«Ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë»
«Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 PJET. 1:21.
PIKA PËR MEDITIM
Në ç’mënyrë iu përcoll mesazhi i Perëndisë me anë të frymës së shenjtë shkrimtarëve të Biblës?
Cilat dëshmi provojnë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?
Ç’mund të bësh që të ruash çmueshmërinë për Fjalën e Perëndisë?
1. Pse kemi nevojë për Fjalën e frymëzuar të Perëndisë?
NGA vijmë? Pse ekzistojmë? Ç’e ardhme na pret? Pse është kështu bota? Çfarë ndodh kur njeriu vdes? Njerëz anembanë globit i bëjnë këto pyetje. Si do t’i dinim përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe të pyetjeve të tjera të rëndësishme, po të mos kishim Fjalën e frymëzuar të Perëndisë? Pa Shkrimet e Shenjta, do të mësonim kryesisht nga përvoja personale. Por duke mësuar vetëm nga përvoja personale, a do të kishim ndonjëherë të njëjtat ndjenja që kishte psalmisti për ‘ligjin e Jehovait’?—Lexo Psalmin 19:7.
2. Çfarë do të na ndihmojë të ruajmë çmueshmërinë për Biblën si një dhuratë e çmuar nga Perëndia?
2 Mjerisht disa kanë lejuar t’u ftohet dashuria që kishin në fillim për të vërtetën biblike. (Krahaso Zbulesën 2:4.) Ata nuk ecin më në udhën që i pëlqen Jehovait. (Isa. 30:21) Kjo nuk ka pse të na ndodhë neve. Ne mund dhe duhet të përpiqemi që ta ruajmë çmueshmërinë për Biblën dhe për mësimet e saj. Ajo është një dhuratë e rëndësishme nga Krijuesi ynë i dashur. (Jak. 1:17) Çfarë do të na ndihmojë të thellojmë çmueshmërinë për ‘fjalën e Perëndisë’? Kemi nevojë të meditojmë se si u drejtuan shkrimtarët e Biblës ta hidhnin me shkrim atë. Kjo përfshin të kujtojmë disa nga dëshmitë e bollshme të frymëzimit të saj. Duke bërë këtë, do të nxitemi ta lexojmë çdo ditë Fjalën e Perëndisë dhe të zbatojmë këshillat e saj.—Hebr. 4:12.
«TË SHTYRË NGA FRYMA E SHENJTË»—SI?
3. Në ç’kuptim ishin «të shtyrë nga fryma e shenjtë» profetët dhe shkrimtarët e Biblës?
3 Gjatë një periudhe prej 1.610 vjetësh, nga 1513 p.e.s. deri më 98 të e.s., rreth 40 burra shkruan Biblën. Disa ishin profetë «të shtyrë nga fryma e shenjtë». (Lexo 2 Pjetrit 1:20, 21.) Shprehja greke e përkthyer «të shtyrë» ka kuptimin «çoj ose mbart nga një vend në një tjetër» dhe «mund të përkthehet edhe: lëvizet, shtyhet, lejon të lëvizet».a Te Veprat 27:15 kjo fjalë përdoret për të përshkruar një anije që e rrëmben era dhe e lëviz ose e çon në njëfarë drejtimi. Profetët dhe shkrimtarët e Biblës ishin «të shtyrë nga fryma e shenjtë» në kuptimin që Perëndia komunikoi me ta, i motivoi dhe i drejtoi me anë të forcës së tij vepruese. Duke qenë kështu, ata nuk shkruan idetë e veta, por mendimet e Perëndisë. Ndonjëherë profetët dhe shkrimtarët e frymëzuar madje nuk e dinin kuptimin e asaj që parathanë ose që po shkruanin. (Dan. 12:8, 9) Po, «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia» dhe nuk përmban opinione njerëzore.—2 Tim. 3:16.
4-6. Në cilat mënyra ua përcolli Jehovai mesazhin e tij shkrimtarëve të Biblës? Ilustrojeni.
4 Por, në ç’mënyrë iu përcoll mesazhi i Perëndisë me anë të frymës së shenjtë shkrimtarëve të Biblës? A iu dhanë një më një fjalët apo thjesht idetë që t’i shprehnin me fjalët e tyre? Të mendojmë se si një biznesmen shkruan një letër. Kur saktësia e fjalëve është e rëndësishme, ai e shkruan vetë letrën ose ia dikton sekretares fjalë për fjalë. Sekretarja e shkruan dhe letra ka firmën e biznesmenit. Në raste të tjera, ai i jep vetëm idetë kryesore, kurse sekretarja e përgatit letrën sipas stilit dhe fjalorit të saj. Pastaj, biznesmeni mund ta redaktojë letrën dhe t’i thotë sekretares që të bëjë ndryshimet e nevojshme. Në fund, letra ka firmën e tij dhe konsiderohet se vjen nga ai.
