Qëndroni në «qytetin e strehimit» dhe jetoni!
«Ai duhet të banojë në qytetin e tij të strehimit derisa të vdesë prifti i lartë.»—NUMRAT 35:28, BR.
1. Kush është Hakmarrësi i gjakut dhe çfarë veprimi do të marrë ai së shpejti?
JEZU KRISHTI, Hakmarrësi i gjakut i dërguar nga Jehovai, është gati për të goditur. Me ushtritë e tij engjëllore, ky Hakmarrës së shpejti do të veprojë kundër të gjithë atyre që janë fajtorë të papenduar gjaku. Po, Jezui do të shërbejë si Ekzekutuesi i Perëndisë gjatë «mjerimit të madh» që po afrohet me shpejtësi. (Mateu 24:21, 22; Isaia 26:21) Njerëzit në atë kohë do të ndeshen ballë për ballë me fajin e tyre të gjakut.
2. Cili është i vetmi vend i vërtetë strehimi dhe çfarë pyetjesh kërkojnë përgjigje?
2 Mënyra për të shpëtuar është hyrja në rrugën për në qytetin antitipik të strehimit dhe vrapimi drejt tij për të shpëtuar jetën! Në qoftë se pranohet në qytet, një i strehuar do të duhet të qëndrojë aty, pasi ai është i vetmi vend i vërtetë strehimi. Por ju mund të pyesni veten: ‘Duke qenë se shumica prej nesh nuk ka vrarë ndonjë njeri, a jemi me të vërtetë fajtorë gjaku? Pse Jezui është Hakmarrësi i gjakut? Cili është qyteti modern i strehimit? A mundet ndokush të largohet përgjithmonë i sigurt prej tij?’
A jemi me të vërtetë fajtorë gjaku?
3. Cili tipar i Ligjit të Moisiut do të na ndihmojë për të kuptuar që miliarda njerëz në tokë kanë pjesë në fajin e gjakut?
3 Një tipar i Ligjit të Moisiut na ndihmon të kuptojmë se miliarda banorë në tokë kanë pjesë në fajin e gjakut. Perëndia vuri mbi izraelitët një përgjegjësi të përbashkët për derdhjen e gjakut. Në qoftë se dikush gjendej i therur dhe vrasësi i tij nuk njihej, gjykatësit duhej të masnin largësinë ndaj qyteteve rreth e rrotull për të përcaktuar qytetin më të afërt. Për të pastruar fajin, pleqtë e qytetit në dukje fajtor për gjakun, duhej t’i thyenin qafën një demi të ri të pambrehur në luginën e pakultivuar të një përroi. Kjo bëhej para priftërinjve levitë ‘sepse Jehovai i zgjodhi ata të rregullonin konfliktet mbi vdekjet e dhunshme’. Pleqtë e qytetit lanin duart e tyre mbi demin dhe thonin: «Duart tona nuk e kanë derdhur këtë gjak, as sytë tona s’e kanë parë. O Zot, fale popullin tënd Izrael që ti e ke çliruar dhe mos i ngarko fajin e gjakut të pafajshëm popullit tënd Izrael.» (Ligji i përtërirë 21:1-9) Perëndia Jehova nuk dëshironte që toka e Izraelit të ndotej me gjak ose që të ngarkonte popullin e tij me faj të përbashkët gjaku.
4. Çfarë nami ka Babilonia e Madhe si fajtore gjaku?
4 Po, ekziston diçka që i bashkon ose që i mbledh bashkë, faji i gjakut. Konsidero fajin e madh të gjakut që qëndron mbi Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. Për arsye se ajo është dehur me gjakun e shërbëtorëve të Jehovait! (Zbulesa 17:5, 6; 18:24) Fetë e të ashtuquajturit krishterim pohojnë se ndjekin Princin e Paqes, por luftërat, inkuizicionet fetare dhe kryqëzatat vdekjeprurëse e kanë bërë atë fajtor gjaku para Perëndisë. (Isaia 9:6; Jeremia 2:34) Në fakt, ai duhet të mbajë një faj më të rëndë për vdekjet e miliona njerëzve në dy luftërat botërore të këtij shekulli. Prandaj, ndjekësit e fesë së rreme, ashtu si edhe përkrahësit dhe pjesëmarrësit në luftërat njerëzore janë fajtorë gjaku para Perëndisë.
