Sabati
Përkufizimi: Fjala sabat vjen nga fjala hebraike shaváth, që do të thotë «të pushosh, të ndalësh, të ndërpresësh». Sistemi sabatik, që kërkohej nga Ligji i Moisiut, përfshinte ditën e sabatit të çdo jave, disa ditë të caktuara gjatë vitit, vitin e shtatë dhe vitin e pesëdhjetë. Sabati i përjavshëm i judenjve, që përkon me ditën e shtatë të javës së tyre kalendarike, fillon të premten në perëndim të diellit dhe zgjat deri të shtunën në perëndim të diellit. Shumë nga ata që e quajnë veten të krishterë, tradicionalisht kanë mbajtur të dielën si ditë pushimi dhe adhurimi, kurse të tjerë kanë mbajtur ditën e përcaktuar në kalendarin judaik.
A janë të detyruar të krishterët të mbajnë sabatin e përjavshëm?
Dal. 31:16, 17: «Bijtë e Izraelit do ta mbajnë sabatin e do ta kremtojnë brez pas brezi. Është një besëlidhje në kohë të pafundme [‘besëlidhje e përjetshme’, Dio]. Sabati është një shenjë brez pas brezi mes meje dhe bijve të Izraelit.» (Siç tregohet edhe në varg, mbajtja e sabatit ishte një shenjë mes Jehovait dhe Izraelit, dhe nuk do të ishte më e tillë, nëse të gjithë do të ishin të detyruar të mbanin sabatin. Fjala hebraike ‛ohlám, që Dio e përkthen «e përjetshme», në thelb nënkupton një periudhë kohe që, duke u nisur nga e tanishmja, është e papërcaktuar ose e panjohur, por mjaft e gjatë. Mund të nënkuptojë përjetësinë, por jo medoemos. Te Numrat 25:13, e njëjta fjalë hebraike është përdorur për priftërinë që, sipas Hebrenjve 7:12, më vonë mori fund.
Rom. 10:4: «Krishti është fundi i Ligjit, që kushdo që tregon besim, të ketë drejtësi.» (Mbajtja e sabatit ishte pjesë e Ligjit, të cilit Perëndia i dha fund nëpërmjet Krishtit. Qëndrimi ynë i drejtë para Perëndisë varet nga besimi te Krishti, jo nga mbajtja e sabatit të përjavshëm.) (Shih edhe Galatasve 4:9-11; Efesianëve 2:13-16.)
Kolos. 2:13-16: «Me dashamirësi, ai [Perëndia] na i fali të gjitha shkeljet dhe e fshiu dokumentin e shkruar me dorë, i cili përbëhej nga dekrete, dhe ishte kundër nesh. . . . Prandaj, askush të mos ju gjykojë në të ngrënë e në të pirë, për ndonjë festë, për mbajtjen e hënës së re a të sabatit.» (Sipas Daljes 31:14 dhe Numrave 15:32-35, ai që ishte nën Ligjin e Moisiut dhe gjykohej fajtor për shkeljen e sabatit, duhej të vritej me gurë nga gjithë kongregacioni. Shumë nga ata që e përkrahin sabatin, duhet të jenë të lumtur që nuk jemi më nën atë Ligj. Siç tregojnë edhe shkrimet e cituara më lart, për të fituar miratimin e Perëndisë nuk është më e nevojshme të mbahet sabati, që i kërkohej Izraelit.)
Si u bë e diela ditë kryesore adhurimi për pjesën më të madhe të të ashtuquajturit krishterim?
Ndonëse Krishti u ringjall ditën e parë të javës (që tani quhet e diel), në Bibël nuk udhëzohet askund që kjo ditë e javës të quhet e shenjtë.
«Emri i lashtë pagan ‘Dies Solis’ [ose ‘dita e diellit’, nga rrjedh në shqip dita e diel] për festën e përjavshme të krishterë, ka mbetur kryesisht falë një nisme të Kostandinit [në një dekret të formuluar në vitin 321 të e.s.]. Ai e rekomandoi këtë duke mbajtur parasysh mendimin e tërë shtetasve të tij, paganë a [të ashtuquajtur] të krishterë, dhe urdhëroi që të gjithë pa përjashtim ta mbanin ditën e parë të javës si ‘ditën e nderuar të diellit’. . . . Me këtë synoi të harmonizonte në një institucion të vetëm fetë e papajtueshme të Perandorisë.»—Lectures on the History of the Eastern Church, (Nju-Jork, 1871), nga A. P. Stenli, f. 291.