5 Po kështu, disa pjesë të Biblës u shkruan «me gishtin e Perëndisë». (Dal. 31:18) Edhe Jehovai i diktoi fjalët kur ishte thelbësore saktësia e tyre. Për shembull, te Dalja 34:27 lexojmë: «Jehovai i tha përsëri Moisiut: ‘Shkruaji këto fjalë, sepse në përputhje me to, po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.’» Në mënyrë të ngjashme, Jehovai i tha profetit Jeremia: «Shkruaji në një libër gjithë fjalët që do të të them.»—Jer. 30:2.
6 Megjithatë, në shumicën e rasteve, në zemrën dhe në mendjen e shkrimtarëve biblikë u përcollën me anë të një mrekullie idetë e jo fjalët specifike. Kështu që ata patën mundësi të zgjidhnin fjalët e tyre për t’i shprehur mendimet. «[Ai që mbledh popullin] kërkoi të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës»,—thuhet tek Eklisiastiu 12:10. Luka, shkrimtari i Ungjillit, ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi, që t’i shkruante sipas një radhe logjike’. (Luka 1:3) Perëndia përdori frymën e tij të shenjtë për t’u siguruar që papërsosmëria njerëzore të mos e njolloste mesazhin e tij.
7. Pse ishte gjë e mençur që Perëndia përdori njerëz për të shkruar Biblën?
7 Ishte gjë shumë e mençur që Perëndia përdori njerëz për të shkruar Biblën. Fjalët nuk përcjellin vetëm informacione, por edhe emocione e ndjenja. Po sikur Jehovai të kishte përdorur engjëjt si shkrimtarë? A mund të kishin përcjellë ata me një nuancë njerëzore ndjenja të tilla, si frika, brenga dhe zhgënjimi, të cilat janë aq të zakonshme për njerëzimin? Duke lejuar njerëz të papërsosur që të zgjidhnin fjalët e duhura për të shprehur idetë që morën me anë të frymës së shenjtë, Perëndia e përcolli mesazhin e tij me ngrohtësinë, larminë dhe forcën tërheqëse të emocioneve e të ndjenjave njerëzore.
MBAJ PARASYSH DËSHMITË
8. Pse mund të thuhet se Bibla është ndryshe nga çdo libër tjetër fetar?
8 Ka dëshmi me bollëk se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Bibla na ndihmon ta njohim Perëndinë si asnjë libër tjetër fetar. Për shembull, në shkrimet e hinduizmit përfshihen librat e himneve vedike, që janë një përmbledhje e komentarëve ritualë për këto himne fetare, traktatet filozofike të quajtura Upanishadët dhe historitë epike të njohura si Ramajana dhe Mahabharata. Libri Bhagavad Gita, që përmban udhëzime morale, është pjesë e Mahabharatës. Nga Tipitaka (Tre përmbledhjet) e budizmit, një vëllim përmban kryesisht rregulla dhe rregullore për jetesën në komunitet të murgjve dhe të murgeshave. Vëllimi i dytë trajton kryesisht doktrinat budiste. Kurse vëllimi i tretë është një dokumentim i mësimeve gojore të Budës. Vetë Buda nuk pretendonte se ishte perëndi dhe ai foli fare pak për Perëndinë. Tekstet e konfucianizmit janë një përzierje dokumentimesh të ngjarjeve, rregullave morale, formulave magjike dhe këngëve. Është e vërtetë se libri i shenjtë i islamizmit mëson besimin te një Perëndi, të cilin e paraqet si të gjithëdijshëm e me aftësinë për t’i njohur gjërat që më përpara. Mirëpo, ai nuk zbulon as emrin e Perëndisë, Jehova, i cili shfaqet mijëra herë në Bibël.
9, 10. Çfarë mund të mësojmë për Perëndinë nga Bibla?
