T’u përgjigjemi premtimeve të Perëndisë duke ushtruar besim
«Ai [Perëndia Jehova] na ka dhënë falas premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha.»—2. PJETRIT 1:4, NW.
1. Çfarë do të na aftësojë për të ushtruar besim të vërtetë?
JEHOVAI do që ne të ushtrojmë besim në premtimet e tij. Megjithatë «besimi nuk është pronë e të gjithë njerëzve». (2. Selanikasve 3:2, NW) Kjo cilësi është një fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë apo forcës aktive. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, vetëm ata që udhëhiqen prej frymës së Jehovait mund të ushtrojnë besim.
2. Si e përkufizoi apostulli Pavël «besimin»?
2 Por, çfarë është besimi? Apostulli Pavël e quan atë «shfaqja e dukshme e të vërtetave që nuk shihen». Dëshmia e këtyre të vërtetave të padukshme është kaq e fortë, saqë besimi është krahasuar me të. Për besimin thuhet, gjithashtu, se është «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara», pasi ata që e zotërojnë këtë cilësi kanë garancinë se çdo gjë që ka premtuar Perëndia Jehova është kaq e sigurt, saqë është njësoj sikur të kish ndodhur.—Hebrenjve 11:1, NW.
Besimi dhe premtimet e Jehovait
3. Çfarë do të marrin të krishterët e mirosur nëse ushtrojnë besim?
3 Që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të ushtrojmë besim në premtimet e tij. Apostulli Pjetër e tregoi këtë në letrën e tij të dytë të frymëzuar, të shkruar rreth vitit 64 të e.s. Ai theksoi se, nëse bashkëshërbëtorët e tij të mirosur të krishterë do të ushtronin besim, do të shihnin përmbushjen e «premtimeve të çmueshme dhe shumë të mëdha» të Perëndisë. Si rezultat, ata mund të bëhen «pjesëtarë të natyrës hyjnore», si bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin në Mbretërinë qiellore. Me besim dhe me ndihmën e Perëndisë Jehova, ata kishin shpëtuar prej skllavërisë së shprehive dhe praktikave të korruptuara të kësaj bote. (2. Pjetrit 1:2-4) Dhe mendo! Ata që ushtrojnë besim të vërtetë gëzojnë të njëjtën liri të paçmueshme sot.
4. Cilat cilësi duhet t’i shtojmë besimit tonë?
4 Besimi në premtimet e Jehovait dhe mirënjohja për lirinë që na ka dhënë Perëndia, duhet të na nxisin për të bërë ç’të mundim për të qenë të krishterë shembullorë. Pjetri tha: «Duke kryer si përgjigje çdo përpjekje të kujdesshme, shtojini besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë, njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit këmbënguljen, këmbënguljes devotshmërinë e shenjtë, devotshmërisë së shenjtë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë.» (2. Pjetrit 1:5-7, NW) Pjetri, pra, na jep një listë, të cilën do të bënim mirë ta mësonim përmendësh. Le t’i shohim më nga afër këto cilësi.
Elemente jetësore të besimit
5, 6. Çfarë është virtyti dhe si mund t’ia shtojmë atë besimit tonë?
5 Pjetri tha se virtyti, njohuria, vetëkontrolli, këmbëngulja, devotshmëria e shenjtë, dashuria vëllazërore dhe dashuria duhen lidhur me njëra-tjetrën dhe me besimin tonë. Duhet të punojmë shumë që t’i bëjmë këto cilësi elemente jetësore të besimit tonë. Për shembull, virtyti nuk është një cilësi që ne mund ta shprehim veç besimit. Leksikografi W. E. Vine thekson se tek 2. Pjetrit 1:5, «virtyti gëzohet si një cilësi thelbësore në ushtrimin e besimit». Secila prej cilësive të tjera të përmendura nga Pjetri duhet të jetë, gjithashtu, një element i besimit tonë.
6 Së pari, duhet t’i shtojmë besimit tonë virtytin. Të jesh i virtytshëm do të thotë të bësh atë çka është e mirë në sytë e Perëndisë. Për fjalën greke të përkthyer këtu «virtyt», disa versione përdorin «mirësi». (BK; New International Version; The Jerusalem Bible; Today’s English Version) Virtyti na shtyn që të shmangemi nga të bërët keq apo që të mos dëmtojmë të afërmit. (Psalmi 97:10) Ai na ysht, gjithashtu, në veprime të guximshme për të mirën frymore, fizike dhe emocionale të të tjerëve.
