«Ngjeshuni me përulësi mendjeje»
«Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1. PJETRIT 5:5, BR.
1, 2. Cilat janë dy prirje të kundërta mendore që kanë një efekt të thellë mbi sjelljen e njerëzve?
NDËR prirjet e ndryshme mendore drejt të cilave Fjala e Perëndisë na tërheq vëmendjen, janë edhe dy të kundërta. Që të dyja këto kanë një efekt të thellë mbi sjelljen e njerëzve. Njëra prej tyre përshkruhet si «përulësi mendjeje». (1. Pjetrit 5:5, BR) Një fjalor e përshkruan këtë shprehje kështu: «I përulur në sjellje ose në frymë, i lirë nga krenaria tepër e sigurt në vetvete». Sipas pikëpamjes së Perëndisë, përulësia e mendjes është një cilësi shumë e dëshirueshme.
2 Prirja e kundërt mendore është krenaria. Kjo përkufizohet si «një vlerësim i tepruar për veten», si «mospërfillëse». Ajo është egocentrike dhe kërkon avantazhet materiale dhe egoiste, pa marrë parasysh efektet negative që mund të ketë mbi të tjerët. Bibla përmend një pasojë: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» Ajo thotë se ‘smira që kanë njëri kundër tjetrit’ është «një përpjekje për të kapur erën», sepse në vdekje njeriu ‘nuk mund të marrë gjë me vete’. Një krenari e tillë është shumë e padëshirueshme sipas pikëpamjes së Perëndisë.—Predikuesi (Eklisiastiu) 4:4; 5:15; 8:9.
Fryma që mbizotëron në botë
3. Cila është fryma që mbizotëron në botë?
3 Cila nga dy prirjet mendore karakterizon botën sot? Cila është fryma që mbizotëron në botë? Një botim (World Military and Social Expenditures 1996) vëren: «Asnjë shekull tjetër nuk barazohet me shekullin e 20-të, për nga dokumentimi i dhunës . . . barbare.» Konkurrenca për pushtet politik ose ekonomik, si edhe rivalitetet kombëtare, fetare, fisnore dhe etnike, kanë vrarë mbi 100 milionë njerëz në këtë shekull. Edhe sjellja egocentrike në nivel individual është rritur. Në Chicago Tribune thuhet: «Sëmundjet e shoqërisë përfshijnë dhunën e pamend, abuzimin me fëmijët, divorcin, dehjen, SIDA-n, vetëvrasjen ndër adoleshentët, drogën, bandat e rrugëve, përdhunimin, paligjshmërinë, abortin, pornografinë, . . . gënjeshtrën, mashtrimin, korruptimin politik . . . E drejta dhe e gabuara, si koncepte morale, janë zhdukur.» Prandaj, UN Chronicle paralajmëroi: «Shoqëritë po shpërbëhen.»
4, 5. Si është përshkruar me saktësi fryma e botës në profecitë e Biblës për kohën tonë?
4 Këto kushte janë mbarëbotërore. Është pikërisht siç kishin parathënë profecitë e Biblës për kohën tonë: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë.»—2. Timoteut 3:1-4.
5 Ky është një përshkrim i saktë i frymës që mbizotëron në këtë botë. Kjo frymë është qëndrimi egoist prej uni. Rivaliteti mes kombeve pasqyrohet në rivalitetin mes individëve. Në sportet konkurruese, për shembull, shumë sportistë dëshirojnë të jenë numri një, pavarësisht se sa dhimbje emocionale ose edhe fizike u shkakton kjo gjë të tjerëve. Kjo frymë egoiste nxitet te fëmijët dhe vazhdon në shumë aspekte të jetës si të rritur. Pasojat janë «armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet».—Galatasve 5:19-21.
6. Kush e nxit egoizmin dhe si ndihet Jehovai lidhur me këtë qëndrim mendor?
6 Bibla tregon se fryma egoiste e kësaj bote pasqyron frymën e atij «që është quajtur Djall dhe Satana, që mashtron gjithë dheun». Lidhur me ndikimin e Satanait mbi njerëzit që jetojnë në këto ditë të fundit kritike, Bibla parathotë: «Mjerë ju banorë të tokës . . . sepse zbriti Djalli drejt jush, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka pak kohë.» (Zbulesa 12:9-12) Prandaj, ai dhe demonët që e shoqërojnë i kanë intensifikuar përpjekjet për të nxitur një qëndrim mendor egoist në familjen njerëzore. Por, si ndihet Jehovai lidhur me këtë qëndrim? Fjala e Tij thotë: «Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin.»—Fjalët e urta (Proverbat) 16:5.
