Kapitulli 9
Forca e shpresës së ringjalljes
1. Cilat perspektiva të mrekullueshme na ofron ringjallja?
PA RINGJALLJE, njerëzit e vdekur nuk do të kishin asnjë shpresë për jetën e ardhshme. Por Jehovai, i nxitur nga dashamirësia e pamerituar, ka dhënë për miliarda të vdekur rastin e çmueshëm për të gëzuar jetën e përhershme. Si pasojë, kemi edhe shpresën që na jep zemër se mund të bashkohemi përsëri me të dashurit tanë që flenë në vdekje.—Krahaso Marku 5:35, 41, 42; Veprat 9:36-41.
2. (a) Në cilat mënyra është treguar rëndësia e ringjalljes, në përmbushje të qëllimit të Jehovait? (b) Veçanërisht, kur është për ne një burim i rëndësishëm force shpresa e ringjalljes?
2 Pa i shkaktuar një dëm të përhershëm shërbëtorëve të tij, falë ringjalljes, Jehovai mund ta lejojë Satanain të arrijë në kufi të orvatjes për të provuar akuzën e tij të pabesë: «Njeriu do të japë të gjithë atë që ka për shpirtin e vet.» (Jobi 2:4) Duke u ringjallur, Jezui mundi të paraqiste vlerën e sakrificës së tij njerëzore përpara fronit qiellor të Atit të tij, me dobi jetëshpëtuese për ne. Nëpërmjet ringjalljes, bashkëtrashëgimtarët e Krishtit bashkohen me të në Mbretërinë qiellore. Dhe për të gjithë ne që kemi besim, ringjallja është burim force përtej asaj që është normale, kur i jemi nënshtruar provave që na çojnë ballë për ballë me vdekjen.
Përse është themelore për besimin e krishterë
3. (a) Në ç’kuptim ringjallja është një «mësim fillestar»? (b) Çfarë kuptimi ka ringjallja për botën në përgjithësi?
3 Siç është thënë në Hebrenjve 6:1, 2, ringjallja është një «mësim fillestar», pjesë e themelit të besimit, pa të cilin nuk do të mundnim kurrë të bëheshim të krishterë të pjekur. Por është e huaj për mënyrën e të menduarit të botës në përgjithësi. Duke qenë të mangët frymësisht, gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë për të kërkuar kënaqësitë e tyre. Për ta e vetmja gjë konkrete është kjo jetë. (1. Kor. 15:32) Ata që ushtrojnë hapur fetë tradicionale, si brenda dhe jashtë krishterimit, mendojnë se kanë një shpirt të pavdekshëm, gjë që do ta bënte të panevojshme ringjalljen. Kushdo që kërkon t’i pajtojë këto dy koncepte, zbulon se ajo është më shumë burim konfuzioni se shprese. Si mund t’i ndihmojmë ata që janë të gatshëm për të dëgjuar?—Veprat 17:32.
4. (a) Çfarë duhet t’i shpjegojmë një personi përpara se të mund të kuptojë mësimin e ringjalljes? (b) Çfarë shkrimesh do të përdorësh për të shpjeguar se çfarë është shpirti dhe cila është gjendja e të vdekurve? (c) Çfarë mund të bësh kur dikush përdor një përkthim biblik që errëson të vërtetat e përmbajtura në këto vargje?
4 Para se të mund të kuptojnë ringjalljen si përgatitje të mrekullueshme, duhet të kuptojnë se çfarë është shpirti dhe cila është gjendja e të vdekurve. Shpesh do të mjaftonin disa shkrime për të sqaruar këto argumente me një person të etur për të vërtetën. (Zan. 2:7; Ezek. 18:4; Psal. 146:3, 4) Por disa përkthime moderne dhe parafrazime të Biblës i errësojnë këto të vërteta. Pra, mund të jetë e nevojshme të shqyrtojmë shprehjet e përdorura në gjuhën origjinale të Biblës.
