Kapitulli tre
Të mbahemi fort pas Fjalës së Perëndisë
1. (a) Si e provoi Izraeli i lashtë vërtetësinë e fjalës së Perëndisë? (b) Përse kjo gjë është me interes për ne?
«PRANONI, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju.» (Jozueu [Josiu] 23:14-16) Këtë u tha Josiu pleqve të Izraelit pasi ishin vendosur në Tokën e Premtuar. Po, premtimet e Jehovait dolën të denja për besim. Ky tregim, si edhe gjithë pjesa tjetër e Biblës, u ruajt për ne që «të kemi shpresë».—Romakëve 15:4.
2. (a) Në cilin kuptim Bibla është «frymëzuar nga Perëndia»? (b) Çfarë përgjegjësie ka secili prej nesh, duke ditur se Bibla është frymëzuar në mënyrë hyjnore?
2 Ndonëse për ta shkruar Biblën u përdorën 40 shkrimtarë njerëzorë, Autori i saj është vetë Jehovai. A do të thotë kjo se ai drejtoi në mënyrë aktive shkrimin e çdo gjëje që gjendet në Bibël? Po. Këtë e bëri me anë të frymës së tij të shenjtë të fuqishme, pra forcës së tij vepruese. Me të drejtë apostulli Pavël tha: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia . . . që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» Kudo, njerëzit që janë të bindur për këtë ia vënë veshin Biblës dhe e ndërtojnë jetën në bazë të asaj që përmban ajo.—2 Timoteut 3:16, 17; 1 Selanikasve 2:13.
Ndihmoji të tjerët që ta kuptojnë e ta çmojnë Biblën
3. Cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar shumë veta që nuk janë të bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë?
3 Shumë veta me të cilët f lasim nuk kanë të njëjtën bindje si ne se Bibla është Fjala e Perëndisë. Si mund t’i ndihmojmë? Shpesh, mënyra më e mirë është që të hapim Biblën dhe t’u tregojmë se çfarë përmban ajo. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) «Fjala e Perëndisë» nuk është histori e vdekur. Ajo është e gjallë! Premtimet e Biblës përmbushen se s’bën. Ndikimi që ka mesazhi i Biblës te motivet e vërteta të zemrës së një personi është më i fuqishëm se çdo gjë që mund të themi ne vetë.
4. Cilat shpjegime të të vërtetave biblike kanë ndryshuar qëndrimin e disa njerëzve ndaj Biblës dhe përse?
4 Pasi kanë parë emrin e Perëndisë në Bibël, shumë veta janë shtyrë që ta shqyrtojnë më thellë atë. Të tjerë kanë vendosur ta studiojnë Biblën kur u është treguar se çfarë thotë ajo për qëllimin e jetës, për arsyen pse Perëndia e lejon ligësinë, për domethënien e ngjarjeve aktuale ose për shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Në vendet ku për shkak të praktikave fetare njerëzit gjenden përballë ngacmimeve nga frymërat e liga, shpjegimi biblik se çfarë i shkakton këto ngacmime dhe si mund të gjejnë lehtësim ka ngjallur interesin e shumë vetave. Përse këto tema i prekin njerëzit e sinqertë? Sepse Bibla është i vetmi burim me të dhëna të besueshme për të gjitha këto çështje kaq jetësore.—Psalmi 119:130.
5. (a) Kur njerëzit thonë se nuk besojnë te Bibla, cilat mund të jenë arsyet? (b) Si mund t’i ndihmojmë këta njerëz?
5 Mirëpo, çfarë do të bëjmë nëse njerëzit na thonë se nuk besojnë në Bibël? A duhet që kjo gjë t’i japë fund bisedës? Jo, në qoftë se ata janë të gatshëm të arsyetojnë. Ndoshta e shohin Biblën si një libër të të ashtuquajturit krishterim. Historia ka treguar se i ashtuquajturi krishterim ka vepruar me hipokrizi, është marrë me politikë dhe vazhdimisht ka kërkuar para. Këto mund të jenë disa arsye përse ata kanë një reagim negativ ndaj Biblës. Përse të mos i pyesësh nëse është kështu? Interesi i tyre mund të zgjohet kur të vërejnë se Bibla e dënon sjelljen e të ashtuquajturit krishterim që pasqyron frymën e botës, si edhe vë në dukje dallimet ndërmjet të ashtuquajturit krishterim dhe krishterimit të vërtetë.—Mikea 3:11, 12; Mateu 15:7-9; Jakovit 4:4.
