«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
1. Si e identifikon Bibla Autorin e saj, dhe ç’lloj njohurie buron nga Shkrimet?
«I GJITHË Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» Këto fjalë të marra nga 2 Timoteut 3:16, e identifikojnë Perëndinë, emri i të cilit është Jehova, si Autorin dhe Frymëzuesin e Shkrimeve të Shenjta. Sa kënaqësi e ëndje të japin Shkrimet e frymëzuara! Ç’gurrë mahnitëse e njohurisë së vërtetë! Ato janë mirëfilli ‘njohuria e Perëndisë’, pas së cilës kanë rendur dhe e kanë mbledhur si një visar ata që e kanë dashur drejtësinë gjatë gjithë kohërave.—Prov. 2:5.
2. Ç’vlerë kishte mençuria hyjnore për Moisiun, Davidin dhe Solomonin?
2 Një nga këta qëmtues ishte Moisiu, kreu dhe organizuesi i dukshëm i kombit të Perëndisë, Izraelit. Ai tha për mësimin hyjnor se ishte freskues «si vesa, si shirat e buta përmbi bar, si shirat e bollshme mbi bimësinë». Edhe Davidi, një luftëtar trim e përkrahës i emrit të Jehovait, u lut: «Mësomë, o Jehova, udhën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde.» Radhës së tyre u shtohet edhe Solomoni paqësor, që ndërtoi një nga strukturat më të lavdishme mbi dhé, shtëpinë e Jehovait në Jerusalem. Ai e vlerësoi mençurinë hyjnore me fjalët: «Të fitosh mençuri është më mirë se të fitosh argjend dhe fryti i saj është më i mirë se ari. Ajo është më e çmuar se koralet, dhe gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të.»—Ligj. 32:2; Psal. 86:11; Prov. 3:14, 15.
3. Ç’vlerë i dha Jezui dhe vetë Perëndia fjalës hyjnore?
3 Jezui, Biri i Perëndisë, i dha vlerën më të madhe fjalës së Perëndisë kur deklaroi: «Fjala jote është e vërteta.» Ai u tha ithtarëve të tij: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 17:17; 8:31, 32) Është vërtet e fuqishme fjala që mori Jezui nga Ati i tij. Është fjala e Perëndisë! Pas vdekjes dhe ringjalljes, kur u ngjit në qiej në të djathtë të Jehovait, Jezui na e zbuloi edhe më tej fjalën e Atit të tij, përfshirë edhe një përshkrim të këndshëm të bekimeve të Perëndisë për njerëzimin në tokën parajsore. Fill pas kësaj, Perëndia e udhëzoi apostullin Gjon: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Gjithë fjalët e Shkrimeve të frymëzuara janë «të besueshme dhe të vërteta», dhe u sjellin dobi të pafund atyre që ua vënë veshin.—Zbul. 21:5.
4. Për çfarë janë të dobishme Shkrimet e frymëzuara?
4 Si vijnë këto dobi? Përgjigjen na e jep citimi i plotë i fjalëve të apostullit Pavël te 2 Timoteut 3:16, 17: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» Pra, Shkrimet e frymëzuara janë të dobishme për të na mësuar doktrinën dhe sjelljen e drejtë, për të na ndrequr mendjen e jetën tonë, dhe për të na qortuar e disiplinuar që të ecim përulësisht në udhën e së vërtetës e të drejtësisë. Po t’i nënshtrohemi mësimit të Fjalës së Perëndisë, mund të bëhemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9) Sot, s’ka privilegj më të madh në botë se të jesh i zënë me veprën e Perëndisë, si një ‘njeri i Perëndisë, krejtësisht i zoti dhe plotësisht i pajisur’.
THEMEL I PATUNDUR PËR BESIMIN
5. Çfarë është besimi, dhe cila është mënyra e vetme për ta fituar atë?
5 Një njeri ka nevojë për besim që të jetë bashkëpunëtor me Perëndinë. Besimi nuk duhet ngatërruar me prirjen që mbizotëron sot për t’i parë gjërat përciptazi dhe me naivitet. Shumë njerëz mendojnë se çdo lloj bindjeje është e mjaftueshme, sido që të jetë: sektare, evolucioniste apo filozofike. Gjithsesi, njeriu i Perëndisë duhet të ‘vazhdojë t’i përmbahet modelit të fjalëve të shëndosha . . . me besim dhe dashuri, në lidhje me Krishtin Jezu’. (2 Tim. 1:13) Besimi i tij duhet të jetë real dhe i gjallë, sepse «besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». Ai duhet të ketë si themel bindjen e patundur te Perëndia dhe te shpërblimet që do t’u japë ai atyre që pëlqen. (Hebr. 11:1, 6) Ky lloj besimi fitohet vetëm përmes studimit të zellshëm të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Themeli i këtij besimi mbështetet te dashuria e thellë për Biblën, për Perëndinë e Biblës, Jehovain, dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Ka vetëm një besim të tillë të gjallë, sikundër ka vetëm një Zotëri, Jezu Krishti, dhe vetëm një Perëndi e Atë për të gjithë, Jehovai.—Efes. 4:5, 6.
