T’i nënshtrohemi me besnikëri autoritetit hyjnor
«Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjvënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë.»—ISAIA 33:22, BR.
1. Cilët faktorë e bënin kombin e lashtë të Izraelit të veçantë nga kombet e tjera?
KOMBI i Izraelit u formua në vitin 1513 p.e.s. Në atë kohë ai nuk kishte as kryeqytet, as territor të tijin dhe as mbret njerëzor. Nënshtetasit ishin njerëz që më parë kishin qenë skllevër. Megjithatë, ai komb i ri ishte i veçantë edhe në një tjetër drejtim. Si Gjykatësin, Ligjvënësin dhe Mbretin e tij të padukshëm kishte Perëndinë Jehova. (Eksodi [Dalja] 19:5, 6; Isaia 33:22) Asnjë komb tjetër nuk mund ta pohonte një gjë të tillë!
2. Cila pyetje lind për mënyrën se si ishte organizuar Izraeli dhe përse përgjigjja është me rëndësi për ne?
2 Duke qenë se Jehovai është Perëndi i rregullit, si edhe Perëndi i paqes, pritej që kombi ku sundonte ai të ishte i organizuar mirë. (1 Korintasve 14:33) Kjo ishte më se e vërtetë me Izraelin. Por, si mund të drejtohej një organizatë e dukshme tokësore nga një Perëndi i padukshëm? Do të jetë e dobishme të shqyrtojmë se si e drejtonte Jehovai atë komb të lashtë. Do të vërejmë sidomos se si mënyra e tij e të vepruarit me Izraelin thekson rëndësinë që t’i nënshtrohemi me besnikëri autoritetit hyjnor.
Si drejtohej Izraeli i lashtë?
3. Çfarë masash praktike mori Jehovai për të udhëhequr popullin e tij?
3 Ndonëse në Izrael Jehovai ishte Mbreti i padukshëm, ai caktoi burra besnikë që ta përfaqësonin në mënyrë të dukshme. Caktoi prijës, krerë të shtëpive atërore dhe pleq që i shërbenin popullit si këshilltarë dhe gjykatës. (Eksodi 18:25, 26; Ligji i përtërirë 1:15) Por nuk duhet të nxjerrim përfundimin se pa udhëheqjen hyjnore këta burra përgjegjës në ndonjë mënyrë do të mund t’i gjykonin çështjet me aftësi dalluese dhe kuptueshmëri të përsosur. Ata nuk ishin të përsosur dhe nuk mund t’i lexonin zemrat e bashkadhuruesve të tyre. Por gjykatësit me frikë Perëndie mund t’u jepnin bashkëbesimtarëve këshilla të vlefshme që bazoheshin në Ligjin e Jehovait.—Ligji i përtërirë 19:15; Psalmi 119:97-100.
4. Cilat prirje bënin kujdes që të shmangnin gjykatësit besnikë të Izraelit dhe përse?
4 Megjithatë, për të qenë një gjykatës nuk mjaftonte vetëm që një njeri të njihte Ligjin. Duke qenë të papërsosur, pleqtë duhej të ishin syçelë për të frenuar prirjet rebele që mund të kishin edhe ata vetë, si për shembull egoizmin, anësinë dhe lakminë. Këto prirje mund t’ua shtrembëronin gjykimin. Moisiu u tha: «Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë.» Po, gjykatësit e Izraelit po gjykonin për vetë Perëndinë. Sa privilegj madhështor që ishte ky!—Ligji i përtërirë 1:16, 17.
5. Përveçse vendosi gjykatës, çfarë masash të tjera mori Jehovai për t’u kujdesur për popullin e tij?
5 Jehovai mori edhe masa të tjera për t’u kujdesur për nevojat frymore të popullit të tij. Edhe më përpara se të arrinin në Tokën e Premtuar, i urdhëroi që të ndërtonin tabernakullin, qendrën e adhurimit të vërtetë. Vendosi edhe një priftëri që të mësonte Ligjin, të bënte flijimet në kafshë dhe të digjte temjan në mëngjes e në mbrëmje. Perëndia vuri Aaronin, vëllanë më të madh të Moisiut, si kryepriftin e parë në Izrael dhe caktoi bijtë e tij që ta ndihmonin të atin në detyrat që kishte.—Eksodi 28:1; Numrat 3:10; 2 Kronikave 13:10, 11.
