Krishterimi i hershëm dhe shteti
PAK orë para vdekjes, Jezui u tha dishepujve të tij: «Nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë arsye bota ju urren.» (Gjoni 15:19, BR) Por, a do të thotë kjo se të krishterët duhet të përvetësojnë një qëndrim armiqësor ndaj autoriteteve të kësaj bote?
Nuk janë pjesë e botës, por s’janë as armiqësorë
Apostulli Pavël u tha të krishterëve që jetonin në Romë: «Çdo shpirt t’i nënshtrohet autoriteteve më të larta.» (Romakëve 13:1, BR) Ngjashëm, apostulli Pjetër shkroi: «Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën.» (1. Pjetrit 2:13, 14) Nënshtrimi ndaj shtetit dhe ndaj përfaqësuesve të tij të emëruar me rregull, në mënyrë të qartë ishte një parim i pranuar midis të krishterëve të hershëm. Ata u përpoqën të jenë qytetarë të bindur ndaj ligjit dhe të jetojnë në mënyrë paqësore me të gjithë njerëzit.—Romakëve 12:18.
Poshtë temës «Kisha dhe Shteti», një enciklopedi mbi fenë deklaron: «Në tre shekujt e parë të e.s., kisha e krishterë ishte e izoluar në një masë të madhe nga shoqëria zyrtare romake . . . Megjithatë, udhëheqësit e krishterë . . . mësuan bindjen ndaj ligjit romak dhe besnikërinë ndaj perandorit, brenda kufijve të vendosur nga besimi i krishterë.»—The Encyclopedia of Religion.
Nderim, jo adhurim
Të krishterët, nuk ishin armiqësorë ndaj perandorit romak. Ata e respektuan autoritetin e tij dhe i dhanë nderin që i takonte rangut të tij. Gjatë sundimit të perandorit Neron, apostulli Pjetër u shkroi të krishterëve që jetonin në pjesë të ndryshme të perandorisë romake: «Nderoni të gjithë, . . . nderoni mbretin.» (1. Pjetrit 2:17) Fjala «mbret», në vendet ku flitej greqisht, përdorej jo vetëm për mbretërit lokalë, por edhe për perandorin romak. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që jetonin në qendër të perandorisë romake: «Jepini gjithkujt çka i takon, . . . atij që kërkon nderim, të tillë nderim.» (Romakëve 13:7, BR) Perandori Romak, sigurisht, kërkonte nderim. Me kohë, madje kërkonte adhurim. Por këtu, të krishterët e hershëm tërhiqeshin.
Në gjyqin përpara një prokonsulli romak, në shekullin e dytë të e.s., është raportuar që Polykarp deklaroi: «Unë jam i krishterë. . . . Ne jemi mësuar t’i japim të gjithë nderimin e duhur . . . fuqive dhe autoriteteve që janë lejuar nga Perëndia.» Megjithatë, Polikarpi zgjodhi vdekjen, në vend që të adhuronte perandorin. Një apologjent i shekullit të dytë, Theofili i Antiokisë, shkroi: «Në të vërtetë, unë e nderoj më mirë perandorin, duke mos e adhuruar, por duke u lutur për të. Por Perëndinë, Perëndinë e gjallë e të vërtetë e adhuroj.»
Lutjet e përshtatshme për perandorin, nuk kishin të bënin aspak me adhurimin e tij apo nacionalizmin. Apostulli Pavël e shpjegoi qëllimin e tyre kur tha: «Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë e të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.»—1. Timoteut 2:1, 2.
‘Jashtë rrymës kryesore të shoqërisë’
Kjo sjellje me respekt nga ana e të krishterëve të hershëm, nuk i vuri ata në miqësi me botën në të cilën jetonin. Historiani francez, Adalbert Aman, tregon se të krishterët e hershëm «jetuan jashtë rrymës kryesore të shoqërisë». Në të vërtetë, ata jetuan jashtë rrymës së dy shoqërive, hebreje dhe romake, duke ndeshur shumë paragjykime dhe keqkuptime prej të dyjave.