5. Si mund t’i ndihmojmë persona të tillë për të kuptuar se çfarë është shpirti?
5 Përkthimi i Botës së Re (angl.) është veçanërisht i dobishëm në lidhje me këtë, sepse përkthen në mënyrë koherente termin hebraik nèphesh dhe termin korrespondues grek psykhè me «shpirt», dhe në shtojcën e saj sjell shumë vargje në të cilat përsëriten këto terma. Përkthime të tjera moderne mund t’i përkthejnë të njëjtat fjalë origjinale jo vetëm «shpirt», por edhe «krijesë», «qenie», «persona» dhe «jetë»; «nèphesh-i im» mund të përkthehet «unë», dhe «nèphesh-i yt» «ti». Duke i krahasuar këto Bibla me përkthime jo shumë të reja ose me Përkthimin e Botës së Re, kërkuesi i sinqertë do të ndihmohet të kuptojë që termat origjinalë të përkthyer «shpirt» i referohen (1) personave, (2) kafshëve dhe (3) jetës që njeri e tjetri gëzojnë si shpirtra. Por nuk japin kurrë idenë që shpirti është diçka e padukshme dhe e paprekshme, që mund të lërë trupin e vdekur dhe të vazhdojë një ekzistencë të vetëdijshme në një vend tjetër.
6. (a) Në çfarë mënyre disa përkthime moderne e ngatërrojnë lexuesin në lidhje me domethënien e termave Sheol, Hades dhe Gehena? (b) Si do të shpjegoje me anë të Biblës se cila është gjendja e atij që ndodhet në Sheol ose Hades? Po e atij që ndodhet në Gehenë?
6 Përkthimi i Botës së Re është koherent edhe në përdorimin e fjalëve Sheol për të transliteruar (shkronjëzuar) termin hebraik sheōl’, Hades për të transliteruar termin grek ha’des dhe Gehena për ge’en·na. Por përkthime të tjera dhe parafrazime moderne të Biblës e ngatërrojnë lexuesin, duke i përkthyer TË DYJA, ha’des dhe ge’en·na me «ferr», si edhe duke përkthyer sheōl’ dhe ha’des me «varr» dhe «bota e të vdekurve». Nëse është e nevojshme, duke krahasuar me përkthime të tjera, mund të tregohet se Sheol është e njëjtë me Hades. (Psal. 16:10; Veprat 2:27) Në Bibël, Sheoli ose Hadesi, varri i përbashkët i njerëzimit, ka të bëjë me vdekjen e jo me jetën. (Psal. 89:48; Zbul. 20:13) Aty është treguar edhe perspektiva e daljes prej andej, nëpërmjet një ringjalljeje. (Jobi 14:13; Veprat 2:31) Përkundrazi, ata që shkojnë në Gehenë nuk kanë asnjë shpresë për jetën e ardhshme, e natyrisht, nuk flitet për një ekzistencë të vetëdijshme të shpirtit në Gehenë.—Mat. 18:9; 10:28.
7. Nëse kuptohet mirë, si mund të ndikojë doktrina e ringjalljes mbi mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit të një personi?
7 Me sqarimin e këtyre aspekteve, vdekja dhe ringjallja e Krishtit marrin domethënie të vërtetë. Njerëzit tani mund të jenë të ndihmuar të kuptojnë se çfarë do të thotë ringjallja për ta dhe mund të fillojnë të çmojnë dashurinë e treguar nga Jehovai në marrjen e kësaj mase të mrekullueshme. Dhimbja e atyre që kanë humbur pikërisht të dashurit në vdekje, tani mund të zëvendësohet nga perspektiva e gëzueshme e ribashkimit të tyre në Rregullin e Ri të Perëndisë. Të krishterët e shekullit të parë e kuptuan që ringjallja e Jezu Krishtit ishte një element themelor i besimit të krishterë. Dhanë me zell dëshmi për të dhe për shpresën që rridhte nga ajo. Edhe sot, ata që e çmojnë këtë të vërtetë të mrekullueshme, me dëshirë të madhe u flasin të tjerëve për këtë.—Veprat 5:30-32; 10:40-43; 13:32-39; 17:31.
Përdorimi i «çelësave të Hadesit»
8. Çfarë do të thotë për ithtarët e mirosur të Krishtit fakti që ai përdori «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit»?
8 Të gjithë ata që duhet të jenë të bashkuar me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore, duhet së fundi të vdesin. Por e njohin mirë sigurimin që u dha Jezui, kur i tha apostullit Gjon: «Isha i vdekur, por, ja, rroj për shekuj të shekujve dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit.» (Zbul. 1:18) Çfarë donte të thoshte me këtë? Po tërhiqte vëmendjen mbi vetë përvojën e tij. Edhe ai kishte vdekur. Por Perëndia nuk e la në Hades. Ditën e tretë, vetë Jehovai e ngriti në jetën frymore dhe i dha pavdekësinë. Jo vetëm kaq, por Perëndia i dha edhe «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit», që t’i përdorte për të liruar të tjerët prej varrit të përbashkët të njerëzimit dhe nga ndikimet e mëkatit të Adamit. Duke pasur këto çelësa, Jezui mund t’i ngrerë ithtarët e tij besnikë nga vdekja. Kur e bën këtë, u jep pjesëtarëve të kongregacionit të tij të mirosur prej frymës, dhuratën e çmueshme të jetës së përhershme në qiej, ashtu si Ati i tij ka bërë me të.—Rom. 6:5; Filip. 3:20, 21.