5. Si kanë qenë disa njerëz tamam si vrasës të paqëllimshëm në Izrael?
5 Disa njerëz kanë shkaktuar vdekjen e njerëzve me vullnet ose nga pakujdesia. Të tjerë kanë marrë pjesë në vrasjet kolektive, ndoshta të bindur nga udhëheqësit fetarë se ky është vullneti i Perëndisë. Të tjerë akoma kanë përndjekur dhe vrarë shërbëtorët e Perëndisë. Madje edhe nëse nuk kemi bërë nga këto gjëra, prapëseprapë ne kemi pjesë në përgjegjësinë e përbashkët për humbjen e jetëve njerëzore për shkak se ne nuk e njohim ligjin dhe vullnetin e Perëndisë. Ne jemi tamam si vrasësi i paqëllimshëm ‘i cili ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë’. (Ligji i përtërirë 19:4) Individë të tillë duhet t’i luten Perëndisë për mëshirë dhe duhet të vrapojnë për në qytetin antitipik të strehimit. Përndryshe do të pësojnë një takim vdekjeprurës me Hakmarrësin e gjakut.
Rolet jetësore të Jezuit
6. Përse mund të thuhet se Jezui është farefisi më i afërt i njerëzimit?
6 Në Izrael hakmarrësi i gjakut ishte farefisi më i afërt i viktimës. Për t’u hakmarrë për të gjithë ata të vrarë në tokë dhe veçanërisht për vrasjen e shërbëtorëve të Jehovait, Hakmarrësi i gjakut i ditëve të sotme do të duhet të bëhet një farefis i të gjithë njerëzimit. Ky rol është përmbushur nga Jezu Krishti. Ai lindi si një njeri i përsosur. Jezui e dorëzoi jetën e tij pa mëkat në vdekje si një flijim shpërblerës dhe mbas ringjalljes së tij në qiell, ai paraqiti vlerën e tij tek Perëndia për hatër të pasardhësve mëkatarë të Adamit. Krishti kështu u bë Shpërblyesi i njerëzimit, i afërmi ynë më i ngushtë—Hakmarrësi i ligjshëm i gjakut. (Romakëve 5:12; 6:23; Hebrenjve 10:12) Jezui është identifikuar si një vëlla për ndjekësit e mirosur të gjurmëve të tij. (Mateu 25:40, 45; Hebrenjve 2:11-17) Si Mbret qiellor ai bëhet «Atë i përjetshëm» i atyre që do të përfitojnë nga flijimi i tij si nënshtetas të tij tokësorë. Këta do të jetojnë përgjithmonë. (Isaia 9:6, 7) Kështu Jehovai ka caktuar në mënyrë të përshtatshme këtë Farefis të njerëzimit si Hakmarrës të gjakut.
7. Si një Prift i Lartë i madh, çfarë bën Jezui për njerëzit?
7 Jezui është gjithashtu një Prift i Lartë, pa mëkat, i sprovuar, dashamirës. (Hebrenjve 4:15) Me këtë cilësi ai zbaton vlerën e flijimit të tij për shlyerjen e mëkatit ndaj njerëzimit. Qytetet e strehimit u vendosën «për bijtë e Izraelit, për banorët e huaj dhe për të shpërngulurit që ndodhen midis tyre». (Numrat 35:15, BR) Kështu, Prifti i Lartë, së pari e zbaton vlerën e sakrificës së tij tek ithtarët e tij të mirosur, «bijtë e Izraelit». Tani ajo po zbatohet edhe ndaj ‘banorëve të huaj’ dhe ‘të shpërngulurve që ndodhen midis tyre’ në qytetin antitipik të strehimit. Këto «dele të tjera» të Zotërisë Jezu Krisht shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë.—Gjoni 10:16; Psalmi 37:29, 34.
