Gra, kini respekt të thellë për burrat tuaj
«Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre.»—EFESIANËVE 5:22.
1. Pse shpesh gratë e kanë të vështirë të respektojnë burrat e tyre?
NË SHUMË vende, kur një çift martohet, nusja bën një betim dhe premton se do ta respektojë thellësisht burrin. Por, mënyra si sillen shumë burra me gratë e tyre ndikon nëse gratë e kanë të vështirë apo jo që ta mbajnë atë betim. Gjithsesi, martesa pati një fillim të mrekullueshëm. Perëndia i mori një brinjë Adamit, njeriut të parë, dhe krijoi gruan. Adami tha tërë entuziazëm: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.»—Zanafilla 2:19-23.
2. Si ka ndryshuar kohët e fundit roli dhe qëndrimi i grave ndaj martesës?
2 Edhe pse martesa pati këtë fillim të shkëlqyer, në fillim të viteve 60 të shekullit të 20-të, në Shtetet e Bashkuara nisi një lëvizje për lirinë e gruas—një përpjekje e grave për t’u çliruar nga sundimi i burrave. Në atë kohë, raporti i atyre që braktisnin familjen ishte 1 grua për çdo 300 burra. Por, në fund të viteve 60 ky raport ndryshoi në mesatarisht 1 grua për çdo 100 burra që linin familjen. Tani duket se gratë shajnë, pinë alkool e duhan dhe sillen në mënyrë imorale po aq sa dhe burrat. Por, a janë më të lumtura? Jo. Në disa vende rreth gjysma e njerëzve që martohen, më vonë divorcohen. A i kanë përmirësuar apo keqësuar gjërat përpjekjet e disa grave për të ndrequr gjendjen e tyre martesore?—2 Timoteut 3:1-5.
3. Cili është në thelb problemi që ndikon në martesë?
3 Cili është në thelb problemi? Në njëfarë mase është ai problem që ka ekzistuar që kur Evën e joshi engjëlli rebel, «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana». (Zbulesa 12:9; 1 Timoteut 2:13, 14) Satanai ka minuar mësimet e Perëndisë. Për shembull, martesën Djalli e ka bërë të duket kufizuese dhe të rreptë. Propaganda që nxit nëpërmjet medias së kësaj bote—mbi të cilën ai është sundimtar—ka si qëllim që t’i bëjë të duken të padrejta dhe të vjetëruara udhëzimet e Perëndisë. (2 Korintasve 4:3, 4) Por, në qoftë se shqyrtojmë me mendje të hapur se çfarë thotë Perëndia për rolin e gruas në martesë, do të shohim se sa e mençur dhe praktike është Fjala e Tij.
Këshilla për ata që martohen
4, 5. (a) Pse një grua duhet të tregojë kujdes kur mendon të martohet? (b) Çfarë duhet të bëjë një grua para se të pranojë që të martohet?
4 Bibla paralajmëron se në këtë botë të sunduar nga Djalli, edhe ata që kanë një martesë të suksesshme do të kenë «shtrëngim». Prandaj, edhe pse martesa e ka zanafillën nga Perëndia, Bibla prapëseprapë jep këshilla për ata që martohen. Në rastin e një gruaje së cilës i ka vdekur burri e kështu është e lirë të martohet përsëri, një shkrimtar i frymëzuar i Biblës tha: «Është më e lumtur nëse mbetet siç është.» Edhe Jezui rekomandoi beqarinë për ata që ‘mund ta pranojnë këtë’. Megjithatë, nëse dikush vendos të martohet, kjo duhet bërë me dikë që është «në Zotërinë», domethënë me një adhurues të Perëndisë që është i kushtuar dhe i pagëzuar.—1 Korintasve 7:28, 36-40; Mateu 19:10-12.
5 Arsyeja pse sidomos një grua duhet t’i kushtojë shumë vëmendje individit me të cilin martohet, është ajo që thotë Bibla: «Një grua e martuar është e lidhur me ligj me burrin.» Vetëm në rast se ai vdes ose kryen imoralitet dhe çifti divorcohet si pasojë e kësaj, gruaja bëhet «e lirë nga ligji i tij». (Romakëve 7:2, 3) Ndjenja e dashurisë me shikim të parë mund të mjaftojë për një histori të bukur dashurie, por nuk përbën një bazë të përshtatshme për një martesë të lumtur. Prandaj, një grua e pamartuar duhet të pyesë veten: ‘A jam gati të hyj në një marrëdhënie që do të më vërë nën ligjin e këtij burri?’ Koha kur duhet shqyrtuar kjo pyetje është para se të martohet, e jo më pas.
6. Çfarë mund të zgjedhë sot shumica e grave dhe pse është kaq e rëndësishme kjo?
