Mos e harro Jehovain!
DISA prej tyre kishin provuar edhe më parë diçka të ngjashme. Por për shumicën ishte hera e parë dhe e vetme që ecnin pa u lagur përmes shtratit të një mase ujore. Jehovai sapo kishte ndalur ujërat e lumit Jordan. Kështu, një varg i gjatë prej miliona izraelitësh kaluan përmes shtratit të lumit për në Tokën e Premtuar. Ashtu si paraardhësit e tyre 40 vjet më parë në Detin e Kuq, shumë nga këta që kaluan lumin Jordan duhet të kenë menduar: «S’do ta harroj kurrë këtë që bëri Jehovai këtu».—Jos. 3:13-17.
Megjithatë, Jehovai e dinte se disa izraelitë ‘do t’i harronin shpejt ato që bëri’. (Psal. 106:13) Prandaj, urdhëroi udhëheqësin e Izraelit, Josiun, të merrnin 12 gurë nga shtrati i lumit dhe t’i vinin në kampin e parë që do të ngrinin. Josiu shpjegoi: «Këta gurë do t’u shërbejnë bijve të Izraelit si kujtim.» (Jos. 4:1-8) Kjo përmendore me gurë do t’i kujtonte kombit veprat e fuqishme të Jehovait dhe do t’u nguliste arsyet pse duhej t’i shërbenin atij gjithmonë me besnikëri.
A ka rëndësi kjo ngjarje për popullin e Perëndisë sot? Po. Edhe ne, nuk duhet ta harrojmë kurrë Jehovain, por duhet të vazhdojmë t’i shërbejmë atij me besnikëri. Gjithashtu, paralajmërime të tjera që iu dhanë kombit të Izraelit, mund të vlejnë për shërbëtorët e Jehovait sot. Shqyrto fjalët e Moisiut: «Ruhu se mos harron Jehovain, Perëndinë tënd, e nuk mban urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe ligjet e tij.» (Ligj. 8:11) Sipas shkrimit, kur dikush harron Jehovain, mund të arrijë në mosbindje të vullnetshme. Ky rrezik ekziston edhe në ditët tona. Duke u shkruar të krishterëve, apostulli Pavël paralajmëron kundër ‘të njëjtit model mosbindjeje’ që izraelitët shfaqën në shkretëtirë.—Hebr. 4:8-11.
Le të shqyrtojmë disa ngjarje në historinë e Izraelit që tregojnë se nuk duhet ta harrojmë Perëndinë. Përveç kësaj, mësimet që mund të nxjerrim nga jeta e dy izraelitëve besnikë, do të na ndihmojnë t’i shërbejmë Jehovait me qëndrueshmëri dhe mirënjohje.
Arsye pse ta kujtojmë Jehovain
Gjatë gjithë viteve që izraelitët ishin në Egjipt, Jehovai nuk i harroi kurrë. Ai «kujtoi besëlidhjen e tij me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin». (Dal. 2:23, 24) Ajo që bëri më pas për t’i çliruar nga skllavëria, ishte vërtet e paharrueshme.
Jehovai e goditi Egjiptin me nëntë plagë. Priftërinjtë e faraonit që merreshin me magji, ishin të pafuqishëm për t’i ndalur ato. Prapëseprapë, faraoni e sfidoi Jehovain duke mos i lejuar izraelitët të shkonin. (Dal. 7:14–10:29) Por, plaga e dhjetë e detyroi këtë sundimtar krenar t’i bindej vullnetit të Perëndisë. (Dal. 11:1-10; 12:12) Me Moisiun në krye, kombi i Izraelit bashkë me një turmë të madhe të përzier njerëzish, ndoshta gjithsej 3.000.000 veta, dolën nga Egjipti. (Dal. 12:37, 38) Nuk kishin shumë që ishin larguar, kur faraoni ndryshoi mendje. Bëri gati karrocat e luftës dhe kalorësit e tij—ushtria më e fuqishme e asaj kohe—që të kapte prapë skllevërit e tij të mëparshëm. Ndërkohë, Jehovai i tha Moisiut t’i çonte izraelitët në Pihahirot, një vend i futur midis Detit të Kuq dhe një vargmali, një rrugë pa krye në dukje.—Dal. 14:1-9.
