Çfarë zbulon pasqyra?
SHIHU në pasqyrë! Çfarë vëren? Nganjëherë, kur i hedh një vështrim pasqyrës, ajo zbulon në pamjen tuaj ndonjë të metë të fshehtë, të cilën do të kishe qejf ta korrigjoje përpara se ta vërenin të tjerët.
Bibla është shumë e ngjashme me një pasqyrë. Mund të na ndihmojë për të krijuar një pamje të ndershme të vetvetes, e cila nuk do të na lejojë të mendojmë tepër, ose shumë pak, mbi vlerën që kemi në sytë e Perëndisë. (Mateu 10:29-31; Romakëve 12:3) Përveç kësaj, Bibla mund të zbulojë të meta në fjalët tona, në veprimet apo qëndrimet, të cilat duhet t’i korrigjojmë. Kur kjo ndodh, a e shpërfill atë që të tregon pasqyra?
Shkrimtari biblik, Jakovi, tha: «Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.»—Jakovit 1:23, 24.
Në kontrast me këtë, Jakovi përshkruan një njeri tjetër, një që ‘shikon me vëmendje ligjin e përsosur dhe ngulmon në të’. (Jakovit 1:25) Fjala greke e përkthyer «shikon me vëmendje», do të thotë të përkulesh mbi diçka apo të jepesh përpara për të parë. «Tregon më shumë sesa një shikim të shpejtë»,—thotë Theological Dictionary of the New Testament. Fjala përfshin një kërkim të kujdesshëm për një send të fshehur. Komentatori biblik, R. V. G. Tasker shkruan: «Ka diçka të rëndësishme që shikuesi dëshiron ta shohë, edhe pse mund të jetë e vështirë për të ta shohë e t’i marrë kuptimin menjëherë.»
A do ta shqyrtosh veten në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë e pastaj të përputhesh me atë që kërkon ajo? Jakovi vazhdon: «Duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.»—Jakovit 1:25.