6 Sot në shumë vende një grua mund të zgjedhë nëse do të pranojë apo jo një propozim për martesë. Mirëpo, të bëjë një zgjedhje të mençur mund të jetë gjëja më e vështirë për të, meqë dëshira e saj për afrimitet dhe dashuri, që mund të arrihen në martesë, mund të jetë shumë e fortë. Një shkrimtar tha: «Sa më shumë të duam të bëjmë diçka—pavarësisht nëse bëhet fjalë për t’u martuar apo për t’u ngjitur në ndonjë mal—aq më shumë mundësi ka që të shkojmë me hamendje dhe t’u kushtojmë vëmendje vetëm atyre të dhënave që na tregojnë atë që duam të dëgjojmë.» Një vendim i paarsyeshëm mund t’i kushtojë jetën një alpinisti; po kështu zgjedhja jo e mençur e bashkëshortit mund të jetë shkatërrimtare.
7. Cila këshillë e mençur është dhënë për zgjedhjen e bashkëshortit?
7 Një grua duhet të shqyrtojë seriozisht se çfarë do të thotë të jetë nën ligjin e një burri i cili i ka kërkuar të martohet me të. Vite më parë, një vajzë nga India pranoi me modesti: «Prindërit tanë janë më të mëdhenj dhe më të mençur e nuk mashtrohen kaq lehtë sa ne. . . . Unë mund të gaboja shumë lehtë.» Ndihma që mund të japin prindërit dhe të tjerët është e rëndësishme. Një këshillues i mençur, për vite të tëra i nxiste të rinjtë e të rejat që të njihnin prindërit e bashkëshortit të mundshëm, si edhe të vëzhgonin me kujdes se si sillej ai ose ajo me prindërit e vet dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Si tregoi nënshtrim Jezui?
8, 9. (a) Si e shihte Jezui nënshtrimin e tij ndaj Perëndisë? (b) Çfarë dobish mund të vijnë nga nënshtrimi?
8 Megjithëse nënshtrimi mund të jetë i vështirë, gratë mund ta shohin si diçka të nderuar, siç bëri Jezui. Ndonëse nënshtrimi i tij ndaj Perëndisë përfshinte vuajtje, si edhe vdekjen në një shtyllë torture, ai gjeti gëzim duke qenë i nënshtruar ndaj Tij. (Luka 22:41-44; Hebrenjve 5:7, 8; 12:3) Gratë e shohin si shembull Jezuin, sepse Bibla thotë: «Kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Por është domethënëse të vërejmë se gratë nuk vihen nën kryesinë e burrave vetëm kur martohen.
9 Bibla shpjegon se gratë, të martuara ose jo, duhet t’i nënshtrohen kryesisë së burrave të kualifikuar nga ana frymore, të cilët mbikëqyrin kongregacionin e krishterë. (1 Timoteut 2:12, 13; Hebrenjve 13:17) Kur gratë ndjekin drejtimin e Perëndisë për të vepruar kështu, lënë një shembull për engjëjt në organizatën e Tij. (1 Korintasve 11:8-10) Përveç kësaj, gratë e moshuara që janë të martuara, nëpërmjet shembullit të tyre të shkëlqyer dhe këshillave të dobishme, i mësojnë gratë më të reja që ‘t’u nënshtrohen burrave të tyre’.—Titit 2:3-5.
10. Si la Jezui një shembull duke u treguar i nënshtruar?
10 Jezui e kuptonte vlerën e nënshtrimit të duhur. Në një rast ai i tha apostullit Pjetër që të paguante për të dy, taksat që kërkonin autoritetet njerëzore, duke i dhënë madje paratë. Pjetri shkroi më vonë: «Për hir të Zotërisë, nënshtrojuni çdo krijese njerëzore.» (1 Pjetrit 2:13; Mateu 17:24-27) Në lidhje me shembullin më të jashtëzakonshëm të nënshtrimit të Jezuit, lexojmë: «[Ai] e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve. Për më tepër, kur u gjend në trajtë njeriu, ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje.»—Filipianëve 2:5-8.
11. Pse Pjetri i nxiti gratë që t’u nënshtroheshin edhe burrave që nuk ishin besimtarë?
11 Kur i nxiti të krishterët që t’u nënshtroheshin edhe autoriteteve të padrejta e të rrepta të kësaj bote, Pjetri shpjegoi: «Në të vërtetë, në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Pasi përshkroi se sa shumë vuajti Jezui dhe si duroi duke qëndruar i nënshtruar, Pjetri i nxiti gratë me burra jobesimtarë: «Në mënyrë të ngjashme, ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»—1 Pjetrit 3:1, 2.
12. Çfarë dobish erdhën nga nënshtrimi i Jezuit?