Faraoni besonte se izraelitët tani ishin zënë në kurth dhe ushtria e tij u bë gati t’i sulmonte. Por, Jehovai i pengoi egjiptianët duke vënë një shtyllë reje dhe një shtyllë zjarri midis tyre dhe izraelitëve. Pastaj, Perëndia ndau Detin e Kuq duke hapur në shtratin e tij një korridor me mure uji anash ndoshta deri në 15 metra të larta. Izraeli filloi të kalonte detin në tokë të thatë. Pa vonuar, egjiptianët mbërritën në breg dhe i panë izraelitët teksa dilnin në anën tjetër.—Dal. 13:21; 14:10-22.
Një udhëheqës më i matur do ta kishte lënë me aq ndjekjen, por jo faraoni. Tepër i sigurt te vetja, ai i urdhëroi ushtarët të ndiqnin izraelitët përmes shtratit të detit. Egjiptianët rendën e rendën, por para se të arrinin praparojën e izraelitëve, ndjekjes së tyre të çmendur i erdhi fundi. Karrocat egjiptiane ngelën në vend. Jehovai u kishte hequr rrotat.—Dal. 14:23-25; 15:9.
Ndërsa egjiptianët rropateshin të ngitnin karrocat e prishura, i gjithë Izraeli mbërriti në bregun lindor. Moisiu shtriu dorën mbi Detin e Kuq. Në çast, Jehovai bëri që muret e ujit që formonin korridorin, të shembeshin. Miliona tonë ujë vërshuan me buçimë mbi faraonin dhe ushtarët e tij duke i mbytur. Asnjë prej këtyre armiqve nuk shpëtoi. Izraeli ishte i lirë.—Dal. 14:26-28; Psal. 136:13-15.
Lajmi për këtë ndodhi, i la me frikë kombet përreth për një kohë të gjatë. (Dal. 15:14-16) Dyzet vjet më vonë, Rahaba nga Jerikoja u tha dy izraelitëve: «Ne na ka zënë lemeria nga ju . . . sepse kemi dëgjuar se si Jehovai thau ujërat e Detit të Kuq para jush kur dolët nga Egjipti.» (Jos. 2:9, 10) As këto kombe pagane nuk e kishin harruar se si e kishte çliruar Jehovai popullin e tij. Kuptohet, Izraeli kishte edhe më shumë arsye për të mos e harruar.
‘I ruajti si bebëzën e syrit’
Pasi kaloi Detin e Kuq, Izraeli hyri në Shkretëtirën e Sinait, një ‘shkretëtirë e madhe dhe e frikshme’. Ndërsa udhëtonin nëpër atë «tokë të etur për ujë»—dhe pa ushqim për gjithë atë mori njerëzish—Jehovai nuk i braktisi. Moisiu kujtonte: «[Jehovai] e gjeti [Izraelin] në shkretëtirë, në një vend të zbrazët e me ulërima bishash. Nisi ta rrethonte, të kujdesej për të, e ta ruante si bebëzën e syrit.» (Ligj. 8:15; 32:10) Si u kujdes Perëndia për ta?
Jehovai u dha «bukë nga qielli», të quajtur manë, e cila u shfaq në mënyrë të mrekullueshme «në sipërfaqe të shkretëtirës». (Dal. 16:4, 14, 15, 35) Gjithashtu, Jehovai bëri të dilte ujë «nga shkëmbi i strallit». Me bekimin e Perëndisë, mantelet nuk iu vjetëruan, e as këmbët nuk iu ënjtën gjatë 40 vjetëve që kaluan në shkretëtirë. (Ligj. 8:4) Po çfarë priste me të drejtë Jehovai në këmbim? Moisiu i tha Izraelit: «Tregohuni shumë të kujdesshëm dhe ruajeni shpirtin tuaj, që të mos i harroni gjërat që patë me sytë tuaj e që ato të mos largohen nga zemra juaj për gjithë jetën.» (Ligj. 4:9) Nëse do t’i kujtonin me mirënjohje veprat e shpëtimit të Jehovait, ata do t’i shërbenin përgjithmonë dhe do të përpiqeshin t’u bindeshin ligjeve të tij. Po çfarë bëri Izraeli?
