A ushqehesh mirë frymësisht?
«Një dietë e mirë është nevoja më themelore njerëzore. . . . Pa ushqim të mjaftueshëm, ne do të vdisnim.»—Food and Nutrition.
KJO e vërtetë thelbësore është ilustruar në mënyrë të gjallë nga trupat e tharë të burrave, grave dhe fëmijëve që vdesin urije, të cilëve u është mohuar kjo ‘nevojë më themelore njerëzore’. Të tjerë janë në gjendje ta plotësojnë këtë nevojë deri në njëfarë mase, por prapë gjendja e keqe e të ushqyerit është serioze. Ndërsa, shumë nga ata që kanë mundësi të hanë mirë, shpesh kënaqen me gjëra pa vlera ushqimore, të cilat sigurojnë pak ushqyeshmëri të vërtetë. «Ushqimi,—thotë Healthy Eating,—duket se është një ndër pasuritë tona më të abuzuara.»
E njëjta gjë është edhe me ushqimin frymor, me të vërtetën që gjejmë në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Disa njerëzve u mungon edhe ushqimi më themelor frymor; ata vdesin urije frymësisht. Të tjerë, thjesht lënë pas dore nxjerrjen e dobive nga ushqimi frymor që është në dispozicion. Po ti? Ti personalisht, a ushqehesh mirë frymësisht? Apo mund të jetë që po i mohon vetes ushqimin frymor? Është e rëndësishme që të jemi të ndershëm me veten në këtë çështje, pasi ushqimi frymor na nevojitet edhe më shumë se ushqimi fizik.—Mateu 4:4.
Ushqim për rritjen frymore
Ushqimi dhe të ushqyerit (Food and Nutrition) një libër mësimor që trajton rëndësinë e pasjes së një diete të përshtatshme, na jep tri arsye të vlefshme për të ngrënë mirë. Njëra është se ne kemi nevojë për ushqim «për të nxitur rritjen dhe për të kompensuar keqësimin gradual të qelizave të trupit». A e di se çdo ditë të jetës, një trilion qeliza të trupit tënd vdesin dhe duhen zëvendësuar? Rritja e përshtatshme dhe mbajtja e trupit kërkon ushqim të mirë.
Po kështu është edhe me gjendjen frymore. Kur apostulli Pavël i shkroi kongregacionit në Efes, për shembull, ai theksoi se si çdo i krishterë ka nevojë për ushqim të mirë frymor, për t’u bërë «një njeri i pjekur». (Efesianëve 4:11-13) Kur ushqehemi siç duhet me ushqimin ushqyes frymor, nuk jemi më si fëmijë të dobët, që s’janë në gjendje të kujdesen për veten, duke rënë pre e çdo lloj rreziku. (Efesianëve 4:14) Përkundrazi, rritemi e bëhemi të rritur të fortë, të aftë për të bërë një betejë të ashpër për besimin, sepse jemi ‘të ushqyer me fjalët e besimit’.—1. Timoteut 4:6.
A është kështu edhe me ty? A je rritur frymësisht? Apo je akoma si një fëmijë në kuptimin frymor, i dobët, krejtësisht i varur nga të tjerët dhe jo i aftë për të marrë përgjegjësi të plota të krishtere? Është e kuptueshme se pak prej nesh do të ishin të gatshëm për të thënë se jemi si fëmijë në kuptimin frymor, por është e përshtatshme që të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë. Në shekullin e parë, disa të krishterë të mirosur ishin si fëmijë në kuptimin frymor. Edhe pse vetë duhet të kenë qenë «mësues» të aftë dhe të gatshëm për t’u mësuar të tjerëve se çfarë thotë Fjala e Perëndisë, apostulli Pavël shkroi: «Ju përsëri keni nevojë për dikë që t’ju mësojë që nga fillimi gjërat elementare të shpalljeve të shenjta të Perëndisë; dhe jeni bërë të atillë që keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë.» Nëse dëshiron të rritesh frymësisht, kultivo oreksin për ushqim, për ushqim të mirë e të fortë frymor. Mos u mjafto me ushqimin frymor për fëmijë!—Hebrenjve 5:12, BR.