12 Nënshtrimi kur të tjerët të tallin e të shajnë mund të merret si shenjë dobësie. Por Jezui nuk e konsideronte ashtu. Pjetri shkroi: «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte.» (1 Pjetrit 2:23) Disa që e panë Jezuin duke vuajtur u bënë besimtarë, të paktën deri në njëfarë mase, përfshirë një kusar që ishte në një shtyllë torture pranë tij dhe një oficer që po shihte ekzekutimin. (Mateu 27:38-44, 54; Marku 15:39; Luka 23:39-43) Në mënyrë të ngjashme Pjetri tregoi se disa burra jobesimtarë—madje edhe ata që sillen keq—do të bëhen të krishterë pasi të vërejnë sjelljen e nënshtruar të grave të tyre. Kemi parë se kjo ka ndodhur në ditët e sotme.
Si mund t’i fitojnë gratë burrat e tyre?
13, 14. Si ka sjellë dobi nënshtrimi ndaj burrave jobesimtarë?
13 Gratë që janë bërë besimtare i kanë fituar burrat e tyre me anë të sjelljes së krishterë. Kohët e fundit, në një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait, një burrë tha për gruan e tij të krishterë: «Mendoj se isha një gdhe për mënyrën se si sillesha me të. Megjithatë ajo më tregonte shumë respekt. Kurrë nuk më përçmonte. Nuk më detyronte të besoja çka besonte ajo. Kujdesej me dashuri për mua. Kur shkonte në një asamble, punonte shumë që të më përgatiste për të ngrënë që më përpara dhe të mbaronte punët e shtëpisë. Qëndrimi i saj filloi të më ngjallte interesin për Biblën. Si rezultat u bëra Dëshmitar!» Po, në të vërtetë ai ishte ‘fituar pa fjalë’ nga sjellja e gruas.
14 Siç e theksoi Pjetri, ato që sjellin rezultate pozitive nuk janë edhe kaq shumë fjalët e një gruaje, por gjërat që bën. Kjo u ilustrua nga një grua që mësoi të vërtetat biblike dhe ishte e vendosur të ndiqte mbledhjet e krishtere. «Anjeza, po dole nga ajo derë, mos u kthe më!»—i bërtiti i shoqi. Atëherë ajo nuk doli nga «ajo derë», por i ra nga një derë tjetër. Mbrëmjen kur ishte mbledhja tjetër ai e kërcënoi: «Kur të kthehesh, nuk do të më gjesh më.» E në fakt nuk e gjeti—ai u largua për tri ditë. Kur u kthye, me dashamirësi ajo e pyeti: «Do të hash diçka?» Anjeza kurrë nuk u lëkund në përkushtimin e saj ndaj Jehovait. Së fundi burri i saj pranoi një studim biblik, ia kushtoi jetën Perëndisë dhe më vonë shërbeu si një mbikëqyrës me shumë përgjegjësi.
15. Ç’lloj ‘stolisjeje’ këshillohen të kenë gratë e krishtere?
15 Apostulli Pjetër këshilloi diçka që e treguan edhe gratë e përmendura më sipër, domethënë, ‘stolisjen’, por jo duke i kushtuar vëmendje të tepërt ‘gërshetimit të flokëve’ ose ‘veshjeve të sipërme’. Përkundrazi, Pjetri tha: «[Stolisja juaj] le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.» Kjo frymë pasqyrohet me një ton zëri dhe me një mënyrë sjelljeje që janë të hijshme, e jo sfiduese ose kërkuese. Kështu e tregon një grua e krishterë respektin e saj të thellë për burrin e vet.—1 Pjetrit 3:3, 4.
Shembuj nga të cilët të mësojmë
16. Në cilat mënyra është një shembull i shkëlqyer Sara për gratë e krishtere?
16 Pjetri shkroi: «Më parë, edhe gratë e shenjta që shpresonin te Perëndia stoliseshin kështu», duke ‘iu nënshtruar burrave të tyre’. (1 Pjetrit 3:5) Ato e kuptonin se po të kënaqnin Jehovain duke u vënë veshin këshillave të tij, kjo si përfundim do të sillte lumturi në familje dhe shpërblimin e jetës së përhershme. Pjetri përmend Sarën, gruan e bukur të Abrahamit, dhe thekson se ajo «i bindej Abrahamit dhe e quante ‘zotëri’». Sara e mbështeste burrin e saj që i frikësohej Perëndisë dhe të cilin Ai e kishte caktuar të shërbente në një vend të largët. Ajo hoqi dorë nga një jetë e rehatshme e madje vuri edhe jetën e saj në rrezik. (Zanafilla 12:1, 10-13) Pjetri i këshilloi gratë që të ndiqnin shembullin e guximshëm të Sarës: «Ju jeni bija të saj, po të vazhdoni të bëni të mirën, dhe nuk do të keni asnjë shkak për tmerr.»—1 Pjetrit 3:6.