9 Ndërsa shumica e librave kryesorë fetarë flasin shumë pak, në mos fare, për Perëndinë, Bibla na ndihmon ta njohim Perëndinë Jehova dhe gjërat që bën ai. Ajo na ndihmon të kuptojmë aspektet e shumta të personalitetit të tij. E paraqet Perëndinë jo vetëm si të plotfuqishëm, të mençur e të drejtë, por edhe si një Perëndi që na do. (Lexo Gjonin 3:16; 1 Gjonit 4:19.) Për më tepër, Bibla thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Vep. 10:34, 35) Në njëfarë kuptimi, fakti që Bibla disponohet në shumë gjuhë, dëshmon për këtë të vërtetë. Gjuhëtarët thonë se nga rreth 6.700 gjuhët që fliten sot, gati 100 fliten nga 90 për qind e popullsisë së botës. Sidoqoftë, Bibla është përkthyer e tëra ose pjesërisht në më tepër se 2.400 gjuhë. Pothuajse çdo njeri në botë mund të lexojë të paktën disa pjesë të saj.
10 Jezui tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17) ‘Mot e jetë, Jehovai është Perëndi.’ Pra, mendo sa shumë gjëra ka bërë ai! (Psal. 90:2) Vetëm Bibla na ndihmon të dimë gjërat që ka bërë Perëndia në të kaluarën e që po bën tani, dhe na zbulon se ç’do të bëjë në të ardhmen. Gjithashtu, Shkrimet na mësojnë se çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen, dhe na tregojnë si t’i afrohemi atij. (Jak. 4:8) Të mos lejojmë që gjërat tona ose shqetësimet që kemi, të na largojnë nga ai.
11. Ç’mençuri e paanë dhe e besueshme gjendet në faqet e Biblës?
11 Edhe mençuria e paanë dhe e besueshme që gjendet në Bibël, tregon se ky libër vjen nga një Burim më i lartë se njeriu. Apostulli Pavël shkroi: «Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë atë?» (1 Kor. 2:16) Ky varg bazohet tek pyetja që u bëri profeti Isaia bashkëkohësve të tij: «Kush mund ta matë frymën e Jehovait dhe kush mund t’i tregojë ndonjë gjë si këshilltari i tij?» (Isa. 40:13) Natyrisht, përgjigjja është askush. S’është çudi që zbatimi i këshillave biblike për martesën, fëmijët, zbavitjen, shoqëritë, papërtueshmërinë, ndershmërinë dhe moralin, sjell rezultate shumë më të larta. Kurrë nuk marrim këshilla të këqija nga Bibla. Nga ana tjetër, njerëzit thjesht nuk janë aq të mençur sa të japin këshilla që kanë gjithnjë rezultat. (Jer. 10:23) Këshillat e tyre rishikohen dhe përditësohen vazhdimisht pasi e kuptojnë se këshillat e mëparshme ishin me të meta. Bibla thotë se ‘mendimet e njerëzve janë të kota’.—Psal. 94:11.
12. Nga cilat përpjekje që janë bërë gjatë shekujve ka mbijetuar Bibla?
12 Dëshmi të tjera se Perëndia i vërtetë është Autori i Biblës sigurohen nga historia, e cila zbulon përpjekjet që janë bërë për të shkatërruar mesazhin e saj. Në vitin 168 p.e.s., mbreti sirian Antioku IV u përpoq të gjente librat e frymëzuar të Ligjit që t’i digjte. Në vitin 303 të e.s., perandori romak Diokleciani nxori dekretin për të shembur vendet ku mbaheshin mbledhjet e krishtere dhe për të djegur Shkrimet e tyre. Ky shkatërrim vazhdoi një dekadë. Pas shekullit të 11-të, papët kanë qenë në krye të orvatjeve për të ndaluar përhapjen e njohurisë biblike, duke iu kundërvënë përkthimit të Shkrimeve në gjuhët e njerëzve të thjeshtë. Pavarësisht nga këto orvatje të Satanait dhe të përkrahësve të tij, Bibla ka mbijetuar deri në ditët tona. Jehovai nuk ka lejuar askënd të eliminojë dhuratën që i ka bërë njerëzimit.
DËSHMI QË KANË BINDUR SHUMË VETA
13. Ç’dëshmi mund të përmendim se Bibla është e frymëzuar?
13 Ka dëshmi të tjera se Bibla është e frymëzuar: harmonia e brendshme, saktësia shkencore, profecitë e përmbushura, sinqeriteti i pazakontë, fuqia për të ndryshuar jetën e njerëzve, saktësia historike dhe përgjigjet e kënaqshme për pyetjet e përmendura në paragrafin e parë. Të shqyrtojmë se çfarë i ndihmoi disa të kuptonin se Bibla vjen nga Perëndia.
