Enoku—I patrembur kundrejt gjithë gjasave
PËR një burrë të mirë, ajo ishte më e keqja e kohërave. Paperëndishmëria kishte tejmbushur tokën. Në gjendjen morale të njerëzimit kishte një rënie të vazhdueshme. Në fakt, së shpejti do të thuhej: «Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.»—Zanafilla 6:5.
Enoku, burri i shtatë në linjën gjenealogjike nga Adami, pati guximin të ishte i ndryshëm. Ai qëndroi i vendosur për drejtësinë, pavarësisht nga pasojat. Mesazhi i Enokut ishte kaq acarues për mëkatarët e paperëndishëm, saqë e vunë në shënjestër për ta vrarë dhe vetëm Jehovai mundi ta ndihmonte.—Juda 14, 15.
Enoku dhe çështja universale
Shumë kohë përpara lindjes së Enokut, ishte ngritur çështja universale e sovranitetit. A e kishte Perëndia të drejtën për të sunduar? Në thelb, Satana Djalli tha jo. Ai pohoi se krijesat inteligjente do të bënin më mirë nëse do të ishin të pavarura nga drejtimi i Perëndisë. Satanai u përpoq ta ndërtonte provën e tij kundër Perëndisë Jehova, duke i manovruar dinakërisht njerëzit në anën e tij. Adami, gruaja e tij Eva dhe djali i tyre i parë, Kaini, janë famëkeq për vënien në anën e Satanait, duke zgjedhur sundimin e tyre në vend të sundimit nga Perëndia. Çifti i parë njerëzor e bëri këtë duke ngrënë nga fruti që Perëndia e kishte ndaluar, ndërsa Kaini veproi kështu duke vrarë me vullnet të plotë vëllain e tij të drejtë, Abelin.—Zanafilla 3:4-6; 4:8.
Abeli kishte qëndruar me guxim në anën e Jehovait. Përderisa integriteti i Abelit kishte nxitur adhurimin e pastër, pa dyshim që Satanai provoi kënaqësi kur pa Kainin të shfrynte tërbimin vrasës mbi të. Që prej asaj kohe, Satanai e ka ushtruar «frikën e vdekjes» si një armë kërcënuese. Ai dëshiron të fusë frikën në zemrën e kujtdo që është i prirur për të adhuruar Perëndinë e vërtetë.—Hebrenjve 2:14, 15; Gjoni 8:44; 1. Gjonit 3:12.
Në kohën e lindjes së Enokut, përshtypja e Satanait se njerëzit nuk do ta kishin mbështetur sovranitetin e Jehovait, ka të ngjarë se u duk e mbështetur mirë. Abeli kishte vdekur dhe shembulli i tij i besimit të plotë nuk po ndiqej. Megjithatë, Enoku provoi se ishte një përjashtim. Ai pati një bazë të fortë për besim, pasi i njihte mirë ngjarjet që ndodhën në kopshtin e Edenit.a Sa e çmuar duhet të ketë qenë për të profecia e Jehovait që tregon se një Farë e premtuar do t’i jepte fund Satanait dhe mashtrimeve të tij!—Zanafilla 3:15.
Me këtë shpresë gjithmonë para vetes, Enoku nuk u frikësua nga vrasja historike e Abelit e frymëzuar nga Djalli. Përkundrazi, ai vazhdoi të ecte me Jehovain, duke ndjekur gjatë jetës rrugën e drejtësisë. Enoku e mbajti veten të ndarë nga bota, duke iu shmangur frymës së saj të pavarësisë.—Zanafilla 5:23, 24.
Përveç kësaj, Enoku foli me guxim dhe e bëri të qartë se veprat e liga të Djallit do të dështonin. Nën ndikimin e Frymës së shenjtë të Perëndisë apo të forcës aktive, Enoku profetizoi në lidhje me të ligjtë: «Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë, për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij.»—Juda 14, 15.
Për shkak të shpalljeve të patrembura të Enokut, apostulli Pavël, kur u shkroi të krishterëve hebrenj, e përfshiu atë mes «resë së madhe të dëshmitarëve» që lanë një shembull të shkëlqyer të besimit në veprim.b (Hebrenjve 11:5; 12:1) Si njeri i besimit, Enoku qëndroi në rrugën e integritetit për më shumë se 300 vjet. (Zanafilla 5:22) Sa shumë duhet t’i ketë acaruar besimi i plotë i Enokut armiqtë e Perëndisë në qiell dhe në tokë! Profecia therrëse e Enokut ngjalli urrejtjen e Satanait, por solli mbrojtjen e Jehovait.
