«Skena e kësaj bote po ndryshon»
«Po ju them . . . këtë, vëllezër, se koha që mbetet është shkurtuar.»—1 KORINTASVE 7:29.
1, 2. Çfarë ndryshimesh ke parë gjatë jetës tënde?
ÇFARË ndryshimesh që kanë ndodhur në botë ke parë gjatë jetës tënde? A mund të tregosh disa prej tyre? Për shembull, një ndryshim është përparimi në fushën e mjekësisë. Falë kërkimeve në këtë fushë, mosha mesatare në disa vende është rritur nga nën 50 vjeç në fillim të shekullit të 20-të, në më tepër se 70 vjeç në ditët e sotme. Mendo edhe se si kemi nxjerrë dobi nga përdorimi i drejtë i radios, televizorit, telefonave celularë dhe i faksit. Gjithashtu janë të rëndësishme edhe hapat që janë bërë përpara në fushën e arsimimit, të transportit dhe të të drejtave të njeriut, të cilat që të gjitha ua kanë përmirësuar jetën miliona njerëzve.
2 Natyrisht, jo të gjitha ndryshimet kanë qenë të mira. Është e pamundur të shpërfillësh ndikimet shkatërrimtare që ka sjellë rritja e numrit të krimeve, rënia e vlerave morale, shtimi i abuzimit me drogën, rritja e numrit të divorceve, rritja e inflacionit dhe e kërcënimit nga terrorizmi. Sidoqoftë ndoshta do të jesh dakord me atë që shkroi apostulli Pavël shumë kohë më parë: «Skena e kësaj bote po ndryshon.»—1 Korintasve 7:31.
3. Çfarë donte të thoshte Pavli kur shkroi se «skena e kësaj bote po ndryshon»?
3 Kur i tha këto fjalë, Pavli po e krahasonte botën me skenën e një teatri. Aktorët në këtë skenë—figurat e famshme politike, fetare dhe kulturore—shfaqen në të, luajnë rolet përkatëse dhe pastaj ua lënë vendin të tjerëve. Kjo ka vazhduar prej shekujsh. Në kohët e kaluara një dinasti mund të sundonte për dhjetëvjeçarë të tërë—madje edhe për shekuj të tërë—dhe ndryshimet ishin të ngadalta. Por jo sot, kur drejtimi i historisë mund të ndryshojë në çastin kur vritet një udhëheqës i shquar. Po, në këto kohë të turbullta nuk e dimë se ç’do të sjellë e nesërmja.
4. (a) Çfarë pikëpamjeje të drejtpeshuar duhet të kenë të krishterët për ngjarjet botërore? (b) Cilat linja dëshmish bindëse do të shqyrtojmë tani?
4 Nëse bota është një skenë teatri dhe udhëheqësit e saj janë aktorët, atëherë të krishterët janë spektatorët.a Por, meqë «nuk janë pjesë e botës» ata nuk interesohen tepër se si e luajnë rolin aktorët dhe madje as se cilët janë ata. (Gjoni 17:16) Përkundrazi kërkojnë me zell shenja që tregojnë se drama po arrin kulmin—një përfundim katastrofik—sepse e dinë që ky sistem duhet të përfundojë përpara se Jehovai të sjellë botën e re e të shumëpritur të drejtësisë.b Prandaj le të shqyrtojmë dy linja dëshmish që tregojnë se po jetojmë në kohën e fundit dhe që bota e re është afër. Ato janë: (1) kronologjia biblike dhe (2) kushtet e keqësuara të botës.—Mateu 24:21; 2 Pjetrit 3:13.
Më në fund zbulohet një mister!
5. Çfarë janë «kohët e caktuara të kombeve»? Pse na intereson të dimë rreth tyre?