6, 7. (a) Ç’lidhje kishte midis priftërinjve dhe levitëve jopriftërorë? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga fakti që levitët kryenin një shumëllojshmëri punësh? (Kolosianëve 3:23)
6 Puna për plotësimin e nevojave frymore të disa miliona njerëzve ishte shumë e madhe dhe priftërinjtë ishin relativisht të paktë në numër. Prandaj u morën masa që atyre t’u vinin në ndihmë pjesëtarë të tjerë të fisit të Levit. Jehovai i tha Moisiut: «Levitët do t’ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t’u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit.»—Numrat 3:9, 39.
7 Levitët ishin të organizuar mirë. Ishin të ndarë sipas tri familjeve—gershonitët, kehathitët dhe meraritët—dhe secilës familje i ishte caktuar një punë. (Numrat 3:14-17, 23-37) Disa caktime mund të jenë dukur më të rëndësishme se të tjerat, por që të gjitha ishin të domosdoshme. Puna që bënin levitët kehathitë u jepte mundësi që të ishin afër arkës së shenjtë të besëlidhjes dhe veglave të tabernakullit. Por çdo levit kishte privilegje të mrekullueshme, pavarësisht nëse ishte ose jo kehathit. (Numrat 1:51, 53) Mjerisht, disa nuk i çmuan privilegjet që kishin. Në vend që t’i nënshtroheshin me besnikëri autoritetit hyjnor, ata filluan të kishin pakënaqësi dhe të shfaqnin krenari, ambicie e xhelozi. Njëri prej tyre ishte një levit me emrin Korah.
«Tani kërkon të kesh edhe priftërinë?»
8. (a) Kush ishte Korahu? (b) Çfarë mund ta ketë bërë Korahun që të fillonte t’i shihte priftërinjtë sipas pikëpamjes njerëzore?
8 Korahu nuk ishte kreu i shtëpisë atërore të Levit dhe as nuk ishte kreu i familjeve të kehathitëve. (Numrat 3:30, 32) Megjithatë ishte një prijës i respektuar në Izrael. Për shkak të detyrave që kishte, Korahu mund të ketë punuar pranë Aaronit dhe bijve të tij. (Numrat 4:18, 19) Duke i parë nga afër papërsosmëritë e këtyre burrave, Korahu mund të ketë arsyetuar: ‘Shiko sa të papërsosur që janë këta priftërinj, e megjithatë unë duhet t’u nënshtrohem! Jo shumë kohë më parë Aaroni bëri një viç të artë. Adhurimi i atij viçi bëri që populli ynë të binte në idhujtari. Kurse tani Aaroni, vëllai i Moisiut, po shërben si kryeprift! Kësaj i thonë mbajtje me hatër! Për të mos folur pastaj për Nadabin dhe Abihun, bij të Aaronit. U treguan kaq mosmirënjohës për privilegjet e shërbimit, saqë Jehovait iu desh të ndërhynte që të vdisnin!’a (Eksodi 32:1-5; Levitiku 10:1, 2) Cilido të ketë qenë arsyetimi i Korahut, është e qartë se filloi ta shihte priftërinë me syrin njerëzor. Kjo e bëri që të rebelohej kundër Moisiut dhe Aaronit e, më së fundi, kundër Jehovait!—1 Samuelit 15:23; Jakovit 1:14, 15.
9, 10. Cilën akuzë i bënë Korahu dhe rebelët e tjerë Moisiut dhe pse nuk duhej ta kishin bërë këtë?
9 Duke qenë njeri me autoritet, Korahu s’e kishte të vështirë të mblidhte rreth vetes njerëz që mendonin si ai. Së bashku me Datanin dhe Abiramin, ai gjeti 250 përkrahës, që të tërë prijës të asamblesë. Të gjithë bashkë shkuan te Moisiu e Aaroni dhe u thanë: «Tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?»—Numrat 16:1-3.
10 Ata rebelë e dinin mirë që s’duhej ta kishin vënë në diskutim autoritetin e Moisiut. Jo shumë kohë më parë, një gjë të tillë e kishin bërë Aaroni dhe Miriami. Madje kishin përdorur një arsyetim të ngjashëm me atë të Korahut. Siç e lexojmë te Numrat 12:1, 2, ata kishin pyetur: «Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?» Jehovai po i dëgjonte. Urdhëroi Moisiun, Aaronin dhe Miriamin që të mblidheshin te hyrja e tendës së mbledhjes, me qëllim që Ai të tregonte se kë kishte zgjedhur si udhëheqës. Atje, fare qartë Jehovai tha: «Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij në vegim, flas me të në ëndërr. Por nuk veproj kështu me shërbëtorin tim Moisi, që është besnik [i është besuar, BR] në tërë shtëpinë time.» Pas këtyre fjalëve, Jehovai e goditi përkohësisht Miriamin me lebër.—Numrat 12:4-7, 10.
