Të gëzojmë në shpresë
‘[Ne kemi] shpresën e jetës së përhershme, të cilën, Perëndia që nuk mund të gënjejë, e premtoi përpara kohëve shumë të hershme.’—TITIT 1:2.
PYETJE PËR RISHIKIM
Si e dimë se në qiell ka gëzim kur një nga të mirosurit ecën me integritet deri në fund të jetës?
Si lidhet plotësimi i shpresës së deleve të tjera me atë të të mirosurve?
Cilat «vepra të shenjta sjelljeje» dhe «veprime të përkushtimit hyjnor» duhet të bëjmë që të përmbushet shpresa jonë?
1. Si mund të na ndihmojë të qëndrojmë shpresa që na jep Jehovai?
JEHOVAI është «Perëndia që jep shpresë». Pasi tha këto fjalë, apostulli Pavël shtoi se Jehovai mund ‘të na mbushë plot me gëzim e paqe, nëpërmjet besimit tonë, që të kemi bollëk në shpresë me fuqinë e frymës së shenjtë’. (Rom. 15:13) Nëse kemi shpresë me bollëk, do të jemi në gjendje të qëndrojmë në çdo situatë që mund të lindë, me zemrën plot gëzim e paqe. Ashtu si për të krishterët e mirosur, kjo shpresë do të jetë edhe për të krishterët e tjerë ‘një spirancë për shpirtin, e sigurt dhe e patundur njëkohësisht’. (Hebr. 6:18, 19) Gjatë stuhive të jetës, mund të kapemi fort pas shpresës sonë, e kështu nuk do të na marrin me vete dyshimet dhe mungesa e besimit.—Lexo Hebrenjve 2:1; 6:11.
2. Cilat janë dy shpresat që kanë të krishterët sot, dhe pse ‘delet e tjera’ janë të interesuara për shpresën e të mirosurve?
2 Çdo i krishterë sot ka një shpresë. Pjesëtarët e mbetur të ‘kopesë së vogël’ me të krishterë të mirosur kanë shpresën e jetës së pavdekshme në qiell, si mbretër e priftërinj me Krishtin në Mbretërinë e tij. (Luka 12:32; Zbul. 5:9, 10) ‘Shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’, që është shumë më e madhe në numër, ka shpresën të jetojë përgjithmonë në tokën parajsore. Ata do të jenë nënshtetas të Mbretërisë mesianike. (Zbul. 7:9, 10; Gjoni 10:16) Delet e tjera nuk duhet të harrojnë kurrë se shpëtimi i tyre varet nga mbështetja me vepra e ‘vëllezërve’ të mirosur të Krishtit që janë ende në tokë. (Mat. 25:34-40) Të mirosurit do ta marrin shpërblimin e tyre, por po aq e sigurt është se do të bëhet realitet edhe shpresa e deleve të tjera. (Lexo Hebrenjve 11:39, 40.) Le të ndalemi në fillim te shpresa që kanë të mirosurit.
‘SHPRESA E GJALLË’ E TË KRISHTERËVE TË MIROSUR
3, 4. Si u jepet të krishterëve të mirosur ‘një lindje e re për një shpresë të gjallë’, dhe ç’është kjo shpresë?
3 Apostulli Pjetër u shkroi dy letra të krishterëve të mirosur, të cilët i quajti ‘të zgjedhurit’. (1 Pjet. 1:1) Ai dha hollësi për shpresën e mrekullueshme që shpaloset para kopesë së vogël. Në letrën e parë, Pjetri shkroi: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse në përputhje me mëshirën e tij të madhe, na dha një lindje të re për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit, për një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet. Ajo është rezervuar në qiej për ju, të cilët fuqia e Perëndisë po ju ruan nëpërmjet besimit, për një shpëtim që është gati për t’u zbuluar në periudhën e fundit të kohës. Për këtë po gëzoni shumë.»—1 Pjet. 1:3-6.