6. Çfarë cilësie ka besimi i vërtetë?
6 Duhet të dimë ç’është Fjala e Perëndisë, nga erdhi, sa autoritet ushtron, qëllimin e saj dhe forcën që ka ajo për të vënë drejtësinë. Kuptueshmëria për mesazhin e saj të lavdishëm do të na japë besim. Për më tepër, do të arrijmë të kemi një dashuri kaq të zjarrtë për Biblën dhe Autorin e saj, saqë asgjë s’do të mund të na e mbytë kurrë këtë besim dhe dashuri. Kështu, Shkrimet, që përfshijnë edhe thëniet e Jezu Krishtit, ndërtojnë një themel të patundur për besimin. Do të kemi atë lloj besimi të vërtetë, që do t’u bëjë ballë sprovave të ashpra, përndjekjeve, tundimit ndaj arritjeve materialiste dhe filozofive të shoqërisë së paperëndishme. Ai do të ngadhënjejë lavdishëm, duke na çuar drejt e në botën e re e të drejtë të Perëndisë. «Kjo është fitorja që e mundi botën, besimi ynë.»—1 Gjonit 5:4.
7. Cilat shpërblime sjell gjetja e mençurisë së Biblës?
7 Që të fitojmë besim e ta ruajmë atë, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat të zhvillojmë dashuri dhe çmueshmëri për Fjalën e Perëndisë, Shkrimet e frymëzuara. Shkrimet janë një dhuratë e pakrahasueshme e Perëndisë për njerëzimin, një minierë me thesare frymore. Thellësia e mençurisë së tyre është e papërshkrueshme dhe fuqia që ushtrojnë për të ndriçuar e për të nxitur drejt drejtësisë ua tejkalon gjithë librave të tjerë që janë shkruar ndonjëherë. Teksa gërmojmë thellë për të gjetur njohurinë e Fjalës së Perëndisë, do të nxitemi të themi me zë të lartë si apostulli Pavël: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!» Të njohësh Shkrimet e frymëzuara dhe Autorin e tyre, do të thotë të futesh në shtegun e gëzimit e të kënaqësisë së përjetshme.—Rom. 11:33; Psal. 16:11.
JEHOVAI: NJË PERËNDI QË KOMUNIKON
8. (a) Përse duhet të jemi mirënjohës që Jehovai është një Perëndi që komunikon? (b) Si ndryshon ai nga perënditë-demonë?
8 Davidi tha për lavdinë e emrit të Jehovait: «Ti je i madh e bën gjëra të mahnitshme; ti, vetëm ti, je Perëndi.» (Psal. 86:10) Jehovai ka bërë shumë «gjëra të mahnitshme» për njerëzimin. Ndër to është Fjala e tij që ai u ka transmetuar njerëzve. Po, Jehovai është një Perëndi që komunikon e që shprehet me dashuri për të mirën e krijesave të veta. Sa mirënjohës duhet të jemi që Krijuesi ynë nuk është një pushtetar që rri larg, i mbështjellë në mister dhe i pandjeshëm ndaj nevojave të njerëzve që e duan drejtësinë! Sikurse do të bëjë edhe në botën e re në të ardhmen, Jehovai që tani, si të thuash, banon me ata që kanë besim tek ai dhe e duan, si një Atë i dashur që u transmeton gjëra të mira fëmijëve të tij të etur për njohuri. (Zbul. 21:3) Ati ynë qiellor nuk ngjason me perënditë-demonë, që përfaqësohen nga idhuj të shpifur e të pagojë. Perënditë prej metali e guri s’kanë asnjë lloj marrëdhënieje atërore me adhuruesit e tyre të kredhur në errësirë. S’mund t’u komunikojnë atyre asgjë me vlerë. Vërtet, «kush i bën, do të katandiset njësoj si ata».—Psal. 135:15-19; 1 Kor. 8:4-6.
9. Ç’lloj komunikimi ka ardhur nga Perëndia atje lart në qiell?
9 Jehovai është «Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë». (Dal. 34:6) Nga bollëku i dashamirësisë së tij, i ka komunikuar njerëzimit një bollëk të së vërtetës. Çdo gjë që përfshin ajo, është si një këshillë e shëndetshme për të drejtuar njerëzimin, dhe përmban profeci që na ndriçojnë shtegun drejt bekimeve të ardhshme. «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Rom. 15:4) Që nga lart, nga vetë qielli, ka ardhur ky komunikim i besueshëm për të mësuar njerëzit këtu poshtë në tokë.—Gjoni 8:23.