Veç kësaj, kemi nevojë për këtë ushqim të fortë frymor, për të riparuar çdo dëm të bërë nga sprovat e përditshme, që ballafaqojmë në një botë armiqësore. Ato mund të ligështojnë forcën tonë frymore. Por Perëndia mund ta përtërijë atë forcë. Pavli tha: «Nuk na lëshon zemra; por edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.» (2. Korintasve 4:16) Si ‘përtërihemi nga dita në ditë’? Pjesërisht, duke u ushqyer rregullisht me Fjalën e Perëndisë, nëpërmjet studimit personal dhe në grup të Shkrimeve dhe të botimeve të bazuara në Bibël.
Ushqim për energji frymore
Ushqimi nevojitet, gjithashtu, «për të prodhuar ngrohtësi dhe energji». Ushqimi siguron karburantin që u nevojitet trupave tanë për të funksionuar mirë. Nëse hamë varfër, do të kemi pak energji. Mungesa e hekurit në dietën tonë, mund të na bëjë të ndihemi të lodhur dhe të plogët. A nuk ndihesh kështu ndonjëherë, kur bëhet fjalë për aktivitetin frymor? A ke vështirësi të plotësosh detyrat që vijnë bashkë me të qenët i krishterë? Disa që pohojnë se janë ithtarë të Jezu Krishtit, lodhen në bërjen e së mirës dhe u mungon qëndresa për vepra të krishtere. (Jakovit 2:17, 26) Nëse sheh se kjo gjë ka ndodhur në rastin tënd, ilaçi mund të gjendet në një masë të madhe në përmirësimin e dietës tënde frymore apo në rritjen e sasisë së ushqimit frymor.—Isaia 40:29-31; Galatasve 6:9.
Mos u mashtro, duke kultivuar zakone të varfra lidhur me të ushqyerit frymor. Një nga mashtrimet më të mëdha që ka përdorur Satanai përgjatë shekujve, ka qenë ai i bindjes së njerëzve se ata nuk kanë nevojë të lexojnë Biblën e të marrin njohuri të saktë prej saj. Ai përdor një taktikë të lashtë, e adoptuar nga ushtritë pushtuese për të nënshtruar qytetet armike: lënia e tyre pa ushqim që të vdesin urije, çon në nënshtrim. Por ai e ndërmerr këtë taktikë, një hap më pas. Ai mashtron ata që po «rrethon», për t’i lënë të vdesin urije, ndërkohë që janë të rrethuar nga një mal me ushqim të shëndetshëm frymor. S’është çudi përse kaq shumë bien pre e sulmeve të tij!—Efesianëve 6:10-18.
Ushqim për shëndetin frymor
Një arsye e tretë, për të cilën ne kemi nevojë për ushqim, sipas organit të lartpërmendur, është «për të rregulluar shëndetin e trupit . . . dhe për të parandaluar sëmundjet». Dobitë shëndetësore të ushqimit të mirë nuk janë menjëherë të dukshme. Kur mbarojmë një vakt të shijshëm, rrallëherë mendojmë: «Ky ushqim më ka bërë shumë mirë për zemrën (për veshkat apo për muskujt e kështu me radhë).» Megjithatë, mundohu të bësh pa ushqim për një periudhë të gjatë kohe dhe pasojat e shëndetit tënd bëhen të dukshme. Cilat pasoja? «Ndikimi më i zakonshëm i të ushqyerit të keq,—thotë një vepër referimesh mjekësore,—është i dëmshëm: mospërparimi, mosrezistenca ndaj infeksioneve të vogla, mospasja e energjisë apo e iniciativës.» Një lloj i ngjashëm i shëndetit të sëmurë frymësisht preku për njëfarë kohe Izraelin e lashtë. Lidhur me ta, profeti Isaia tha: «Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon. Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë.»—Isaia 1:5, 6.
