KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË
Qëndro në dashurinë e Perëndisë
Çfarë do të thotë ta duash Perëndinë?
Si të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë?
Si do t’i shpërblejë Jehovai ata që qëndrojnë në dashurinë e tij?
1, 2. Ku mund të gjejmë një strehë të sigurt sot?
PËRFYTYROJE veten sikur po ecën rrugës, në një ditë me stuhi. Qielli është nxirë. Fillon të shkreptijë, pastaj dëgjohen bubullimat e më vonë nis të bjerë shi me gjyma. I shpejton hapat, duke kërkuar me dëshpërim ndonjë strehë. Diku aty anës rrugës, sheh një strehë. Duket e fortë, një vend i thatë dhe sikur të fton të hysh në të. Sa e çmon në ato çaste një vend të tillë të sigurt!
2 Sot jetojmë në kohë të stuhishme. Kushtet botërore janë keqësuar sa s’ka ku të vejë më. Por, ekziston një vend i sigurt, një strehë që mund të na mbrojë nga dëmet e përhershme. Çfarë është kjo? Shiko se çfarë mëson Bibla: «Unë i them Jehovait: ‘Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.’»—Psalmi 91:2.
3. Si mund ta bëjmë Jehovain strehën tonë?
3 Mendo pak! Jehovai, Krijuesi dhe Sovrani i universit, mund të jetë streha jonë mbrojtëse. Ai mund të na mbrojë, sepse është më i fuqishëm se kushdo dhe gjithçka që mund të na dalë kundër. Edhe sikur të dëmtohemi, Jehovai mund t’i ndreqë të gjitha dëmet. Si ta bëjmë Jehovain strehën tonë? Duhet të kemi besim tek ai. Gjithashtu, Fjala e Perëndisë na nxit: «Ruani veten në dashurinë e Perëndisë.» (Juda 21) Po, duhet të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, duke mbajtur një lidhje të fortë e të dashur me Atin tonë qiellor dhe atëherë mund të jemi të sigurt se ai është streha jonë. Por, si ta krijojmë këtë lidhje?
TË DALLOJMË SHPREHJET E DASHURISË SË PERËNDISË DHE T’I PËRGJIGJEMI ASAJ
4, 5. Cilat janë disa nga mënyrat se si na e ka shprehur Jehovai dashurinë e tij?
4 Për të qëndruar në dashurinë e Perëndisë, duhet të kuptojmë si na e ka treguar Jehovai dashurinë. Mendo për disa nga mësimet biblike që ke kuptuar me ndihmën e këtij libri. Si Krijuesi, Jehovai na ka dhënë Tokën si një shtëpi të bukur. E ka mbushur atë me ushqim dhe ujë të bollshëm, me burime natyrore, me kafshë që të mahnitin dhe me peizazhe të bukura. Si Autori i Biblës, Perëndia ka zbuluar në të emrin dhe cilësitë e tij. Për më tepër, në Fjalën e tij tregohet se ai dërgoi në tokë Birin e tij të dashur, Jezuin, duke lejuar që ai të vuante e të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) Çfarë do të thotë për ne kjo dhuratë? Na jep shpresë për një të ardhme të mrekullueshme.
5 Shpresa jonë për të ardhmen varet edhe nga diçka tjetër që ka bërë Perëndia. Ai ka themeluar një qeveri qiellore, Mbretërinë Mesianike. Së shpejti kjo qeveri do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve dhe do ta bëjë tokën parajsë. Mendo! Mund të jetojmë përgjithmonë në këtë parajsë, të lumtur e në paqe. (Psalmi 37:29) Ndërkohë, Perëndia na ka dhënë udhëzime si të jetojmë sa më mirë që tani. Na ka dhënë edhe privilegjin e lutjes, pra mund të komunikojmë me të kurdo dhe kudo që jemi. Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si e ka treguar Jehovai dashurinë për njerëzimin në përgjithësi dhe për ty personalisht.
6. Si mund t’i përgjigjesh dashurisë që të ka treguar Jehovai?
6 Pyetja më e rëndësishme është: Si do t’i përgjigjem unë dashurisë së Jehovait? Shumë veta mund të thonë: «Po ja, duhet ta dua edhe unë Jehovain.» Kështu mendon dhe ti? Jezui tha se urdhri më i madh nga të gjithë është ky: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Sigurisht që ke shumë arsye për ta dashur Perëndinë Jehova. Por, a mjafton vetëm ta ndiesh se e ke këtë dashuri, për të treguar se e do Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen?
