LEA
[ndoshta lidhet me një fjalë në gjuhën akadiane që do të thotë «lopë» ose me një fjalë në arabisht që do të thotë «lopë e egër»].
Vajza e madhe e Labanit, nipit të vëllait të Abrahamit. Labani ishte vëllai i Rebekës, nënës së Jakobit, kështu Lea ishte kushërirë e Jakobit. (Zn 22:20-23; 24:24, 29; 29:16) Lea nuk ishte e bukur si motra e saj e vogël, Rakela; është cilësuar në veçanti se sytë e saj ishin të shuar ose të pajetë (të mekur). (Zn 29:17) Në Lindje, sytë plot jetë ose shkëlqim konsiderohen si shenjë bukurie.—Krahaso Kng 1:15; 4:9; 7:4.
Lea u bë gruaja e parë e Jakobit sepse, natën, Labani e mashtroi Jakobin duke i dhënë për grua Lean në vend të Rakelës, që ai e donte. Jakobi protestoi për këtë mashtrim, por Labani ngulte këmbë se nuk ishte zakon të martohej vajza e vogël para së madhes. Lea mund të ketë ndjekur zakonin e lashtë të Lindjes, sipas të cilit nusja e ardhshme duhej të mbulohej nga koka të këmbët me një vel, gjë që pa dyshim bëri që mashtrimi të kishte sukses. Jakobi kishte shërbyer shtatë vjet duke mbajtur në mendje Rakelën, por në fakt i dhanë Lean. Rakelën e mori pasi bëri një javë martesë me Lean, por iu desh të punonte edhe shtatë vjet të tjerë për të paguar për të.—Zn 29:18-28.
Tregimi thotë se Jakobi «e urrente» Lean. (Zn 29:31, 33, shën.) Por tregon edhe se, pasi e mori më në fund Rakelën, Jakobi ‘e deshi më shumë se Lean’. (Zn 29:30) Pa dyshim, kjo s’do të thotë se Jakobi e urrente Lean me dashaligësi, por se ishte më i përzemërt me Rakelën, të cilën e donte më shumë. Ai vazhdonte të kujdesej për Lean dhe të kishte marrëdhënie me të. Pra, Jakobi «e urrente» Lean në kuptimin që e donte më pak se Rakelën.—Shih URREJTJA.
Lea u bë nëna e shtatë prej fëmijëve të Jakobit: gjashtë djemve, Rubenit, Simeonit, Levit, Judës, Isakarit e Zabulonit, dhe një vajze, Dinës. (Zn 29:32-35; 30:16-21) Ja pse te Rutha 4:11 Lea përmendet bashkë me Rakelën, pasi «ndërtuan që të dyja shtëpinë e Izraelit». Lea pati privilegjin të sillte në jetë Levin, nga i cili erdhi fisi priftëror i Izraelit, dhe Judën, që u bë ati i fisit mbretëror të kombit.
Lea dhe fëmijët e saj shkuan me Jakobin kur ai iku nga Padan-Arami dhe u kthye në Kanaan, në vendlindjen e tij. (Zn 31:11-18) Para se të takohej me Esaun gjatë rrugës, për siguri, ai ia shpërndau fëmijët secilës grua, Leas, Rakelës dhe shërbyeseve të tyre. Të parat vuri shërbyeset dhe fëmijët e tyre, më pas, vuri Lean dhe fëmijët e saj, e në fund Rakelën dhe Jozefin. (Zn 33:1-7) Fëmijët e Leas shkuan me Jakobin në Egjipt, por në tregimin biblik nuk thuhet se shkoi edhe ajo. (Zn 46:15) Koha, vendi dhe rrethanat e vdekjes së saj nuk tregohen, por ka mundësi që të ketë vdekur në Kanaan. Sido të ketë qenë, patriarku e varrosi në varrezën e tyre familjare, në shpellën që ishte në arën e Makpelahut. Jakobi la amanet se kishte dëshirë të varrosej ku ishin varrosur Abrahami me Sarën, Isaku me Rebekën, si dhe Lea.—Zn 49:29-32.