Perëndia e mori Enokun: Si?
Jehovai nuk e lejoi Satanain apo shërbëtorët e tij tokësorë që ta vrisnin Enokun. Në vend të kësaj, shkrimi i frymëzuar thotë: «Perëndia e mori.» (Zanafilla 5:24) Apostulli Pavël e përshkruan çështjen në këtë mënyrë: «Me anë të besimit Enoku u zhvendos [u transferua, BR] që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse përpara se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.»—Hebrenjve 11:5.
Si «u transferua që të mos shikonte vdekje» Enoku? Apo, siç është në përkthimin nga R. A. Knox, si «u mor pa përvojën e vdekjes» Enoku? Në mënyrë paqësore, Perëndia i dha fund jetës së Enokut, duke e kursyer atë qoftë nga dhimbjet e vdekjes, qoftë nga sëmundja apo dhuna në duart e armiqve të tij. Po, Jehovai e ndërpreu jetën e shkurtër të Enokut në moshën 365 vjeçare, një person relativisht i ri në krahasim me bashkëkohësit e tij.
Si iu dha Enokut «dëshmimi se i kishte pëlqyer Perëndisë»? Çfarë dëshmie pati ai? Ka të ngjarë që Perëndia ta ketë çuar Enokun në gjendje ekstaze, madje ashtu si apostulli Pavël «u rrëmbye» apo u transferua, me sa duket duke marrë një vizion të parajsës së ardhshme frymore të kongregacionit të krishterë. (2. Korintasve 12:3, 4) Dëshmia apo prova që Enoku kishte qenë i pëlqyeshëm për Perëndinë, mund të ketë lënë si trashëgimi një vizion të parajsës së ardhshme tokësore, në të cilën të gjithë ata që jetojnë do të mbështetin sovranitetin e Perëndisë. Ndoshta, ndërsa Enoku ishte duke përjetuar një vizion marramendës, Perëndia e mori atë në një vdekje pa dhimbje, për të fjetur deri në ditën e ringjalljes së tij. Duket se, ashtu si në rastin e Moisiut, Jehovai u kujdes për trupin e Enokut, sepse «ai nuk u gjet më».—Hebrenjve 11:5; Ligji i përtërirë 34:5, 6; Juda 9.
Profecia e përmbushur
Sot, Dëshmitarët e Jehovait njoftojnë thelbin e profecisë së Enokut. Nga Shkrimet ata tregojnë se si do të përmbushet ajo kur Perëndia të shkatërrojë të paperëndishmit në të ardhmen e afërt. (2. Selanikasve 1:6-10) Mesazhi i tyre i bën ata që të mos gëzojnë popullaritet, sepse ai ndryshon shumë nga pikëpamjet dhe synimet e botës. Kundërshtimi që hasin nuk i çudit ata, pasi Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.»—Mateu 10:22; Gjoni 17:14.
Megjithatë, ashtu si Enoku, të krishterët e sotëm janë të sigurt për çlirimin përfundimtar nga armiqtë e tyre. Apostulli Pjetër shkroi: «Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndërshkohen ditën e gjyqit.» (2. Pjetrit 2:9) Perëndia mund ta shohë të përshtatshme të largojë një problem apo një situatë të vështirë. Persekutimit mund t’i vijë fundi. Nëse jo, megjithatë, ai di «të japë rrugëdalje», në mënyrë që anëtarët e popullit të tij të mund t’u qëndrojnë sprovave me sukses. Jehovai jep madje «fuqi përtej asaj që është normale», kur është e nevojshme.—1. Korintasve 10:13; 2. Korintasve 4:7.
Si «shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë», Jehovai do t’i bekojë, gjithashtu, shërbëtorët e tij besimplotë me jetën e përhershme. (Hebrenjve 11:6) Për pjesën më të madhe të tyre, kjo do të jetë një jetë e përhershme në një tokë parajsore. Ashtu si Enoku, le të shpallim, pra, pa u trembur mesazhin e Perëndisë. Me besim, le ta bëjmë këtë kundrejt gjithë gjasave.