6. (a) Çfarë të bind ty vetë se Bibla është Fjala e Perëndisë? (b) Cilat linja të tjera arsyetimi mund të përdorësh për t’i ndihmuar njerëzit që të kuptojnë se Bibla vjen vërtet nga Perëndia?
6 Me të tjerë mund të jetë e dobishme të trajtojmë drejtpërdrejt dëshmitë që provojnë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Çfarë të bind ty me të vërtetë se Bibla vjen nga Perëndia Jehova? Mos vallë ajo që thotë vetë Bibla për origjinën e saj? Apo fakti që Bibla përmban një numër të madh profecish të cilat pasqyrojnë një njohje deri në hollësi të së ardhmes, profeci që duhet të kenë ardhur nga një burim mbinjerëzor? (2 Pjetrit 1:20, 21) Mos ndoshta është fakti që Bibla ka një harmoni të brendshme mahnitëse, megjithëse u shkrua nga 40 burra gjatë një periudhë kohore prej rreth 1.600 vjetësh? Apo është saktësia e saj shkencore, në dallim nga shkrimet e tjera të atyre kohëve? Apo çiltërsia e shkrimtarëve të saj? Apo është fakti që është ruajtur, edhe pse janë bërë përpjekje të ashpra për ta shkatërruar? Çfarëdo gjëje që të ka bërë përshtypje ty vetë, mund të përdoret edhe për të ndihmuar të tjerët.a
Leximi i Biblës
7, 8. (a) Çfarë duhet të bëjmë me Biblën? (b) Çfarë duhet të bëjmë përveç leximit personal të Biblës? (c) Si e ke fituar ti kuptueshmërinë për qëllimet e Jehovait?
7 Përveçse t’i ndihmojmë të tjerët që të besojnë në Bibël, ne vetë duhet të lëmë kohë për ta lexuar atë rregullisht. A po e bën ti këtë? Bibla është libri më i rëndësishëm nga të gjithë librat që janë shkruar. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që nëse e lexojmë individualisht Biblën, nuk kemi nevojë për asgjë tjetër. Shkrimet na paralajmërojnë që të mos veçohemi. Nuk duhet të mendojmë se mund t’ia gjejmë përgjigjen çdo gjëje duke bërë vetë kërkime. Që të jemi të krishterë të ekuilibruar, përveç studimit personal kemi nevojë edhe që të ndjekim rregullisht mbledhjet e popullit të Perëndisë.—Fjalët e urta (Proverbat) 18:1; Hebrenjve 10:24, 25.
8 Lidhur me këtë, Bibla flet për një funksionar etiopas që po lexonte profecinë e Isaisë. Një engjëll e drejtoi ungjillëzuesin e krishterë Filip që ta pyeste këtë burrë: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Me përulësi etiopasi u përgjigj: «Në të vërtetë, si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Ai i kërkoi Filipit që t’ia shpjegonte atë fragment nga Shkrimet. E pra, Filipi nuk ishte thjesht një njeri që e lexonte vetë Biblën dhe që shprehu mendimin e tij për Shkrimet. Ai mbante lidhje të ngushta me organizatën e dukshme të Perëndisë. Ja përse mundi ta ndihmonte etiopasin që të nxirrte dobi nga mësimi që po vinte në dispozicion Jehovai nëpërmjet asaj organizate. (Veprat 6:5, 6; 8:5, 26-35) Sot, në mënyrë të ngjashme, askush nuk arrin vetë në një kuptueshmëri të saktë të qëllimeve të Jehovait. Që të gjithë kemi nevojë për ndihmën që siguron me dashuri Jehovai nëpërmjet organizatës së tij të dukshme.
9. Nga cili program i leximit të Biblës mund të nxjerrë dobi secili prej nesh?
9 Për të na ndihmuar që ta kuptojmë Biblën, organizata e Jehovait na siguron informacione të shkëlqyera biblike në botime të ndryshme. Gjithashtu, është përgatitur një program i rregullt i leximit të Biblës që lidhet me Shkollën e Shërbimit Teokratik, e cila mbahet në të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës. Kur secili nga ne i shqyrton personalisht Shkrimet e Shenjta, mund të nxjerrë shumë dobi. (Psalmi 1:1-3; 19:7, 8) Bëj një përpjekje të veçantë për ta lexuar rregullisht Biblën. Edhe pse nuk e kupton plotësisht çdo gjë, do të të vlejë shumë të kesh një ide të përgjithshme të Shkrimeve. Për shembull, sikur të lexosh vetëm katër ose pesë faqe në ditë mund ta përfundosh Biblën afërsisht brenda një viti.
