b) Pse Abrahami ishte i gatshëm ta flijonte Isakun?
3 Përfytyro një burrë të moshuar që i ngjitet me mundim një shpati mali. Ka të ngjarë që ky të jetë udhëtimi më i vështirë në jetën e tij. Nuk është mosha ajo që ia bën udhën plumb të rëndë. Abrahami mund të jetë rreth 125 vjeç, por është ende i fuqishëm.[1] Nga pas e ndjek një burrë, ndoshta 25 vjeç. Është biri i tij, Isaku, që mbart drutë e zjarrit. Kurse Abrahami ka me vete një thikë dhe mjetet për të ndezur zjarrin. Jehovai i ka kërkuar ta flijojë të birin.—Zan. 22:1-8.
4 Ka shumë të ngjarë që për Abrahamin kjo të ishte sprova më e madhe e besimit. Ka nga ata që thonë se Perëndia ishte mizor që i kërkoi Abrahamit diçka të tillë, e disa lënë të kuptohet se bindja e Abrahamit ishte e verbër dhe tregonte mungesë dhembshurie. I shohin gjërat me këtë sy sepse as kanë besim, as e kuptojnë se ç’është besimi. (1 Kor. 2:14-16) Abrahami nuk iu bind Perëndisë verbërisht. Përkundrazi, u bind ngaqë arrinte të shihte. Ai e shihte qartë me sytë e besimit të vërtetë se Ati i tij qiellor, Jehovai, nuk u kërkon kurrë shërbëtorëve të vet besnikë të bëjnë diçka që do t’u sjellë dëm të përhershëm. Abrahami e dinte se po t’i bindej Jehovait, Perëndia i tij do ta bekonte atë vetë dhe birin e tij të shtrenjtë. Ku bazohej besimi i tij? Te njohuria dhe te përvoja.
5. Si mund të ketë mësuar Abrahami për Jehovain? Si u ndie kur mori atë njohuri?
5 Njohuria. Edhe pse u rrit në Ur, një qytet kaldeas ku vlonte idhujtaria, Abrahami arriti të njihte Jehovain. Po si ndodhi kjo, përderisa i ati, Terahu, ishte idhujtar? (Jos. 24:2) Bibla nuk thotë gjë për këtë. Megjithatë, tregon se Abrahami bënte pjesë në brezin e nëntë të pasardhësve të Semit, një nga bijtë e Noesë dhe burrë me besim të jashtëzakonshëm. Semi jetoi deri kur Abrahami ishte afro 150 vjeç. Nuk e dimë me siguri nëse Abrahami mësoi për Jehovain nga Semi, por ka shumë gjasa që Semi t’i ketë përcjellë familjes së vet atë që dinte për Jehovain. Në njëfarë mënyre, edhe Abrahami arriti ta merrte atë njohuri dhe i zbriti në zemër. Kështu i lindi e iu rrit dashuria për Perëndinë, dhe njohuria për Të e ndihmoi të ndërtonte besimin.
6, 7. Si ia forcuan besimin Abrahamit përvojat që pati në jetë?
6 Përvoja. Si e fitoi Abrahami atë lloj përvoje që i forcoi besimin te Jehovai? Thuhet se nga mendimet lindin ndjenjat, dhe nga ndjenjat lindin veprimet. Falë asaj që mësoi për Perëndinë, Abrahamit i lindi një nderim dhe respekt nga zemra për ‘Jehovain, Perëndinë Më të Lartë, Bërësin e qiellit e të tokës’. (Zan. 14:22) Bibla e quan këtë ndjenjë ‘frikë nga Perëndia’, dhe ajo është jetësore për të ndërtuar miqësi të ngushtë me Të. (Hebr. 5:7; Psal. 25:14) Frika nga Perëndia e nxiti Abrahamin të vepronte.
7 Perëndia i udhëzoi Abrahamin dhe Sarën e moshuar të iknin nga Uri dhe të shpërnguleshin në një vend të huaj. Sa të ishin gjallë, do të jetonin në tenda. Duke u bindur, Abrahami i dha mundësi Jehovait ta bekonte e ta mbronte. Për shembull, Abrahami kishte frikë se do t’ia rrëmbenin gruan e tij të bukur, Sarën, dhe atë vetë do ta vritnin. Ai kishte arsye të forta që të merakosej, por prapë nuk lejoi që kjo ta shpërqendronte aq sa të mos i bindej Jehovait. Kështu, Jehovai ndërhyri më shumë se një herë dhe i mbrojti Abrahamin e Sarën, e madje përdori mrekulli për këtë. (Zan. 12:10-20; 20:2-7, 10-12, 17, 18) Ato përvoja ia forcuan besimin Abrahamit.