Jehovai është me të përulurit
7. Si i konsideron Jehovai të përulurit dhe çfarë u mëson atyre?
7 Nga ana tjetër, Jehovai bekon ata që janë të përulur në mendje. Duke i kënduar Jehovait, mbreti David tha: «Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët, për t’i ulur.» (2. Samuelit 22:1, 28) Prandaj, Fjala e Perëndisë këshillon: «Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut . . . Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.» (Sofonia 2:3) Ata që e kërkojnë me përulësi Jehovain mësohen nga ai që të kultivojnë një frymë krejt të ndryshme nga ajo e kësaj bote. «Ai do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.» (Psalmi 25:9; Isaia 54:13) Kjo rrugë është udha e dashurisë. Ajo bazohet në bërjen e asaj që është e drejtë, në përputhje me standardet e Perëndisë. Sipas Biblës, kjo dashuri e bazuar në parime, «nuk vë në dukje, nuk krekoset, . . . nuk kërkon të sajat». (1. Korintasve 13:1-8) Ajo shfaqet edhe me përulësi mendjeje.
8, 9. (a) Cila është origjina e dashurisë së bazuar në parime? (b) Sa e rëndësishme është të imitojmë dashurinë dhe përulësinë që shfaqi Jezui?
8 Pavli dhe të krishterët e tjerë të shekullit të parë e mësuan këtë lloj dashurie nga mësimet e Jezuit. Kurse Jezui e mësoi nga Ati i tij, Jehovai, për të cilin Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8) Jezui e dinte se vullneti i Perëndisë për të ishte që të jetonte sipas ligjit të dashurisë dhe veproi në këtë mënyrë. (Gjoni 6:38) Ja përse kishte dhembshuri për personat që i merrnin nëpër këmbë, për të varfërit dhe për mëkatarët. (Mateu 9:36) Ai u tha atyre: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra.»—Mateu 11:28, 29.
9 Jezui u tregoi dishepujve të vet rëndësinë e imitimit të dashurisë dhe të përulësisë së tij, kur u tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Ata do të dalloheshin si të ndarë nga kjo botë egocentrike. Ja përse Jezui mundi të thoshte për ithtarët e tij: «[Ata] nuk janë prej botës.» (Gjoni 17:14) Jo, ata nuk e imitojnë frymën krenare dhe egoiste të botës së Satanait. Në vend të kësaj, imitojnë frymën e dashurisë dhe të përulësisë që tregoi Jezui.
10. Çfarë po bën Jehovai me personat e përulur në ditët tona?
10 Fjala e Perëndisë paratha se në këto ditë të fundit, të përulurit do të mblidheshin së bashku në një shoqëri mbarëbotërore që bazohet mbi dashurinë dhe përulësinë. Kështu, në mes të një bote që po bëhet gjithnjë e më tepër krenare, populli i Jehovait shfaq qëndrimin e kundërt: përulësi mendjeje. Ky popull thotë: «Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit [adhurimi i tij i vërtetë, i lartësuar], . . . ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.» (Isaia 2:2, 3) Dëshmitarët e Jehovait formojnë këtë shoqëri mbarëbotërore që ecën në shtigjet e Perëndisë. Ata përbëjnë ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numërojë, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve’, e cila është gjithnjë në rritje. (Zbulesa 7:9) Kjo shumicë e madhe, tani është e përbërë prej miliona njerëzve. Si i stërvit Jehovai ata për të qenë të përulur?
Mësojnë të jenë të përulur në mendje
11, 12. Si shfaqin shërbëtorët e Perëndisë përulësi mendjeje?
11 Fryma e Perëndisë, e cila vepron te populli i tij i gatshëm, i aftëson ata që të mësojnë të mundin frymën e keqe të botës dhe, gjithashtu, të shfaqin frytet e frymës së Perëndisë. Këto fryte janë «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Galatasve 5:22, 23, BR) Si ndihmë për të zhvilluar këto cilësi, shërbëtorët e Jehovait këshillohen që të mos bëhen «mburravecë, duke provokuar [duke nxitur konkurrencën me njëri-tjetrin, BR] dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin». (Galatasve 5:26) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël tha: «Unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë.»—Romakëve 12:3.
12 Fjala e Perëndisë u thotë të krishterëve të vërtetë që të ‘mos bëjnë asgjë për rivalitet, as për mendjemadhësi, por me përulësi mendjeje, secili ta çmojë tjetrin [shërbëtorët e tjerë të Perëndisë] më shumë se vetveten. Të mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe për atë të të tjerëve’. (Filipianëve 2:3, 4) «Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.» (1. Korintasve 10:24) Po, «dashuria ndërton» të tjerët, me fjalë dhe veprime jo egoiste.(1. Korintasve 8:1) Ajo nxit bashkëpunimin dhe jo konkurrencën. Fryma e unit nuk ka vend mes shërbëtorëve të Jehovait.