9. Kur ka filluar ringjallja e të krishterëve të mirosur besnikë?
9 Kur do të fillonte kjo ringjallje e të krishterëve besnikë të mirosur? Ajo tashmë ka filluar. Apostulli Pavël shpjegon se ata do të ngriheshin «gjatë pranisë së Krishtit», prani që ka filluar në 1914-ën. (1. Kor. 15:23) Tani, kur këta të mbarojnë jetën e tyre tokësore, nuk duhet të presin në vdekje kthimin e Zotërisë së tyre. Sapo vdesin, ngrihen në frymë, duke u «ndryshuar në një moment, sa hap e mbyll sytë». Janë me të vërtetë të lumtur, sepse «gjërat që bëjnë shkojnë drejtpërdrejt me ta»!—1. Kor. 15:51, 52; Zbul. 14:13.
10. Cila ringjallje tjetër do të jetë dhe kur do të fillojë?
10 Por ringjallja e tyre nuk është e vetmja. Fakti që është quajtur «ringjallja e parë» tregon se duhet të pasojë një tjetër. (Zbul. 20:6) Ata që përfitojnë këtë ringjallje të fundit, do të kenë perspektivën e lumtur që të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore. Kur do të ndodhë kjo? Libri i Zbulesës tregon se ajo do të ndodhë pasi të eliminohen «toka dhe qielli» i sistemit të tanishëm të lig të gjërave. Ky fund i sistemit të vjetër është shumë afër. Pas kësaj, në kohën e vendosur nga Perëndia, do të fillojë ringjallja tokësore.—Zbul. 20:11, 12.
11. Kush do të përfshihet midis besnikëve që do të ringjallen për të jetuar në tokë dhe përse bëhet fjalë për një perspektivë entuziazmuese?
11 Kush do të përfshihet në të? Shërbëtorët besnikë të Jehovait që nga kohët më të largëta. Mes tyre do të jenë njerëzit që, duke pasur një besim të fortë në ringjalljen, «nuk pranuan lirimin nëpërmjet ndonjë pagese», domethënë nuk bënë kompromise për sa i përket integritetit të tyre përpara Perëndisë për t’iu shmangur një vdekjeje të dhunshme. (Hebr. 11:35) Çfarë gëzimi do të jetë mundësia për t’i njohur personalisht ata dhe për të dëgjuar drejtpërdrejt ndodhitë e tyre të veçanta, të raportuara shkurtimisht në Bibël. Ndërmjet të tjerëve do të jetë Abeli, dëshmitari i parë besnik i Jehovait. Do të jenë Enohu dhe Noeja, lajmëtarët e guximshëm të mesazhit paralajmërues të Perëndisë para Përmbytjes. Abrahami që priti engjëjt. Moisiu, nëpërmjet të cilit u dha Ligji mbi malin Sinai. Profetët e guximshëm si Jeremia, që pa shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 607 p.e.s. dhe Gjon Pagëzori, që dëgjoi vetë Perëndinë të identifikonte Jezuin si Birin e Tij. Do të jenë edhe shërbëtorët besnikë të vdekur gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi.—Hebr. 11:4-38; Mat. 11:11.
12. (a) Sa prej të vdekurve që gjenden në Hades do të ringjallen? (b) Kush do të përfshihet, pra dhe përse?
12 Me kohë, do të ringjallen edhe të tjerë. Masa në të cilën Jezui do të përdorë «çelësat e Hadesit» në favor të njerëzimit u tregua në një vizion që iu dha apostullit Gjon, në të cilin ai pa Hadesin «të flakur në liqenin e zjarrtë». Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se ai do të shkatërrohet; nuk do të ekzistojë më, sepse do të jetë krejt i zbrazur. Pra, përveç ringjalljes së adhuruesve besnikë të Jehovait, Jezui me mëshirë do të nxjerrë prej Hadesit ose Sheolit edhe personat e padrejtë. Asnjë prej tyre nuk do të ringjallet për t’u gjykuar përsëri me vdekje të merituar. Në ambientin e drejtë që do të ekzistojë në Mbretërinë e Perëndisë, ata do të ndihmohen që të vënë jetën e tyre në harmoni me rrugët e Jehovait. Në vizion u pa «rrotulla e jetës» e hapur dhe ata do të kenë rastin të fusin në të emrat e tyre. Do të «gjykohen personalisht sipas veprave të tyre», që do të kryejnë pas ringjalljes. (Zbul. 20:12-14; Veprat 24:15) Prandaj, e parë nga këndvështrimi i rezultatit final, ringjallja e tyre mund të jetë një «ringjallje jete» dhe jo detyrimisht një «ringjallje [dënimi] gjykimi».—Gjoni 5:28, 29.