5 Kronologjia është studimi i lidhjes që ekziston mes kohës dhe ngjarjeve. Jezui foli për një kohë gjatë së cilës udhëheqësit e botës do të luanin rolet kryesore dhe në skenë nuk do të futej ose nuk do të ndërhynte Mbretëria e Perëndisë. Jezui e quajti këtë periudhë «kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Në fund të këtyre ‘kohëve të caktuara’, Mbretëria qiellore e Perëndisë do të vinte në fuqi me Jezuin si Sundimtarin e saj të ligjshëm. Në fillim Jezui do të sundonte «në mes të armiqve [të tij]». (Psalmi 110:2) Pastaj, sipas Danielit 2:44, Mbretëria ‘do të copëtonte dhe do të asgjësonte’ të gjitha qeveritë njerëzore dhe do të qëndronte përgjithmonë.
6. Kur filluan «kohët e caktuara të kombeve»? Sa zgjatën ato? Kur përfunduan?
6 Kur do të përfundonin «kohët e caktuara të kombeve» dhe do të fillonte sundimi i Mbretërisë së Perëndisë? Përgjigja, e cila ishte ‘e vulosur deri në kohën e mbarimit’ ose kohën e fundit, lidhet me kronologjinë biblike. (Danieli 12:9) Ndërsa ‘koha’ afrohej Jehovai ndërmori hapa për t’ia zbuluar përgjigjen një grupi studentësh të përulur të Biblës. Ata kuptuan, me ndihmën e frymës së Perëndisë, se «kohët e caktuara të kombeve» filluan me shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. dhe se ato ‘kohë’ ishin të gjata 2.520 vjet. Nga kjo ata llogaritën se viti 1914 shënoi fundin e ‘kohëve të caktuara të kombeve’. Gjithashtu kuptuan se viti 1914 ishte fillimi i përfundimit të këtij sistemi. Si një student i Biblës, a mund të shpjegosh nga Shkrimet se si llogaritet viti 1914?c
7. Cilat Shkrime na ndihmojnë të përcaktojmë fillimin, kohëzgjatjen dhe fundin e shtatë kohëve që përmenden në librin e Danielit?
7 Një çelës fshihet në librin e Danielit. Që kur Jehovai përdori mbretin Nabukodonosor të Babilonisë për të shkatërruar Jerusalemin në fillim të ‘kohëve të caktuara’ në vitin 607 p.e.s., Ai zbuloi nëpërmjet këtij sundimtari se kombet do të vazhdonin të sundonin pa ndërhyrjen e Perëndisë për gjithsej shtatë kohë simbolike. (Ezekieli 21:31, 32; Danieli 4:16, 23-25) Sa të gjata janë këto shtatë kohë? Sipas Zbulesës 11:2, 3 dhe 12:6, 14, tri kohë e gjysmë janë të gjata 1.260 ditë. Prandaj shtatë kohë duhet të jenë dyfish të gjata, pra 2.520 ditë. A mjafton me kaq shpjegimi? Jo, sepse Jehovai i dha një bashkëkohësi të Danielit, profetit Ezekiel, rregullin për të interpretuar simbolet: «Kam vënë mbi ty një ditë për çdo vit.» (Ezekieli 4:6) Prandaj shtatë kohët në të vërtetë do të ishin të gjata 2.520 vjet. Duke përdorur vitin 607 p.e.s. si pikë fillimi dhe duke numëruar 2.520 vjet, arrijmë në përfundimin se kohët e caktuara do të mbaronin në vitin 1914.
Vërtetohet ‘koha e fundit’
8. Cilat dëshmi mund të tregoni se kushtet botërore janë keqësuar që nga viti 1914?
8 Ngjarjet botërore që nga viti 1914 e më tej vërtetojnë se kuptueshmëria e mësipërme e bazuar në kronologjinë biblike është e saktë. Vetë Jezui tha se ‘përfundimi i sistemit’ do të karakterizohej nga luftëra, zi buke dhe murtaja. (Mateu 24:3-8; Zbulesa 6:2-8) Dhe vërtet këto gjëra kanë ndodhur që prej vitit 1914. Apostulli Pavël shtoi hollësi të tjera për përfundimin e sistemit, duke thënë se do të vihej re një ndryshim i theksuar në qëndrimin e njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Përshkrimi që u bëri këtyre ndryshimeve, për të cilat kemi qenë vetë dëshmitarë, ishte plotësisht i saktë.—2 Timoteut 3:1-5.