Për shembull, kur u akuzua në mënyrë të rreme nga udhëheqësit hebrenj, në mbrojtjen e tij para guvernatorit romak, apostulli Pavël deklaroi: «Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit. . . . Unë i apelohem Cezarit!» (Veprat 25:8, 11) I vetëdijshëm se hebrenjtë po komplotonin për ta vrarë, Pavli iu drejtua Neronit, duke pranuar kështu autoritetin e perandorit romak. Më pas, në gjyqin e tij të parë në Romë, duket se Pavli ishte shfajësuar. Por më vonë, ai u burgos përsëri dhe sipas traditës, u ekzekutua me urdhrin e Neronit.
Në lidhje me pozitën e vështirë të të krishterëve të hershëm në shoqërinë romake, sociologu dhe teologu Ernst Troeltç, shkroi: «Të gjitha pozitat dhe ndjekjet që kishin ndonjë lidhje me adhurimin e idhujve, me adhurimin e perandorit, ose ato që kishin ndonjë lidhje me gjakderdhjen apo me dënimin me vdekje si dhe me ato që mund t’i sillnin të krishterët në kontakt me pavdeksinë pagane, ishin mbyllur.» Ky qëndrim, a nuk linte vend për një marrëdhënie të përbashkët paqësore dhe të respektueshme midis të krishterëve dhe shtetit?
Paguajini Cezarit «atë që i takon»
Jezui siguroi një formulë që do të drejtonte sjelljen e të krishterëve ndaj shtetit romak, ose që në të vërtetë do t’i drejtonte ata ndaj çdo qeverie tjetër, kur deklaroi: «Jepni . . . Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» (Mateu 22:21) Kjo këshillë drejtuar ithtarëve të Jezuit, ishte në kontrast të plotë me qëndrimin e shumë hebrenjve nacionalistë, që nuk e duronin sundimin romak dhe e kundërshtonin ligjin e vënë për pagimin e taksave një fuqie të huaj.
Më vonë, Pavli u tha të krishterëve që jetonin në Romë: «Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani dhe tatimet, sepse ata [«autoritetet më të larta» qeveritare] janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.» (Romakëve 13:5-7) Edhe pse nuk ishin pjesë e botës, të krishterët ishin të detyruar që të ishin të ndershëm, qytetarë që i paguanin taksat, duke e paguar kështu shtetin për shërbimin që jepte.—Gjoni 17:16.
Por, a janë të kufizuara fjalët e Jezuit mbi pagimin e taksave. Pasi ai nuk e përcaktoi me saktësi se çfarë i përket Cezarit dhe çfarë i përket Perëndisë, ka çështje që nuk klasifikohen qartë, të cilat duhen përcaktuar në bazë të kontekstit, apo sipas kuptueshmërisë që kemi mbi Biblën në tërësi. Me fjalë të tjera, përcaktimi i gjërave që mund t’i paguajë një i krishterë Cezarit, disa herë do të përfshijë ndërgjegjen e krishterë, të ndriçuar sipas parimeve biblike.
Një ekuilibër i kujdesshëm midis dy kërkesave konkurruese
Shumë njerëz kanë prirjen të harrojnë se pas deklaratës për t’i dhënë Cezarit gjërat që i takojnë atij, Jezui shtoi: «Por [i jepni] Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» Apostulli Pjetër tregoi se cila prej tyre duhej të kishte prioritet për të krishterët. Menjëherë pas dhënies së këshillës për t’iu nënshtruar «mbretit» apo perandorit dhe «qeveritarëve» të tij, Pjetri shkroi: «Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë. Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.» (1. Pjetrit 2:16, 17) Apostulli tregoi se të krishterët janë skllevër të Perëndisë e jo të një sundimtari njerëzor. Megjithëse duhet të tregojnë nderimin dhe respektin e duhur për përfaqësuesit e shtetit, ata duhet ta bëjnë këtë nën frikën e Perëndisë, ligjet e të cilit janë supreme.