7. Përse duhet t’i shtojmë besimit dhe virtytit tonë edhe njohurinë?
7 Përse Pjetri na nxit që besimit dhe virtytit tonë t’i shtojmë edhe njohurinë? Ndërsa besimi ynë ballafaqohet me sfida të reja, ne kemi nevojë për njohuri, nëse duam të dallojmë të drejtën nga e gabuara. (Hebrenjve 5:14) Nëpërmjet studimit të Biblës dhe ushtrimit të mençurisë praktike në jetën e përditshme, ne rrisim njohurinë tonë. Në këmbim, kjo na aftëson që të ruajmë besimin tonë dhe të bëjmë atë që është e virtytshme edhe kur jemi në prova.—Proverbat 2:6-8; Jakovit 1:5-8.
8. Çfarë është vetëkontrolli dhe si lidhet ai me këmbënguljen?
8 Për të pasur një ndihmë në përballimin me besim të provave, duhet t’i shtojmë njohurisë sonë vetëkontrollin. Fjala greke për «vetëkontroll» tregon aftësinë për të mbajtur nën fre vetveten. Ky fryt i frymës së Perëndisë na ndihmon për t’u treguar të përmbajtur në mendime, në fjalë dhe në sjellje. Duke ngulmuar në ushtrimin e vetëkontrollit, i shtojmë atij edhe këmbënguljen. Termi grek për «këmbëngulje» do të thotë vendosmëri e guximshme, jo nënshtrim i dëshpëruar ndaj një pengese të pakalueshme. Për gëzimin që iu vu përpara Jezui duroi shtyllën e mundimeve. (Hebrenjve 12:2) Forca që na jep Perëndia e shoqëruar me këmbënguljen, mbështet besimin tonë dhe na ndihmon të gëzohemi në mjerime dhe të shmangim kompromiset kur persekutohemi.—Filipianëve 4:13.
9. (a) Çfarë është devotshmëria e shenjtë? (b) Përse duhet t’i shtojmë dashuri vëllazërore devotshmërisë sonë të shenjtë? (c) Si mund t’i shtojmë dashuri dashurisë sonë vëllazërore?
9 Këmbënguljes sonë duhet t’i shtojmë edhe devotshmërinë e shenjtë—nderimin e thellë, adhurimin dhe shërbimin ndaj Jehovait. Besimi ynë rritet ndërsa praktikojmë devotshmëri të shenjtë dhe shohim se si vepron Jehovai me popullin e tij. Megjithatë, që të manifestojmë përshpirtshmëri, kemi nevojë për dashuri vëllazërore. Në fund të fundit «kush nuk e do vëllanë e vet që e sheh, Hyun [Perëndinë, NW] që nuk e sheh, s’ mund ta duajë». (1. Gjonit 4:20) Zemrat tona duhet të na shtyjnë që të tregojmë dashuri të vërtetë për shërbëtorët e tjerë të Jehovait dhe të veprojmë gjithnjë për të mirën e tyre. (Jakovit 2:14-17) Po përse na thuhet që dashurisë sonë vëllazërore t’i shtojmë edhe dashurinë? Është e dukshme se Pjetri do të thotë që ne duhet të tregojmë dashuri për të gjithë njerëzimin, jo vetëm për vëllezërit tanë. Kjo dashuri tregohet veçanërisht duke predikuar lajmin e mirë dhe duke i ndihmuar njerëzit frymësisht.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Pasoja të kundërta
10. (a) Si do të veprojmë nëse besimit tonë do t’i kemi shtuar edhe virtytin, njohurinë, vetëkontrollin, këmbënguljen, devotshmërinë e shenjtë, dashurinë vëllazërore dhe dashurinë? (b) Çfarë ndodh nëse dikush që quhet i krishterë nuk i ka këto cilësi?
10 Nëse i shtojmë besimit tonë virtytin, njohurinë, vetëkontrollin, këmbënguljen, devotshmërinë e shenjtë, dashurinë vëllazërore dhe dashurinë, do të mendojmë, do të flasim dhe do të veprojmë në mënyrë të miratueshme nga Perëndia. Përkundrazi, nëse dikush që quhet i krishterë dështon në shfaqjen e këtyre cilësive, ai verbohet frymësisht. Ai «i mbyll sytë për dritën» që vjen prej Perëndisë dhe harron se është pastruar prej mëkateve të kaluara. (2. Pjetrit 1:8-10; 2:20-22) Le të mos dështojmë kurrë në këtë mënyrë, duke humbur kështu besimin në premtimet e Perëndisë!
11. Çfarë mund të presim me të drejtë nga të mirosurit besnikë?