17. Pse Pjetri mund të ketë pasur në mendje Abigailën si shembull për gratë e krishtere?
17 Abigaila ishte një grua tjetër e patrembur që shpresonte te Perëndia, e Pjetri mund të ketë pasur edhe atë në mendje. Ajo «ishte mjaft e matur», kurse burri i saj; Nabali, «kishte një sjellje të ashpër dhe të keqe». Kur Nabali nuk pranoi të ndihmonte Davidin dhe burrat e tij, këta u përgatitën të shfarosnin Nabalin dhe tërë shtëpinë e tij. Por Abigaila veproi për të shpëtuar familjen. Ajo i ngarkoi gomarët me ushqime dhe takoi Davidin teksa ai bashkë me burrat e tij të armatosur po vinin udhës. Kur e pa Davidin, ajo zbriti nga gomari, ra te këmbët e tij dhe iu përgjërua që të mos vepronte me nxitim. Davidi u prek thellë. Ai tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të ka dërguar sot të më dalësh përpara! Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»—1 Samuelit 25:2-33.
18. Për cilin shembull mund të meditojë një grua, nëse një burrë që nuk është bashkëshorti përpiqet t’i fitojë zemrën, dhe pse?
18 Një shembull tjetër i shkëlqyer për gratë është ai i vajzës shulamite që i qëndroi besnike bariut të saj të thjeshtë me të cilin do të martohej. Dashuria e saj për të mbeti e fortë, megjithëse një sundimtar i pasur u përpoq t’i fitonte zemrën. Ajo u nxit të shprehte ndjenjat për bariun e saj të ri: «Më vër si një vulë në zemrën tënde, si një vulë në krahun tënd, sepse dashuria është e fortë sa vdekja. . . . Ujërat e shumta nuk munden ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta marrin me vete.» (Kënga e Solomonit 8:6, 7) Të gjitha gratë që pranojnë të martohen, qofshin gjithashtu të vendosura t’u mbeten besnike burrave të tyre dhe t’i respektojnë thellësisht ata!
Këshilla të tjera nga Perëndia
19, 20. (a) Për ç’arsye gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre? (b) Cili shembull i shkëlqyer është dhënë për gratë?
19 Së fundi, shqyrtoni edhe kontekstin e shkrimit ku bazohet tema e këtij artikulli: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre.» (Efesianëve 5:22) Pse është i nevojshëm ky nënshtrim? Vargu vijues vazhdon: «Sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit.» Prandaj grave u bëhet kjo thirrje: «Ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka.»—Efesianëve 5:23, 24, 33.
20 Që t’i binden këtij urdhri, gratë duhet ta studiojnë dhe më pas ta imitojnë shembullin e kongregacionit të Krishtit të përbërë nga ithtarët e tij të mirosur. Ju lutemi lexoni 2 Korintasve 11:23-28 dhe mësoni se çfarë duroi një pjesëtar i kongregacionit, apostulli Pavël, ngaqë ishte besnik ndaj Kreut të tij, Jezu Krishtit. Ashtu si Pavli, gratë dhe pjesa tjetër e kongregacionit duhet të qëndrojnë të nënshtruar me besnikëri ndaj Jezuit. Gratë e tregojnë këtë duke iu nënshtruar burrave të tyre.
21. Cilat gjëra mund t’i nxitin gratë që t’u qëndrojnë të nënshtruara burrave të tyre?
21 Edhe pse sot shumë gra mund t’i bezdisë ideja që të jenë të nënshtruara, një grua e mençur do të marrë parasysh dobitë që vijnë. Për shembull, në rastin kur burri është jobesimtar, nënshtrimi ndaj kryesisë së tij në çdo gjë që nuk përbën shkelje të ligjeve ose të parimeve të Perëndisë, ka shumë mundësi që të sjellë shpërblimin e mrekullueshëm që gruaja ‘ta shpëtojë burrin’. (1 Korintasve 7:13, 16) Për më tepër ajo mund të gjejë kënaqësi duke ditur se Perëndia Jehova e miraton sjelljen e saj dhe do ta shpërblejë me bollëk ngaqë imiton shembullin e Birit të tij të shtrenjtë.
A ju kujtohet?
• Pse mund të jetë e vështirë për një grua që ta respektojë burrin e saj?
• Pse është kaq serioz pranimi i një propozimi për martesë?
• Çfarë shembulli la Jezui për gratë dhe cilat dobi mund të vijnë duke ndjekur shembullin e tij?
[Figura në faqen 19]
Pse është kaq serioz vendimi për të pranuar ose jo një propozim për martesë?
[Figura në faqen 21]
Çfarë mund të mësojnë gratë nga shembulli i personazheve të tilla biblike, si Abigaila?