[Shënimet]
a Adami ishte 622 vjeç kur lindi Enoku. Enoku jetoi afërsisht edhe 57 vjet pas vdekjes së Adamit. Kështu që periudhat e jetës së tyre përputhen për një kohë të konsiderueshme.
b Fjala e përkthyer «dëshmitarë» në Hebrenjve 12:1 vjen nga fjala greke marʹtys. Sipas Wuest’s Word Studies From the Greek New Testament, kjo fjalë tregon «një person që dëshmon apo që mund të dëshmojë për atë që ka parë, dëgjuar apo di nëpërmjet ndonjë mënyre tjetër». Christian Words sipas Nigel Turner, tregon se kjo fjalë do të thotë një person që flet «nga përvoja personale . . . dhe nga bindja lidhur me të vërtetat dhe pikëpamjet».
[Kutia në faqen 30]
Emri i Perëndisë i përdhosur
Pothuajse katër shekuj para Enokut, lindi nipi i Adamit, Enoshi. «Në atë kohë filluan të thërrasin emrin e Jehovait»,—thotë Zanafilla 4:26. (BR) Disa studiues të gjuhës hebreje mendojnë se ky varg duhet lexuar «filluan në mënyrë përdhosëse» të thërrisnin emrin e Perëndisë ose «atëherë filloi përdhosja». Në lidhje me atë periudhë të historisë, Jerusalem Targum thotë: «Ai ishte brezi në ditët e të cilit ata filluan të gabojnë, të bënin ata vetë idhuj dhe t’u vinin emra idhujve të tyre sipas emrave të Fjalës së Zotërisë.»
Në kohën e Enoshit u pa keqpërdorimi i përhapur gjerësisht i emrit të Jehovait. Ka mundësi që njerëzit ia aplikonin emrin hyjnor vetes së tyre apo disa personave, nëpërmjet të cilëve ata pretendonin se i afroheshin Jehovait në adhurim. Ose ndoshta ata mund t’ia kenë aplikuar emrin hyjnor idhujve. Sido që të ishte, Satana Djalli e kishte futur me siguri racën njerëzore në grackën e idhujtarisë. Në kohën e lindjes së Enokut, adhurimi i vërtetë ishte i rrallë. Kushdo që si Enoku, e jetoi dhe e predikoi të vërtetën, nuk gëzoi popullaritet dhe prandaj qe objekt i persekutimit.—Krahaso Mateun 5:11, 12.
[Kutia në faqen 31]
A shkoi Enoku në qiell?
«Me anë të besimit Enoku u zhvendos [u transferua, BR] që të mos shikonte vdekje.» Në përkthimin e këtij fragmenti në Hebrenjve 11:5, disa përkthime të Biblës tregojnë se Enoku nuk vdiq me të vërtetë. Për shembull, A New Translation of the Bible nga James Moffatt thotë: «Me anë të besimit Enoku u mor në qiell, kështu që ai nuk vdiq kurrë.»
Megjithatë, pothuajse 3.000 vjet pas ditëve të Enokut, Jezu Krishti tha: «Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të Njeriut.» (Gjoni 3:13) Në The New English Bible lexohet: «Askush nuk shkoi asnjëherë lart në qiell, përveç njërit që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.» Kur Jezui bëri këtë deklaratë, as ai nuk ishte ngjitur në qiell.—Krahaso Lukën 7:28.
Apostulli Pavël thotë se Enoku dhe të tjerët që përbëjnë renë e madhe të dëshmitarëve, para atyre të krishterë, ‘vdiqën të gjithë’ dhe «nuk morën atë që u ishte premtuar». (Hebrenjve 11:13, 39) Përse? Sepse të gjithë njerëzit, përfshirë Enokun, kanë trashëguar mëkatin nga Adami. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) I vetmi mjet shpëtimi është nëpërmjet sakrificës shpërblerëse të Krishtit Jezu. (Veprat 4:12; 1. Gjonit 2:1, 2) Në kohën e Enokut kjo shpërblerje nuk ishte paguar ende. Prandaj, Enoku nuk shkoi në qiell, por ai është në gjumin e vdekjes, duke pritur një ringjallje në tokë.—Gjoni 5:28, 29.
[Burimi i figurës në faqen 29]
Riprodhuar nga Illustrirte Pracht - Bibel/Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s