Pyetje nga lexuesit
Kur u dëbua Satanai nga qielli?—Zbul. 12:1-9.
Megjithëse në librin biblik të Zbulesës nuk thuhet me saktësi se kur u dëbua Satanai nga qielli, aty përmenden një sërë ngjarjesh që mund të na ndihmojnë të kuptojmë se kur ndodhi kjo. E para nga këto ngjarje është lindja e Mbretërisë mesianike. Pas kësaj, «në qiell shpërtheu lufta», e cila përfundoi me humbjen e Satanait që më në fund u dëbua nga qielli.
Shkrimet na çojnë qartë në vitin 1914 si viti kur mbaruan «kohët e caktuara të kombeve» dhe u vendos Mbretëria.a (Luka 21:24) Po sa kohë pas kësaj shpërtheu lufta në qiell që përfundoi me dëbimin e Satanait?
«Dragoi [Satanai] qëndronte përpara gruas që gati po lindte,—thotë Zbulesa 12:4,—që kur të lindte, t’i gllabëronte fëmijën.» Kjo tregon se Satanai donte ta zhdukte menjëherë Mbretërinë e re, madje po të kishte mundësi, sapo të lindte. Edhe pse ndërhyrja e Jehovait nuk lejoi që Satanai të arrinte qëllimin e tij të ligë, Satanai ishte i vendosur dhe nuk hiqte dorë nga përpjekjet për të prishur Mbretërinë e sapovendosur. Ja pse «Mikaeli dhe engjëjt e tij» vepruan pa humbur kohë për të larguar nga skena qiellore ‘dragoin bashkë me engjëjt e tij’, në mënyrë që Mbretëria të mos cenohej aspak. Kjo tregon që disfata dhe dëbimi i Satanait ndodhën pak kohë pas lindjes së Mbretërisë në vitin 1914.
Një faktor tjetër për t’u shqyrtuar është edhe ringjallja e të krishterëve të mirosur, e cila, siç tregojnë dëshmitë biblike, filloi pak kohë pas vendosjes së Mbretërisë.b (Zbul. 20:6) Ngaqë për asnjë nga vëllezërit e mirosur të Krishtit nuk thuhet se ishte me Jezuin në betejën kundër dragoit dhe engjëjve të tij, lufta në qiell dhe dëbimi i Satanait bashkë me demonët e tij, duhet të kenë përfunduar në kohën që filloi ringjallja e vëllezërve të Krishtit.
Pra, Bibla nuk tregon me saktësi se kur u dëbuan nga qielli Satanai dhe demonët. Megjithatë, është e qartë se kjo ngjarje ndodhi shumë shpejt pasi Jezu Krishti hipi në fronin qiellor në vitin 1914.
[Shënimet]
b Shih revistën Kulla e Rojës të 1 janarit 2007, faqet 27-28, paragrafët 9-13.