Gjatë viteve të mëparshme, Pjetri nuk kishte lënë asnjë dyshim në lidhje me epërsinë që kishte ligji i Perëndisë mbi atë të njerëzve. Sanhedrini hebre ishte një trup administrativ, të cilit romakët i kishin dhënë si autoritetin civil ashtu dhe atë fetar. Kur ai i urdhëroi ithtarët e Jezuit që të ndalonin së mësuari në emër të Krishtit, Pjetri dhe apostujt e tjerë iu përgjigjën me respekt por në mënyrë të vendosur: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» (Veprat 5:29) Është e qartë se të krishterët e parë duhej të mbanin një ekuilibër të kujdesshëm midis bindjes ndaj Perëndisë dhe nënshtrimit të duhur ndaj autoriteteve njerëzore. Në fillim të shekullit të tretë të e.s., Tertuliani u shpreh në këtë mënyrë: «Nëse e gjitha i takon Cezarit, çfarë do të mbetet për Perëndinë?»
Kompromisi me shtetin
Me kalimin e kohës, qëndrimi i përvetësuar nga të krishterët e shekullit të parë në lidhje me shtetin, gradualisht u dobësua. Në shekullin e dytë dhe të tretë të e.s., lulëzoi apostazia e parathënë nga Jezui dhe apostujt. (Mateu 13:37, 38; Veprat 20:29, 30; 2. Selanikasve 2:3-12; 2. Pjetrit 2:1-3) Krishterimi apostat bëri kompromise me shtetin romak, përvetësoi filozofinë dhe festat e tij pagane dhe pranoi jo vetëm shërbimin civil, por edhe atë ushtarak.
Profesori Troeltç shkroi: «Që nga shekulli i tretë e më pas, situata u bë edhe më e vështirë, sepse numri i të krishterëve në rangjet e larta të shoqërisë dhe në profesionet më të shquara, në ushtri dhe në qarqet zyrtare, u shtua edhe më shumë. Në fragmente të ndryshme jo biblike të shkrimeve të krishtere, gjenden protesta zemërimi kundër pjesëmarrjes në këto gjëra; gjithashtu, nga ana tjetër, gjejmë përpjekjet për të kompromentuar, me anë të argumenteve të përcaktuara për të qetësuar ndërgjegjet e trazuara nga kompromiset me shtetin . . . Që nga koha e Kostantinit, këto vështirësi u zhdukën; debati midis të krishterëve dhe paganëve u ndërpre dhe të gjitha zyrat e shtetit u vunë në dispozicion për t’u mbushur nga ata që pohonin se ishin të krishterë.»
Afër fundit të shekullit të katërt të e.s., kjo formë përdhosëse dhe kompromentuese e krishterimit u bë shteti fetar i Perandorisë Romake.
Gjatë gjithë historisë së tij, i ashtuquajturi krishterim, i përfaqësuar nga kishat katolike, ortodokse dhe protestante, ka vazhduar të bëjë kompromis me shtetin, duke u përzier thellësisht me politikën e tij dhe duke e përkrahur atë në luftërat e tij. Shumë anëtarëve të sinqertë të kishës, që janë tronditur nga kjo gjë, pa dyshim do t’u pëlqente të dinin se sot ka të krishterë që ruajnë qëndrimin e të krishterëve të shekullit të parë, në marrëdhënien e tyre me shtetin. Dy artikujt që vijojnë do ta shqyrtojnë çështjen më me hollësi.
[Figura në faqe 5]
Cezari Neron, për të cilin Pjetri shkroi: «Nderoni mbretin»
[Burimi]
Muzetë Kapitolini, Romë
[Figura në faqen 6]
Polikarpi zgjodhi vdekjen në vend që të adhuronte perandorin
[Figura në faqen 7]
Të krishterët e hershëm ishin paqësorë, të ndershëm dhe qytetarë që i paguanin taksat