4 Numrit të kufizuar të të krishterëve që Jehovai i ka zgjedhur të sundojnë bashkë me Krishtin në Mbretërinë qiellore, i jepet ‘një lindje e re’ si bij të Perëndisë të lindur nga fryma. Ata mirosen me frymë të shenjtë që të bëhen mbretër dhe priftërinj me Krishtin. (Zbul. 20:6) Pjetri thotë se falë kësaj ‘lindjeje të re’ ata kanë «një shpresë të gjallë», të cilën e quan «një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet», të rezervuar për ta «në qiej». S’është çudi pra që të mirosurit ‘gëzojnë shumë’ për shpresën e tyre të gjallë. Megjithatë, plotësimi i kësaj shprese varet nga besnikëria e tyre.
5, 6. Pse të krishterët e mirosur duhet të bëjnë çmos që të sigurohen për thirrjen e tyre qiellore?
5 Në letrën e dytë, Pjetri i nxiti të krishterët e mirosur ‘të bënin çmos që të siguroheshin për thirrjen dhe zgjedhjen e tyre’. (2 Pjet. 1:10) Ata duhet të përpiqen të kultivojnë cilësi të krishtere, si besimi, përkushtimi hyjnor, përzemërsia vëllazërore dhe dashuria. Pjetri tha: «Po t’i keni këto gjëra, madje po të vërshojnë te ju, ato nuk do t’ju lënë të jeni joaktivë dhe të pafrytshëm.»—Lexo 2 Pjetrit 1:5-8.
6 Në shekullin e parë, Krishti i ringjallur u drejtoi këtë mesazh pleqve të lindur nga fryma të kongregacionit të Filadelfias në Azinë e Vogël: «Meqë e ruajte fjalën për qëndrueshmërinë time, edhe unë do të të ruaj në orën e sprovës që do të vijë mbi mbarë tokën e banuar, që të vërë në sprovë ata që banojnë në tokë. Po vij me të shpejtë. Vazhdo të mbash fort atë që ke, që askush të mos e marrë kurorën tënde.» (Zbul. 3:10, 11) Në rast se një i krishterë i mirosur s’qëndron besnik, nuk e merr «kurorën e lavdisë që nuk mund të vyshket», e cila iu premtua të zgjedhurve që mbeten besnikë deri në vdekje.—1 Pjet. 5:4; Zbul. 2:10.
NJË HYRJE NË MBRETËRI
7. Cilën shpresë të mrekullueshme përmendi Juda në letrën e tij?
7 Aty nga viti 65 i e.s., Juda, gjysmëvëllai i Jezuit, u shkroi një letër bashkëbesimtarëve të mirosur, ku i quajti ‘të thirrurit’. (Jud. 1; krahaso Hebrenjve 3:1.) Ai kishte pasur ndër mend ta përqendronte letrën te shpresa e lavdishme e shpëtimit, të cilën të krishterët e thirrur që të bëhen pjesëtarë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë ‘e kanë të përbashkët’. (Jud. 3) Edhe pse iu desh të trajtonte çështje të tjera urgjente, e mbylli letrën e tij të shkurtër duke përmendur shpresën e mrekullueshme që kanë të krishterët e mirosur. Ai shkroi: «Atij që është në gjendje t’ju ruajë të mos pengoheni dhe t’ju vendosë të patëmetë përpara lavdisë së tij me gëzim të madh, të vetmit Perëndi, Shpëtimtarit tonë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë, i qoftë lavdia, madhështia, fuqia dhe autoriteti në gjithë përjetësinë e kaluar, tani dhe për gjithë përjetësinë!»—Jud. 24, 25.
8. Në përputhje me Judën 24, si e dimë se në qiell ka gëzim kur një nga të mirosurit mban integritetin deri në fund?
8 Natyrisht, të krishterët e mirosur besnikë dëshirojnë që Perëndia t’i ruajë që të mos pengohen e të përfundojnë në shkatërrim. Shpresa e tyre e bazuar në Bibël është që Jezu Krishti t’i ringjallë, e kjo do t’u japë mundësinë të paraqiten si krijesa frymore të përsosura para Perëndisë me gëzim të madh. Kur një nga të mirosurit vdes besnik, ka shpresën e sigurt se ‘do të ngrihet si trup frymor’ dhe do të ringjallet «në paprishje . . , në lavdi». (1 Kor. 15:42-44) Nëse ‘në qiell ka shumë gëzim për një mëkatar që pendohet’, merreni me mend gëzimin që mbush oborret qiellore kur një nga vëllezërit e Krishtit të lindur nga fryma përfundon udhën e jetës me integritet. (Luka 15:7) Atëherë, Jehovai dhe krijesat besnike frymore gëzojnë me të mirosurin që merr shpërblimin «me gëzim të madh».—Lexo 1 Gjonit 3:2.