10. Në cilat gjuhë ka komunikuar Jehovai, dhe përse?
10 Jehovai s’ka komunikuar kurrë në ndonjë gjuhë të panjohur, por gjithnjë në gjuhën e njerëzve, në gjuhën e folur të dëshmitarëve të tij besnikë. (Vep. 2:5-11) Jehovai i foli Adamit, Noesë, Abrahamit, Moisiut dhe profetëve hebrenj, në gjuhën e parë të njerëzimit, që tani njihet si gjuha hebraike. Hebraishtja u përdor për aq kohë sa kuptohej, madje deri në ditët e Saulit nga Tarsi, të cilit Jezui i ringjallur i foli pikërisht në këtë gjuhë. (Vep. 26:14) Kur gjuha aramaike e kaldeasve nisi të përdorej nga izraelitët në mërgim, Perëndia u komunikoi disa gjëra në aramaisht, sepse ata e kuptonin atë gjuhë. (Ezd. 4:8–6:18; 7:12-26; Dan. 2:4b–7:28) Më vonë, kur greqishtja u bë gjuhë ndërkombëtare dhe gjuha kryesore e dëshmitarëve të tij, fjalët e Jehovait u përcollën e u ruajtën në atë gjuhë. Thëniet e ruajtura në Bibël i ka komunikuar Jehovai, e janë përcjellë gjithnjë në gjuhën e folur për dobinë e njerëzve të përulur, që e donin të vërtetën.
11. Përse mund të themi se Jehovai është Formuesi i të gjitha gjuhëve?
11 Jehovai është Krijuesi i mendjes dhe i organeve të të folurit, përfshirë gjuhën, gojën dhe grykën, që formojnë gjithë lakadredhat e tingujve të të folurit, në secilin nga sistemet e shumta të gjuhëve. Kështu pra, mund të themi që Jehovai është Formuesi i të gjitha gjuhëve. Ai e shfaqi autoritetin që ka mbi gjuhët e njerëzve përmes mrekullisë që kreu kur po ndërtohej Kulla e Babelit. (Dal. 4:11; Zan. 11:6-9; 10:5; 1 Kor. 13:1) S’ka gjuhë që të jetë e huaj për Jehovain. Ai jo vetëm i dha njeriut gjuhën origjinale hebraike, por me krijimin e mendjes e të organeve të të folurit, siguroi edhe bazën për gjuhët aramaike dhe greke, si dhe për rreth 3.000 gjuhët që flasin sot njerëzit.
GJUHA E SË VËRTETËS
12, 13. (a) Si e ka bërë Jehovai komunikimin të lehtë për t’u kuptuar? (b) Jep shembuj.
12 Pavarësisht se cilën gjuhë të njerëzve ka përdorur, në të gjitha rastet Jehovai ka komunikuar në gjuhën e së vërtetës, dhe jo në atë të misticizmit fetar. Ajo është një gjuhë e thjeshtë dhe e lehtë për t’u kuptuar. (Sof. 3:9) Njeriu nuk e ka të vështirë t’i kuptojë gjërat tridimensionale, domethënë objektet që kanë lartësi, gjerësi dhe gjatësi, e që janë të vendosura në rrjedhën e kohës. Ja përse Jehovai i ka paraqitur gjërat e padukshme me pasqyrime simbolike, që mendja jonë të mund t’i kapë. Të marrim për shembull tabernakullin që u projektua nga Perëndia dhe u ndërtua nga Moisiu në shkretëtirë. Nën frymëzim, Pavli përdori simbole tridimensionale për të shpjeguar realitete të lavdishme që i përkasin qiellit.—Hebr. 8:5; 9:9.
13 Ja dhe një shembull tjetër: Jehovai, që është frymë, nuk ulet në kuptimin e mirëfilltë në një karrocë qiellore që ngjan me një fron. Megjithatë, meqë ne njerëzit e thjeshtë mund të kuptojmë vetëm realitetet e dukshme, Perëndia ka përdorur këtë simbol të dukshëm për të na dhënë kuptueshmëri. Kur ai nis shqyrtimin e një çështjeje në gjykatën qiellore, është njësoj si një mbret në tokë që zë vend në fronin e tij për të gjykuar.—Dan. 7:9-14.
E LEHTË PËR T’U PËRKTHYER
14, 15. Ndryshe nga shkrimet filozofike njerëzore, përse Bibla mund të përkthehet lehtësisht në gjuhë të ndryshme? Ilustroje.
14 Përderisa Bibla është shkruar me terma të tillë praktikë dhe të lehtë për t’u kuptuar, edhe simbolet e veprimet e përshkruara në të mund të përkthehen qartësisht dhe saktësisht në pjesën më të madhe të gjuhëve të sotme. Fuqia dhe forca origjinale e së vërtetës është ruajtur në të gjitha përkthimet. Fjalë të thjeshta të përdorimit të përditshëm si «kalë», «luftë», «kurorë», «fron», «burrë», «grua» dhe «fëmijë» përcjellin me saktësi mendime të qarta në çdo gjuhë. Kjo është krejt ndryshe nga shkrimet filozofike njerëzore, të cilat shpesh nuk janë të lehta për t’u përkthyer saktësisht. Frazat e koklavitura dhe stili i tyre i fryrë, nuk janë gjithnjë të thjeshta të përçohen me saktësi në një gjuhë tjetër.