13. Pse përulësia e mendjes duhet mësuar dhe si e mëson atë një person?
13 Megjithatë, për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, ne nuk kemi lindur me përulësi mendjeje. (Psalmi 51:5) Kjo cilësi duhet mësuar. Një gjë e tillë mund të jetë e vështirë për ata të cilëve nuk u janë mësuar udhët e Jehovait që nga fëmijëria, por që i kanë pranuar ato më vonë në jetë. Ata e kanë formuar tashmë personalitetin e tyre mbi bazën e qëndrimeve të kësaj bote të vjetër. Prandaj, u duhet të mësojnë të ‘zhveshin personalitetin e vjetër, i cili konformohet me sjelljen [e tyre] të mëparshme’ dhe të ‘veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri’. (Efesianëve 4:22, 24, BR) Me ndihmën e Perëndisë, njerëzit e sinqertë mund të bëjnë atë që ai kërkon prej tyre: «Vishuni, pra, me dhembshuri të brendshme, mirësi, përulësi, zemërbutësi dhe me durim.»—Kolosianëve 3:12.
14. Në ç’mënyrë foli Jezui kundër dëshirës për të lartësuar veten?
14 Dishepujve të Jezuit iu desh ta mësonin këtë. Ata ishin të rritur kur u bënë dishepujt e tij dhe kishin brenda tyre një masë të frymës së rivalitetit që ekziston në botë. Kur nëna e dy prej tyre kërkoi që bijtë e saj të bëheshin të shquar, Jezui tha: «Të parët e kombeve i sundojnë ata [popujt] dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ta. Por midis jush nuk do të ndodhë kështu, madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut [Jezui] nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.» (Mateu 20:20-28) Kur u tha dishepujve të vet që të mos përdornin tituj në përpjekje për të lartësuar veten, Jezui shtoi: «Ju të gjithë jeni vëllezër.»—Mateu 23:8.
15. Çfarë qëndrimi duhet të kenë ata që synojnë pozitën si mbikëqyrës?
15 Një ithtar i vërtetë i Jezuit është një shërbëtor, po, një skllav për të bashkëkrishterët. (Galatasve 5:13) Kjo vlen veçanërisht për ata që duan të kualifikohen për mbikëqyrjen në kongregacion. Ata nuk duhet të konkurrojnë kurrë për t’u dukur ose për pushtet, nuk duhet të sillen «si zotëronjës mbi ata që u janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën». (1. Pjetrit 5:3) Në fakt, fryma egoiste që shfaq një person është një tregues se ai nuk është i përshtatshëm për të mbikëqyrur. Një person i tillë do të ishte i dëmshëm për kongregacionin. Vërtet, është e përshtatshme të ‘kesh synim pozitën si mbikëqyrës’, por ky synim duhet të lindë nga dëshira për t’u shërbyer të krishterëve të tjerë. Kjo pozitë nuk është për t’u dukur ose për pushtet, pasi ata që mbikëqyrin duhet të jenë mes personave më të përulur në mendje në kongregacion.—1. Timoteut 3:1, 6, BR.
16. Pse denoncohet Diotrefi në Fjalën e Perëndisë?
16 Apostulli Gjon na e drejton vëmendjen drejt një personi që kishte pikëpamje të gabuar, duke thënë: «I shkrova diçka kongregacionit, por Diotrefi, i cili dëshiron të ketë vendin e parë ndër ta, nuk pret asgjë prej nesh me respekt.» Ky burrë i trajtonte pa respekt të tjerët, në përpjekje për të rritur pozitën e vet. Në vend të kësaj, fryma e Perëndisë e shtyu Gjonin që të përfshinte në Bibël një denoncim ndaj Diotrefit, për shkak të qëndrimit të tij prej uni.—3. Gjonit 9, 10, BR.
Qëndrimi i duhur
17. Si shfaqën përulësi mendjeje Pjetri, Pavli dhe Barnaba?
17 Bibla ka shumë shembuj të qëndrimit të duhur, me përulësi mendjeje. Kur Pjetri hyri në shtëpinë e Kornelit, ky i fundit «i ra ndër këmbë [Pjetrit] dhe i dha nderim». (BR) Por në vend që të pranonte këtë nderim, «Pjetri e ngriti, duke thënë: ‘Çohu, edhe unë jam një njeri’». (Veprat 10:25, 26) Kur ishte së bashku me Barnabën në Listra, Pavli shëroi një njeri që kishte lindur i paralizuar. Si rezultat, turma tha se këta apostuj ishin perëndi. Megjithatë, Pavli dhe Barnaba «grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë: ‘O burra pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju’». (Veprat 14:8-15) Këta të krishterë të përulur nuk pranonin lavdi prej njerëzve.