10. (a) Kur e lexon ti Biblën? (b) Kush tjetër duhet përfshirë në leximin e Biblës dhe përse është e rëndësishme rregullsia?
10 Kur mund ta lexosh Biblën? Do të nxjerrësh shumë dobi po të lësh mënjanë edhe 10 ose 15 minuta në ditë. Nëse jo, të paktën lër kohë rregullisht çdo javë për këtë lexim dhe pastaj përmbaju programit që bën. Në qoftë se je i martuar, mund ta lexosh me zë Biblën së bashku me bashkëshorten ose bashkëshortin. Nëse keni fëmijë që janë aq të rritur sa të lexojnë, mund ta bëjnë me radhë që të lexojnë me zë. Leximi i Biblës duhet të jetë një shprehi që vazhdon për tërë jetën, njësoj si të ngrënët. Siç e di, në rast se një njeri ka shprehi të këqija në të ngrënë, shëndeti i tij do të ketë pasoja. Po kështu, shëndeti ynë frymor, e si rrjedhim jeta e përhershme, varet nga të ushqyerit rregullisht me «çdo shprehje që del nga goja e Jehovait».—Mateu 4:4.
Pikësynimi
11. Cili duhet të jetë pikësynimi kur lexojmë Biblën?
11 Cilin pikësynim duhet të kemi kur lexojmë Biblën? Nuk duhet të kemi si synim vetëm të lexojmë një numër të caktuar faqesh. Motivi duhet të jetë ta njohim më mirë Perëndinë, në mënyrë që të rritim dashurinë për të dhe ta adhurojmë në mënyrë të pranueshme. (Gjoni 5:39-42) Duhet të kemi të njëjtin qëndrim si të shkrimtarit biblik që tha: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.»—Psalmi 25:4.
12. (a) Përse është e nevojshme të fitosh «njohuri të saktë» dhe, gjatë leximit, cila përpjekje mund të nevojitet për ta marrë këtë njohuri? (b) Cilat janë katër linja arsyetimi që mund të përdorësh për të nxjerrë dobi nga analizimi i asaj që lexon në Bibël? (Shih kutinë në faqen 30.) (c) Ilustroji këto pika duke iu përgjigjur pyetjeve të këtij paragrafi. Kërko në Bibël shkrimet që janë përmendur, por nuk janë cituar.
12 Ndërkohë që marrim mësime nga Jehovai, dëshira jonë duhet të jetë që të fitojmë «njohuri të saktë». Pa këtë njohuri, si mund ta zbatojmë siç duhet Fjalën e Perëndisë në jetën tonë ose t’ua shpjegojmë me saktësi të tjerëve? (Kolosianëve 3:10; 2 Timoteut 2:15) Të fitojmë njohuri të saktë do të thotë që të lexojmë me kujdes dhe, nëse një pjesë është e thellë, mund të na duhet ta lexojmë më shumë se një herë për t’i kapur kuptimin. Do të përfitojmë edhe nëse lëmë kohë për të medituar rreth materialit, duke menduar për të nga këndvështrime të ndryshme. Në faqen 30 tregohen katër linja të vlefshme arsyetimi që mund t’i shqyrtojmë. Nga shumë pjesë të Biblës mund të nxjerrim dobi duke i analizuar sipas njërës ose disave nga këto linja arsyetimi. Duke iu përgjigjur pyetjeve në faqet vijuese, do të kuptosh si ta bësh këtë.
(1) Shpesh pjesa e Shkrimeve që po lexon mund të të tregojë diçka se ç’lloj personi është Jehovai. Për shembull, në Psalmin 139:13, 14 mësojmë se sa shumë interesohet Perëndia për fëmijët që ende s’kanë lindur: «Ti më ke endur në barkun e nënës sime. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.» Sa të mrekullueshme janë veprat krijuese të Jehovait! Mënyra se si janë bërë njerëzit jep dëshmi për dashurinë e madhe që ka ai për ne.
Duke pasur parasysh atë që thuhet në Gjonin 14:9, 10, kur lexojmë se si i trajtonte Jezui të tjerët, në të vërtetë kuptojmë se si do të kishte vepruar vetë Jehovai. Me këtë në mendje, çfarë përfundimi mund të nxjerrim për Jehovain nga ngjarjet e dokumentuara te Luka 5:12, 13 dhe te Luka 7:11-15?
