Pyetje nga lexuesit
Çfarë po i bën «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» të vijnë në ‘shtëpinë’ e adhurimit të vërtetë?—Hageu 2:7.
Me anë të profetit Hage, Jehovai paratha: «Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.» (Hageu 2:7) A është lëkundja e ‘gjithë kombeve’ që po i bën të përqafojnë adhurimin e vërtetë «gjërat e dëshirueshme» të kombeve, domethënë njerëzit me zemër të sinqertë? Përgjigjja është jo.
Shqyrtoni se çfarë i lëkund ose i trondit kombet dhe ku çon kjo tronditje. Bibla thotë se ‘kombet ziejnë dhe popujt murmuritin gjëra të kota’. (Psalmi 2:1) ‘Gjërat e kota’ që ata «murmuritin» ose meditojnë, kanë të bëjnë me vazhdimësinë e pushtetit të tyre. Asgjë nuk i trondit më shumë se ndonjë kërcënim ndaj sundimit të tyre.
Predikimi në mbarë botën i Mbretërisë së vendosur të Perëndisë, të cilin po e kryejnë Dëshmitarët e Jehovait, është bërë tamam një kërcënim i tillë për kombet. Në fund të fundit, Mbretëria Mesianike e Perëndisë, me Jezu Krishtin Mbret, «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha . . . mbretërive [njerëzore]». (Danieli 2:44) Mesazhi i gjykimit që përfshihet në veprën tonë të predikimit, po u shkakton një tronditje kombeve. (Isaia 61:2) Ndërsa vepra e predikimit zgjerohet dhe intensifikohet, kjo tronditje sa vjen e bëhet më e fortë. Por, çfarë paralajmëron lëkundja e parathënë te Hageu 2:7?
Te Hageu 2:6 lexojmë: «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Edhe një herë—pas pak—dhe unë do të lëkund qiejt, dheun, detin dhe tokën e thatë.’» Duke cituar këtë varg, apostulli Pavël shkroi: «Ai ka premtuar: ‘Edhe një herë do të trondit jo vetëm dheun, por edhe qiellin.’ Shprehja ‘edhe një herë’ tregon heqjen e gjërave që tronditen, si gjëra të bëra me dorë, që të mbeten gjërat që nuk tronditen [Mbretëria].» (Hebrenjve 12:26, 27) Po, i gjithë sistemi i tanishëm do të pushojë së ekzistuari, për t’i lënë vendin botës së re që do të sjellë Perëndia.
Njerëzit me zemër të sinqertë tërhiqen drejt adhurimit të vërtetë, por jo ngaqë kombet tronditen ose lëkunden. Ajo çfarë i tërheq ata te Jehovai e tek adhurimi i tij është po ajo gjë që i bën kombet të tronditen, domethënë predikimi mbarëbotëror i Mbretërisë së vendosur të Perëndisë. Shpallja e ‘lajmit të mirë të përhershëm si sihariq’ i tërheq njerëzit e prirur drejt adhurimit të Perëndisë së vërtetë.—Zbulesa 14:6, 7.
Mesazhi i Mbretërisë është edhe mesazh gjykimi, edhe mesazh shpëtimi. (Isaia 61:1, 2) Rezultatet e predikimit mbarëbotëror të këtij mesazhi janë të dyfishta: kombet lëkunden ose tronditen dhe gjërat e dëshirueshme të kombeve vijnë për t’i dhënë lavdi Jehovait.