18. Çfarë i tha një engjëll i fuqishëm Gjonit, duke treguar përulësinë e vet?
18 Kur apostullit Gjon iu dha «zbulesa e Je zu Krishtit», kjo iu transmetua me anë të një engjëlli. (Zbulesa 1:1) Duke ditur fuqinë që kanë engjëjt, mund ta kuptojmë se përse Gjoni u mahnit, pasi një engjëll i vetëm vrau 185.000 asirianë brenda një nate. (2. Mbretërve 19:35) Gjoni tregon: «Kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m’i tregonte këto gjëra. Dhe ai më tha: ‘Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu . . . Adhuro Perëndinë!’» (Zbulesa 22:8, 9) Çfarë përulësie mendjeje tregoi ky engjëll i fuqishëm!
19, 20. Vër në kontrast kryelartësinë e gjeneralëve fitimtarë romakë me përulësinë e mendjes që tregoi Jezui.
19 Jezui ishte shembulli më i shkëlqyer nga të gjithë, për sa i përket përulësisë së mendjes. Ai ishte Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Mbreti i ardhshëm i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Kur iu prezantua njerëzve si i tillë, ai nuk e bëri këtë si gjeneralët fitimtarë të kohëve të Romës. Këtyre të fundit u bëheshin parada ose procesione kolosale dhe ata vetë u hipnin karrocave të stolisura me ar dhe fildish, të tërhequra nga kuaj të bardhë ose edhe nga elefantë, luanë a tigra. Në procesione kishte muzikantë që këndonin këngë fitoreje, si edhe qerre të ngarkuara me plaçka lufte dhe platforma të mëdha, mbi të cilat demonstroheshin skenat e betejës. Kishte edhe mbretër, princa dhe gjeneralë robër, së bashku me familjet e tyre, shpesh të zhveshur lakuriq për t’i poshtëruar. Ngjarjet dëshmonin sheshit për krenarinë dhe kryelartësinë që mbizotëronte.
20 Ta vëmë në kontrast këtë skenë me mënyrën në të cilën Jezui ofroi vetveten. Ai ishte i gatshëm për t’iu nënshtruar me përulësi përmbushjes së profecisë së thënë për të, e cila parathoshte: «Ja! Mbreti yt po të vjen, ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar.» Me përulësi, ai hipi në një kafshë ngarkese, jo në një karrocë të tërhequr nga kafshë madhështore parade. (Zaharia 9:9; Mateu 21:4, 5) Sa të lumtur janë njerëzit e përulur që në botën e re, Mbreti i caktuar i Jehovait mbi gjithë tokën do të jetë Jezui, një person që është vërtet i përulur në mendje, i dashur, i dhembshur, i mëshirshëm!—Isaia 9:6, 7; Filipianëve 2:5-8.
21. Çfarë nuk tregon përulësia e mendjes?
21 Fakti që Jezui, Pjetri, Pavli dhe burra e gra të tjera me besim në kohët biblike ishin të përulur në mendje, e përjashton idenë se përulësia është dobësi. Përkundrazi, ajo tregon forcë karakteri, sepse këta persona ishin të guximshëm dhe të zellshëm. Me një forcë të madhe mendore dhe morale, ata duruan sprova të rënda. (Hebrenjve, kapitulli 11) Po kështu edhe sot, kur shërbëtorët e Jehovait janë të përulur në mendje, ata kanë një forcë të ngjashme, sepse Perëndia i mbështet të përulurit me frymën e tij të shenjtë të fuqishme. Kështu, na jepet nxitja: «Ngjeshuni me përulësi mendjeje, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.»—1. Pjetrit 5:5, 6, BR; 2. Korintasve 4:7.
22. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
22 Ekziston edhe një aspekt tjetër pozitiv i përulësisë së mendjes, të cilin shërbëtorët e Perëndisë duhet ta vënë në praktikë. Ky aspekt i kontribuon shumë ndërtimit të frymës së dashurisë dhe të bashkëpunimit nëpër kongregacione. Në fakt, ai është një përbërës thelbësor i përulësisë së mendjes. Ky aspekt do të trajtohet në artikullin vijues.
Rishikim
◻ Përshkruaj frymën që mbizotëron në këtë botë.
◻ Si tregon favor Jehovai ndaj atyre që kanë përulësi mendjeje?
◻ Pse përulësia e mendjes duhet mësuar?
◻ Cilët janë disa shembuj biblikë të individëve që shfaqën përulësi mendjeje?
[Figura në faqen 15]
Engjëlli i tha Gjonit: «Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt.»