8. Si mund t’i fitojmë njohurinë dhe përvojën që do të na forcojnë miqësinë me Jehovain?
8 Po ne, a mund të ndërtojmë një miqësi me Jehovain? Pa diskutim që po! Sot është e lehtë të fitojmë njohurinë dhe përvojën që nevojitet për këtë. Abrahami kishte vetëm një pjesëz të pasurisë së bollshme të mençurisë që gjejmë sot në faqet e Biblës. (Dan. 12:4; Rom. 11:33) Fjala e Perëndisë është plot thesare që mund të na thellojnë njohurinë për ‘Bërësin e qiellit e të tokës’ dhe që na ndihmojnë të ndërtojmë respektin e dashurinë për të. Kur këto ndjenja na nxitin t’i bindemi Perëndisë, fitojmë përvojë, sepse shohim çfarë frytesh sjell bindja. Vërejmë se këshillat e tij na mbrojnë dhe se Ai na bekon e na jep forcë. Provojmë se shërbimi me gjithë shpirt për Perëndinë na mbush me kënaqësi, paqe e gëzim. (Psal. 34:8; Prov. 10:22) Dora-dorës që njohuria dhe përvoja shtohen, thellohen edhe besimi te Jehovai dhe miqësia me të.
SI E RUAJTI ABRAHAMI MIQËSINË ME PERËNDINË
9, 10. (a) Çfarë duhet që një miqësi të bëhet më e fortë? (b) Ç’gjë tregon se Abrahami e ushqeu dhe e forcoi miqësinë me Jehovain?
9 Një miqësi mund të jetë një thesar i vyer. (Lexo Proverbat 17:17.) Veçse miqësia nuk është si një send pa jetë që mund ta blejmë e pastaj ta lëmë diku që të zërë pluhur. Miqësia është më tepër si një bimë që çel e lulëzon vetëm po ta ujitim dhe të kujdesemi për të. Abrahami e ushqeu dhe e ruajti si dritën e syve miqësinë me Jehovain. Si e bëri këtë?
10 Ai nuk mendoi kurrë se mjaftonte frika hyjnore dhe bindja që kishte treguar në të kaluarën. Teksa udhëtonte në Kanaan me familjen e tij të madhe, Abrahami vazhdoi ta lejonte Jehovain që ta udhëhiqte në çdo vendim, qoftë të vogël a të madh. Një vit para se të lindte Isaku, kur Abrahami ishte 99 vjeç, Jehovai kërkoi të rrethpriteshin gjithë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit. A e diskutoi Abrahami atë urdhër ose a kërkoi ndonjë mënyrë si t’i bënte bisht? Jo, ai pati besim te Perëndia dhe iu bind «po atë ditë».—Zan. 17:10-14, 23.
11. Pse Abrahami u merakos për Sodomën dhe Gomorrën, dhe si e ndihmoi Jehovai?
11 Ngaqë Abrahami e bëri zakon t’i bindej Jehovait edhe në gjëra të vockla në dukje, miqësia e tij me Perëndinë vazhdoi të forcohej dhe të lulëzonte. Ai ia hapte zemrën lirshëm Jehovait dhe, kur e mundonin pyetje të vështira, i kërkonte ndihmë. Për shembull, kur mori vesh se Perëndia do të shkatërronte qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, Abrahamin e brente meraku se mos shfaroseshin edhe të drejtët bashkë me të ligjtë. Mbase ishte i shqetësuar për të nipin, Lotin, dhe familjen e tij, që asokohe jetonin në Sodomë. Me përulësi të madhe dhe me besim te Perëndia, Abrahami pyeti ‘Gjykatësin e gjithë tokës’. Jehovai e mësoi me durim Abrahamin se sa i mëshirshëm është, se lexon çdo zemër dhe i kërkon të drejtët e i shpëton, madje edhe në kohë gjykimi.—Zan. 18:22-33.
12, 13. (a) Si e ndihmuan më vonë Abrahamin njohuria dhe përvoja? (b) Ç’gjë tregon se Abrahami kishte besim të patundur te Jehovai?
12 Pa dyshim që çdo grimcë njohurie dhe përvoje e ndihmoi Abrahamin të ruante miqësinë e ngushtë me Jehovain. Më vonë, kur u përball me një sprovë të vështirë—me kërkesën e Jehovait që të flijonte të birin, Isakun—Abrahami e dinte se ç’lloj Personi ishte Miku i tij qiellor dhe mund të meditonte për këtë. Le të kthehemi, pra, te ky burrë besnik që po i ngjitej me mundim shpatit të malit në vendin e Moriahut. A mendonte vallë Abrahami se befas Jehovai do të ndryshonte dhe do të bëhej i egër e zemërgur? As që i shkonte kurrë në mend! Nga e dimë?
13 Para se të ndaheshin nga shërbëtorët që i shoqëronin, Abrahami tha: «Ju rrini këtu me gomarin, ndërsa unë dhe im bir po shkojmë atje që të adhurojmë Perëndinë, dhe pastaj do të kthehemi.» (Zan. 22:5) Ç’donte të thoshte me këtë? A po i gënjente shërbëtorët kur u tha se Isaku do të kthehej ndërkohë që e dinte se Isaku do të flijohej? Jo. Bibla na ndihmon të kuptojmë se ç’po mendonte Abrahami. (Lexo Hebrenjve 11:19.) Abrahami «ishte i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte [Isakun] edhe nga të vdekurit». Po, ai besonte te ringjallja. E dinte se Jehovai u kishte rigjallëruar aftësitë riprodhuese atij vetë dhe Sarës në moshë të thyer. (Hebr. 11:11, 12, 18) Abrahami e kishte të qartë se për Jehovain asgjë nuk ishte e pamundur. Ndaj kishte besim të patundur se çfarëdo që të ndodhte në atë ditë sprovuese, biri i tij i shtrenjtë do t’i kthehej, në mënyrë që të përmbusheshin të gjitha premtimet e Jehovait. S’është çudi që Abrahami quhet «ati i të gjithë atyre që kanë besim».