9. Në ç’kuptim hyrja në Mbretëri e të mirosurve besnikë është «e lavdishme», dhe si ndikon kjo shpresë te të mirosurit që janë ende në tokë?
9 Në mënyrë të ngjashme, Pjetri u shkroi të krishterëve të mirosur se po të sigurohen për thirrjen e tyre duke qëndruar besnikë, ‘do t’u sigurohet një hyrje e lavdishme në mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht’. (2 Pjet. 1:10, 11) Hyrja në Mbretërinë qiellore do të jetë «e lavdishme» në kuptimin që do të rrëzëllejnë cilësitë e tyre të krishtere. Fakti që u quajt «e lavdishme» mund të tregojë edhe bekimet e pasura që do të gëzojnë ata që janë përpjekur fuqimisht në garën e jetës. Kur të mendojnë për udhën besnike të jetës së tyre, do t’u gufojë zemra nga gëzimi e mirënjohja. S’ka dyshim se të krishterëve të mirosur që janë ende në tokë, kjo shpresë u jep fuqi ‘të mbledhin forcat mendore për aktivitet të pareshtur’.—1 Pjet. 1:13.
‘BAZA E SHPRESËS’ PËR DELET E TJERA
10, 11. (a) Çfarë shprese u është dhënë deleve të tjera? (b) Si lidhet plotësimi i shpresës tokësore me Krishtin dhe me «zbulimin e bijve të Perëndisë»?
10 Apostulli Pavël shkroi për shpresën e lavdishme të «bijve të Perëndisë» të lindur nga fryma që të bëhen «bashkëtrashëgimtarë» me Krishtin. Pastaj përmendi shpresën e mrekullueshme që i jep Jehovai numrit të pakufishëm të deleve të tjera: «Krijesa [njerëzore] po pret me një pritje të zjarrtë zbulimin e bijve të Perëndisë [të mirosurve]. Në të vërtetë, krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por nga ai që e nënshtroi, në bazë të shpresës se edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»—Rom. 8:14-21.
11 Jehovai i dha njerëzimit ‘bazën e shpresës’ kur premtoi se do t’i çlironte nga «gjarpri i hershëm», Satana Djalli, me anë të «farës» së premtuar. (Zbul. 12:9; Zan. 3:15) Pjesa kryesore e «farës» ishte Jezu Krishti. (Gal. 3:16) Me vdekjen dhe ringjalljen e tij, Jezui dha një bazë të fortë për shpresën e njerëzimit që të lirohet nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Përmbushja e kësaj shprese lidhet me «zbulimin e bijve të Perëndisë». Të mirosurit e ngritur në lavdi janë pjesa dytësore e «farës». Ata ‘do të zbulohen’ kur të shkatërrojnë bashkë me Krishtin sistemin e lig të Satanait. (Zbul. 2:26, 27) Kjo do t’u sjellë shpëtim atyre deleve të tjera që dalin nga shtrëngimi i madh.—Zbul. 7:9, 10, 14.
12. Çfarë bekimesh të mrekullueshme do t’i sjellë njerëzimit zbulimi i të mirosurve?
12 Ç’lehtësim do të provojë «krijesa» njerëzore gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit! Atëherë ‘bijtë e Perëndisë’ që do të kenë marrë lavdi, do të ‘zbulohen’ në një mënyrë tjetër: kur të shërbejnë si priftërinj bashkë me Krishtin, duke e ndihmuar njerëzimin të nxjerrë dobi nga flijimi shpërblyes i Jezuit. «Krijesa» njerëzore do të fillojë të çlirohet nga pasojat e mëkatit dhe të vdekjes. Si nënshtetas të Mbretërisë qiellore, njerëzit e bindur dalëngadalë ‘do të lirohen nga skllavëria e prishjes’. Nëse i qëndrojnë besnikë Jehovait gjatë gjithë Mijëvjeçarit dhe gjatë sprovës përfundimtare që do të vijë në fund të tij, emrat do t’u shkruhen në ‘rrotullën e jetës’ njëherë e përgjithmonë. Ata do të gëzojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Zbul. 20:7, 8, 11, 12) Vërtet një shpresë e mrekullueshme!