13. (a) Kush nuk do të ringjallet? (b) Si duhet të ndikojë mbi jetën tonë fakti i njohjes së të vërtetës rreth ringjalljes?
13 Natyrisht, jo të gjithë ata që kanë jetuar do të ringjallen. Disa kanë kryer faje të pafalshme. Ata që do të ekzekutohen në «mjerimin e madh», që tani është afër, do të jenë midis atyre që do të marrin shkatërrimin e përhershëm. (Mat. 12:31, 32; 23:33; 24:21, 22; 25:41, 46; 2. Sel. 1:6-9) Prandaj, edhe nëse do të tregohet mëshirë e jashtëzakonshme, duke i liruar të gjithë ata që janë në Hades, ringjallja nuk është një shkak për të qenë indiferentë rreth mënyrës se si jetojmë tani. Përkundrazi, duhet të jetë një motiv, për të treguar mirënjohje të thellë për këtë dashamirësi me të vërtetë të pamerituar të Perëndisë.
Të forcuar prej shpresës së ringjalljes
14. Si mund të jetë ringjallja burim i një force të madhe për personin që është afër fundit të jetës së tij të tanishme?
14 Ata që ushqejnë shpresën e ringjalljes, mund të marrin prej saj forcë të madhe. Kur afrohen në fund të jetës së tyre, e dinë se nuk mund ta largojnë vdekjen në kohë të pakufishme, pavarësisht nga ndjekja e kurave mjekësore. (Eklis. 8:8) Nëse kanë qenë të angazhuar në veprën e Zotërisë dhe kanë shërbyer besnikërisht me organizatën e tij, mund të shikojnë me siguri të plotë në të ardhmen. E dinë që në kohën e vendosur prej Perëndisë do të kthehen në jetë nëpërmjet ringjalljes. Dhe çfarë jete do të jetë! «Jetë e vërtetë», siç e quajti apostulli Pavël.—1. Tim. 6:19; 1. Kor. 15:58; Hebr. 6:10-12.
15. Nëse jemi të kërcënuar nga persekutues të dhunshëm, çfarë mund të na ndihmojë për të ruajtur integritetin përpara Jehovait?
15 Ajo që na lejon të jemi të fortë nuk është vetëm njohuria që ka një ringjallje, por njohja e Atij që është Burimi i kësaj mase. Kjo do të na forcojë për t’i qenë besnikë Perëndisë edhe nëse persekutuesit e dhunshëm do të na kërcënonin me vdekje. Prej shumë kohësh, Satanai ka përdorur frikën prej vdekjes së parakohshme si një mjet për të mbajtur njerëzit në skllavëri. Por Jezui nuk ra në një frikë të tillë; ai u tregua besnik ndaj Jehovait deri në vdekje. Nëpërmjet vdekjes së tij, ai dha mjetin për çlirimin e të tjerëve nga një frikë e tillë. (Hebr. 2:14, 15) Si rezultat i besimit të tyre në këtë masë, ithtarët e tij të vërtetë kanë bërë një emër të jashtëzakonshëm si persona që ruajnë integritetin. Nën presione, kanë treguar se «nuk e duan shpirtin e tyre» më shumë se Jehovain. (Zbul. 12:11) Në mënyrë të mençur, nuk kërkojnë të shpëtojnë jetën e tyre të tanishme, duke braktisur parimet e krishtere, gjë që do të bënte të humbisnin perspektivën e jetës së përhershme. (Luka 9:24, 25) A e ke këtë lloj besimi? Mund ta kesh nëse e do me të vërtetë Jehovain dhe e ke vënë në zemër atë që do të thotë për ty shpresa e ringjalljes.
Pyetje për përsëritje
● Përse para se të mund të kuptojë mësimin e ringjalljes një person ka nevojë të kuptojë se çfarë është shpirti dhe cila është gjendja e të vdekurve?
● Kush prej të vdekurve do të kthehet? Si duhet të ndikojë mbi ne fakti i njohjes së këtyre gjërave?
● Si na forcon shpresa e ringjalljes?