Qyteti i sotëm i strehimit
8. Çfarë është qyteti antitipik i strehimit?
8 Çfarë është qyteti antitipik i strehimit? Ai nuk është ndonjë vend gjeografik si Hebroni, një nga gjashtë qytetet levite të strehimit dhe shtëpia e priftit të lartë të Izraelit. Qyteti i sotëm i strehimit është masa e Perëndisë për të na mbrojtur nga vdekja si pasojë e shkeljes së urdhrit të tij mbi shenjtërinë e gjakut. (Zanafilla 9:6) Qoftë i qëllimshëm apo i paqëllimshëm, çdo shkelës i këtij urdhri duhet të kërkojë faljen e Perëndisë dhe heqjen e mëkatit të tij me anë të besimit në gjakun e Priftit të Lartë, Jezu Krishtit. Të krishterët e mirosur me shpresë qiellore dhe «shumica e madhe» me perspektivë tokësore kanë përfituar nga dobia e sakrificës shpërblerëse të Jezuit dhe gjenden në një qytet antitipik strehimi.—Zbulesa 7:9, 14; 1. Gjonit 1:7; 2:1, 2.
9. Si e shkeli Sauli nga Tarsa urdhrin e Perëndisë mbi gjakun, por si tregoi ai se kishte ndryshuar qëndrim?
9 Para se të bëhej i krishterë apostulli Pavël kishte shkelur urdhrin në lidhje me gjakun. I njohur si Sauli nga Tarsa, ai persekutonte ithtarët e Jezuit dhe madje aprovonte vrasjen e tyre. «Por,—tha Pavli,—gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë.» (1. Timoteut 1:13, DSF; Veprat 9:1-19) Sauli pati një qëndrim pendues, më vonë u provua në shumë vepra besimi. Por për të hyrë në qytetin antitipik të strehimit kërkohet më shumë sesa besimi në shpërblerjen.
10. Si është e mundur të fitojmë një ndërgjegje të mirë dhe çfarë duhet bërë për ta ruajtur atë?
10 Një vrasës i paqëllimshëm mund të qëndrojë në një nga qytetet e strehimit të Izraelit vetëm nëse ai mund të provojë se ka një ndërgjegje të pastër para Perëndisë në lidhje me gjakderdhjen. Për të fituar një ndërgjegje të mirë, ne duhet të ushtrojmë besim në flijimin e Jezuit, të pendohemi për mëkatet tona dhe të ndryshojmë rrugën tonë. Ne duhet të kërkojmë një ndërgjegje të mirë në një dedikim plot me lutje ndaj Perëndisë me anë të Krishtit, duke e simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë. (1. Pjetrit 3:20, 21) Kjo ndërgjegje e mirë na bën të mundur të mbajmë një marrëdhënie të pastër me Jehovain. E vetmja mënyrë për të mbajtur një ndërgjegje të mirë është që të veprojmë në përputhje me kërkesat e Perëndisë dhe të kryejmë veprën që na është ngarkuar në qytetin antitipik të strehimit, bile ashtu si dhe të strehuarit në qytetet antike të strehimit duhej t’i bindeshin Ligjit dhe të kryenin punët që u ishin caktuar. Vepra kryesore për popullin e Jehovait sot është ajo e shpalljes së lajmit të Mbretërisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Bërja e kësaj vepre do të na ndihmojë të bëhemi banorë të dobishëm të qytetit të sotëm të strehimit.
11. Çfarë duhet shmangur nëse duam të qëndrojmë të sigurt brenda qytetit të sotëm të strehimit?