9. Çfarë thonë vëzhguesit për kushtet botërore që nga viti 1914?
9 A ka ndryshuar vërtet kaq shumë «skena e kësaj bote» që nga viti 1914? Në librin The Generation of 1914 (Brezi i 1914-s), profesori Robert Vol thotë: «Ata që e përjetuan luftën do të jenë gjithnjë të bindur se në gusht të vitit 1914 mori fund një botë dhe filloi një botë tjetër.» Duke e pranuar këtë, dr. Zhorzh A. Kosta e Silva, drejtor i shëndetit mendor në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, shkroi: «Jetojmë në një kohë me ndryshime jashtëzakonisht të shpejta që në fund shkaktojnë ankth dhe stres në nivele të papara në historinë e njerëzimit.» A e ke përjetuar edhe ti këtë gjë?
10. Si na jep kuptueshmëri Bibla për shkakun e kushteve të keqësuara botërore që nga viti 1914?
10 Kush është fajtori që fshihet pas kushteve të keqësuara botërore? Zbulesa 12:7-9 ia çjerr maskën fajtorit: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [Jezu Krishti] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit [Satana Djallit]; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan, por nuk fitoi dhe për ta nuk u gjend më vend në qiell. Kështu, dragoi i madh u hodh poshtë, . . . i cili mashtron gjithë tokën e banuar.» Pra Satana Djalli është shkaktari i telasheve dhe që kur u dëbua nga qielli në vitin 1914 ka pasur ‘mjerim për tokë e për det, sepse Djalli ka zbritur ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe’.—Zbulesa 12:10, 12.
Si do të jetë akti i fundit i dramës?
11. (a) Çfarë metodash përdor Satanai për të mashtruar «gjithë tokën e banuar»? (b) Te cila orvatje e veçantë e Satanait e drejtoi vëmendjen apostulli Pavël?
11 Duke qenë i vetëdijshëm se po i afrohet fundi, Satanai që nga viti 1914 i ka shtuar përpjekjet për të mashtruar «gjithë tokën e banuar». Kryemashtruesi Satana punon gjithnjë prapa skenave, duke vendosur si aktorë në skenë udhëheqësit botërorë dhe ata që përcaktojnë prirjet e njerëzimit. (2 Timoteut 3:13; 1 Gjonit 5:19) Një nga qëllimet e tij është të mashtrojë njerëzimin që të mendojë se mënyra e tij e qeverisjes mund t’i sjellë paqe të vërtetë. Në përgjithësi propaganda e tij ka pasur sukses, sepse njerëzit vazhdojnë të jenë optimistë me gjithë dëshmitë e shumta se kushtet botërore po bëhen keq e më keq. Apostulli Pavël paratha se pikërisht para se të shkatërrohej ky sistem, do të kishte një propagandë të jashtëzakonshme satanike. Ai shkroi: «Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes mbi një grua shtatzënë.»—1 Selanikasve 5:3; Zbulesa 16:13.
12. Çfarë përpjekjesh të vazhdueshme janë bërë për të sjellë paqe në kohën tonë?
12 Vitet e fundit politikanët kanë përdorur shpesh frazën «paqe dhe siguri» për të përshkruar planet e ndryshme njerëzore. Ata madje e shpallën vitin 1986 Viti Ndërkombëtar i Paqes, megjithëse ai vit nuk doli se ishte i tillë. A përbëjnë këto përpjekje të udhëheqësve botërorë përmbushjen e plotë të 1 Selanikasve 5:3 apo Pavli e kishte fjalën për ndonjë ngjarje të veçantë kaq dramatike saqë të tërhiqte vëmendjen e gjithë botës?
13. Kur Pavli paratha thirrjen për «paqe dhe siguri», me çfarë e krahasoi shkatërrimin që do të vinte më pas? Çfarë mund të mësojmë nga kjo?