15 Forca shprehëse e Biblës është ku e ku më e lartë. Edhe kur u ka transmetuar jobesimtarëve mesazhe gjykimi, Perëndia nuk ka përdorur një gjuhë filozofike, por simbole nga jeta e përditshme. Ja një shembull nga Danieli 4:10-12. Mbretëria e mbretit mburravec pagan është përshkruar hollësisht në mënyrë simbolike me anë të një peme, dhe më pas, përmes disa veprimeve që kanë të bëjnë me këtë pemë, u parathanë me saktësi disa ngjarje të ardhshme. Të gjitha këto janë përcjellë qartësisht në përkthimet në gjuhë të ndryshme. Jehovai ka komunikuar në këtë mënyrë të dashur, me qëllim që ‘njohuria e vërtetë të jetë e bollshme’. Kjo ka ndihmuar në mënyrë të mrekullueshme për të kuptuar profecitë në këto ‘kohë të fundit’.—Dan. 12:4.
LINJA E KOMUNIKIMIT
16. Si mund ta skicojmë kanalin e komunikimit të Jehovait?
16 Por ç’mjete janë përdorur për të komunikuar, mund të pyesë dikush. Mund ta ilustrojmë këtë me një shembull nga jeta përditshme. Në linjat e komunikimit kemi (1) atë që flet, apo nismëtarin e mesazhit; (2) përçuesin; (3) mjetin përmes të cilit përçohet mesazhi; (4) marrësin dhe (5) dëgjuesin. Në komunikimin me telefon kemi (1) atë që flet në telefon, pra atë që nis komunikimin; (2) përçuesin telefonik, që e shndërron mesazhin në impulse elektrike; (3) linjat telefonike, që i çojnë impulset elektrike deri në vendmbërritje; (4) marrësin, që e shndërron sërish mesazhin nga impulse në zë; dhe (5) dëgjuesin. Në mënyrë të ngjashme në qiell (1) Perëndia Jehova është nismëtari i mesazheve të tij; (2) më pas Fjala, ose Zëdhënësi i tij zyrtar, i njohur tanimë si Jezu Krishti, shpesh është përçuesi i mesazhit; (3) fryma e shenjtë e Perëndisë, forca vepruese që është përdorur si mjeti i komunikimit, e përçon atë në tokë; (4) profeti i Perëndisë këtu në tokë e merr mesazhin; dhe (5) pastaj ai e shpall në dobi të popullit të Perëndisë. Ashtu sikurse ndodh sot, që korrierët dërgohen për të përcjellë mesazhe të rëndësishme, hera-herës edhe Jehovai zgjedh të përdorë lajmëtarë me trupa frymorë, ose engjëj, që t’u komunikojnë nga qiejt shërbëtorëve të tij në tokë.—Gal. 3:19; Hebr. 2:2.
PROCESI I FRYMËZIMIT
17. Cila fjalë greke është përkthyer «i frymëzuar nga Perëndia», dhe si na ndihmon domethënia e saj të kuptojmë procesin e frymëzimit?
17 Shprehja «i frymëzuar nga Perëndia» është përkthyer nga fjala greke theópneustos, që do të thotë «që i ka fryrë Perëndia». (Shih 2 Timoteut 3:16, shënimi i parë te Bibla me referime, anglisht.) Perëndia u ka ‘fryrë’ njerëzve besnikë frymën e tij, forcën vepruese, duke i nxitur të përpilojnë e të shkruajnë Shkrimet e Shenjta. Ky proces njihet si frymëzimi. Mendjet e profetëve dhe të shërbëtorëve të tjerë besnikë të Jehovait, që ishin të frymëzuar, u nxitën nga kjo forcë vepruese. Kjo do të thotë se ata morën nga Perëndia mesazhe, përfshirë edhe imazhe të gjalla, që u ngulitën fort në mendjet e tyre. «Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 Pjet. 1:21; Gjoni 20:21, 22.
18. Sa thellë ishin ngulitur mesazhet e frymëzuara te njerëzit që i morën ato?
18 Pavarësisht nga gjendja e këtyre njerëzve të Perëndisë, zgjuar e tërësisht të vetëdijshëm, ose në gjumë duke parë një ëndërr, fryma e tij ua rrënjosi fortësisht mesazhin që vinte nga linja e komunikimit me origjinë hyjnore. Pasi merrte mesazhin, profeti kishte përgjegjësinë t’ua përcillte me fjalë të tjerëve. Kur të ringjallen, Moisiu dhe profetë të tjerë besnikë, pa dyshim do të vërtetojnë se shkrimet e tyre janë ruajtur saktësisht, sepse ka shumë të ngjarë që mendjet e tyre të mprehta e të rikrijuara të ruajnë ende të qarta në kujtesë fjalët origjinale që iu transmetuan në fillim. Në mënyrë të ngjashme, apostullit Pjetër i bëri kaq shumë përshtypje vegimi i shpërfytyrimit, saqë mbi 30 vjet më vonë shkroi plot entuziazëm për madhështinë e asaj ngjarjeje.—Mat. 17:1-9; 2 Pjet. 1:16-21.
AUTORI DHE GISHTI I TIJ
19. Çfarë është «gishti» i Perëndisë, dhe cilat shkrime e provojnë këtë?