14-16. (a) Çfarë e bindi një mysliman, një hinduiste dhe një agnosticiste se Bibla vjen nga Perëndia? (b) Cilat dëshmi të frymëzimit hyjnor të Biblës të pëlqen të përdorësh në shërbim?
14 Anuorib u rrit si mysliman në një vend të Lindjes së Mesme. Kur jetonte përkohësisht në Amerikën Veriore, në shtëpinë e tij erdhën Dëshmitarët e Jehovait. Anuori thotë: «Atëherë kisha një pikëpamje negative për fetë e krishtere, për shkak të kryqëzatave dhe të inkuizicionit. Por, ngaqë jam tip kureshtar, pranova një studim biblik.» S’kaloi shumë dhe Anuori u kthye në shtëpi e humbi lidhjet me Dëshmitarët. Vite më vonë, u transferua në Evropë ku rifilloi studimin biblik. Arriti në këtë përfundim: «Plotësimi i profecive biblike, harmonia e brendshme e Shkrimeve të Shenjta, mungesa e kontradiktave në Bibël dhe dashuria mes adhuruesve të Jehovait, më bindën se Bibla është Fjala e Perëndisë.» Anuori u pagëzua më 1998.
15 Asha, një 16-vjeçare, vjen nga një familje e devotshme hinduiste. Ajo thotë: «Lutesha vetëm kur shkoja në tempull ose kur i kisha punët pisk, por kurrë nuk mendoja për Perëndinë kur jeta më shkonte vaj.» Asha vazhdon: «Kur Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën time, jeta më ndryshoi 180 gradë.» Ajo studioi Biblën dhe arriti ta shihte Perëndinë si mikun e saj. Çfarë e bindi se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia? Ajo shpjegon: «Bibla i përgjigjej çdo pyetjeje që kisha. Më ndihmoi të kisha besim edhe pa e parë Perëndinë—domethënë, pa shkuar në një tempull që të përkulesha para një idhulli.»
16 Paula vinte nga një familje katolike, por kur u rrit e konsideronte veten agnosticiste. Megjithatë, ndodhi diçka. «Takova një mik që nuk e shihja prej muajsh,—tregon ajo.—Ishte koha e hipive. Kur pashë sa kishte ndryshuar, të rregullt dhe të lumtur, e pyeta: ‘Ç’të ka ndodhur? Ku ke qenë?’ Tha se kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe pastaj më dha dëshmi.» Kur pa se e vërteta biblike ushtron një forcë kaq të madhe, kjo ish-agnosticiste tregoi interes për mesazhin e Biblës dhe e pranoi si të frymëzuar nga Perëndia.
«FJALA JOTE ËSHTË NJË LLAMBË PËR KËMBËN TIME»
17. Ç’dobi mund të kesh duke lexuar çdo ditë Fjalën e Perëndisë dhe duke medituar për të?
17 Bibla është një dhuratë e mrekullueshme që Jehovai e ka siguruar me anë të frymës së tij të shenjtë. Gjej kënaqësi duke e lexuar çdo ditë dhe kështu dashuria jote për të e për Autorin e saj do të rritet. (Psal. 1:1, 2) Nise çdo herë studimin me një lutje, duke i kërkuar Perëndisë frymën e tij që të të drejtojë mendimet. (Luka 11:13) Bibla përmban mendimet e Perëndisë, prandaj, teksa mediton për atë që thotë, mund të mësosh të mendosh siç mendon ai.
18. Pse dëshiron që të vazhdosh të mësosh nga Bibla?
18 Ndërsa vazhdon të rritësh njohurinë e saktë për të vërtetën, jeto sipas asaj që mëson. (Lexo Psalmin 119:105.) Ndalu e shikoji Shkrimet, siç do të bëje para një pasqyre. Nëse kupton se duhet të bësh ndryshime, bëji. (Jak. 1:23-25) Përdore Fjalën e Perëndisë si një shpatë që të mbrosh bindjet e tua dhe të heqësh mësimet e rreme nga zemra e njerëzve të butë. (Efes. 6:17) Ndërsa bën këtë, ji mirënjohës që profetët dhe njerëzit që u përdorën për të shkruar mesazhin e Biblës, ishin vërtet «të shtyrë nga fryma e shenjtë».
[Shënimet]
a A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature.
b Disa emra janë ndryshuar.
[Diçitura në faqen 29]
Nëse e lexon Biblën çdo ditë, dashuria jote për Autorin e saj do të rritet
[Figura në faqen 26]
Një letër konsiderohet se vjen nga personi që e ka firmosur