11 Dalja nga qyteti i sotëm i strehimit do të thotë ta paraqesim veten tonë në shkatërrim, pasi Hakmarrësi i gjakut së shpejti do të veprojë kundër të gjithë atyre, të cilët janë fajtorë gjaku. Kjo nuk është koha për të mbetur jashtë këtij qyteti mbrojtës apo në ndonjë zonë afër kufirit të kullotave të tij. Ne do të dalim jashtë qytetit antitipik të strehimit nëse do të humbasim besimin mbi sakrificën shpërblerëse të Priftit të Lartë. (Hebrenjve 2:1; 6:4-6) Ne, gjithashtu, nuk do të jemi të sigurt nëse do të adoptojmë rrugët e kësaj bote, nëse nuk do të jemi plotësisht të përfshirë në organizatën e Jehovait apo të devijuar nga normat e drejta të Atit tonë qiellor.—1. Korintasve 4:4.
Çlirimi nga qyteti i strehimit
12. Për sa kohë duhet të qëndrojnë ish-fajtorët e gjakut në një qytet antitipik strehimi?
12 Një vrasës i paqëllimshëm në Izrael duhej të qëndronte në një qytet strehimi «derisa të vdiste prifti i lartë». (Numrat 35:28) Pra atëherë, sa kohë duhet të qëndrojnë ish-fajtorët e gjakut në qytetin antitipik të strehimit? Përderisa ata nuk kanë më nevojë për shërbimet e Priftit të Lartë, Jezu Krishtit. Ai «mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë». (Hebrenjve 7:25) Për sa kohë që ndonjë faj gjaku vazhdon, shërbimet e Priftit të Lartë janë të nevojshme, në mënyrë që njerëzit e papërsosur të mund të kenë një qëndrim të drejtë me Perëndinë.
13. Cilët janë «bijtë e Izraelit» në ditët e sotme dhe sa kohë duhet të qëndrojnë ata në «qytetin e strehimit»?
13 Mos harroni që qytetet e lashta të strehimit ishin vendosur për «bijtë e Izraelit», banorët e huaj dhe të shpërngulurit. «Bijtë e Izraelit» janë izraelitë frymorë. (Galatasve 6:16) Ata duhet të qëndrojnë në qytetin antitipik të strehimit aq kohë sa ata jetojnë mbi tokë. Pse? Sepse ata janë akoma në mishin e papërsosur dhe për këtë arsye kanë nevojë për vlerën shlyese të Priftit të tyre të Lartë qiellor. Por kur këta të krishterë të mirosur vdesin dhe ringjallen në jetë frymore në qiell, ata nuk kanë më nevojë për shërbimet shlyese të Priftit të Lartë; ata do të kenë lënë përgjithmonë mishin dhe fajin e gjakut të ngjitur pas tij. Ndaj të mirosurve të tillë të ringjallur, Prifti i Lartë do të ketë vdekur përsa i takon fuqisë mbrojtëse në larjen e mëkateve.
14. Përse ata që kanë perspektivë qiellore duhet të qëndrojnë tani në qytetin e sotëm të strehimit?
14 Megjithatë ka edhe një arsye nga Shkrimet se përse ata që do të jenë në mënyrë qiellore «bashkëtrashëgimtarë të Krishtit» duhet të qëndrojnë në qytetin antitipik të strehimit deri në përfundimin besnik të rrugës së tyre tokësore me vdekje. Kur ata vdesin, ata flijojnë natyrën e tyre njerëzore përgjithmonë. (Romakëve 8:17; Zbulesa 2:10) Sakrifica e Jezuit zbatohet vetëm ndaj atyre që kanë natyrë njerëzore. Kështu që Prifti i Lartë, vdes ndaj atyre që bëjnë pjesë në Izraelin frymor kur ata ringjallen si krijesa frymore të cilat do të banojnë përjetësisht në qiell si «pjesëtarë të natyrës hyjnore».—2. Pjetrit 1:4.
