Kapitulli 13
Një shumicë e madhe përpara fronit të Jehovait
1. (a) Përpara se shërbëtorët besnikë të Perëndisë të kohës para krishterimit apo 144.000-t të marrin shpërblimin, çfarë duhet të përjetojnë? (b) Por çfarë do t’i jetë e mundur shumicës së madhe që është duke jetuar kur «mjerimi i madh» të fillojë?
MEGJITHËSE shërbëtorët besnikë të Perëndisë nga Abeli deri tek Gjon Pagëzori e vunë kryerjen e vullnetit të Perëndisë në vend të parë në jetën e tyre, ata të gjithë duhej të vdisnin dhe të prisnin ringjalljen. Të 144.000-t që do të jenë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore, gjithashtu, duhet të vdesin përpara se të marrin shpërblimin e tyre. Në dallim, apostulli Gjon pa në vizion se do të jetë një shumicë e madhe që faktikisht do të mbijetojë «mjerimin e madh» dhe, pa vdekur, ka shpresën e jetës së përhershme.—Zbul. 7:9-17.
Identifikimi i «shumicës së madhe»
2. Çfarë çoi në kuptimin e qartë të identitetit të «shumicës së madhe» të Zbulesës 7:9?
2 Për shekuj identiteti i kësaj «shumice të madhe» nuk u kuptua. Por përparimi në të kuptuarit e profecive të përmendura përgatiti rrugën. Në 1923-shin u kuptua se «delet» e shëmbëlltyrës së Jezuit tek Mateu 25:31-46 dhe «delet e tjera» të cilat ai i përmendi tek Gjoni 10:16, ishin personat që sot jetojnë, të cilët do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë këtu në tokë. Në 1931-shin, ata që përshkruheshin tek Ezekieli 9:1-11 si të bërë me shenjë në ballet e tyre nga njeriu me kallamaren prej briri të shkruesit, u identifikuan si «dele» në kapitullin 25 të Mateut. Më vonë, në 1935-ën, «grumbulli i madh» apo «shumica e madhe» tek Zbulesa 7:9-17, u pa të jetë e njëjtë me «delet» e shëmbëlltyrës së Jezuit mbi delet dhe dhitë. Edhe pse në 1923-shin u kuptua se disa individë ngjashëm deleve, tashmë kishin filluar të shfaqeshin, vetëm nga 1935 e këtej numri i tyre u rrit me shpejtësi. Sot gjenden me të vërtetë miliona të cilët po kërkojnë të identifikohen si pjesë e kësaj «shumice të madhe» të «deleve të tjera» që kanë favorin hyjnor.
3. Pse «të qëndruarit e tyre para fronit» nuk do të thotë se ata janë një klasë qiellore?
3 Ata të «shumicës së madhe» dallohen nga 144.000 anëtarët e Izraelit frymor, të përmendur më parë në të njëjtin kapitull të Zbulesës. Në vizionin e tij Gjoni nuk e pa këtë «shumicë të madhe» të ishte në qiell. «Qëndrimi i tyre para fronit» të Perëndisë (greqisht: e·no’piontou thro’nou, «nën pamjen e fronit») nuk kërkon që ata të jenë në qiell. Pozicioni i tyre është thjesht «nën pamjen» e Perëndisë, gjë që na tregon se nga qielli ai vëren bijtë e njerëzve. (Zbul. 7:9; Psal. 11:4; krahaso Psalmi 100:1, 2, gjithashtu Lukën 1:74, 75 dhe Veprat 10:33, Kingdom Interlinear.) Gjithashtu, nuk është e nevojshme që «të gjitha kombet» të jenë në qiell për të qenë përpara fronit të Krishtit (fjalë për fjalë, «përballë tij»), siç përshkruhet tek Mateu 25:31, 32. Fakti që «turma e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte» nuk është një klasë qiellore, është treguar nga krahasimi me Zbulesën 7:4-8 dhe 14:1-4, ku është zbuluar numri specifik i atyre që janë marrë nga toka për të qenë në qiell.
4. (a) Çfarë është «mjerimi i madh» që mbijetojnë ata? (b) Sikurse thuhet në Zbulesën 7:11, 12, kush e vëzhgon «shumicën e madhe» dhe bashkohet me të në adhurim?
4 Për identifikimin e «shumicës së madhe», Gjoni shkruan: «Këta janë ata që erdhën nga mjerimi i madh.» Ajo që do të mbijetojnë në të vërtetë ata, do të jetë mjerimi më i madh i përjetuar ndonjëherë mbi tokë. (Zbul. 7:13, 14; Mat. 24:21) Të shpëtuarit e asaj dite të tmerrshme të zemërimit të Jehovait nuk do të kenë dyshim se kush është përgjegjës për shpëtimin e tyre. Kur ata me mirënjohje t’ia atribuojnë shpëtimin e tyre Perëndisë dhe Qengjit, atëherë, sikurse Gjoni pa në vizion, të gjitha krijesat besnike në qiell do të bashkojnë zërat e tyre me ta në adhurimin e Perëndisë së vetëm e të vërtetë duke thënë: «Amen! Bekim e lavdi, dije e falenderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyut tonë në shekuj të shekujve! Amen.»—Zbul. 7:11, 12, DSF.
