Qielli
Përkufizimi: Vendbanimi i Perëndisë Jehova dhe i krijesave frymore besnike; vend i padukshëm për sytë e njeriut. Bibla e përdor fjalën «qiell(j)» edhe në shumë kuptime të tjera; për shembull: për të përfaqësuar vetë Perëndinë; organizatën me krijesat e tij frymore besnike; një pozitë që tregon miratimin e Perëndisë, universin; hapësirën që rrethon planetin Tokë; qeveritë njerëzore nën sundimin e Satanait dhe qeverinë e re e të drejtë qiellore, në të cilën Jezu Krishtit dhe bashkëtrashëgimtarëve të tij u jepet pushtet të mbretërojnë.
A ishim të gjithë në sferën frymore përpara se të lindnim si njerëz?
Gjoni 8:23: «[Jezu Krishti] vazhdoi t’u thoshte: ‘Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart. Ju jeni nga kjo botë, kurse unë nuk jam nga kjo botë.’» (Jezu erdhi nga sfera frymore. Por, siç tha Jezui, njerëzit e tjerë nuk kanë ardhur nga sfera frymore.)
Rom. 9:10-12: «Rebeka mbeti shtatzënë . . . e kishte binjakë. Kur ata ende nuk kishin lindur dhe nuk kishin praktikuar as gjëra të mira, as të poshtra, që qëllimi i Perëndisë në lidhje me zgjedhjen të vazhdonte të varej jo nga veprat, por nga Ai që thërret, asaj iu tha: ‘Më i madhi do të shërbejë si skllav i më të voglit.’» (Natyrisht që në rast se binjakët Jakob dhe Esau do të kishin jetuar më parë në një sferë frymore, do t’i kishin bërë një emër vetes në bazë të sjelljes së tyre atje, apo jo? Por ata nuk kishin një emër të tillë derisa lindën si njerëz.)
A shkojnë në qiell të gjithë njerëzit e mirë?
Vep. 2:34: «Davidi [për të cilin Bibla thotë se ishte ‘një njeri siç ia donte zemra Jehovait’] . . . nuk u ngjit në qiej.»
Mat. 11:11: «Ja ku po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.» (Pra, Gjoni kur vdiq nuk shkoi në qiell.)
Psal. 37:9, 11, 29: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»
Po sikur Adami të mos kishte mëkatuar, a do të kishte shkuar në qiell në fund?
Zan. 1:26: «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne, dhe ai le t’i mbajë të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve, kafshët e buta, gjithë tokën dhe çdo kafshë që lëviz në të.’» (Pra, qëllimi i Perëndisë për Adamin ishte që të kujdesej për tokën dhe për kafshët në të. Nuk thuhet fare se ai do të shkonte në qiell.)
Zan. 2:16, 17: «Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’» (Qëllimi i Perëndisë në fillim nuk ishte që njeriu të vdiste një ditë. Urdhri i Perëndisë i përmendur këtu tregon se ai e paralajmëroi që të mos ndiqte sjelljen që do të çonte në vdekje. Vdekja do të ishte një ndëshkim për mosbindjen, dhe jo porta drejt një jete më të mirë në qiell. Bindja do të ishte shpërblyer me një jetë të vazhdueshme, të përhershme në Parajsën që i kishte dhënë Perëndia njeriut. Shih edhe Isainë 45:18.)
A duhet të shkojë në qiell një njeri për të pasur një të ardhme vërtet të lumtur?
Psal. 37:11: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
Zbul. 21:1-4: «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re . . . Dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’»
Mik. 4:3, 4: «Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë. Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.»
A hapi Jezui udhën për në qiell për të gjithë ata që kishin vdekur përpara vdekjes së tij?