15. Cilët janë ‘banorët e huaj’ dhe ‘të shpërngulurit’ e ditëve moderne dhe çfarë do të bëjë Prifti i Lartë për ta?
15 Kur «vdes» Prifti i Lartë në lidhje me ‘banorët e huaj’ dhe ‘të shpërngulurit’ e ditëve moderne, duke u lejuar atyre ta lënë qytetin antitipik të strehimit? Këta anëtarë të shumicës së madhe nuk mund të dalin jashtë qytetit të strehimit menjëherë pas mjerimit të madh. Përse jo? Sepse ata do të jenë akoma në gjendjen e tyre të papërsosur, do të jenë mish mëkatar dhe do të kenë nevojë të qëndrojnë nën mbrojtjen e Priftit të Lartë. Duke përfituar nga shërbimet e tij për larjen e mëkateve gjatë mbretërimit të tij mijëvjeçar dhe priftëror, ata do arrijnë përsosmërinë njerëzore. Jezui atëherë do t’i paraqisë ata para Perëndisë për një provë përfundimtare, të përjetshme dhe vendimtare të integritetit të tyre, duke liruar Satanain dhe demonët e tij për pak kohë. Duke qenë se ata e kalojnë këtë provë me aprovimin hyjnor, Jehovai do t’i shpallë ata të drejtë. Në këtë mënyrë ata do të arrijnë tërësinë e plotë të përsosmërisë njerëzore.—1. Korintasve 15:28; Zbulesa 20:7-10.a
16. Kur nuk do të kenë më nevojë të mbijetuarit e mjerimit të madh për shërbimet shlyese të Priftit të Lartë?
16 Kështu, atëherë, të mbijetuarve nga mjerimi i madh do t’u duhet të mbajnë një ndërgjegje të mirë duke qëndruar në qytetin antitipik të strehimit derisa të mbarojë Mbretëria Mijëvjeçare e Krishtit. Si njerëz të përsosur ata nuk do të kenë më nevojë për shërbimet e Priftit të Lartë për larjen e mëkateve dhe do të dalin jashtë mbrojtjes së tij. Jezui atëherë do të vdesë ndaj tyre si Prift i Lartë, pasi atij nuk do t’i duhet më të veprojë në të mirë të tyre me gjakun pastrues të flijimit të tij. Në atë kohë ata do të dalin nga qyteti antitipik i strehimit.
17. Pse për ata që do të ringjallen gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit nuk do të jetë e nevojshme të hyjnë dhe të qëndrojnë në qytetin antitipik të strehimit?
17 A duhet të hyjnë në qytetin antitipik të strehimit ata që ringjallen gjatë Mbretërisë Mijëvjeçare të Jezuit dhe të qëndrojnë aty deri në vdekjen e priftit të lartë? Jo, pasi duke vdekur ata paguajnë dënimin e tyre për mëkatet. (Romakëve 6:7; Hebrenjve 9:27) Megjithatë, Prifti i Lartë do t’i ndihmojë ata të arrijnë përsosmërinë. Nëse ata kalojnë me sukses provën përfundimtare mbas Mijëvjeçarit, Perëndia do t’i shpallë edhe ata të drejtë me një garanci për jetën e përhershme mbi tokë. Natyrisht, dështimi ndaj zbatimit të kërkesave të Perëndisë do të sjellë një gjykim ndëshkues dhe një shkatërrim mbi të gjithë njerëzit që nuk kalojnë provën përfundimtare si mbajtës të integritetit.
18. Përsa i përket mbretërimit dhe priftërisë së Jezuit, çfarë do të qëndrojë përgjithmonë bashkë me njerëzimin?
18 Priftërinjtë e lartë izraelitë përfundimisht vdisnin. Por Jezui «u bë një prift i lartë sipas mënyrës së Melkisedekut përgjithmonë». (Hebrenjve 6:19, 20, BR; Hebr. 7:3) Kështu, ndërprerja e detyrës së Jezuit si një Prift i Lartë ndërmjetësues përpara njerëzimit, nuk i jep fund jetës së tij. Pasojat e mira të shërbimit të tij si Mbret dhe Prift i Lartë do të mbeten bashkë me njerëzimin përgjithmonë dhe njerëzit do t’i jenë përjetësisht borxhlinj atij për shërbimet e tij në këto cilësi. Përveç kësaj, përgjatë përjetësisë Jezui do të marrë udhëheqjen në adhurimin e pastër të Jehovait.—Filipianëve 2:5-11.