11 Të krishterët besnikë të mirosur kanë besim në premtimet e Jehovait dhe përpiqen që ta bëjnë të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen e tyre prej tij. Çfarëdolloj guri pengese që mund të hasin në rrugën e tyre, ne mund të presim që ata të shfaqin cilësi të shenjta. Të mirosurve besnikë «u është lejuar me bollëk hyrja në mbretërinë e përjetshme të Jezu Krishtit» me anë të ringjalljes në jetën frymore në qiell.—2. Pjetrit 1:11, NW.
12. Si duhet t’i kuptojmë fjalët e 2. Pjetrit 1:12-15?
12 Pjetri e dinte se do të vdiste së shpejti dhe priste që të merrte një ringjallje përfundimtare në jetën qiellore. Por për aq kohë sa mbeti gjallë në «këtë tendë»—trupi i tij njerëzor—ai u mundua të ndërtonte besimin e bashkëbesimtarëve të tij dhe t’i ngrinte nga gjumi, duke u kujtuar gjërat që u nevojiteshin për favorin hyjnor. Pas nisjes së tij për në vdekje, vëllezërit dhe motrat e tij frymore mund ta përforconin besimin e tyre duke kujtuar fjalët e tij.—2. Pjetrit 1:12-15.
Besim në fjalën profetike
13. Në ç’mënyrë Perëndia siguroi dëshmi besëforcuese mbi ardhjen e Krishtit?
13 Vetë Perëndia dha dëshmi besëforcuese mbi sigurinë e ardhjes së Jezuit «me fuqi dhe lavdi të madhe». (Mateu 24:30; 2. Pjetrit 1:16-18, NW) Duke mos pasur prova, priftërinjtë paganë tregonin histori të rreme mbi perënditë e tyre, ndërsa Pjetri, Jakovi dhe Gjoni ishin dëshmitarë okularë të madhështisë së Krishtit në shpërfytyrim. (Mateu 17:1-5) Ata e panë atë të lavdëruar dhe dëgjuan tingullin e vetë zërit të Perëndisë që e njihte Jezuin si Birin e Tij të dashur. Kjo njohje dhe pamja e shkëlqyeshme që iu dhanë Krishtit, ishin një nder dhe lavdi për të. Për shkak të kësaj lidhjeje hyjnore, Pjetri e quajti atë vend, me sa duket si një degëzim i Hermonit, «mali i shenjtë».—Krahaso Të Dalët 3:4, 5.
14. Si duhet të ndikojë mbi besimin tonë shpërfytyrimi i Jezuit?
14 Si duhet të ndikojë shpërfytyrimi i Jezuit në besimin tonë? Pjetri tha: «Kështu fjalën profetike e kemi më të sigurt; dhe ju po bëni mirë që i kushtoni vëmendje asaj si një llampë që shkëlqen në një vend të errët, derisa të vijë dita dhe të lindë ylli i ditës në zemrat tuaja.» (2. Pjetrit 1:19, NW) Me sa duket «fjala profetike» nuk përfshin vetëm profecitë e Shkrimeve Hebreje mbi Mesinë, por edhe deklarimin e Jezuit se ai do të vinte «me fuqi dhe lavdi të madhe». Por si «e kemi më të sigurt» fjalën prej shpërfytyrimit? Ajo ngjarje vërtetoi fjalën profetike mbi ardhjen e lavdishme të Krishtit në fuqinë e Mbretërisë.
15. Çfarë përfshihet në të kushtuarit vëmendje ndaj fjalës profetike?
15 Për të forcuar besimin tonë duhet t’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike. Kjo përfshin studimin e kësaj fjale, shqyrtimin e saj në mbledhjet e krishtere dhe zbatimin e këshillave të saj. (Jakovit 1:22-27) Duhet ta lëmë atë të bëhet «një llampë që shkëlqen në një vend të errët», duke na ndriçuar zemrat. (Efesianëve 1:18) Vetëm atëherë do të na udhëheqë derisa «ylli i ditës», apo «ylli i ndritshëm i mëngjesit», Jezu Krishti, të zbulohet në lavdi. (Zbulesa 22:16) Ky zbulim do të thotë shkatërrim për pabesimtarët dhe bekime për ata që ushtrojnë besim.—2. Selanikasve 1:6-10.
16. Përse mund të kemi besim se të gjitha premtimet profetike të Fjalës së Perëndisë do të plotësohen?
16 Profetët e Perëndisë nuk ishin thjesht njerëz të zgjuar që bënë parashikime të mençura, sepse Pjetri tha: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk lind prej ndonjë interpretimi privat. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur në asnjë kohë prej dëshirës së njeriut, por njerëzit folën prej Perëndisë, ndërsa ishin të nxitur prej frymës së shenjtë.» (2. Pjetrit 1:20, 21, NW) Për shembull, Davidi tha: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje.» (2. Samueli 23:1, 2) Dhe Pavli shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar prej Perëndisë.» (2. Timoteut 3:16, NW) Pasi profetët e Perëndisë ishin të frymëzuar prej frymës së tij të shenjtë, ne mund të kemi besim se të gjitha premtimet e Fjalës së tij do të plotësohen.