TA MBAJMË GJALLË SHPRESËN TONË
13. Ku bazohet shpresa jonë dhe kur do të zbulohet Krishti?
13 Dy letrat e frymëzuara të Pjetrit i ndihmojnë të mirosurit dhe delet e tjera të mbajnë gjallë shpresat që kanë. Ai theksoi se shpresa nuk bazohet te veprat e tyre, por te dashamirësia e pamerituar e Jehovait. Pjetri shkroi: «Ruani plotësisht gjykimin, vareni shpresën tuaj te dashamirësia e pamerituar që do t’ju jepet në zbulesën e Jezu Krishtit.» (1 Pjet. 1:13) Krishti do të zbulohet kur të vijë të shpërblejë dishepujt e tij besnikë dhe të ekzekutojë gjykimet e Jehovait mbi të paperëndishmit.—Lexo 2 Selanikasve 1:6-10.
14, 15. (a) Ku duhet ta përqendrojmë vëmendjen, që ta mbajmë gjallë shpresën tonë? (b) Çfarë këshille jep Pjetri?
14 Për ta mbajtur gjallë shpresën, duhet ta përqendrojmë vëmendjen dhe jetën tonë te «dita e Jehovait» që është në prag. Atëherë do të shkatërrohen «qiejt» e sotëm, ose sundimi njerëzor, dhe «toka», shoqëria e ligë njerëzore dhe «elementët» e saj. Pjetri shkruan: «Tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni . . . , duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait, nëpërmjet së cilës qiejt, duke qenë në flakë, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shkrihen!»—2 Pjet. 3:10-12.
15 «Qiejt» dhe «toka» e sotme do të zëvendësohen nga ‘qiej të rinj [Mbretëria e Krishtit] e një tokë e re [një shoqëri e re tokësore]’. (2 Pjet. 3:13) Pas kësaj, Pjetri jep një këshillë të qartë, të bazuar në faktin që po ‘presim’ ose po mbajmë gjallë shpresën për këtë botë të re të premtuar: «Prandaj, o të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që në fund, të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe.»—2 Pjet. 3:14.
TË ECIM NË HARMONI ME SHPRESËN TONË
16, 17. (a) Cilat «vepra të shenjta sjelljeje» dhe «veprime të përkushtimit hyjnor» duhet të bëjmë? (b) Si do të përmbushet shpresa jonë?
16 Jo vetëm duhet ta mbajmë gjallë shpresën, por edhe duhet të jetojmë në harmoni me këtë shpresë. Duhet të tregojmë kujdes se ç’lloj personi jemi nga ana frymore. ‘Veprat e shenjta të sjelljes’ përfshijnë ‘të mbajmë të shkëlqyer sjelljen tonë mes njerëzve nga bota’ duke bërë atë që është e drejtë sipas Perëndisë. (2 Pjet. 3:11; 1 Pjet. 2:12) Duhet të kemi «dashuri për njëri-tjetrin». Kjo nënkupton të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur unitetin e vëllazërisë mbarëbotërore edhe mes pjesëtarëve të kongregacionit tonë. (Gjoni 13:35) ‘Veprimet e përkushtimit hyjnor’ janë ato veprime që tregojnë sa e fortë është marrëdhënia jonë me Jehovain. Ndër to janë cilësia e lutjeve tona, leximi i përditshëm i Biblës, studimi i thellë personal, adhurimi familjar dhe pjesëmarrja e zellshme në predikimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’.—Mat. 24:14.
17 Secili nga ne dëshiron të jetë ai lloj personi që Jehovai e miraton dhe që do ta shpëtojë kur ‘të shpërbëhet’ sistemi i sotëm i lig. Kështu do të shohim si do të bëhet realitet shpresa jonë, ‘shpresa e jetës së përhershme, të cilën, Perëndia që nuk mund të gënjejë, e premtoi përpara kohëve shumë të hershme’.—Titit 1:2.
[Figura në faqen 22]
Të krishterëve të mirosur u jepet ‘një lindje e re për një shpresë të gjallë’
[Figura në faqen 24]
Mbajeni gjallë shpresën në familjen tuaj