Mësime të vlefshme për ne
19. Çfarë mësimesh në lidhje me urrejtjen dhe dashurinë mund të mësohen nga masa e qyteteve të strehimit?
19 Ne mund të nxjerrim mësime të ndryshme nga masa e qyteteve të strehimit. Për shembull, asnjë vrasës me një urrejtje vrasëse për viktimën e tij, nuk lejohej të banonte në qytetin e strehimit. (Numrat 35:20, 21) Pra, si mundet ndokush në qytetin antitipik të strehimit të lejojë që urrejtja për një vëlla të zhvillohet në zemrën e tij? «Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës,—shkroi apostulli Gjon,—dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete». Prandaj, «le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia».—1. Gjonit 3:15; 4:7.
20. Për t’u mbrojtur nga Hakmarrësi i gjakut, çfarë duhet të bëjnë ata që ndodhen në qytetin antitipik të strehimit?
20 Për t’u mbrojtur nga hakmarrësi i gjakut, vrasësit e paqëllimshëm duhej të qëndronin në një qytet strehimi dhe jo të humbisnin rrugën përtej kullotave të tij. Ç’mund të themi për ata që ndodhen në një qytet antitipik strehimi? Për të shpëtuar nga Hakmarrësi i madh i gjakut, ata nuk duhet ta lënë qytetin. Në të vërtetë, ata duhet të ruhen ndaj joshjes për të kaluar gardhin e kullotave, me një fjalë. Ata duhet të jenë të kujdesshëm që të mos e lejojnë dashurinë për botën e Satanait të zhvillohet në zemrat e tyre. Kjo mund të kërkojë lutje dhe përpjekje, por në të varet jeta e tyre.—1. Gjonit 2:15-17; 5:19.
21. Çfarë vepre shpërblyese është bërë prej atyre që ndodhen në qytetin e sotëm të strehimit?
21 Vrasësit e paqëllimshëm në qytetet e lashta të strehimit duhej të ishin punëtorë të efektshëm. Në mënyrë të ngjashme, të mirosurit, «bijtë e Izraelit», kanë dhënë një shembull të shkëlqyer si korrës dhe si lajmëtarë të Mbretërisë. (Mateu 9:37, 38; Marku 13:10) Si ‘banorë të huaj’ dhe si ‘të shpërngulur’ në qytetin e sotëm të strehimit, të krishterët me perspektivë tokësore kanë privilegjin për të kryer këtë vepër jetëshpëtuese bashkë me të mirosurit që janë akoma mbi tokë. Dhe ç’vepër shpërblyese që është! Ata që punojnë me besnikëri në qytetin antitipik të strehimit do t’i shpëtojnë vdekjes së përjetshme që ndodhet në duart e Hakmarrësit të gjakut. Në vend të kësaj, ata do të përfitojnë dobi të përjetshme nga shërbimi i tij si Prifti i Lartë i Perëndisë. A do të qëndroni në qytetin e strehimit dhe të jetoni përgjithmonë?
[Shënimi]
a Shiko Kulla e Rojës, 15 dhjetor 1991, faqe 12, paragrafët 15, 16, angl.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse mund të thuhet se miliarda banorë në tokë janë fajtorë gjaku?
◻ Çfarë rolesh përmbush Jezu Krishti përsa i përket njerëzimit?
◻ Cili është qyteti antitipik i strehimit dhe si hyhet në të?
◻ Kur do të jenë njerëzit të lirë nga qyteti antitipik i strehimit?
◻ Çfarë mësimesh të vlefshme mund të nxjerrim nga masa e qyteteve të strehimit?
[Figura në faqen 62]
A e dini ç’role kryesore luan Jezu Krishti?