Të provuar për të merituar mbijetesën
5. (a) Si mund të përcaktojmë se çfarë kërkohet për t’u bërë pjesë e «shumicës së madhe» që do të mbrohet? (b) Sipas përgjigjeve të pyetjeve në fund të këtij paragrafi, shpjego se çfarë kërkohet për të mbijetuar «mjerimin e madh».
5 Mbrojtja e «shumicës së madhe» zhvillohet në harmoni me vetë parimet e drejta të Jehovait. Shenjat e qarta të tipareve identifikuese të këtyre që do të çlirohen janë të mishëruara në profecitë biblike që u referohen atyre. Kështu, për ata që duan drejtësinë është e mundur të veprojnë tani, me qëllim që të mbijetojnë. Ne tashmë kemi përmendur shkrimet që pasojnë. Por tani analizoji ato me kujdes, me ndihmën e citateve plotësuese të tekstit dhe konsidero se çfarë duhet të bësh me qëllim që t’u përshtatesh këtyre përshkrimeve profetike.
«Delet e tjera» të përmendura tek Gjoni 10:16
Çfarë do të thotë për një person të dëgjojë me të vërtetë zërin e Jezuit? (Gjoni 10:27; Mat. 9:9; Efes. 4:17-24)
Si mund të tregojmë se e pranojmë Krishtin si «bariun tonë të vetëm»? (Mat. 23:10, 11)
«Delet» në ilustrimin e Jezuit mbi delet dhe dhitë (Mat. 25:31-46)
Kush janë «vëllezërit» e Krishtit të cilëve ata u bëjnë mirë? (Hebr. 2:10, 11; 3:1)
Nën çfarë kushtesh të vështira ata u thirrën për t’u identifikuar me vëllezërit e Krishtit mbi tokë? Dhe në çfarë vepre ata japin ndihmë besnike? (Zbul. 12:12, 17; Mat. 24:14; 28:19, 20)
Persona të shënuar për të mbijetuar nga njeriu me kallamarin e bririt të shkruesit (Ezek. 9:1-11)
Si treguan ata se nuk janë në harmoni me gjërat e urryera të bëra nga i ashtuquajturi krishterim, i përfaqësuar nga Jeruzalemi i atëhershëm? (Zbul. 18:4, 5)
Çfarë është përfshirë në «shenjën» që i dallon ata prej atyre që pretendojnë se janë të krishterë dhe që i ruan ata? (1. Pjetr. 3:21; Mat. 7:21-27; Gjoni 13:35)
6. Si na ndihmon përshkrimi i Gjonit mbi «shumicën e madhe» të kuptojmë se përse ata u shpëtuan?
6 Përshkrimi i «shumicës së madhe» që gjendet tek Zbulesa 7:9-15 përmban gjithashtu hollësira të rëndësishme. Për të na treguar se si këta të «shumicës së madhe» shfaqen pas «mjerimit të madh», shkrimet gjithashtu tërheqin vëmendjen në faktorët që çuan në shpëtimin e tyre.
7. Çfarë bënë ata përpara «mjerimit të madh» dhe si iu sugjerua kjo?
7 Megjithëse vijnë nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të bashkuar ata «qëndrojnë përpara fronit», duke njohur Jehovain, të vetmin që qëndron mbi fron, si një Sovran Universal. Me mënyrën e tyre të jetesës, ata kanë provuar se janë përkrahës besnikë të sundimit të tij. Fakti se ata i kanë «pastruar rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur ato me gjakun e Qengjit», tregon se ata kanë njohur nevojën e vlerës për faljen e mëkatit përmes sakrificës së Jezuit, si Qengji i Perëndisë. (Gjon. 1:29; 1. Gjon. 2:2) Me besim, ata ia kanë dedikuar veten Perëndisë mbi bazën e kësaj sakrifice, e kanë simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë dhe tani gëzojnë një qëndrim të pastër përpara Perëndisë, sikurse paraqesin rrobat e tyre të bardha. Ata nuk u penguan nga publiku për të bërë të njohur besimin e tyre në Birin e Perëndisë. (Mat. 10:32, 33) Në përputhje me të gjithë këtë, ata shfaqen si të ishin në tempullin e Perëndisë apo shtëpinë universale të adhurimit, si adhurues të cilët i japin Perëndisë «shërbimin e shenjtë ditë dhe natë». Kështu ata kanë lënë një dëshmi si përkrahës besnikë të adhurimit të vërtetë dhe lajmëtarë të Mbretërisë së tij.—Isa. 2:2, 3.
8. Çfarë duhet të bësh, që këto informacione të të sjellin dobi?
8 A të përshtaten ty hollësitë e këtyre aspekteve profetike? A ka aspekte në të cilat duhet ta përputhësh jetën tënde akoma më shumë me atë që është përshkruar këtu? Nëse është kështu, tani është koha për ta bërë këtë!