Ata patën besim në premtimet e Perëndisë
17. Në cilin premtim bazohej besimi i Abelit?
17 Premtimet e Jehovait ishin një bazë për besimin e «resë së madhe» të dëshmitarëve të tij para krishterimit. (Hebrenjve 11:1-12:1) Për shembull, Abeli pati besim në premtimin e Perëndisë mbi një «farë» që do t’i shtypte kokën «gjarprit». Ekzistonte prova e përmbushjes së dënimit të Perëndisë mbi prindërit e Abelit. Jashtë Edenit, Adami dhe familja e tij hëngrën bukë me djersën e faqes së tyre, sepse dheu i mallkuar prodhonte gjemba dhe gjembaçë. Po kështu, Abeli kish vënë re dëshirën e Evës për të shoqin dhe pa se Adami sundonte mbi të. Sigurisht që ajo kish folur për dhembjet e shtatzënisë së saj. Edhe hyrja e kopshtit të Edenit ruhej prej kerubinëve dhe prej tehut flakërues të një shpate. (Zanafilla 3:14-19, 24) E gjithë kjo përbënte një «shfaqje të dukshme», që i jepte Abelit sigurinë se çlirimi do të vinte prej Farës së premtuar. Duke vepruar me besim, Abeli i ofroi Perëndisë një flijim që rezultoi me një vlerë shumë më të madhe, sesa ai i Kainit.—Hebrenjve 11:1, 4.
18, 19. Në cilat mënyra ushtruan besim Abrahami dhe Sara?
18 Patriarkët Abrahami, Isaku dhe Jakobi, gjithashtu, patën besim në premtimet e Jehovait. Abrahami ushtroi besim në premtimin e Perëndisë që të gjitha familjet e dheut do të bekoheshin nëpërmjet tij dhe se farës së tij do t’i jepej një tokë. (Zanafilla 12:1-9; 15:18-21) Biri i tij Isaku dhe nipi Jakobi ishin «trashëgimtarë me të në të njëjtin premtim». Nga besimi Abrahami «banoi si një i huaj në tokën e premtimit» dhe priti «qytetin që kishte themele të vërteta», Mbretërinë qiellore të Perëndisë nën të cilën ai do të ringjallej për të jetuar mbi tokë. (Hebrenjve 11:8-10) A ke edhe ti po këtë besim?
19 Gruaja e Abrahamit, Sara, ishte gati 90 vjeçe dhe e kishte kaluar tashmë moshën e lindjes, kur ushtroi besim në premtimin e Perëndisë dhe u fuqizua që «të ngjizte një farë» dhe të lindte Isakun. Nga një 100 vjeçar, Abrahami, që ishte «si i vdekur» në lidhje me riprodhimin, më në fund «lindën fëmijë sa yjet e qiellit për nga shumica».—Hebrenjve 11:11, 12, NW; Zanafilla 17:15-17; 18:11; 21:1-7.
20. Çfarë bënë patriarkët edhe pse nuk e panë përmbushjen e plotë të premtimeve që Perëndia u bëri atyre?
20 Patriarkët besnikë vdiqën pa e parë përmbushjen e plotë të premtimeve që Perëndia u bëri atyre. Megjithatë «ata i panë [gjërat e premtuara] nga larg dhe i përshëndetën dhe deklaruan publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend». Kaluan breza para se Toka e Premtuar të bëhej pronë e sojit të Abrahamit. Megjithatë, gjatë gjithë jetës së tyre, patriarkët me frikë Perëndie ushtruan besim në premtimet e Jehovait. Pasi nuk e humbën kurrë besimin, së shpejti ata do të ringjallen për të jetuar në pjesën tokësore të «qytetit» që Perëndia ka bërë gati për ta, Mbretërinë mesianike. (Hebrenjve 11:13-16) Në mënyrë të ngjashme, besimi mund të na mbajë edhe ne besnikë ndaj Jehovait edhe pse nuk e shohim përmbushjen e menjëhershme të gjithë këtyre premtimeve të mrekullueshme. Besimi ynë do të na shtyjë, gjithashtu, që t’i bindemi Perëndisë, ashtu si edhe Abrahami. Dhe ashtu siç i transmetoi ai një trashëgimi frymore sojit të tij, kështu edhe ne mund të ndihmojmë fëmijët tanë që të ushtrojnë besim tek premtimet e çmueshme të Jehovait.—Hebrenjve 11:17-21.