A iu dha Adamit ligji për mbajtjen e sabatit, gjë që do t’i detyronte të gjithë pasardhësit e tij t’i nënshtrohen atij ligji?
Sipas Zanafillës 2:1-3, Perëndia Jehova pushoi së krijuari veprat e tij fizike, pra, krijimin tokësor, pasi e përgatiti tokën për t’u banuar nga njerëzit. Por në tregimin biblik nuk ka asnjë të dhënë se Perëndia e urdhëroi Adamin që të mbante ditën e shtatë të çdo jave si sabat.
Ligj. 5:15: «Mos harro se ti [Izrael] ishe skllav në Egjipt dhe Jehovai, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fortë dhe me krah të shtrirë. Prandaj Jehovai, Perëndia yt, të urdhëroi të mbash ditën e sabatit.» (Këtu Jehovai e lidh ligjin e sabatit me çlirimin e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit dhe jo me ngjarjet që rrodhën në Eden.)
Dal. 16:1, 23-29: «Tërë asambleja e bijve të Izraelit mbërriti më në fund në shkretëtirën e Sinit . . . ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pas daljes nga vendi i Egjiptit. Ai [Moisiu] u tha: ‘Kështu thotë Jehovai: Nesër do të mbahet sabati, një sabat i shenjtë për Jehovain. . . . Për gjashtë ditë do ta mblidhni [manën], por ditën e shtatë është sabat. Atë ditë nuk do të ketë.’ . . . Jehovai i tha Moisiut: ‘. . . Mbani mend se Jehovai ju ka dhënë sabatin.’» (Edhe më parë javët kishin qenë shtatëditëshe, por kjo ishte hera e parë që Perëndia kërkoi të mbahej sabati.)
A ndahet Ligji i Moisiut në pjesën «ceremoniale» dhe në pjesën «morale»? A janë të krishterët gjithmonë të detyruar t’i nënshtrohen «ligjit moral» (Dhjetë Urdhërimeve)?
A la të kuptohej Jezui se Ligji përbëhej nga dy pjesë të veçanta?
Mat. 5:17, 21, 23, 27, 31, 38: «Mos mendoni se erdha të zhvleftësoj Ligjin ose fjalët e profetëve. Nuk erdha për të zhvleftësuar, por për të plotësuar.» Tani, vëreni se çfarë tha ai më tej. «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos vrit [Dal. 20:13; Urdhërimi i Gjashtë]. . . .’ Nëse ti po sjell flinë tënde në altar [Ligj. 16:16, 17; jo pjesë e Dhjetë Urdhërimeve]. . . . Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje [Dal. 20:14; Urdhërimi i Shtatë].’ Veç kësaj, është thënë: ‘Kushdo që divorcohet nga gruaja, le t’i japë asaj një dëshmi divorci [Ligj. 24:1; jo pjesë e Dhjetë Urdhërimeve].’ Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb [Dal. 21:23-25; jo pjesë e Dhjetë Urdhërimeve].’» (Pra, referimet janë të përziera, gjë që tregon se Jezui nuk bëri asnjë dallim mes Dhjetë Urdhërimeve dhe pjesëve të tjera të Ligjit. A duhet të bëjmë të kundërtën ne?)
Kur Jezuin e pyetën: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?», a i veçoi ai Dhjetë Urdhërimet? Jo, përkundrazi, u përgjigj: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.» (Mat. 22:35-40) Nëse disa u përmbahen vetëm Dhjetë urdhërimeve (Ligj. 5:6-21), duke thënë se ato janë të detyrueshme për të krishterët, kurse pjesa tjetër e shkrimeve jo, a nuk po kundërshtojnë atë që tha Jezui (kur citoi Ligj. 6:5; Lev. 19:18) për urdhërimet më të mëdha?
Kur Bibla thotë se Ligji i Moisiut u shfuqizua, a përfshin drejtpërdrejt edhe Dhjetë Urdhërimet?