19 Autorët njerëzorë kanë përdorur gishtat e duarve për të shkruar, në kohët e lashta me ndihmën e një pene a kunji, kurse në kohët e sotme me ndihmën e një stilolapsi, makine shkrimi a kompjuteri. Për atë çka është bërë me gishta, thuhet se ka si autor mendjen e njeriut që e bëri. A e dije që edhe Perëndia ka një gisht? Po, sepse Jezui foli për frymën e Perëndisë si për ‘gishtin’ e Tij. Kur Jezui shëroi një njeri të pushtuar nga demonët, i cili rifitoi aftësinë për të folur e për të parë, armiqtë fetarë blasfemuan kundër mjetit që përdori Jezui për ta shëruar. Sipas Mateut, Jezui u tha: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të frymës së Perëndisë, mbretëria e Perëndisë ju ka zënë në befasi!» (Mat. 12:22, 28) Luka na sqaron edhe më shumë, kur citon fjalët e Jezuit në një rast të ngjashëm: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të gishtit të Perëndisë, mbretëria e Perëndisë ju ka zënë në befasi.» (Luka 11:20) Në një rast më të hershëm, priftërinjtë egjiptianë që merreshin me magji, u detyruan të pranonin se plagët që ranë mbi Egjiptin, ishin një shfaqje e fuqisë më të madhe të Jehovait, prandaj thanë: «Ky është gishti i Perëndisë!»—Dal. 8:18, 19.
20. Si ka vepruar «gishti» i Perëndisë, dhe me ç’rezultat?
20 Në përputhje me këto përdorime të fjalës «gisht», mund të kuptojmë që «gishti i Perëndisë» ka fuqi të madhe dhe se përdorimi i këtij termi i referohet më së miri frymës së Perëndisë, të cilën ai e përdori për të shkruar Biblën. Shkrimet na tregojnë se me anë të «gishtit të Perëndisë» u shkruan Dhjetë Urdhërimet në dy pllaka guri. (Dal. 31:18; Ligj. 9:10) Kur Perëndia përdori njerëzit për të shkruar librat e ndryshëm të Biblës së Shenjtë, gishti simbolik, ose fryma e tij, ishte në mënyrë të ngjashme forca që drejtonte penën e këtyre shkrimtarëve. Fryma e shenjtë e Perëndisë, edhe pse e padukshme, ka vepruar në një mënyrë të mrekullueshme. Rezultati i dukshëm dhe i prekshëm është që njerëzimi ka marrë dhuratën e çmuar të Fjalës së të vërtetës së Perëndisë, Biblën e Tij. S’ka asnjë mëdyshje se Autori i Biblës është Perëndia Jehova, Komunikuesi qiellor.
PËRMBLEDHJA E FRYMËZUAR ZË FILL
21. (a) Si zunë fill Shkrimet? (b) Ç’masa mori Jehovai që të ruheshin?
21 Sikurse pamë, Jehovai «i dha Moisiut dy pllakat e Dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë». (Dal. 31:18) Këtu u përfshinë Dhjetë Urdhërimet, dhe është interesante që në këto dokumente, emri hyjnor, Jehova, paraqitet zyrtarisht tetë herë. Po atë vit, më 1513 p.e.s., Jehovai e urdhëroi Moisiun të fillonte të mbante një regjistrim të përhershëm. Kështu, zunë fill Shkrimet e Shenjta. (Dal. 17:14; 34:27) Perëndia e urdhëroi Moisiun të bënte edhe «arkën e besëlidhjes», një tip sënduku i punuar bukur dhe me art, ku izraelitët duhej të ruanin këtë komunikim tepër të çmuar. (Dal. 25:10-22; 1 Mbret. 8:6, 9) Skicat e Arkës dhe të tabernakullit ku u vendos ajo, u dhanë nga Jehovai; dhe kryeartizani e ndërtuesi, Bezaleli, u mbush ‘me frymën e Perëndisë, me mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të ishte i aftë në çdo lloj zanati’ për ta përfunduar punën sipas modelit hyjnor.—Dal. 35:30-35.
22. (a) Kush është Autori i Shkrimeve të frymëzuara, dhe për sa kohë u shkruan ato? (b) Cilët ishin shkruesit e Biblës, dhe ç’dimë për ta?
22 Që t’i bënte të njohura qëllimet e veta, Perëndia «foli në shumë raste dhe në shumë mënyra» për një periudhë të gjatë kohe. (Hebr. 1:1) Ata që hodhën me shkrim Fjalën e tij, filluan që nga viti 1513 p.e.s., dhe përfunduan rreth vitit 98 të e.s., ose për një periudhë kohore prej pothuajse 1.610 vjetësh. Autori i saj i vetëm, Perëndia Jehova, përdori rreth 40 shkrues ose sekretarë njerëzorë. Të gjithë këta shkrues ishin hebrenj dhe, si të tillë, pjesëtarë të kombit të cilit «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë». (Rom. 3:2) Tetë prej tyre ishin të krishterë judenj që e kishin njohur Jezuin personalisht ose nëpërmjet apostujve të tij. Shkrimet e frymëzuara të shkruara para kohës së tyre, kishin dhënë dëshmi për ardhjen e Mesisë ose Krishtit. (1 Pjet. 1:10, 11) Edhe pse vinin nga fusha të ndryshme të jetës, shkrimtarët njerëzorë të Biblës, që nga Moisiu e deri tek apostulli Gjon, të gjithë morën pjesë në përkrahjen e sovranitetit të Perëndisë Jehova dhe në shpalljen e qëllimeve të tij në tokë. Ata shkruan në emër të Jehovait dhe me fuqinë e frymës së tij.—Jer. 2:2, 4; Ezek. 6:3; 2 Sam. 23:2; Vep. 1:16; Zbul. 1:10.