Ushqimi i mirë frymor na jep fuqi për t’i rezistuar kësaj pafuqie frymore dhe pasojave të infektimit frymor. Njohuria nga Perëndia na ndihmon për t’u mbajtur në gjendje të mirë frymore, nëse ushqehemi me të. Jezu Krishti komentoi se si pjesa më e madhe e njerëzve në ditët e tij nuk mësuan nga neglizhenca e etërve të tyre, në lidhje me të ushqyerit e përshtatshëm frymor. Edhe ata nuk pranuan të ushqeheshin me të vërtetat që ai po mësonte. Me çfarë rezultati? Jezui tha: «Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me veshë dhe nuk kthehen me zemër dhe nuk kthehen që unë t’i shëroj.» (Mateu 13:15) Pjesa më e madhe nuk përfitoi asnjëherë nga fuqia shëruese e Fjalës së Perëndisë. Ata qëndruan të sëmurë frymësisht. Edhe disa të krishterë të mirosur u bënë «të dobët e të sëmurë». (1. Korintasve 11:30) Le të mos përbuzim asnjëherë ushqimin frymor që Perëndia na siguron.—Psalmi 107:20.
Ndotja frymore
Përveç kërcënimit nga vdekja prej urisë frymore, ka edhe një tjetër rrezik ndaj të cilit duhet të qëndrojmë zgjuar: vetë lloji i ushqimit, të cilin ne hamë, mund të jetë i infektuar. Marrja e mësimeve të infektuara nga ide të rrezikshme demonike, mund të na helmojë po aq lehtë, sa edhe ngrënia e ushqimit fizik të infektuar me mikrobe apo toksina. (Kolosianëve 2:8) Nuk është gjithmonë e lehtë, për të përcaktuar ushqimin e helmuar. «Ushqimi,—thotë një autoritet,—nganjëherë mund të duket mjaft i shëndetshëm e megjithatë fsheh bakterie patogjenike.» Prandaj, bëjmë mirë të shqyrtojmë burimin e ushqimit tonë figurativ, duke mbajtur ndër mend se disa, si për shembull shkrimet apostate, mund të jenë të infektuara nga ndërfutja e mësimeve dhe filozofive jobiblike. Disa prodhues ushqimi përdorin edhe etiketa çorientuese, për t’i mashtruar klientët e tyre, lidhur me përmbajtjen e produktit të tyre. Ne sigurisht mund të presim që edhe Satanai, mashtruesi i madh, të bëjë të njëjtën gjë. Prandaj, sigurohu se e merr këtë ushqim figurativ nga një burim i besueshëm, me qëllim që të qëndrosh ‘i shëndoshë në besim’.—Titit 1:9, 13.
Tomas Adams, një predikues i shekullit të 17-të, u shpreh kështu për njerëzit e kohës së tij: «Ata kanë hapur varret e tyre me dhëmbët e vet.» Me fjalë të tjera, ajo që hëngrën, u shkaktoi vdekjen. Sigurohu se ajo që ha frymësisht nuk të vret. Kërko furnizim me ushqim të mirë frymor. «Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë?»—pyeti Perëndia Jehova, kur ata që pohonin se ishin populli i tij, u kthyen nga mësuesit dhe profetët e rremë. «Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme. Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë.»—Isaia 55:2, 3; krahaso Jereminë 2:8, 13.
Një bollëk me ushqim frymor
Natyrisht që s’ka mungesa në ushqim të mirë frymor. Ashtu siç profetizoi Jezu Krishti, ai tani ka klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur, që është i zënë me sigurimin e «ushqimit në kohën e duhur», për këdo që e dëshiron atë. (Mateu 24:45, BR) Përmes profetit Isaia, Jehovai premtoi: «Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; . . . ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen [për shkak të gjendjes së mirë të zemrës, BR].» Në fakt, ai premton një banket me ushqim për ata që dëshirojnë ta hanë atë. «Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.»—Isaia 25:6; 65:13, 14.