Cili është kuptimi i 1 Pjetrit 3:19, 20? «Në këtë gjendje [si frymë, pasi u ringjall] ai [Jezui] shkoi dhe u predikoi frymërave në burg, që dikur kishin qenë të pabindura, kur Perëndia priste me durim në ditët e Noesë, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën pak njerëz, domethënë tetë shpirt [‘tetë veta’, Dio, ‘tetë njerëz’, ECM], shpëtuan nëpërmjet ujit.» (A ishin këto ‘frymëra në burg’ shpirtrat e njerëzve që nuk pranuan t’i vinin veshin predikimit të Noesë përpara Përmbytjes dhe a u hap tani përpara tyre rruga për të shkuar në qiell? Nga krahasimi midis 2 Pjetrit 2:4 dhe Judës 6 me Zanafillën 6:2-4 kuptohet se këto frymëra ishin bijtë engjëllorë të Perëndisë që kishin marrë trupa fizikë dhe ishin martuar në ditët e Noesë. Te 1 Pjetrit 3:19, 20 fjala greke për ‘frymëra’ është pnéumasin, kurse fjala e përkthyer «shpirt» është psihái. ‘Frymërat’ nuk ishin shpirtra të shkëputura nga trupat, por engjëj rebelë; ‘shpirtrat’ e përmendura këtu ishin persona të gjallë, njerëz, Noeja dhe familja e tij. Prandaj, ajo që iu predikua «frymërave në burg», duhet të ketë qenë një mesazh gjykimi.)
Cili është kuptimi i 1 Pjetrit 4:6? «Për këtë qëllim lajmi i mirë iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen në mish nga këndvështrimi i njerëzve, por të jetojnë në frymë nga këndvështrimi i Perëndisë.» (A ishin këta ‘të vdekur’ njerëzit që kishin vdekur para vdekjes së Krishtit? Siç u tregua më sipër, të vdekurit nuk janë ‘frymërat në burg’. Këto frymëra ishin engjëjt e pabindur. Gjithashtu predikimi nuk do t’u sillte dobi fizike njerëzve të vdekur, sepse, siç thotë Eklisiastiu 9:5, ata «s’janë të vetëdijshëm për asgjë» dhe Psalmi 146:4 shton se kur një njeri vdes, «marrin fund mendimet». Por Efesianëve 2:1-7, 17 bën fjalë për personat që ishin të vdekur frymësisht, por që erdhën në jetë frymësisht ngaqë pranuan lajmin e mirë.)
A paraqitet në «Besëlidhjen e Re» jeta qiellore si shpresa e të gjithë të krishterëve?
Gjoni 14:2, 3: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, do t’jua kisha thënë. Unë po shkoj t’ju përgatit një vend. Pasi të kem shkuar e t’ju kem përgatitur një vend, do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku të jem unë, të jeni edhe ju.» (Jezui tregon këtu se apostujt e tij besnikë të cilëve po u fliste, me kalimin e kohës, do të ishin në «shtëpinë» e Atit të tij, në qiell, bashkë me Jezuin. Por ai nuk thotë këtu se sa tjerë do të shkonin po ashtu në qiell.)
Gjoni 1:12, 13: «Të gjithë atyre që e pritën [Jezuin], u dha autoritet të bëheshin fëmijë të Perëndisë, sepse po tregonin besim në emrin e tij. Ata nuk lindën nga gjaku, as nga ndonjë vullnet mishor a nga vullneti i njeriut, por nga Perëndia.» (Vër re se konteksti në vargun 11 bën fjalë për «të vetët» e Jezuit, pra judenjtë. Të gjithë ata që e pritën kur ai erdhi tek ata në shekullin e parë, u bënë fëmijë të Perëndisë, duke pasur mundësinë e jetës qiellore. Foljet në varg janë në kohën e shkuar, pra këto vargje nuk u referohen gjithë njerëzve që janë bërë të krishterë që nga ajo kohë e më tej.)