Rom. 7:6, 7: «Tani jemi zgjidhur nga Ligji, sepse kemi vdekur për atë që na mbante të lidhur, . . . Ç’të themi pra? Mos vallë Ligji është mëkat? Kurrë mos qoftë! Në të vërtetë, unë s’do ta kisha njohur mëkatin, po të mos ishte Ligji. Për shembull, s’do ta kisha njohur lakminë, sikur Ligji të mos thoshte: ‘Mos lakmo.’» (Cilin shembull nga Ligji citon Pavli në këtë fragment, menjëherë pasi shkroi se të krishterët judenj ishin «zgjidhur nga Ligji»? Urdhërimin e Dhjetë, duke treguar se ai përfshihej në Ligjin, nga i cili ata ishin zgjidhur.)
2 Kor. 3:7-11: «Nëse kodi që administron vdekjen e që është skalitur me shkronja në gur, u bë në lavdi, aq sa bijtë e Izraelit nuk mund ta ngulnin shikimin në fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së fytyrës së tij, lavdi që do të hiqej, përse atëherë administrimi i frymës nuk duhet të jetë edhe më me lavdi? . . . Sepse, nëse erdhi me lavdi ajo që do të hiqej, aq më shumë do të jetë me lavdi ajo që mbetet.» (Këtu përmendet një kod që ishte «skalitur me shkronja në gur», dhe thuhet se, kur e morën, «bijtë e Izraelit nuk mund ta ngulnin shikimin në fytyrën e Moisiut». Për cilin rast flitet? Dalja 34:1, 28-30 tregon se bëhet fjalë për kohën kur u dhanë Dhjetë Urdhërimet. Pikërisht ato urdhërime u skalitën në gur. Është shumë e qartë pra, se ato bëjnë pjesë në atë që, sipas shkrimit, «do të hiqej».)
Të mos jesh më nën Ligjin e Moisiut, ku përfshihen edhe Dhjetë Urdhërimet, a do të thotë të mos i përmbahesh më asnjë kufizimi moral?
Aspak! Shumë nga normat morale të paraqitura nga Dhjetë Urdhërimet janë përsëritur në librat e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke. (Kurse ligji për sabatin nuk u përsërit.) Pavarësisht se sa i mirë është një ligj, prapëseprapë do të ketë paligjshmëri për aq kohë sa prirjet mëkatare të mbizotërojnë dëshirat e një njeriu. Megjithatë, për besëlidhjen e re, që zëvendësoi besëlidhjen e Ligjit, Hebrenjve 8:10 thotë: «Kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—thotë Jehovai.—Do t’i vë ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër. Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.» Këto ligje janë patjetër shumë më të efektshme se ato që u skalitën në pllaka guri!
Rom. 6:15-17: «Të kryejmë mëkat, ngaqë s’jemi nën ligj, por nën dashamirësinë e pamerituar? Kurrë mos qoftë! A nuk e dini se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi? Por falënderojmë Perëndinë, sepse ishit skllevër të mëkatit, dhe u bëtë të bindur nga zemra ndaj asaj forme të mësimdhënies, tek e cila ju dorëzoi ai.» (Shih edhe Galatasve 5:18-24.)
Ç’domethënie ka për të krishterët sabati javor?
Ka një «pushim sabati» në të cilin të krishterët marrin pjesë çdo ditë
Te Hebrenjve 4:4-11 thuhet: «Në një vend [Zanafillën 2:2], për ditën e shtatë, ai [Perëndia] tha: ‘Ditën e shtatë Perëndia pushoi nga tërë veprat e veta’, dhe përsëri në këtë vend [Psalmin 95:11] thotë: ‘Nuk do të hyjnë në pushimin tim.’ Prandaj, përderisa mbetet që disa të hyjnë në të, kurse ata që e dëgjuan së pari lajmin e mirë, nuk hynë për shkak të mosbindjes, ai cakton përsëri një ditë, duke thënë pas kaq shumë kohe në psalmin e Davidit [Psalmin 95:7, 8]: ‘Sot’, ashtu si ishte thënë më lart: ‘Sot, nëse dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat.’ Sepse, sikur Josiu t’i kishte çuar drejt një vendi pushimi, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një tjetër ditë. Prandaj, mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë. Sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga të vetat. Prandaj, le të bëjmë çmos që të hyjmë në atë pushim, se mos ndokush bie në të njëjtin model mosbindjeje.»