13 Meqë profecitë biblike shpesh kuptohen plotësisht vetëm pasi janë përmbushur ose janë duke u përmbushur, atëherë na duhet të presim e të shohim. Por është interesante se Pavli e krahasoi shkatërrimin e papritur që do të vinte pas thirrjes për «paqe dhe siguri», me dhembjet e lindjes së një gruaje shtatzënë. Gjatë një periudhe prej rreth nëntë muajsh një grua shtatzënë bëhet gjithnjë e më e vetëdijshme për foshnjën që po rritet brenda saj. Ajo mund të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës ose të ndiejë lëvizjet e saj në bark. Foshnja madje mund ta godasë me këmbë. Shenjat bëhen gjithnjë e më të theksuara derisa një ditë ajo ndien një dhembje të fortë, e cila tregon se ka ardhur çasti i shpresuar, pra lindja e foshnjës. Prandaj, sido që të përmbushet thirrja e profetizuar për «paqe dhe siguri», ajo do të çojë në një ngjarje të befasishme, të dhembshme, por së fundi të lumtur—në shkatërrimin e ligësisë dhe në fillimin e një sistemi të ri botëror.
14. Sipas cilës radhë të përgjithshme do të shpalosen ngjarjet e ardhshme? Cili do të jetë përfundimi?
14 Shkatërrimi që po vjen do të jetë i frikshëm për të krishterët besnikë që do ta shohin këtë gjë si spektatorë. Pikësëpari mbretërit e tokës (ana politike e organizatës së Satanait) do të sulmojnë përkrahësit e Babilonisë së Madhe (anën fetare) dhe do t’i shkatërrojnë ata. (Zbulesa 17:1, 15-18) Kështu, sipas një zhvillimi befasues të ngjarjeve, mbretëria e Satanait do të përçahet kundër vetes, ku njëra anë do të sulmojë anën tjetër, dhe Satanai do të jetë i pafuqishëm për ta ndalur këtë. (Mateu 12:25, 26) Jehovai do të vërë në zemrat e mbretërve të tokës që «të bëjnë mendimin e tij», domethënë të pastrojnë tokën nga armiqtë e tij fetarë. Pasi feja e rreme të jetë shkatërruar, Jezu Krishti do t’u prijë ushtrive të tij qiellore për të shpartalluar plotësisht atë që ka mbetur nga organizata e Satanait, pra elementët tregtarë dhe politikë. Në fund edhe vetë Satanai nuk do të lejohet të veprojë më. Me këtë ngjarje perdet e skenës do të ulen dhe drama e gjatë do të mbarojë.—Zbulesa 16:14-16; 19:11-21; 20:1-3.
15, 16. Si duhet të ndikojë në jetën tonë përkujtuesi se «koha që mbetet është shkurtuar»?
15 Kur do të ndodhin të gjitha këto gjëra? Nuk e dimë ditën ose orën. (Mateu 24:36) Megjithatë dimë se «koha që mbetet është shkurtuar». (1 Korintasve 7:29) Atëherë është jetësore që ta përdorim me mençuri kohën që mbetet. Si? Siç shpjegon apostulli Pavël, duhet ‘të blejmë kohën e duhur’ për gjërat më të rëndësishme nga gjërat që nuk janë thelbësore dhe ta bëjmë çdo ditë të vlefshme. Për çfarë arsye? «Sepse ditët janë të liga.» E ‘duke dalluar se cili është vullneti i Jehovait’ për ne, nuk do ta harxhojmë kot atë pak kohë të çmuar që mbetet.—Efesianëve 5:15-17; 1 Pjetrit 4:1-4.
16 Si duhet të ndikojë te secili nga ne dijenia se tërë sistemin botëror e pret fundi? Apostulli Pjetër shkroi për dobinë tonë: «Pasi kështu kanë për t’u shpërbërë të gjitha këto gjëra, ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor!» (2 Pjetrit 3:11) Vërtet ky lloj personash duhet të jemi! Në përputhje me këshillën e mençur të Pjetrit, duhet që (1) të jemi shumë vigjilentë për sjelljen tonë që të sigurohemi se është e shenjtë dhe (2) të sigurohemi se veprimet tona të zellshme në shërbimin ndaj Jehovait pasqyrojnë gjithnjë dashurinë tonë të thellë për të.