Por mendo këtë: ne mund të vdesim urije në një banket! Të rrethuar nga ushqimi, prapëseprapë ne mund të dalim seriozisht të paushqyer, nëse faktikisht nuk nxisim veten për të ngrënë prej tij. Proverbat 26:15 jep fjalë për fjalë këtë përshkrim: «Përtaci e fsheh dorën e tij në tasin e banketit; ai është tepër i lodhur për ta çuar në gojë.» (BR) Ç’situatë e trishtuar? Po ashtu ne mund të bëhemi tepër dembelë që të ushtrojmë veten në studimin personal të Fjalës së Perëndisë dhe të botimeve biblike të bëra për të na ndihmuar në marrjen e ushqimit frymor. Ose mund të bëhemi tepër të lodhur, për t’u përgatitur apo për të marrë pjesë në mbledhjet e kongregacionit të krishterë.
Zakonet e mira të ngrënies
Ne kemi çdo arsye, pra, për të zhvilluar zakone të mira ngrënieje në kuptim frymor. Megjithatë, realitet është se shumë cimbisin në ushqimin e tyre frymor, disa madje duke vdekur krejtësisht urije. Ata mund të jenë si ata individë që nuk shohin rëndësinë e një diete të përshtatshme, derisa të vuajnë pasojat më vonë në jetë. Healthy Eating jep këtë arsye përse mund të jemi të pakujdesshëm lidhur me zakonet tona të ngrënies, edhe pse e dimë se të ushqyerit e mirë është një gjë thelbësore për jetën: «Problemi është se [si pasojë e zakoneve jo të mira në të ngrënë] nuk ka keqësim të shpejtë në shëndet dhe asnjë pasojë të menjëhershme, si ato që vijnë duke kaluar rrugën pa kujdes. Në vend të kësaj, mund të ketë një keqësim shumë të ngadalshëm e të fshehtë të shëndetit, infeksionet mund të merren më me lehtësi, kockat mund të jenë më të thyeshme, kurimi i plagëve dhe shërimi nga sëmundjet mund të jetë më i ngadalshëm.»
Në raste ekstreme, një person mund të bëhet si një grua e re, që vuan nga anoreksia nervore. Ajo e bind veten se ka nevojë për pak ushqim, se është jashtëzakonisht mirë, pa marrë parasysh faktin se po keqësohet fizikisht. Më së fundi, ajo humb çdo dëshirë për të ngrënë. «Është një gjendje e rrezikshme»,—thotë një vepër me referime mjekësore. Përse? «Megjithëse, pacientja rrallëherë vdes me të vërtetë nga urija, ajo bëhet seriozisht e ushqyer keq dhe mund të preket nga ajo që normalisht duhet të jetë një infeksion i vogël.»
Një grua e krishterë pranoi: «Kam luftuar për shumë vjet me pranimin e nevojës për përgatitjen e rregullt për mbledhje dhe për studimin personal dhe prapëseprapë nuk isha asnjëherë në gjendje për ta bërë atë.» Më së fundi, ajo bëri ndryshime e në këtë mënyrë u bë një studiuese e mirë e Fjalës së Perëndisë, por vetëm kur pranoi plotësisht gjendjen urgjente të situatës së saj.
Merr për zemër, pra, këshillën që dha apostulli Pjetër. Bëhu si ‘foshnjat e sapolindura’ dhe ‘dëshiro fort qumështin e pastër të fjalës, që të rritesh me anë të tij [drejt shpëtimit, BR]’. (1. Pjetrit 2:2) Po, ‘dëshiro fort’, kultivo një dëshirë të fortë, për ta mbushur mendjen dhe zemrën tënde me njohurinë e Perëndisë. Edhe të rriturit në kuptim frymor duhet të vazhdojnë ta ushqejnë atë dëshirë të fortë. Mos lejo që ushqimi frymor të bëhet si ‘një ndër pasuritë e tua më të abuzuara’. Ushqehu mirë frymësisht dhe nxirr dobi të plotë nga gjithë ‘fjalët e shëndosha’, që gjenden në Fjalën e Perëndisë, Biblën.—2. Timoteut 1:13, 14.
[Figura në faqen 28]
A ke nevojë ta përmirësosh dietën tënde?