Besimi është jetësor për të krishterët
21. Që të pranohemi sot prej Perëndisë, çfarë duhet të përfshijmë në ushtrimin e besimit tonë?
21 Natyrisht, besimi përfshin më shumë sesa vetëm sigurinë në përmbushjen e premtimeve të Jehovait. Gjatë gjithë historisë njerëzore, ka qenë e nevojshme që për të marrë miratimin e Perëndisë duhej ushtruar besim tek ai në mënyra të ndryshme. Pavli theksoi se «pa besim është e pamundur që t’i pëlqejmë [Perëndisë Jehova], sepse kush i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblerës për ata që e kërkojnë me kujdes». (Hebrenjve 11:6, NW) Që të pranohet sot prej Perëndisë, një njeri duhet të ushtrojë besim në Jezu Krishtin dhe në flijimin shpërblerës që Perëndia siguroi me anë të tij. (Romakëve 5:8; Galatasve 2:15, 16) Është ashtu siç tha vetë Jezui: «Perëndia e deshi botën [e njerëzimit] aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo që ushtron besim në të të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përjetshme. Ai që ushtron besim tek Biri e ka jetën e përjetshme; ai që nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.»—Gjoni 3:16, 36, NW.
22. Përmbushjen e cilit premtim do të sjellë Mbretëria Mesianike?
22 Jezui luajti një rol thelbësor në premtimin e Perëndisë mbi Mbretërinë për të cilën luten të krishterët. (Isaia 9:6, 7; Danieli 7:13, 14; Mateu 6:9, 10) Ashtu siç tregoi edhe Pjetri, shpërfytyrimi vërtetoi fjalën profetike mbi ardhjen e Jezuit në fuqinë dhe lavdinë e Mbretërisë. Mbretëria Mesianike do të sjellë përmbushjen e një premtimi tjetër të Perëndisë, sepse Pjetri tha: «Sipas premtimit të tij ne po presim qiej të rinj dhe një tokë të re dhe në to do të banojë drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13, NW) Një profeci e ngjashme u plotësua kur hebrenjtë e mërguar në Babiloni u kthyen në atdheun e tyre në vitin 537 p.e.s., nën një qeveri që kishte si guvernator Zerubabelin dhe Josiun si kryeprift. (Isaia 65:17) Por Pjetri theksoi një kohë të ardhme, kur «qiej të rinj»—Mbretëria qiellore Mesianike—do të sundonin mbi «një tokë të re», një shoqëri e drejtë njerëzore që do të banojë mbi këtë glob.—Krahaso Psalmin 96:1.
23. Cilat pyetje mbi virtytin do të shqyrtojmë në vazhdim?
23 Si shërbëtorë besnikë të Jehovait dhe ithtarë të Birit të tij të dashur, Jezu Krishtit, ne e dëshirojmë botën e re të premtuar të Perëndisë. E dimë se ajo është afër dhe kemi besim se të gjitha premtimet e çmuara të Jehovait do të përmbushen. Që të ecim në mënyrë të pranueshme para Perëndisë tonë, duhet ta forcojmë besimin tonë, duke i shtuar atij virtytin, njohurinë, vetëkontrollin, këmbënguljen, devotshmërinë e shenjtë, dashurinë vëllazërore dhe dashurinë.a Në këtë pikë mund të pyesim: Si mund ta shfaqim virtytin? Dhe si do të përfitojmë ne dhe të tjerët nga të qenët të virtytshëm, veçanërisht bashkëshërbëtorët tanë të krishterë, që u janë përgjigjur premtimeve të Perëndisë duke ushtruar besim?
[Shënimi]
a Besimi dhe virtyti janë trajtuar në këtë numër të Kullës së Rojës. Njohuria, vetëkontrolli, këmbëngulja, devotshmëria e shenjtë, dashuria vëllazërore dhe dashuria do të shqyrtohen më thellë në numrat e ardhshëm.
Pyetjet për përsëritje
◻ Si mund të përkufizohet «besimi»?
◻ Sipas 2. Pjetrit 1:5-7, çfarë cilësish duhet t’i shtojmë besimit tonë?
◻ Çfarë ndikimi duhet të ketë shpërfytyrimi i Jezuit mbi besimin tonë?
◻ Çfarë shembujsh besimi na japin Abeli, Abrahami, Sara dhe të tjerë nga kohët e vjetra?
[Figura në faqen 11]
A e di se si mund të ndikojë mbi besimin e një njeriu shpërfytyrimi i Jezuit?