Të projektuar për jetën pa fund
E KUSH nuk do të donte të kishte një jetë të gjatë dhe të lumtur?! Vetëm mendo sa fantastike do të ishte sikur të jetonim përgjithmonë, të lumtur e me shëndet të plotë! Mund të kalonim më shumë kohë me njerëzit tanë të dashur, të shëtitnim botën, të zhvillonim aftësi të reja, të fitonim mençuri dhe të mësonim plot gjëra të tjera që i kemi qejf.
A është jonormale një dëshirë e tillë? Aspak! Shkrimet tregojnë se Zoti na krijoi me këtë dëshirë. (Eklisiastiu 3:11) Thonë edhe se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ndaj, a ka kuptim që ky Perëndi i dashur të na krijonte me dëshirën për të jetuar përgjithmonë nëse do të ishte e pamundur?
Pa diskutim, askush nuk e do vdekjen. Në fakt, Bibla e përshkruan si një ‘armike’ të padëshiruar. (1 Korintasve 15:26) Për disa vjen shpejt, për të tjerë më vonë, por në fund vjen për të gjithë. Mjaft njerëz kanë frikë edhe vetëm ta çojnë nëpër mend vdekjen. A do të mposhtet ndonjëherë kjo armike? A është vërtet e mundur?
PROVA QË NGJALLIN SHPRESË
A do të çuditeshe po të merrje vesh se Perëndia s’ka pasur kurrë si qëllim të vdisnim? Zanafilla, një libër i Biblës, përmban prova se Perëndia kishte si qëllim që njerëzit të jetonin përgjithmonë në tokë. Perëndia Jehova e përgatiti me merak tokën, që njerëzit ta shijonin jetën. Pastaj krijoi njeriun e parë, Adamin, dhe e vuri në një parajsë, një kopsht në Eden. Pas kësaj, «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë».—Zanafilla 1:26, 31.
Adami u krijua i përsosur, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:4) Edhe gruaja e Adamit, Eva, u krijua pa asnjë cen, me mendje e trup të përsosur. Jehovai u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»—Zanafilla 1:28.
Që të mbushnin tokën me pasardhës, duhej kohë. Eva do të lindte fëmijë, të cilët do të lindnin fëmijë, derisa e gjithë toka të banohej sipas qëllimit të Perëndisë. (Isaia 45:18) A do të ishte e arsyeshme që Jehovai t’u ofronte këtë mundësi Adamit dhe Evës, nëse do të jetonin vetëm sa të shihnin fëmijët dhe mbase edhe nipërit e mbesat?
Mendo edhe për detyrën që u ngarkoi Perëndia që të nënshtronin kafshët. Adami duhej t’u vinte emra kafshëve, një punë që s’bëhej sa hap e mbyll sytë. (Zanafilla 2:19) Por, që t’i nënshtronte, duhej t’i studionte dhe të mësonte si të kujdesej për to. Dhe kjo do të donte shumë më tepër kohë.
Ndaj, urdhri që Perëndia i dha çiftit të parë për të mbushur tokën dhe për të nënshtruar kafshët, tregon se ata ishin projektuar që të jetonin goxha gjatë. Në të vërtetë, me Adamin ndodhi kështu.
PERËNDIA KA SI QËLLIM QË NJERËZIT TË JETOJNË PËRGJITHMONË NË NJË PARAJSË TOKËSORE
ATA JETUAN GJATË
Bibla tregon se dikur njerëzit jetonin shumë më tepër se sot. Ajo thotë: «Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet.» Pastaj përmend edhe gjashtë burra të tjerë që jetuan mbi 900 vjet: Seti, Enosi, Kenani, Jaredi, Metuselahu dhe Noeja. Të gjithë jetuan para Përmbytjes së ditëve të Noesë, madje vetë Noeja kishte jetuar 600 vjet para Përmbytjes. (Zanafilla 5:5-27; 7:6; 9:29) Si ka mundësi që jetonin kaq gjatë?
Të gjithë ata jetuan afër kohës kur njerëzit ishin të përsosur. Ka mundësi që kjo të ishte arsyeja pse jetuan kaq gjatë. Por, si lidhet përsosmëria me jetëgjatësinë? Dhe si do të mposhtet vdekja? Që të gjejmë përgjigjet, në fillim duhet të kuptojmë pse plakemi dhe vdesim.