7. A mjafton vetëm të ndiesh se e do Perëndinë? Shpjego.
7 Siç e përshkruan Bibla, dashuria për Perëndinë është shumë më tepër se një ndjenjë. Në fakt, edhe pse është thelbësore të ndiesh dashuri për Jehovain, kjo ndjenjë është vetëm fillimi i dashurisë së vërtetë për të. Fara e mollës është thelbësore për të arritur deri te një pemë molle që jep fryte. Ama, kur ti do një kokërr mollë, nuk mjafton që dikush të të japë farën e mollës. Po kështu, ndjenja e dashurisë për Perëndinë Jehova është vetëm fillimi. Bibla mëson: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Që të jetë e vërtetë, dashuria për Perëndinë duhet të prodhojë fryte të mira. Duhet të shprehet me veprime.—Mateu 7:16-20.
8, 9. Si mund ta shprehim dashurinë dhe vlerësimin që ndiejmë për Perëndinë?
8 E tregojmë dashurinë për Perëndinë kur zbatojmë urdhërimet e tij dhe ndjekim parimet e tij. Nuk është një gjë tepër e vështirë. Ligjet e Jehovait s’janë aspak të rënda, përkundrazi, janë bërë për të na ndihmuar që të kemi një jetë të mirë, të lumtur e të kënaqshme. (Isaia 48:17, 18) Duke jetuar në përputhje me drejtimin që jep Jehovai, i tregojmë Atit tonë qiellor se e vlerësojmë vërtet gjithçka që ka bërë për ne. Në botën e sotme, mjerisht janë shumë pak ata që tregojnë këtë vlerësim. Ne nuk duam të tregohemi mosmirënjohës, si disa njerëz që jetonin në kohën kur ishte Jezui në tokë. Ai shëroi dhjetë të lebrosur, por vetëm njëri u kthye për ta falënderuar. (Luka 17:12-17) Sigurisht që ne duam të jemi si ky njeri që ishte mirënjohës, jo si nëntë mosmirënjohësit!
9 Atëherë, cilat janë urdhërimet e Jehovait, që duhet t’i zbatojmë? Disa prej tyre i kemi diskutuar në këtë libër, por le të rishikojmë nja dy. Përmbushja e urdhërimeve të Perëndisë do të na ndihmojë të qëndrojmë në dashurinë e tij.
AFROJU GJITHNJË E MË SHUMË JEHOVAIT
10. Shpjego pse është e rëndësishme që të marrim vazhdimisht njohuri për Perëndinë Jehova.
10 Një hap i domosdoshëm për t’iu afruar më shumë Jehovait është të marrim njohuri për të. Ky është një proces që nuk duhet të mbarojë kurrë. Po të ishe përjashta, në një natë të ftohtë, duke u ngrohur pranë një zjarri, a do ta lije zjarrin të shuhej? Jo. Do t’i hidhje dru vazhdimisht, që të mbetej një zjarr i madh dhe të ngroheshe. Nga kjo mund të varej jeta jote! Ashtu si drutë e ushqejnë zjarrin, po kështu ‘njohuria e Perëndisë’ na ndihmon që ta mbajmë të fortë dashurinë që kemi për të.—Proverbat 2:1-5.
11. Si ndikoi tek ithtarët e Jezuit mësimdhënia e tij?
11 Jezui donte që ithtarët e tij ta mbanin të gjallë dhe të fortë dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e Tij të çmuar të së vërtetës. Pas ringjalljes, Jezui u shpjegoi dy dishepujve disa profeci të Shkrimeve Hebraike, që ishin përmbushur tek ai. Cili qe reagimi i tyre? Më vonë, thanë: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»—Luka 24:32.
12, 13. (a) Çfarë ka ndodhur me dashurinë për Perëndinë dhe për Biblën, te shumica së njerëzve sot? (b) Çfarë duhet të bëjmë që mos të na ftohet dashuria për Perëndinë?
12 A nuk është e vërtetë se, kur kuptove çfarë mëson vërtet Bibla, zemra filloi të të gufonte nga gëzimi, zelli dhe dashuria për Perëndinë? Me siguri që po. Shumë veta janë ndier kështu. Tani sfida është ta mbash të gjallë këtë dashuri të fortë e ta shtosh gjithnjë e më shumë. Nuk duam të imitojmë prirjen e botës së sotme. Jezui paratha: «Dashuria e shumicës do të ftohet.» (Mateu 24:12) Çfarë duhet të bësh që mos të të ftohet dashuria për Jehovain dhe për të vërtetat e Biblës?