Nga çfarë këshillohen të pushojnë të krishterët? Nga ‘veprat e tyre’. Nga cilat vepra? Nga ato vepra me anë të të cilave dikur mundoheshin të tregoheshin të drejtë. Ata nuk besojnë më se mund të fitojnë miratimin e Perëndisë dhe jetën e përhershme, duke zbatuar disa rregulla dhe rite. Këtë gabim e bënë judenjtë pa besim, të cilët, ‘duke kërkuar të vendosnin të vetën, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë’. (Rom. 10:3) Të krishterët e vërtetë e pranojnë se të gjithë njerëzit kanë lindur mëkatarë dhe se vetëm me anë të besimit te flijimi i Krishtit kushdo mund të quhet i drejtë nga Perëndia. Ata përpiqen t’u kushtojnë vëmendje e t’i zbatojnë të gjitha mësimet e Birit të Perëndisë. I pranojnë me përulësi këshillat dhe qortimet nga Fjala e Perëndisë. Kjo nuk do të thotë që mendojnë se mund ta fitojnë miratimin e Perëndisë në këtë mënyrë, përkundrazi e bëjnë këtë në shenjë të dashurisë dhe të besimit. Duke jetuar në këtë mënyrë, ata shmangin ‘modelin e mosbindjes’ që la kombi jude.
«Dita e shtatë», që përmendet te Zanafilla 2:2, nuk ishte një ditë 24-orëshe. (Shih faqet 209, 210, te tema «Krijimi».) Në mënyrë të ngjashme, ‘pushimi i sabatit’ në të cilin marrin pjesë të krishterët e vërtetë, nuk është 24-orësh. Duke treguar besim dhe duke iu bindur këshillës së Biblës, ata mund ta gëzojnë çdo ditë, sidomos në sistemin e ri të Perëndisë.
Njerëzimin e pret një «sabat» njëmijëvjeçar
Mar. 2:27, 28: «Ai [Jezui] vazhdoi: ‘Sabati u bë për njeriun, dhe jo njeriu për sabatin. Prandaj, Biri i njeriut është Zotëri edhe i sabatit.’»
Jezui e dinte se Jehovai e kishte vendosur sabatin si një shenjë mes Tij e Izraelit dhe që t’u sillte atyre çlirim nga mundimet. Jezui e dinte edhe se vdekja e tij do të siguronte bazën për shfuqizimin e Ligjit të Moisiut, përderisa do të përmbushej tek ai. Ai e kuptonte se Ligji, bashkë me kërkesën për të mbajtur sabatin, ishte ‘një hije të gjërave të mira që do të vinin’. (Hebr. 10:1; Kolos. 2:16, 17) Për këto ‘gjëra të mira’ ekziston një «sabat», Zotëri i të cilit është vetë ai.
Si Zotëri i Zotërinjve, Krishti do të mbretërojë në të gjithë tokën për një mijë vjet. (Zbul. 19:16; 20:6; Psal. 2:6-8) Kur ishte në tokë, falë mëshirës që ndiente për njerëzit, Jezui kreu disa nga veprat e tij më të mahnitshme të shërimit në sabat, duke treguar se çfarë lehtësimi do t’u sillte njerëzve të të gjitha kombeve gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. (Luka 13:10-13; Gjoni 5:5-9; 9:1-14) Ata që e kuptojnë vërtet domethënien e sabatit, do të kenë mundësi edhe të nxjerrin dobi nga ai pushim «sabati».
Nëse dikush thotë:
‘Të krishterët duhet ta mbajnë sabatin’
Mund të përgjigjesh: ‘A mund t’ju pyes se pse mendoni kështu?’ Pastaj mund të shtosh: ‘A nuk mendoni se pikëpamja jonë për këtë çështje, duhet të jetë në përputhje me atë që thotë Bibla? . . . Do të doja t’ju tregoja në Bibël disa shkrime që lidhen me sabatin. (Pastaj përdor një nga pjesët më të përshtatshme të materialit të trajtuar në faqet e mëparshme.)’
‘Pse nuk e mbani sabatin?’
Mund të përgjigjesh: ‘Përgjigjja varet nga sabat për të cilin po flisni. A e dini se Bibla flet për më tepër se një sabat? . . . Perëndia u dha judenjve shumë ligje në lidhje me sabatin, por, a e dini se Bibla flet për një sabat tjetër që të krishterët duhet të mbajnë?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ne nuk e mbajmë një ditë në javë si sabat, sepse Bibla thotë se kjo kërkesë «do të hiqej». (2 Kor. 3:7-11; shih komentet për këtë në faqet 343, 344.)’ (2) ‘Megjithatë, është një sabat që ne e mbajmë rregullisht. (Hebr. 4:4-11; shih faqet 345, 346.)’