(2) Shqyrto se si lidhet tregimi që po lexon me temën e Biblës, pra me shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe me shenjtërimin e emrit të tij nëpërmjet Mbretërisë së Jezu Krishtit, Farës së premtuar.
Si e theksuan temën e Biblës Ezekieli dhe Danieli? (Ezekieli 38:21-23; Danieli 2:44; 4:17; 7:9-14)
Si e identifikon qartë Bibla Jezuin si Fara e premtuar? (Galatasve 3:16)
Si e përshkruan Zbulesa kulmin madhështor të temës së Mbretërisë? (Zbulesa 11:15; 12:7-10; 17:16-18; 19:11-16; 20:1-3; 21:1-5)
(3) Pyet veten se si mund ta zbatosh ti atë që po lexon. Për shembull, nga Eksodi deri te Ligji i përtërirë lexojmë për imoralitetin dhe rebelimin e Izraelit. Mësojmë se ato qëndrime dhe veprime sollën pasoja të këqija. Prandaj duhet të ndihemi të shtyrë t’i pëlqejmë Jehovait duke mos imituar shembullin negativ të Izraelit. «Këto gjëra vazhdonin të binin mbi ta si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.»—1 Korintasve 10:11.
Çfarë mësimi përmban për secilin prej nesh tregimi ku flitet për Kainin që vret Abelin? (Zanafilla 4:3-12; Hebrenjve 11:4; 1 Gjonit 3:10-15; 4:20, 21)
A zbatohen këshillat biblike për të krishterët që kanë shpresë qiellore edhe për ata që kanë shpresën e jetës së përhershme në tokë? (Numrat 15:16; Gjoni 10:16)
Edhe pse kemi një qëndrim të mirë brenda kongregacionit të krishterë, përse duhet të mendojmë me kujdes se si t’i zbatojmë në mënyrë më të plotë këshillat biblike që tashmë i dimë? (2 Korintasve 13:5; 1 Selanikasve 4:1)
(4) Mendo se si mund ta përdorësh atë që po lexon për të ndihmuar të tjerët. Të gjithë njerëzit shqetësohen për problemet shëndetësore. Prandaj mund t’u lexojmë se çfarë bëri Jezui, për t’u ilustruar çfarë do të bëjë ai në një shkallë shumë më të gjerë në Mbretërinë e tij: «Iu afruan turma të mëdha, që kishin me vete njerëz të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë . . . dhe ai i shëroi.»—Mateu 15:30.
Kë mund të ndihmojmë me tregimin për ringjalljen e vajzës së Jairit? (Luka 8:41, 42, 49-56)
13. Çfarë frytesh mund të presim nga një program i vazhdueshëm i leximit të Biblës dhe i studimit të saj së bashku me organizatën e Jehovait?
13 Sa i kënaqshëm bëhet leximi i Biblës kur i marrim parasysh të katër pikat e përmendura më sipër! Sigurisht, leximi i Biblës nuk është një gjë e lehtë. Por mund të na sjellë dobi për gjithë jetën, sepse duke i lexuar Shkrimet do të bëhemi më të fortë frymësisht. Duke e lexuar Biblën rregullisht do të afrohemi më shumë me Atin tonë të dashur, Jehovain, dhe me vëllezërit e krishterë. Ky lexim do të na ndihmojë që të zbatojmë këshillën për t’u «mbajtur fort pas fjalës së jetës».—Filipianëve 2:16.
[Shënimi]
a Për një trajtim rreth fakteve përse Bibla e meriton ta shqyrtojmë, shih broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Pyetje për rishikim
• Përse u shkrua dhe u ruajt deri në ditët tona Bibla?
• Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta kuptojnë e ta çmojnë Biblën?
• Përse është me dobi leximi i rregullt personal i Biblës? Cilat janë katër linja arsyetimi që mund të përdorim për të nxjerrë dobi nga analizimi i asaj që lexojmë?
[Kutia dhe figura në faqen 30]
KUR LEXON NJË PJESË TË BIBLËS, PYET VETEN
Çfarë më tregon për Jehovain si person?
Si lidhet me temën e përgjithshme të Biblës?
Si duhet të ndikojë në jetën time?
Si mund ta përdor për të ndihmuar të tjerët?