11. Si e trajtoi Moisiu situatën që kishte të bënte me Korahun?
11 Korahu dhe ata që morën anën e tij duhet të kenë qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje. Rebelimi i tyre ishte i pajustifikueshëm. E megjithatë, me durim Moisiu u përpoq të arsyetonte me ta. U bëri thirrje që t’i vlerësonin më shumë privilegjet që kishin, duke u thënë: «A është gjë e vogël për ju që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes?» Jo, nuk ishte «gjë e vogël». Levitët kishin vërtet shumë privilegje. Ç’mund të dëshironin më tepër? Fjalët e mëtejshme të Moisiut demaskuan arsyetimet që bënin ata në zemër: «Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë?»b (Numrat 12:3; 16:9, 10) Megjithatë, si reagoi Jehovai ndaj këtij rebelimi kundër autoritetit hyjnor?
Gjykatësi i Izraelit ndërhyn
12. Nga se varej vazhdimësia e marrëdhënies së mirë që kishte Izraeli me Perëndinë?
12 Kur i dha Izraelit Ligjin, Jehovai u tha izraelitëve se po të tregoheshin të bindur, do të bëheshin «një komb i shenjtë» dhe se ky komb do të mbetej i shenjtë për sa kohë që ata do ta pranonin rregullin e Jehovait. (Eksodi 19:5, 6) Tani që po ndodhte një rebelim i hapur, ishte koha që Gjykatësi dhe Ligjvënësi i Izraelit të ndërhynte. Moisiu i tha Korahut: «Ti dhe gjithë njerëzit e tu paraqituni nesër para Zotit, ti dhe ata bashkë me Aaronin; dhe secili prej jush të marrë temjanicën e tij, t’i shtjerë temjan dhe secili të sjellë temjanicën e tij para Zotit; do të jenë dyqind e pesëdhjetë temjanica. Edhe ti dhe Aaroni do të merrni secili temjanicën e tij.»—Numrat 16:16, 17.
13. (a) Përse ishte shenjë kryelartësie nga ana e rebelëve të ofronin temjan para Jehovait? (b) Si veproi Jehovai me rebelët?
13 Sipas Ligjit të Perëndisë, vetëm priftërinjtë mund të ofronin temjan. Edhe vetë ideja që një levit jopriftëror të ofronte temjan para Jehovait duhej t’i kishte shkundur këta rebelë, duke i sjellë në vete. (Eksodi 30:7; Numrat 4:16) Po s’ndodhi kështu me Korahun dhe me përkrahësit e tij! Ditën tjetër, ai «thirri tërë asamblenë kundër [Moisiut dhe Aaronit] në hyrje të çadrës së mbledhjes». Tregimi vazhdon: «Atëherë Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: ‘Ndahuni nga kjo asamble dhe unë do t’i zhduk në një çast.’» Por Moisiu dhe Aaroni bënë përgjërime që popullit t’i kursehej jeta dhe Jehovai ua plotësoi kërkesën. Sa për Korahun dhe turmën që i shkonte pas, «një zjarr doli nga prania e Zotit dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë veta që ofronin temjanin».—Numrat 16:19-22, 35.c
14. Përse ndërmori Jehovai veprime të prera kundër asamblesë së Izraelit?
14 Është vërtet e habitshme që izraelitët, të cilët panë se si veproi Jehovai me rebelët, ende nuk kishin nxjerrë mësim. «Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: ‘Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit.’» Izraelitët po mbanin anën e komplotuesve. Së fundi, edhe Jehovait iu sos durimi. Askush, as edhe Moisiu ose Aaroni, nuk mund të ndërhynte më për popullin tani. Jehovai bëri që mbi të pabindurit të binte një plagë dhe «ata që vdiqën nga fatkeqësia ishin katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta, përveç atyre që kishin vdekur për ngjarjet e Koreut».—Numrat 16:41-49.
15. (a) Për ç’arsye duhej ta kishin pranuar pa ngurruar izraelitët udhëheqjen e Moisiut dhe të Aaronit? (b) Çfarë të ka mësuar për Jehovain ky tregim?