Rom. 8:14, 16, 17: «Të gjithë ata që drejtohen nga fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë. Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë. Prandaj, nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, si edhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.» (Në kohën kur u shkruan këto fjalë, ishte e vërtetë se të gjithë ata që drejtoheshin nga fryma e Perëndisë ishin bij të Perëndisë dhe kishin si shpresë që t’u jepej lavdi bashkë me Krishtin. Por kjo nuk ka qenë e vërtetë gjithmonë. Luka 1:15 thotë se Gjon Pagëzori do të ishte i mbushur me frymë, por Mateu 11:11 e bën të qartë se ai nuk do të merrte pjesë në lavdinë e Mbretërisë qiellore. Po kështu edhe pas mbledhjes së trashëgimtarëve në Mbretërinë qiellore, do të kishte të tjerë që do t’i shërbenin Perëndisë si ithtarë të Birit të tij, e megjithatë nuk do të merrnin pjesë në lavdinë qiellore.)
Cilat referime specifike gjenden në «Besëlidhjen e Re» në lidhje me jetën e përhershme në tokë me të cilën do të shpërblehen të krishterët?
Mat. 5:5: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»
Mat. 6:9, 10: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Cili është vullneti i Perëndisë për tokën? Çfarë tregojnë Zanafilla 1:28 dhe Isaia 45:18?)
Mat. 25:31-33, 40, 46: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë. . . . Mbreti do t’u përgjigjet [deleve]: ‘Vërtet po ju them: nëse e keni bërë këtë për një nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e keni bërë edhe për mua.’ Ata [cjeptë] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët [delet] do të marrin jetën e përhershme.» (Vër re se këto ‘dele’ nuk janë vëllezërit e Mbretit, të cilët janë «pjesëmarrës të thirrjes qiellore». [Hebr. 2:10–3:1] Por këta njerëz si delet do të ishin gjallë në kohën kur Krishti të ishte në fronin e tij dhe kur disa nga «vëllezërit» e tij do të ishin ende duke përjetuar vështirësi në tokë.)
Gjoni 10:16: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Cilët janë këto «dele të tjera»? Janë ithtarët e Bariut të Shkëlqyer, Jezu Krishtit, por nuk bëjnë pjesë në vathën e ‘besëlidhjes së re’, me shpresën e jetës qiellore. Gjithsesi shoqërohen ngushtë me ata që bëjnë pjesë në atë vathë.)
2 Pjet. 3:13: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (Shih edhe Zbulesën 21:1-4.)
Zbul. 7:9, 10: «Pas këtyre gjërave [pasi apostulli Gjon pa numrin e plotë të «të vulosurve», të cilët «ishin blerë nga toka» që të ishin me Krishtin në malin qiellor të Sionit; shih Zbulesën 7:3, 4; 14:1-3], pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash. Ata thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’»
Sa vetave u jep Bibla shpresën e jetës qiellore?
Luka 12:32: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.»
Zbul. 14:1-3: «Unë pashë Qengjin [Jezu Krishtin] që qëndronte në malin e Sionit [në qiell; shih Hebrenjve 12:22-24], dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. . . . Ata këndojnë një si këngë të re. . . . Askush nuk ishte në gjendje ta mësonte atë këngë, përveç njëqind e dyzet e katër mijëve, të cilët ishin blerë nga toka.»
A janë të 144.000 vetat vetëm judenj natyrorë?
Zbul. 7:4-8: «Dëgjova numrin e të vulosurve, dhe ishin njëqind e dyzet e katër mijë, nga çdo fis i bijve të Izraelit: . . . i Judës . . . i Rubenit . . . i Gadit . . . i Asherit . . . i Neftalit . . . i Manaseut . . . i Simeonit . . . i Levit . . . i Isakarit . . . i Zabulonit . . . i Jozefit . . . i Beniaminit.» (Këto nuk mund të jenë fiset e Izraelit natyror, sepse nuk ka pasur kurrë një fis të Jozefit, fiset e Efraimit dhe të Danit nuk janë përfshirë në këtë listë dhe levitët ishin vënë mënjanë për shërbimin në tempull, por nuk llogariteshin si një nga 12 fiset. Shih Numrat 1:4-16.)