Duke jetuar në një parajsë frymore
9. Si i përshkruan Gjoni bekimet frymore që gëzon qysh tani «shumica e madhe»?
9 A je një nga ata që shpresojnë të mbijetojnë si pjesë e «shumicës së madhe»? Në qoftë se u je përshtatur rrugëve të drejta të Jehovait, atëherë pa dyshim, që tani po fillon të gëzosh kushtet e premtuara që në mënyrë të përshtatshme kanë përcaktuar një parajsë frymore. Apostullit Gjon iu tha: «Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyu do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» (Zbul. 7:16, 17, DSF) Si është vërtetuar kjo në rastin tënd?
10. (a) Si është e vërtetë se në kuptimin frymor ata të «shumicës së madhe» «më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje»? (b) A e ke përjetuar këtë?
10 Përpara ardhjes nën kujdesin e dashur të Bariut të Shkëlqyer Jezu Krishtit, a ishe i uritur dhe i etur për drejtësi? (Krahaso Mateu 5:6.) Nëse është kështu, ajo që dëshiroje mund të sigurohet vetëm nga Jehovai përmes Birit të tij. Kur dëgjove rreth rrugëve të drejta të Jehovait—qëllimit të tij për të shkatërruar të ligjtë dhe për mirësinë e tij të pamerituar, duke bërë të mundur shpëtimin e pasardhësve të Adamit—atëherë, pa dyshim, për të parën herë në jetën tënde ke ndier kënaqësi të vërtetë. Ushqimi dhe pija frymore nga Fjala e Perëndisë, që shërbehen përmes organizatës së tij, vazhdojnë të të sjellin kënaqësi. (Isa. 65:13, 14) Dhe në qoftë se i je dedikuar Perëndisë përmes Krishtit, tani ke një qëllim real në jetë. (Krahaso Gjoni 4:32-34.) Përpara teje është një perspektivë e shkëlqyer e jetës së përhershme në një tokë parajsore, sepse Qengji «do të kullosë [«shumicën e madhe»] dhe do ta çojë në burimet e ujërave të jetës».
11 (a) Në ç’mënyrë është e vërtetë se «më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija»? (b) Sa e rëndësishme është kjo për ty?
11 Gjithashtu, si «dele» të besueshme, pjesëtarët e «shumicës së madhe» janë mbrojtur dhe kullotur pa rrezik nga Bariu i shkëlqyer. Ja përse, duke folur në mënyrë figurative, «më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija». Kjo nuk do të thotë se, si një pjesëtar i «shumicës së madhe», nuk do të pësosh persekutime nga bota. Megjithatë, ajo tregon se ti je i mbrojtur nga nxehtësia përvëluese e zemërimit të Perëndisë së vetëm. Dhe kur ai të sjellë shkatërrimin hyjnor mbi të ligjtë, nuk do të sjellë shkatërrim mbi ty. Kjo marrëdhënie e privilegjuar mund të vazhdojë përgjithmonë.—Ezek. 38:22, 23; krahaso Psalmin 11:6; 85:3, 4.
12. Si do të jenë lotët të fshirë nga sytë e tu madje edhe tani?
12 Çfarë shkaqesh të mrekullueshme për gëzim ke nëse me të vërtetë je pjesëtar i kësaj «shumice të madhe»! Ti ke shpresën e mrekullueshme për të parë të ligjtë plotësisht të eliminuar dhe më vonë, duke pasur të njëjtën mendje dhe trup aktual, të jesh i liruar nga të gjitha pasojat e mëkatit. Por edhe tani, hidhërimi që provojnë njerëzit sepse nuk e njohin Perëndinë, nuk duhet të të brengosë. Ti po fillon të njohësh gëzimin që i përket vetëm popullit, Perëndia i të cilit është Jehovai. (Psal. 144:15b) Në këtë mënyrë, ti që tani po fillon të përjetosh plotësisht premtimin: «Dhe Hyu do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» (DSF)
13. Çfarë do t’i shtohet gëzimit të parajsës frymore, ndërsa mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit përparon?
13 Sikurse «shumica e madhe», ashtu edhe parajsa frymore do të mbijetojë fundin e këtij sistemi gjërash. Nëse je njëri prej tyre, më vonë do të vazhdosh të gëzosh një gosti të pasur frymore, ndërsa mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit përparon. Njohuria jote për Perëndinë do të thellohet, ndërsa ti sheh qëllimin e tij të përhershëm të realizohet në mënyrë madhështore. Gëzimi yt do të rritet, ndërsa i uron mirëseardhjen një turme rritëse të kthyer nga vdekja për t’u bashkuar me ty në adhurimin e vërtetë. Dhe bekimet fizike që do të sigurohen, do të jenë veçanërisht të çmuara për të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë, ndërsa shohin shprehjen e dashurisë së vetë Jehovait.—Isa. 25:6-9; Jak. 1:17.
Pyetje për përsëritje
● Me cilën ngjarje të jashtëzakonshme e lidh Bibla «shumicën e madhe» dhe si?
● Nëse me të vërtetë duam të përfshihemi në këtë favor të mrekullueshëm të «shumicës së madhe» çfarë duhet të bëjmë tani?
● Sa të rëndësishme janë për ty bekimet e parajsës frymore?