17. Kundër cilave gracka të Satanait duhet të qëndrojnë vigjilentë të krishterët besnikë?
17 Dashuria për Perëndinë nuk do të na lejojë që të lidhemi shumë me këtë botë për shkak të joshjeve të saj. Meqenëse e dimë se çfarë e pret sistemin e sotëm, është e rrezikshme të rrëmbehemi nga shkëlqimi i rremë dhe nga mënyra kënaqësidashëse e jetesës së botës. Ndonëse jetojmë dhe punojmë në botë, duhet t’i vëmë veshin këshillës së mençur për të mos e përdorur plotësisht botën. (1 Korintasve 7:31) Në të vërtetë duhet të bëjmë çmos që të mos mashtrohemi nga propaganda e botës. Kjo botë nuk do të arrijë të gjejë zgjidhjen e problemeve të saj. Ajo nuk do të vazhdojë ta mbajë veten në pafundësi. Pse mund të jemi kaq të sigurt? Sepse vetë Fjala e frymëzuar e Perëndisë e thotë: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:17.
Na presin gjëra të mira
18, 19. Çfarë ndryshimesh po pret me zjarr që të ndodhin në botën e re? Pse do t’ia vlejë që t’i presim?
18 Jehovai do t’i japë fund së shpejti Satanait dhe përkrahësve të tij. Pas kësaj, me bekimin e Jehovait, të mbijetuarit besnikë të fundit të këtij sistemi do të fillojnë të punojnë për ndryshimet që do të bëhen në «skenën» e botës, të cilat do të zgjatin përgjithmonë. Lufta nuk do ta shëmtojë më skenën e botës; Perëndia do të bëjë «të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës». (Psalmi 46:9) Në vend të mungesës së ushqimeve, «do të ketë bollëk gruri mbi tokë». (Psalmi 72:16) Nuk do të ketë më burgje, polici, sëmundje seksualisht të transmetueshme, bosë të drogës, gjyqe divorcesh, falimentime të ndërmarrjeve dhe terrorizëm.—Psalmi 37:29; Isaia 33:24; Zbulesa 21:3-5.
19 Varret përkujtimore do të zbrazen dhe në tokë do të ketë miliarda të ringjallur. Ç’gëzim do të jetë teksa një brez do të ribashkohet me një brez tjetër dhe njerëzit do të përqafojnë me një përqafim të ngrohtë e me gjithë zemër të dashurit e tyre të ndarë nga një kohë e gjatë! Në fund çdo njeri i gjallë do të adhurojë Jehovain. (Zbulesa 5:13) Kur ndryshimet të kenë përfunduar, perdja do të ngrihet dhe do të shfaqet një parajsë mbarëtokësore. Si do të ndihesh ndërsa e vështron skenën? Pa dyshim do të nxitesh të thuash me entuziazëm: ‘Prita për një kohë të gjatë për këtë, por ia vlente!’
[Shënimet]
a Në një kontekst tjetër Pavli tha për të krishterët e mirosur se janë «teatër për botën, për engjëjt dhe për njerëzit».—1 Korintasve 4:9.
b Për shembull, në lidhje me identitetin e ‘mbretit të veriut’, të përmendur te Danieli 11:40, 44, 45, shih librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, në faqet 280, 281.
c Vetë Bibla tregon se Jerusalemi ra 70 vjet përpara se judenjtë e mërguar të ktheheshin në vitin 537 p.e.s. (Jeremia 25:11, 12; Danieli 9:1-3) Për një trajtim të hollësishëm të ‘kohëve të caktuara të kombeve’ shih kapitullin e 16-të të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, si edhe faqet 95-97 të librit Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshe?
• Si kanë dalë të vërteta në kohën tonë fjalët e apostullit Pavël «skena e kësaj bote po ndryshon»?
• Si e përcakton kronologjia biblike fundin e ‘kohëve të caktuara të kombeve’?
• Si e vërtetojnë kushtet e ndryshueshme botërore se viti 1914 shënon fillimin e ‘kohës së fundit’?
• Si duhet të ndikojë te ne fakti se «koha që mbetet është shkurtuar»?
[Figura në faqen 20]
Më në fund misteri zbulohet