Rom. 2:28, 29: «Nuk është jude kush është i tillë nga jashtë, e as është rrethprerje ajo që është nga jashtë, në mish. Por është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar.»
Gal. 3:26-29: «Të gjithë ju jeni, në të vërtetë, bij të Perëndisë nëpërmjet besimit tuaj te Krishti Jezu. . . . Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër, sepse ju jeni të gjithë një person në unitet me Krishtin Jezu. Prandaj, nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet fara e Abrahamit, trashëgimtarë sipas një premtimi.»
A është simbolik numri 144.000?
Përgjigjja tregohet nga fakti se, pasi përmend numrin e përcaktuar 144.000, Zbulesa 7:9 përmend «një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, . . . të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte». Në qoftë se numri 144.000 nuk do të ishte i mirëfilltë, ai nuk do të kishte kuptim i përmendur në kontrast me ‘shumicën e madhe’. Që numri duhet parë si i mirëfilltë përputhet me pohimin e Jezuit te Mateu 22:14 lidhur me Mbretërinë e qiejve: «Shumë janë të ftuar, por pak janë të zgjedhur.»
A shkojnë në qiell edhe ata të ‘shumicës së madhe’ që përmenden te Zbulesa 7:9, 10?
Zbulesa nuk thotë për ta, siç thotë për të 144.000, se janë «blerë nga toka» që të jenë me Krishtin në malin qiellor të Sionit.—Zbul. 14:1-3.
Fakti që ata përshkruhen ‘duke qëndruar para fronit dhe para Qengjit’, nuk tregon medoemos një vend, por një gjendje të miratuar. (Krahaso Zbulesën 6:17; Lukën 21:36.) Shprehja «para fronit» (në greqisht enópion tou thrónou; fjalë për fjalë «nën shikimin e fronit») nuk nënkupton që ata duhet të jenë në qiell. Pozicioni i tyre është thjesht «nën shikimin» e Perëndisë, i cili thotë se nga qielli sheh bijtë e njerëzve.—Psal. 11:4; krahaso Mateun 25:31-33; Lukën 1:74, 75; Veprat 10:33.
‘Shumica e madhe në qiell’ që përmend Zbulesa 19:1, 6 nuk është e njëjtë me ‘shumicën e madhe’ të Zbulesës 7:9. Për ata të shumicës së madhe në qiell nuk thuhet se janë «nga të gjitha kombet» ose që ia japin meritën e shpëtimit Qengjit; ata janë engjëj. Shprehja «shumicë e madhe» përdoret në kontekste të ndryshme në Bibël.—Mar. 5:24; 6:34; 12:37.
Çfarë do të bëjnë në qiell ata që do të shkojnë atje?
Zbul. 20:6: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.» (Shih edhe Danielin 7:27.)
1 Kor. 6:2: «Apo nuk e dini se të shenjtët do të gjykojnë botën?»
Zbul. 5:10: «I bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi [«mbi», Dio, Kris, ECM; «përmbi», DSF] tokën.» (E njëjta fjalë greke dhe strukturë gramatikore gjendet te Zbulesa 11:6. Aty përkthimet Dio dhe Kris e përkthejnë «mbi».)
Kush i zgjedh ata që do të shkojnë në qiell?
2 Sel. 2:13, 14: «Ne e kemi për detyrë të falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain, sepse Perëndia ju zgjodhi për shpëtim që nga fillimi, duke ju shenjtëruar me frymë dhe prej besimit tuaj në të vërtetën. Nëpërmjet lajmit të mirë që ne shpallim, ai ju thirri pikërisht për këtë qëllim: që të merrni lavdinë e Zotërisë tonë Jezu Krisht.»
Rom. 9:6, 16: «Jo të gjithë që vijnë nga Izraeli, janë vërtet ‘Izrael’. . . . Kjo nuk varet as nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia, i cili ka mëshirë.»