13 Vazhdo të marrësh njohuri për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. (Gjoni 17:3) Medito, domethënë, mendo thellë, rreth asaj që mëson nga Fjala e Perëndisë, duke pyetur veten: ‘Çfarë më mëson kjo për Perëndinë Jehova? Ç’arsye të mëtejshme më jep, për ta dashur Jehovain me gjithë zemrën, mendjen dhe shpirtin tim?’ (1 Timoteut 4:15) Ky meditim do të të ndihmojë që dashuria që ndien për Jehovain, të të mbetet e fortë.
14. Si na ndihmon lutja që ta mbajmë gjallë dashurinë për Jehovain?
14 Një mënyrë tjetër për ta mbajtur gjallë dashurinë për Jehovain është të lutesh rregullisht. (1 Selanikasve 5:17) Në kapitullin e 17-të të këtij libri, mësuam se lutja është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Siç ndodh me lidhjet njerëzore, që forcohen kur ka komunikim të rregullt e të hapur, edhe marrëdhënia jonë me Jehovain mbetet e përzemërt dhe e fortë kur i lutemi rregullisht. Është thelbësore të mos lejojmë kurrë që lutjet tona të bëhen mekanike, domethënë fjalë që i përsëritim vazhdimisht, pa i ndier vërtet ose pa domethënie. Duhet të flasim me Jehovain, siç flet një fëmijë me babanë që e do shumë. Patjetër që duam të flasim me respekt, por edhe hapur, me sinqeritet dhe nga zemra. (Psalmi 62:8) Pra, studimi personal i Biblës dhe lutjet nga zemra janë aspekte thelbësore të adhurimit tonë, dhe na ndihmojnë të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë.
GJEJ GËZIM DUKE ADHURUAR PERËNDINË
15, 16. Pse, me të drejtë, mund ta shohim si një thesar dhe privilegj veprën e predikimit për Mbretërinë?
15 Studimi personal i Biblës dhe lutjet janë pjesë të adhurimit, që mund t’i bëjmë privatisht. Por, tani, le të shqyrtojmë një aspekt tjetër të adhurimit që mund ta shfaqim para të gjithëve: të flasim me të tjerët për bindjet tona. A u ke folur tashmë të tjerëve për disa të vërteta të Biblës? Nëse po, ke pasur një mundësi të mrekullueshme. (Luka 1:74) Kur flasim me të tjerët rreth të vërtetave që kemi mësuar për Perëndinë Jehova, po kryejmë një caktim shumë të rëndësishëm që u është dhënë të gjithë të krishterëve të vërtetë. Ky caktim është predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
16 Për apostullin Pavël, shërbimi ishte diçka e çmuar, e quante një thesar. (2 Korintasve 4:7) T’u flasësh të tjerëve për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij është gjëja më e mirë që mund të bësh. Ky është një shërbim që i bëjmë Zotërisë më të mirë dhe sjell dobi të mëdha. Me këtë shërbim, po i ndihmon njerëzit e sinqertë që të afrohen më shumë me Atin tonë qiellor dhe të hyjnë në rrugën drejt jetës së përhershme. A ka ndonjë vepër më të kënaqshme se kjo?! Gjithashtu, kur jep dëshmi për Jehovain dhe për Fjalën e tij, edhe ty vetë të forcohet besimi dhe të shtohet dashuria për të. Jehovai i vlerëson shumë përpjekjet e tua. (Hebrenjve 6:10) Duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në këtë vepër, do të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë.—1 Korintasve 15:58.
17. Përse është urgjent sot shërbimi i krishterë?
17 Është e rëndësishme të mbajmë në mendje se kjo vepër predikimi për Mbretërinë është urgjente. Bibla thotë: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë.» (2 Timoteut 4:2) Pse kjo vepër është edhe më urgjente sot? Fjala e Perëndisë na thotë: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sofonia 1:14) Po afron me të shpejtë koha kur Jehovai do të sjellë fundin e gjithë këtij sistemi. Njerëzit duhen paralajmëruar! Ata duhet ta dinë se tani është koha për ta zgjedhur Jehovain si Sovranin e tyre. Fundi «nuk do të vonojë».—Habakuku 2:3.
18. Pse duhet ta adhurojmë Jehovain së bashku me të krishterët e vërtetë?
18 Jehovai dëshiron që ne ta adhurojmë së bashku me të krishterët e vërtetë. Ja pse në Fjalën e tij thuhet: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Kur jemi në mbledhjet e krishtere me bashkëbesimtarët, kemi një mundësi të mrekullueshme për të lëvduar e për të adhuruar Perëndinë tonë të dashur. Gjithashtu, nxitim dhe inkurajojmë njëri-tjetrin.