23. Cilat regjistrime më të hershme përdorën disa shkrimtarë të Biblës, dhe si u bënë ato pjesë e Shkrimeve të frymëzuara?
23 Disa nga këta shkrimtarë përfshinë në shkrimet e tyre përmbledhje të dokumenteve të shkrimtarëve më të hershëm që ishin dëshmitarë okularë të atyre ngjarjeve, por që nuk ishin të gjithë të frymëzuar. Për shembull, Moisiu mund të ketë hartuar pjesë të Zanafillës duke u bazuar në tregimet e dëshmitarëve okularë, sikurse mund të ketë bërë edhe Samueli për librin e Gjykatësve. Kryesisht kështu veproi Jeremia kur hartoi librin e parë e të dytë të Mbretërve, dhe Ezdra që shkroi librin e parë e të dytë të Kronikave. Fryma e shenjtë e Perëndisë i drejtoi këta hartues të përcaktonin cilat pjesë të dokumenteve më të vjetra njerëzore duheshin përfshirë, duke garantuar kësisoj besueshmërinë e përmbledhjeve. Që nga ai çast, këto pjesë të marra nga dokumente më të hershme, u bënë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara.—Zan. 2:4; 5:1; 2 Mbret. 1:18; 2 Kron. 16:11.
24, 25. (a) Cilës periudhë të historisë i përket Bibla? (b) Trego disa fakte interesante nga tabela në faqen 12.
24 Sipas cilës radhë mbërritën deri te ne 66 librat e Biblës? Cilës periudhë i përkasin në rrjedhën e pafundme të kohës? Pasi përshkruan krijimin e qiejve e të tokës, dhe përgatitjen e tokës si shtëpi për njeriun, tregimi i Zanafillës flet për fillesat e historisë njerëzore që kur u krijua njeriu i parë në vitin 4026 p.e.s. Më tej, Shkrimet e Shenjta flasin për ngjarje të rëndësishme deri pak pas vitit 443 p.e.s. Pas një hendeku më shumë se 400-vjeçar, tregimi rinis në vitin 3 p.e.s. e vazhdon deri rreth vitit 98 të e.s. Nga pikëpamja historike, Shkrimet shtrihen përgjatë një periudhe 4.123-vjeçare.
25 Tabela në faqen 12 do të na ndihmojë të kuptojmë ca informacione për shkrimtarët e Biblës, dhe radhën në të cilën shkrimet e Biblës erdhën deri te ne.
LIBRI I PLOTË I SË VËRTETËS HYJNORE
26. Në ç’mënyrë Shkrimet formojnë një libër të vetëm e të plotë?
26 Shkrimet e Shenjta, si një përmbledhje nga Zanafilla te Zbulesa, formojnë një libër të plotë, një bibliotekë të plotë, e tëra e frymëzuar nga i vetmi Autor Suprem. Ato nuk duhen ndarë në dy pjesë, ku njëra të konsiderohet me më pak vlerë se tjetra. Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke janë të domosdoshme për njëra-tjetrën. Të fundit plotësojnë të parat, duke formuar një libër të vetëm e të plotë të së vërtetës hyjnore. Të gjithë së bashku, 66 librat e Biblës formojnë një bibliotekë të vetme të Shkrimeve të Shenjta.—Rom. 15:4.
27. Përse janë të gabuara shprehjet «Dhiatë e Vjetër» dhe «Dhiatë e Re»?
27 Është një gabim i trashëguar nga tradita ndarja e Fjalës së shkruar të Perëndisë në dy pjesë, duke e quajtur të parën, nga Zanafilla te Malakia, «Dhiata e Vjetër», dhe të dytën, nga Mateu te Zbulesa, «Dhiata e Re». Për shembull, te 2 Korintasve 3:14, versioni që njihet si Përkthimi i Kristoforidhit, flet për leximin e «dhiatës së vjetër», mirëpo këtu apostulli nuk po fliste për tërë Shkrimet e lashta Hebraike. Nga ana tjetër, ai nuk nënkupton që shkrimet e krishtere të frymëzuara përbëjnë një «dhiatë [besëlidhje] të re». Apostulli po flet për besëlidhjen e Ligjit, që u dokumentua nga Moisiu në Pentateuk (Pesëlibërsh) dhe përbën vetëm një pjesë të Shkrimeve para epokës së krishterë. Prandaj, në vargun vijues ai thotë «kur këndonetë [lexohet] Moisiu». Fjala greke që është përkthyer «dhiatë» te Kristoforidhi, është përkthyer në mënyrë të njëtrajtshme «besëlidhje» në shumë përkthime moderne.—Mat. 26:28; 2 Kor. 3:6, 14, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re; Diodati i Ri; Simon Filipaj.