15 Ishte kaq e panevojshme që gjithë ata njerëz të humbnin jetën! Ah, sikur të ishin ndalur e të kishin arsyetuar për atë që kishte ndodhur! Mund të kishin bërë pyetje të tilla, si: ‘Cilët dolën para faraonit duke rrezikuar të humbnin jetën? Cilët kërkuan që izraelitët të çliroheshin? Kush ishte i vetmi që u ftua të ngjitej në malin Horeb pas çlirimit të Izraelit, për të folur ballë për ballë me engjëllin e Perëndisë?’ Me siguri, dëshmia e jashtëzakonshme që kishin dhënë Moisiu dhe Aaroni ishte provë e besnikërisë së tyre ndaj Jehovait dhe e dashurisë që kishin për popullin. (Eksodi 10:28; 19:24; 24:12-15) Jehovai nuk u kënaq duke i ndëshkuar me vdekje rebelët. Mirëpo, kur u bë e dukshme se populli do të ngulte këmbë në rebelim, ai ndërmori veprime të prera. (Ezekieli 33:11) E gjithë kjo ka shumë rëndësi për ne sot. Përse?
Të identifikojmë kanalin sot
16. (a) Cila dëshmi duhej t’i kishte bindur judenjtë e shekullit të parë se Jezui ishte përfaqësuesi i Jehovait? (b) Përse dhe me çfarë e zëvendësoi Jehovai priftërinë levitike?
16 Sot ekziston një «komb» tjetër që ka Jehovain si Gjykatës, Ligjvënës dhe Mbret të padukshëm. (Mateu 21:43) Ky «komb» u formua në shekullin e parë të e.s. Në atë kohë, tabernakulli i ditëve të Moisiut ishte zëvendësuar me një tempull të bukur në Jerusalem, ku levitët kryenin ende funksionet e tyre. (Luka 1:5, 8, 9) Megjithatë, në vitin 29 të e.s., erdhi në ekzistencë një tempull tjetër, një tempull frymor me Jezu Krishtin si Kryeprift. (Hebrenjve 9:9, 11) Lindi përsëri çështja e autoritetit të caktuar nga Perëndia. Kë do të përdorte Jehovai për të udhëhequr këtë «komb» të ri? Jezui i qëndroi plotësisht besnik Perëndisë. Ai i donte njerëzit. Kreu edhe shumë shenja të mrekullueshme. Mirëpo, ngjashëm paraardhësve të tyre me qafë të fortë, shumica e levitëve nuk e pranuan Jezuin. (Mateu 26:63-68; Veprat 4:5, 6, 18; 5:17) Përfundimisht Jehovai e zëvendësoi priftërinë levitike me një priftëri shumë të ndryshme, me një priftëri mbretërore. Kjo priftëri mbretërore vazhdon edhe sot e kësaj dite.
17. (a) Cili grup përbën priftërinë mbretërore sot? (b) Si e përdor Jehovai priftërinë mbretërore?
17 Kush e përbën këtë priftëri mbretërore sot? Apostulli Pjetër i përgjigjet kësaj pyetjeje në letrën e tij të parë të frymëzuar. Pjetri u shkroi pjesëtarëve të mirosur të trupit të Krishtit: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo shkëlqesitë’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjetrit 2:9) Nga këto fjalë është e qartë se, si grup, ithtarët e mirosur të Jezuit përbëjnë këtë «priftëri mbretërore», të cilën Pjetri e quajti edhe «komb i shenjtë». Ata përbëjnë kanalin që përdor Jehovai për t’i dhënë popullit të tij udhëzime dhe drejtim frymor.—Mateu 24:45-47.
18. Ç’lidhje ka ndërmjet pleqve të emëruar dhe priftërisë mbretërore?
18 Si përfaqësues të priftërisë mbretërore janë pleqtë e emëruar, të cilët shërbejnë në pozita përgjegjësie në kongregacionet e popullit të Jehovait anembanë tokës. Këta burra e meritojnë respektin dhe mbështetjen tonë me gjithë zemër, pavarësisht nëse janë të mirosur apo jo. Përse? Arsyeja është se pleqtë janë emëruar nga Jehovai në ato përgjegjësi, nëpërmjet frymës së tij të shenjtë. (Hebrenjtë 13:7, 17) Si mund të ndodhë kjo?
19. Në ç’mënyrë emërohen pleqtë nga fryma e shenjtë?
19 Këta pleq plotësojnë kërkesat që janë paraqitur në Fjalën e Perëndisë, e cila është produkt i frymës së Perëndisë. (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Prandaj mund të thuhet se emërimi i tyre bëhet nga fryma e shenjtë. (Veprat 20:28) Pleqtë duhet të jenë tërësisht të familjarizuar me Fjalën e Perëndisë. Sikurse Gjykatësi Më i Lartë që i emëroi, pleqtë duhet edhe të urrejnë çdo gjë që mund t’i afrohet sadopak anshmërisë në gjykim.—Ligji i përtërirë 10:17, 18.