19. Ç’mund të bëjmë për të forcuar lidhjet e dashurisë në kongregacionin e krishterë?
19 Ndërsa shoqërohemi me adhurues të tjerë të Jehovait, forcojmë lidhjet e dashurisë dhe të miqësisë në kongregacion. Është e rëndësishme të kërkojmë cilësitë e mira te të tjerët, ashtu si Jehovai kërkon këto cilësi te ne. Mos pretendo që bashkëbesimtarët të jenë të përsosur. Mbaj parasysh se të gjithë janë në faza të ndryshme të rritjes frymore dhe secili nga ne bën gabime. (Kolosianëve 3:13) Përpiqu të krijosh miqësi të forta me ata që e duan shumë Jehovain, e do të shohësh që edhe ti do të rritesh frymësisht. Po, duke e adhuruar Jehovain bashkë me vëllezërit dhe motrat në besim, do të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë. Si i shpërblen Jehovai ata që e adhurojnë me besnikëri, e kështu qëndrojnë në dashurinë e tij?
SYNO «JETËN E VËRTETË»
20, 21. Çfarë është ‘jeta e vërtetë’ dhe përse është një shpresë e mrekullueshme?
20 Jehovai i shpërblen shërbëtorët e tij besnikë duke u dhënë jetën. Por, çfarë lloj jete? Po mirë, a mund të thuash se tani po jeton me të vërtetë? Shumica nga ne do të thoshin se përgjigjja është fare e qartë. Ne marrim frymë, hamë, pimë. Pra, me siguri që po jetojmë. Kur kemi çaste të lumtura, mund të themi edhe: «Ah, kjo po që është jetë!» Megjithatë, Bibla tregon se, në një kuptim kryesor, asnjë njeri sot nuk po jeton me të vërtetë.
21 Fjala e Perëndisë na nxit ‘të rrokim jetën e vërtetë’. (1 Timoteut 6:19) Këto fjalë tregojnë se ‘jeta e vërtetë’ është diçka që shpresojmë ta arrijmë në të ardhmen. Në fakt, kur të jemi të përsosur, do të jetojmë në kuptimin e plotë të fjalës, sepse do të jetojmë ashtu siç kishte për qëllim Perëndia fillimisht. Kur të jetojmë në një tokë parajsore, me shëndet, paqe dhe lumturi të plotë, më në fund do të gëzojmë «jetën e vërtetë», pra jetën e përhershme. (1 Timoteut 6:12) A nuk është kjo një shpresë e mrekullueshme?
22. Si mund ‘ta rrokësh jetën e vërtetë’?
22 Si mund ‘ta rrokim jetën e vërtetë’? Në të njëjtin kontekst, Pavli i nxiti të krishterët «të punojnë për të mirën» dhe «të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera». (1 Timoteut 6:18) Domethënë, shumë varet nga sa i zbatojmë të vërtetat që kemi mësuar nga Bibla. Por, a donte të thoshte Pavli se ne e fitojmë «jetën e vërtetë» duke bërë vepra të mira? Jo, sepse këtë shpresë të mrekullueshme mund ta kemi vetëm në saje të ‘dashamirësisë së pamerituar’ që na tregon Perëndia. (Romakëve 5:15) Gjithsesi, Jehovai i shpërblen me kënaqësi ata që i shërbejnë besnikërisht. Ai dëshiron që ti të jetosh «jetën e vërtetë». Kjo jetë e lumtur, paqësore dhe e përhershme është e mundur për të gjithë ata që qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë.
23. Pse është e domosdoshme të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë?
23 Çdonjëri nga ne duhet të pyesë veten: ‘A po e adhuroj Perëndinë sipas mënyrës që ka treguar ai në Bibël?’ Në qoftë se sigurohemi që, për çdo ditë, përgjigjja të jetë po, atëherë jemi në rrugën e duhur. Mund të jemi të sigurt se Jehovai është streha jonë. Ai do t’i ruajë shërbëtorët e tij besnikë gjatë ditëve të fundit të trazuara të këtij sistemi të vjetër. Gjithashtu, Jehovai do të na çojë në sistemin e ri e të lavdishëm, që tani është shumë afër. Sa emocione të mëdha do të provojmë kur të jetojmë në atë kohë! Sa të kënaqur do të jemi që kemi bërë zgjedhjet e duhura gjatë këtyre ditëve të fundit! Po të bësh zgjedhje të tilla tani, do të kesh «jetën e vërtetë», jetën siç e kishte ndër mend Perëndia Jehova, për gjithë përjetësinë!