MËSIMI 48
Arsyetueshmëria
JEMI mirënjohës për ndryshimet që ka sjellë në jetën tonë Fjala e Perëndisë dhe duam që edhe të tjerët të nxjerrin dobi. Veç kësaj, jemi të vetëdijshëm se mënyra si do të reagojnë njerëzit ndaj lajmit të mirë do të ndikojë në të ardhmen e tyre. (Mat. 7:13, 14; Gjoni 12:48) Dëshirojmë sinqerisht që ta pranojnë të vërtetën. Megjithatë, bindjet tona të forta dhe zelli ynë duhen ndërthurur me aftësinë dalluese, me qëllim që të arrijmë rezultate më të mira.
T’i thuash troç dikujt se një bindje që ai e ka shumë për zemër është e rreme, edhe pse kjo është e vërtetë dhe mbështetet me një listë të gjatë shkrimesh nga Bibla, zakonisht nuk pritet mirë. Për shembull, nëse mjaftohesh thjesht duke i dënuar disa festime të përhapura ngaqë janë me origjinë pagane, kjo mund të mos ndryshojë mënyrën se si ndihen njerëzit për to. Të folurit e arsyeshëm zakonisht është më i suksesshëm. Çfarë do të thotë të jesh i arsyeshëm?
Shkrimet na thonë se «mençuria nga lart është . . . paqësore, e arsyeshme». (Jak. 3:17) Fjala greke që këtu është përkthyer «e arsyeshme» fjalë për fjalë do të thotë «që hap rrugë». Disa versione e përkthejnë këtë fjalë «e kujdesshme», «mirëkuptuese» ose «e duruar». Vër re që arsyetueshmëria ka lidhje me të qenët paqësor. Te Titit 3:2 ajo përmendet së bashku me butësinë dhe vihet në kontrast me qëndrimin luftarak. Te Filipianëve 4:5 na bëhet thirrje që të njihemi për «arsyetueshmërinë» tonë. Një njeri i arsyeshëm merr parasysh formimin, rrethanat dhe ndjenjat e atij me të cilin po flet. Ai është i gatshëm të hapë rrugë kur është e përshtatshme. T’i trajtojmë njerëzit në këtë mënyrë ndihmon që të kenë mendje dhe zemër të hapur, kështu mund të jenë më të ndjeshëm kur arsyetojmë me ta nga Shkrimet.
Nga t’ia fillojmë. Historiani Luka raporton se kur ishte në Selanik, apostulli Pavël përdori Shkrimet, «duke shpjeguar e duke provuar me fragmente të cituara se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». (Vep. 17:2, 3) Vlen të përmendet që Pavli e bëri këtë në një sinagogë judeje. Ata të cilëve po u fliste e pranonin autoritetin e Shkrimeve Hebraike. Ishte e përshtatshme që ai të fillonte me diçka që ata e pranonin.
Kur po u fliste grekëve në Areopagun e Athinës, Pavli nuk e filloi diskutimin duke iu referuar Shkrimeve. Në vend të kësaj, e filloi me gjëra që ata i dinin e i pranonin dhe i përdori që të fliste më pas rreth Krijuesit dhe qëllimeve të Tij.—Vep. 17:22-31.
Në kohët tona, miliarda njerëz nuk e pranojnë autoritetin e Biblës. Mirëpo në këtë sistem, pothuajse të gjithë hasin situata të vështira në jetë. Njerëzit dëshirojnë me zjarr diçka më të mirë. Në rast se në fillim interesohesh për atë që i shqetëson dhe pastaj u tregon shpjegimin që jep Bibla, një trajtim i tillë i arsyeshëm mund t’i shtyjë që ta dëgjojnë atë që thotë Bibla për qëllimin që ka Perëndia për njerëzimin.
Mund të ndodhë që një student i Biblës të ketë trashëguar nga prindërit e tij disa bindje dhe zakone fetare. Tani ky student mëson se ato bindje dhe zakone nuk i pëlqejnë Perëndisë dhe i braktis për shkak të asaj që mëson Bibla. Si mund t’ua shpjegojë studenti këtë vendim prindërve? Atyre mund t’u duket se duke braktisur trashëgiminë fetare që i kanë dhënë, ai po braktis ata vetë. Ndoshta studenti i Biblës do të kuptojë që para se të përpiqet të shpjegojë nga Bibla bazën për vendimin e tij, do t’i duhet t’i sigurojë prindërit për dashurinë dhe respektin që ka për ta.
Kur të hapësh rrugë? Vetë Jehovai, ndonëse ka autoritet të plotë për të urdhëruar, shfaq një arsyetueshmëri të spikatshme. Kur shpëtuan Lotin dhe familjen e tij nga Sodoma, engjëjt e Jehovait i nxitën: «Ikni në rajonin malor që të mos fshiheni tej!» Mirëpo Loti u përgjërua: «Jo kështu, të lutem, Jehova!» Ai u lut që ta lejonin të shkonte në Zoar. Jehovai ia mori parasysh këtë Lotit, duke e lejuar që të ikte atje. Kështu, kur qytetet e tjera u shkatërruan, Zoari u kursye. Megjithatë, më vonë Loti e ndoqi udhëzimin fillestar të Jehovait dhe shkoi në rajonin malor. (Zan. 19:17-30) Jehovai e dinte që mënyra e vet e të vepruarit ishte e drejtë, por me durim e mori parasysh kërkesën e Lotit derisa ky e kuptoi këtë gjë.