20. Çfarë vlerësoni shumë te pleqtë e palodhur?
20 Në vend që ta vëmë në diskutim autoritetin e tyre, ne i vlerësojmë vërtet pleqtë tanë të palodhur! Shembulli që kanë lënë duke shërbyer me besnikëri, shpesh për shumë dhjetëvjeçarë, na nxit besimin. Ata përgatiten me kujdes për mbledhjet e kongregacionit dhe i drejtojnë ato, punojnë krah për krah me ne për të predikuar ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ dhe sigurojnë këshilla biblike kur kemi nevojë për to. (Mateu 24:14; Hebrenjve 10:23, 25; 1 Pjetrit 5:2) Na bëjnë vizita kur jemi të sëmurë dhe na ngushëllojnë kur vajtojmë. Me besnikëri dhe me altruizëm mbështetin interesat e Mbretërisë. Fryma e Jehovait është mbi ta, pra, kanë miratimin e tij.—Galatasve 5:22, 23.
21. Për çfarë duhet të jenë të vetëdijshëm pleqtë dhe përse?
21 Sigurisht që pleqtë nuk janë të përsosur. Duke qenë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre, ata nuk përpiqen të zotërojnë mbi kopenë, mbi ‘trashëgiminë e Perëndisë’. Në vend të kësaj, e quajnë veten ‘bashkëpunëtorë për gëzimin e vëllezërve të tyre’. (1 Pjetrit 5:3; 2 Korintasve 1:24) Pleqtë e përulur e të palodhur e duan Jehovain dhe e dinë që sa më shumë ta imitojnë atë, aq më shumë të mira do të jenë në gjendje të bëjnë në kongregacion. Me këtë në mendje, vazhdimisht përpiqen të kultivojnë cilësi të tilla të perëndishme, si dashurinë, dhembshurinë dhe durimin.
22. Si ju është forcuar besimi tek organizata e dukshme e Jehovait nga tregimi për Korahun?
22 Sa të lumtur jemi që kemi Jehovain si Sundimtarin tonë të padukshëm, Jezu Krishtin si Kryeprift, pjesëtarët e priftërisë së mirosur mbretërore si mësues dhe pleqtë besnikë të krishterë si këshilltarë! Ndonëse asnjë organizatë e drejtuar nga njerëzit nuk mund të jetë e përsosur, jemi të kënaqur që mund t’i shërbejmë Perëndisë në shoqëri me bashkëbesimtarët tanë besnikë, të cilët me gëzim i nënshtrohen autoritetit hyjnor!
[Shënimet]
a Dy djemtë e tjerë të Aaronit, Eleazari dhe Ithamari, ishin shembullorë në shërbimin ndaj Jehovait.—Levitiku 10:6.
b Datani dhe Abirami, komplotuesit e tjerë që ishin bashkë me Korahun, ishin rubenitë. Si të tillë, me sa duket, nuk ëndërronin të kishin priftërinë. Në rastin e tyre, ata e kishin inatin me udhëheqjen e Moisiut dhe me faktin që, deri në atë kohë, shpresat e tyre për të arritur në Tokën e Premtuar nuk ishin plotësuar.—Numrat 16:12-14.
c Në kohët patriarkale, çdo kryefamiljar përfaqësonte gruan dhe fëmijët e tij para Perëndisë, duke ofruar edhe flijime për ta. (Zanafilla 8:20; 46:1; Jobi 1:5) Por, kur u vendos Ligji, Jehovai caktoi pjesëtarë meshkuj të familjes së Aaronit si priftërinj nëpërmjet të cilëve duheshin bërë flijimet. Të 250 rebelët me sa duket nuk donin të bashkëpunonin me këtë ndryshim në procedurë.
Çfarë keni mësuar?
• Çfarë masash të dashura mori Jehovai që të kujdesej për izraelitët?
• Përse rebelimi i Korahut kundër Moisiut dhe Aaronit ishte i pajustifikueshëm?
• Ç’mësim mund të nxjerrim nga mënyra se si veproi Jehovai me rebelët?
• Si mund ta tregojmë se i vlerësojmë masat që ka marrë Jehovai sot?
[Figura në faqen 9]
A e quani privilegj çfarëdo caktimi që keni në shërbim të Jehovait?
[Figura në faqen 10]
«Pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?»
[Figura në faqen 13]
Pleqtë e emëruar përfaqësojnë priftërinë mbretërore