14. Çfarë vështirësish has ti teksa i shërben Jehovait, dhe si mund të të ndihmojë shembulli i Abrahamit?
14 Ç’të themi për ne? Vërtet, sot Perëndia nuk na bën kërkesa të tilla. Por prapë na kërkon t’i bindemi edhe atëherë kur s’e kemi të lehtë ta zbatojmë ndonjë urdhër të tij ose nuk e kuptojmë pse na e ka dhënë. A të vjen ndër mend diçka që kërkon Perëndia nga ti dhe që e ke të vështirë ta bësh? Për disa mund të jetë vepra e predikimit. Mbase luftojnë me ndrojtjen, e cila ua bën të vështirë t’u japin lajmin e mirë njerëzve të panjohur. Për të tjerë mund të jetë sfida që të bien në sy si të ndryshëm, ndoshta në shkollë a në vendin e punës. (Dal. 23:2; 1 Sel. 2:2) A ndihesh ndonjëherë si Abrahami, sikur po i ngjitesh me mundim atij shpati mali në Moriah dhe të pret një detyrë që të duket përtej fuqive të tua? Nëse po, merr zemër nga Abrahami dhe nga besimi i tij! Meditimi për shembujt e besnikëve të lashtësisë mund të na nxitë t’i imitojmë dhe të afrohemi me Jehovain, Mikun tonë.—Hebr. 12:1, 2.
NJË MIQËSI QË SJELL BEKIME
15. Pse mund të jemi të sigurt se Abrahami nuk u bë kurrë pishman që iu bind me besnikëri Jehovait?
15 A thua u bë ndonjëherë pishman Abrahami që iu bind me besnikëri Jehovait? Vër re si e përshkruan Bibla fundin e jetës së tij: «Abrahami dha frymë e vdiq në pleqëri të mbarë, i moshuar e i kënaqur.» (Zan. 25:8) Kur ishte 175 vjeç, Abrahamin e lanë fuqitë. Sidoqoftë, mund të ndihej i kënaqur teksa kujtonte jetën e vet, që e kishte jetuar si s’ka më mirë—një jetë e përqendruar deri në fund te miqësia me Perëndinë Jehova. Megjithatë, kur lexojmë se Abrahami ishte «i moshuar e i kënaqur», të mos nxjerrim përfundimin se ishte ngopur me jetë dhe s’kishte më qejf të jetonte në të ardhmen.
16. Çfarë gëzimesh do të përjetojë Abrahami në Parajsë?
16 Bibla thotë për Abrahamin: «Ai priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia.» (Hebr. 11:10) Abrahami besonte se një ditë do ta shihte atë qytet, Mbretërinë e Perëndisë, të qeveriste mbi tokën mbarë—e do ta shohë se s’bën! A e përfytyron dot sa i ngazëlluar do të jetë Abrahami që do të jetojë në tokën parajsore dhe do të vazhdojë ta forcojë miqësinë me Jehovain? Sa do të preket kur të marrë vesh se shembulli i tij i besimit i ndihmoi shërbëtorët e Jehovait për mijëra vjet pas vdekjes së tij! Në Parajsë madje do të mësojë se mënyra si iu kthye Isaku ishte «një ilustrim» për diçka shumë më të madhe. (Hebr. 11:19) Do të mësojë edhe se dhimbja që ndjeu ndërsa përgatitej të flijonte Isakun ka ndihmuar me miliona besnikë të përfytyrojnë dhimbjen e vetë Jehovait kur dha si shpërblesë të Birin, Jezu Krishtin. (Gjoni 3:16) Shembulli i Abrahamit na ka ndihmuar të gjithëve të kemi çmueshmëri më të thellë për shpërblesën, për aktin më të madh të dashurisë që njeh historia.
17. Për çfarë je i vendosur? Ç’do të shohim në artikullin tjetër?
17 Secili nga ne qoftë i vendosur të imitojë besimin e Abrahamit! Teksa vazhdojmë ta njohim më mirë Jehovain, mbajmë integritetin ndaj tij ndër vite dhe fitojmë kështu më tepër përvojë për shpërblimet që vijnë kur i shërbejmë besnikërisht. (Lexo Hebrenjve 6:10-12.) Jehovai qoftë Miku ynë përgjithmonë! Në artikullin vijues do të shohim shembullin e tre besnikëve të tjerë që u bënë miq të ngushtë të Perëndisë.
^ [1] (paragrafi 3) Në fillim, ky burrë dhe e shoqja quheshin Abram dhe Saraja, por në këtë artikull do të përdorim emrat që u vuri më vonë Jehovai—Abraham dhe Sara.