28. Çfarë sigurie na është dhënë për profecitë e Biblës?
28 Çka është dokumentuar dhe ruajtur si pjesë e Shkrimeve të Shenjta, nuk duhet prekur. (Ligj. 4:1, 2; Zbul. 22:18, 19) Për këtë, apostulli Pavël shkroi: «Gjithsesi, edhe sikur ne ose ndonjë engjëll nga qielli t’ju shpallte si lajm të mirë diçka që shkon përtej asaj që ju kemi shpallur si lajm të mirë, qoftë i mallkuar!» (Gal. 1:8; shih edhe Gjonin 10:35.) E gjithë fjala profetike e Jehovait do të përmbushet në kohën e duhur. «Po ashtu edhe fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isa. 55:11.
TË SHQYRTOJMË SHKRIMET
29. Cili informacion do t’i paraprijë shqyrtimit të çdo libri biblik?
29 Në faqet në vazhdim shqyrtohen me radhë 66 librat e Shkrimeve të Shenjta. Përshkruhet konteksti i çdo libri, jepen të dhëna për shkrimtarin, kohën e shkrimit dhe, në disa raste, periudha përkatëse. Paraqiten prova për të treguar se libri është autentik dhe se është me të drejtë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara. Prova të tilla mund të gjenden në fjalët e Jezu Krishtit ose në shkrimet e frymëzuara të shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë. Shumë shpesh autenticiteti i librit tregohet nga përmbushja e pakundërshtueshme e profecive biblike ose nga dëshmi të brendshme të vetë librit, si harmonia, ndershmëria dhe çiltërsia e tij. Dëshmi të tjera mbështetëse mund të merren nga gjetjet arkeologjike ose nga historia e besueshme jobiblike.
30. Si paraqitet përmbajtja e çdo libri biblik?
30 Teksa përshkruhet përmbajtja e çdo libri, janë bërë përpjekje që mesazhi i fuqishëm i shkrimtarit biblik të dalë në pah në atë mënyrë që të rrënjosë në zemrën e lexuesit një dashuri të thellë për Shkrimet e frymëzuara dhe për Autorin e tyre, Perëndinë Jehova, e kësisoj të ngjallë çmueshmëri për mesazhin e gjallë të Fjalës së Perëndisë që është kaq praktik, i harmonishëm dhe i bukur. Përmbajtja e librit paraqitet me nëntituj. Kjo është bërë thjesht për të lehtësuar studimin, dhe nuk do të thotë se janë nënndarje subjektive për librat e Biblës. Çdo libër është një subjekt më vete dhe jep një ndihmesë të vyer që të kuptohen qëllimet hyjnore.
31. (a) Ç’informacion paraqitet për të treguar përse çdo libër është i dobishëm? (b) Në cilën temë të lavdishme përqendrohet diskutimi i librave të Biblës?
31 Në fund të çdo libri, theksohet përse kjo pjesë e Shkrimeve të frymëzuara është e dobishme «për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi». (2 Tim. 3:16) Shqyrtohet edhe përmbushja e profecive, në ato raste kur kjo është dokumentuar nga dëshmia e frymëzuar e shkrimtarëve të mëvonshëm të Biblës. Në secilin rast tregohet ndihmesa që jep çdo libër në zhvillimin e temës së përgjithshme të Biblës. Bibla nuk është një mit. Ajo përmban të vetmin mesazh të gjallë për njerëzimin. Që nga libri i parë, Zanafilla, deri tek i fundit, Zbulesa, Shkrimet e frymëzuara japin dëshmi të qëllimit të Krijuesit të universit, Perëndisë Jehova, për të shenjtëruar emrin e tij me anë të Mbretërisë së sunduar nga Fara e tij. Ato përmbajnë shpresën e lavdishme për të gjithë ata që e duan drejtësinë.—Mat. 12:18, 21.
32. Çfarë informacionesh jepen për të rritur vlerësimin për Biblën?
32 Pas shqyrtimit të 66 librave të Biblës, u kemi kushtuar ca hapësirë informacioneve që na krijojnë një sfond për Biblën. Këtu përfshihen studime mbi gjeografinë e Tokës së Premtuar, llogaritja e kohës për ngjarjet e përshkruara në Bibël, përkthime të Biblës, dëshmi arkeologjike dhe dëshmi të tjera që mbështetin autenticitetin e Biblës, si dhe prova për kanunin biblik. Në këtë pjesë ka dhe informacione të tjera me vlerë si edhe disa tabela. Të gjitha këto kanë për qëllim të rritin vlerësimin për Biblën, si libri më praktik dhe më i dobishëm sot në tokë.