Për të pasur marrëdhënie të mira me të tjerët, edhe ne duhet të jemi të arsyeshëm. Mund të jemi të bindur që personi tjetër e ka gabim dhe ndoshta kemi në mendje argumente të fuqishme që do ta provonin këtë. Por ndonjëherë është më mirë që të mos ngulim këmbë për një çështje. Të jesh i arsyeshëm nuk do të thotë të bësh kompromis me normat e Jehovait. Thjesht mund të jetë më mirë ta falënderosh tjetrin që të shprehu mendimin e tij ose të mos debatosh për disa pohime të gabuara, me qëllim që ta përqendrosh bisedën në diçka më të dobishme. Edhe sikur ai ta dënojë atë që beson ti, mos reago nxitimthi. Mund ta pyesësh pse mendon në këtë mënyrë. Dëgjoje me kujdes përgjigjen e tij. Kjo do të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë mendimet e tij dhe mund të hedhë themelin për një bisedë ndërtuese në të ardhmen.—Prov. 16:23; 19:11.
Jehovai i ka pajisur njerëzit me aftësinë për të zgjedhur. Ai i lejon që ta përdorin këtë aftësi, edhe pse mund të mos e përdorin me mençuri. Duke shërbyer si zëdhënësi i Jehovait, Josiu tregoi se si kishte vepruar Perëndia me Izraelin. Por pastaj tha: «Tani, në qoftë e keqe për sytë tuaj t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni: o perëndive të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit, o perëndive të amorejve, në vendin e të cilëve po banoni. Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Jos. 24:15) Sot ne kemi caktimin që të japim «dëshmi» dhe flasim me bindje, por nuk përpiqemi t’i detyrojmë të tjerët të besojnë. (Mat. 24:14) Ata duhet të zgjedhin dhe nuk ua mohojmë këtë të drejtë.
Bëj pyetje. Jezui la një shembull të spikatshëm për sa i përket arsyetimit me njerëzit. Ai mori parasysh formimin e tyre dhe përdori ilustrime që ata do t’i pranonin menjëherë. Gjithashtu përdori me efektshmëri pyetjet. Kjo u jepte mundësi të tjerëve që të shpreheshin dhe të zbulonin çfarë kishin në zemër. I nxiste edhe që të arsyetonin rreth çështjes në fjalë.
Një njeri që e njihte mirë Ligjin e pyeti Jezuin: «Mësues, ç’duhet të bëj, që të trashëgoj jetën e përhershme?» Jezui mund t’ia kishte thënë fare lehtë përgjigjen, por në vend të kësaj e ftoi që të shprehej. «Çfarë është shkruar në Ligj? Si e lexon?» Ai njeri u përgjigj saktë. A i dha fund bisedës përgjigjja e tij e saktë? Aspak. Jezui e la që të vazhdonte të fliste dhe nëpërmjet një pyetjeje që bëri ai njeri, zbuloi se po përpiqej të provonte se ishte njeri i drejtë. Ai pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Në vend që t’i jepte një përkufizim, për të cilin ai njeri mund të kishte debatuar për shkak të qëndrimit mbizotërues që kishin judenjtë ndaj johebrenjve dhe samaritanëve, Jezui e ftoi të arsyetonte lidhur me një ilustrim. Ilustrimi fliste për samaritanin e mirë që i erdhi në ndihmë një udhëtari, të cilin e kishin plaçkitur dhe rrahur, ndërkohë që një prift dhe një levit nuk e bënë këtë. Me një pyetje të thjeshtë, Jezui u sigurua se ai njeri e kishte kuptuar thelbin e ilustrimit. Mënyra se si arsyetoi Jezui bëri që fjala «i afërm» të merrte një kuptim që ky njeri nuk e kishte dalluar kurrë më parë. (Luka 10:25-37) Çfarë shembulli i shkëlqyer për t’u imituar! Në vend që të flasësh gjithmonë ti, duke menduar në vend të të zotit të shtëpisë, mëso të përdorësh me takt pyetje dhe ilustrime që e nxitin dëgjuesin të mendojë.
Jep arsye. Kur apostulli Pavël foli në sinagogën e Selanikut, nuk u mjaftua vetëm duke lexuar nga një burim me autoritet, të cilin auditori i tij e pranonte. Luka raporton që Pavli e shpjegoi, e provoi dhe i bëri zbatim asaj që lexoi. Për pasojë, «disa prej tyre u bënë besimtarë dhe u shoqëruan me Pavlin e me Silën».—Vep. 17:1-4.
Pavarësisht se cilët njerëz përbëjnë auditorin tënd, kjo metodë e arsyeshme mund të jetë e dobishme. Është kështu kur u jep dëshmi të afërmve, kur u flet shokëve të punës ose të shkollës, kur bisedon me njerëz që nuk i njeh në predikim, kur drejton një studim biblik ose kur mban fjalim në kongregacion. Kur lexon një shkrim, kuptimi mund të jetë i qartë për ty, por ndoshta jo për dikë tjetër. Shpjegimi ose zbatimi që i bën mund të tingëllojë si një pohim dogmatik. A do të ishte më e dobishme të veçoje dhe të shpjegoje disa shprehje kyçe të shkrimit? A mund të paraqesësh dëshmi mbështetëse, të marra ndoshta nga konteksti ose nga ndonjë shkrim tjetër që flet për këtë argument? A mund ta tregosh me anë të një ilustrimi se sa e arsyeshme është ajo që ke thënë? A do ta ndihmonin pyetjet auditorin tënd që të arsyetonte lidhur me argumentin? Arsyetueshmëria lë një përshtypje të mirë dhe u jep të tjerëve shumë gjëra për të cilat të mendojnë.