Harresa çon në mosmirënjohje
Moisiu deklaroi: «Shkëmbin që të lindi, e harrove. E hoqe nga mendja Perëndinë.» (Ligj. 32:18) Ato që bëri Jehovai në Detin e Kuq, kujdesi që tregoi në shkretëtirë duke i mbajtur gjallë dhe çdo e mirë tjetër që kishte bërë, shumë shpejt u shpërfillën ose u lanë në harresë. Izraelitët u rebeluan.
Njëherë, izraelitët u grindën me Moisiun sepse, sipas tyre, s’kishin ujë. (Num. 20:2-5) Ndërsa për manën që i mbante gjallë, u ankuan: «Na u neverit ajo bukë e shpifur.» (Num. 21:5) Kështu vunë në diskutim gjykimin e Perëndisë dhe hodhën poshtë Moisiun si udhëheqës duke thënë: «Ah, sikur të kishim vdekur në Egjipt ose në këtë shkretëtirë! . . . Le të caktojmë dikë në krye e të kthehemi në Egjipt!»—Num. 14:2-4.
Si ndikoi mosbindja e Izraelit te Jehovai? Duke menduar për këto ngjarje, një psalmist më vonë shkroi: «Sa herë ngritën krye kundër tij, në shkretëtirë, dhe e lënduan kur ishin në vendin e shkretë! Sa e sa herë e vunë Perëndinë në provë, i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit. Ata nuk e kujtuan dorën e tij, ditën kur i shpengoi nga armiku; se si bëri shenja në Egjipt.» (Psal. 78:40-43) Po, Jehovai u lëndua thellë ngaqë Izraeli e harroi.
Dy që nuk e harruan
Megjithatë, disa izraelitë nuk e harruan Jehovain. Dy prej tyre ishin Josiu dhe Kalebi. Ata kishin qenë në grupin e 12 vëzhguesve që ishin dërguar nga Kadesh-Barnea për të zbuluar se si ishte Toka e Premtuar. Dhjetë prej tyre dhanë një raport negativ, por Josiu dhe Kalebi i thanë popullit: «Vendi që përshkuam për të vëzhguar është një vend shumë-shumë i mirë. Nëse Jehovai është i kënaqur me ne, ai do të na çojë patjetër në atë vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, e do të na e japë. Veç mos ngrini krye kundër Jehovait.» Kur dëgjoi këto fjalë, populli foli për t’i vrarë me gurë Josiun dhe Kalebin. Por ata të dy qëndruan të patundur duke pasur besim te Jehovai.—Num. 14:6-10.
Vite më vonë, Kalebi i tha Josiut: «Moisiu, shërbëtori i Jehovait, më dërgoi nga Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin. Unë erdha e i shpreha ato fjalë që kisha në zemër. Vëllezërit e mi që u ngjitën bashkë me mua ia mpakën zemrën popullit, kurse unë iu binda në çdo gjë Jehovait, Perëndisë tim.» (Jos. 14:6-8) Me besim te Perëndia, Kalebi dhe Josiu përballuan vështirësi të ndryshme. Ata ishin të vendosur të mos e harronin Jehovain për gjithë jetën.
Kalebi dhe Josiu treguan edhe mirënjohje, duke pranuar që Jehovai e kishte mbajtur fjalën duke e çuar popullin e tij në një tokë pjellore. Po, izraelitët i detyroheshin atij për jetën. Josiu shkroi: «Jehovai i dha Izraelit tërë vendin që ishte betuar t’ua jepte paraardhësve të tyre. . . . Asnjë nga të gjitha gjërat e mira që i premtoi Jehovai shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u plotësuar; të gjitha dolën të vërteta.» (Jos. 21:43, 45) Si mund të tregojmë sot mirënjohje si Kalebi dhe Josiu?