33. Si mund ta përshkruajmë Biblën, dhe ç’dobi sjell studimi i saj?
33 Autori hyjnor i ka folur gjatë njerëzimit. Ai ka treguar se ka dashuri të thellë dhe interes atëror në gjithçka që ka bërë për bijtë e tij njerëzorë. Ç’përmbledhje të jashtëzakonshme të dokumenteve të frymëzuara na ka dhënë në Shkrimet e Shenjta! Vërtet, ato janë një thesar që s’ka të krahasuar, një bibliotekë e madhe me informacione ‘të cilave u ka fryrë Perëndia’, me një pasuri e gjerësi ku e ku më të madhe se shkrimet e njerëzve të thjeshtë. T’i përkushtohesh studimit të Fjalës së Perëndisë nuk «e lodh trupin», por përkundrazi, u sjell dobi të përjetshme atyre që e njohin ‘fjalën e Jehovait [e cila] qëndron përgjithmonë’.—Ekl. 12:12; 1 Pjet. 1:24, 25.
[Tabela në faqen 12]
SHKRIMTARËT E FRYMËZUAR TË BIBLËS DHE SHKRIMET E TYRE
(Sipas datave)
Radha Shkrimtarët Puna Shkrimet Shkrimet
përfunduan
1. Moisiu Dijetar, 1473 p.e.s. Zanafilla; Dalja;
bari, Levitiku; Jobi;
profet, Numrat; Ligji
udhëheqës i përtërirë;
(ndoshta
edhe 91)
2. Josiu Udhëheqës rr. 1450 p.e.s. Josiu
3. Samueli Levit, pr. Gjykatësit;
profet rr. 1080 p.e.s. Rutha; pjesë
nga Libri i
Parë i
Samuelit
4. Gadi Profet rr. 1040 p.e.s. Pjesë nga
Libri i Parë
i Samuelit;
Libri i Dytë i
Samuelit (të
dyja bashkë me
Natanin)
5. Natani Profet rr. 1040 p.e.s. Shih më lart
(me Gadin)
6. Davidi Mbret, 1037 p.e.s. Një pjesë të
bari, madhe të
muzikant Psalmeve
7. Bijtë e Disa nga
Korahut Psalmet
8. Asafi Këngëtar Disa nga
Psalmet
9. Hemani Njeri i mençur Psalmi 88
10. Etani Njeri i mençur Psalmi 89
11. Solomoni Mbret, rr. 1000 p.e.s. Pjesën më të
ndërtues, madhe të
njeri i mençur Proverbave;
Kënga e
Solomonit;
Eklisiastiu;
12. Aguri Proverbat, kapitulli 30
13. Lemueli Mbret Proverbat, kapitulli 31
14. Jonai Profet rr. 844 p.e.s. Jonai
15. Joeli Profet rr. 820 p.e.s.(?) Joeli
16. Amosi Çoban, rr. 804 p.e.s. Amosi
profet
17. Hozea Profet pas 745 p.e.s. Hozea
18. Isaia Profet pas 732 p.e.s. Isaia
19. Mikea Profet pr. 717 p.e.s. Mikea
20. Sofonia Princ, pr. 648 p.e.s. Sofonia
profet
21. Naumi Profet pr. 632 p.e.s. Naumi
22. Habakuku Profet rr. 628 p.e.s.(?) Habakuku
23. Abdia Profet rr. 607 p.e.s. Abdia
24. Ezekieli Prift, rr. 591 p.e.s. Ezekieli
profet
25. Jeremia Prift, 580 p.e.s. Libri i Parë
profet dhe i Dytë i
Mbretërve;
Jeremia;
Vajtimet
26. Danieli Princ, rr. 536 p.e.s. Danieli
qeveritar,
profet
27. Hageu Profet 520 p.e.s. Hageu
28. Zakaria Profet 518 p.e.s. Zakaria
29. Mordekai Kryeministër rr. 475 p.e.s. Estera
30. Ezdra Prift, kopist, rr. 460 p.e.s. Libri i Parë
administrator dhe i Dytë
i Kronikave;
Ezdra
31. Nehemia Zyrtar oborri, pas 443 p.e.s. Nehemia
guvernator
32. Malakia Profet pas 443 p.e.s. Malakia
33. Mateu Taksambledhës, rr. 41 e.s. Mateu
apostull
34. Luka Mjek, misionar rr. 61 e.s. Luka; Veprat
35. Jakovi Mbikëqyrës pr. 62 e.s. Jakovi
(vëlla i Jezuit)
36. Marku Misionar rr. 60-65 e.s. Marku
37. Pjetri Peshkatar, rr. 64 e.s. Letra e Parë
apostull dhe e Dytë
e Pjetrit
38. Pavli Misionar, rr. 65 e.s. Letra e Parë
apostull, dhe e Dytë e
bërës tendash Selanikasve;
Galatasve;
Letra e Parë
dhe e Dytë e
Korintasve;
Romakëve;
Efesianëve;
Filipianëve;
Kolosianëve;
Filemonit;
Hebrenjve;
Letra e Parë
dhe e Dytë
e Timoteut;
Titit
39. Juda Dishepull rr. 65 e.s. Juda
(vëllai i Jezuit)
40. Gjoni Peshkatar, rr. 98 e.s. Zbulesa; Gjoni;
apostull Letra e Parë,
e Dytë dhe e
Tretë e Gjonit