Ji mirënjohës
Njëherë, një njeri që i frikësohej Perëndisë, tha: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?» (Psal. 116:12) Kaq borxhlinj i jemi Perëndisë për bekimet materiale, udhëheqjen frymore dhe mjetin me anë të të cilit do të na shpëtojë në të ardhmen, sa as përjetësia nuk do të mjaftojë për t’ia kthyer ose shlyer borxhin. Në të vërtetë, nuk mund t’ia shlyejmë dot kurrë Jehovait. Por ama, të gjithë mund t’i tregojmë mirënjohje.
A të kanë ndihmuar këshillat e Jehovait të shmangësh problemet? A të ka ndihmuar falja e tij të rifitosh një ndërgjegje të pastër? Dobitë nga këto vepra të Perëndisë zgjasin për shumë kohë, e po kështu duhet të zgjatë edhe mirënjohja jote. Një 14-vjeçare me emrin Sandra pati probleme serioze, por me ndihmën e Jehovait i kapërceu. Ajo shprehet: «Iu luta Jehovait për ndihmë dhe më ka bërë përshtypje mënyra se si i zgjidhi gjërat ai. Tani e kuptoj pse babi më fliste shpesh për Proverbat 3:5, 6: ‘Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.’ Jam e sigurt se pikërisht siç më ka ndihmuar Jehovai deri tani, do të më ndihmojë edhe në të ardhmen.»
Trego me anë të qëndrueshmërisë se e kujton Jehovain
Bibla thekson një cilësi tjetër që na ndihmon të mos e harrojmë Jehovain: «Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, pa ju munguar asgjë.» (Jak. 1:4) Çfarë do të thotë të jemi «të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt»? Do të thotë të zhvillojmë cilësitë që do të na ndihmojnë të përballojmë sprovat me besim te Jehovai dhe me vendosmëri për t’i kapërcyer, pa u dorëzuar. Kjo lloj qëndrueshmërie sjell kënaqësi të madhe kur sprovat e besimit marrin fund. Dhe ato gjithmonë marrin fund.—1 Kor. 10:13.
Një vëlla që i shërben Jehovait prej vitesh dhe që ka hasur probleme të rënda me shëndetin, shpjegon se çfarë e ka ndihmuar të qëndrojë i patundur: «Përpiqem të mendoj për atë që po bën Jehovai, jo për atë që dua të bëj unë. Të mbaj integritetin, do të thotë të përqendrohem në qëllimet e Perëndisë, jo në dëshirat e mia. Kur kam probleme, nuk them: ‘Pse mua, o Jehova?’ Thjesht vazhdoj t’i shërbej dhe qëndroj i lidhur ngushtë me të edhe kur dalin telashe të papritura.»
Sot, kongregacioni i krishterë e adhuron Jehovain «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23, 24) Si grup, të krishterët e vërtetë nuk do ta harrojnë kurrë Perëndinë, siç e harroi kombi i Izraelit. Por fakti që jemi pjesë e kongregacionit, nuk është garanci që individualisht do ta ruajmë integritetin. Ashtu si Kalebi dhe Josiu, secili prej nesh duhet të tregojë mirënjohje dhe qëndrueshmëri në shërbim të Jehovait. Kemi mjaft arsye për të vepruar kështu, pasi Jehovai vazhdon të na drejtojë dhe të kujdeset për secilin prej nesh në këto kohë të fundit e të vështira.
Ashtu si përmendorja prej guri që ngriti Josiu, veprat e shpëtimit të Perëndisë në të shkuarën na sigurojnë se ai nuk do ta braktisë popullin e tij. Prandaj, urojmë të ndihesh si psalmisti, i cili shkroi: «Do të kujtoj mënyrën se si vepron Jah, po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve më parë. Do të meditoj për tërë bëmat e tua, dhe do të mbaj në mendje veprat e tua.»—Psal. 77:11, 12.
[Figura në faqen 7]
I gjithë kombi duhej të udhëtonte përmes ‘një toke të etur’
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 8]
Kur Izraeli fushonte në Kadesh-Barnea, u dërguan vëzhgues në Tokën e Premtuar
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 9]
Pas vitesh në shkretëtirë, Izraelitët mund të ishin mirënjohës për Tokën e Premtuar, që ishte pjellore
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 10]
Përqendrimi te qëllimet e Jehovait na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri përballë çdo sfide