«Septuaginta»—E dobishme në të kaluarën dhe në të tashmen
NJË etiopas, një njeri me influencë, po udhëtonte nga Jerusalemi për në shtëpi. Teksa po udhëtonte me karrocën e tij në një rrugë të shkretë, po lexonte me zë një rrotull fetare. Shpjegimi i fjalëve që lexoi i bëri kaq shumë përshtypje, saqë nga ai çast e më pas jeta e tij ndryshoi. (Veprat 8:26-38) Burri kishte qenë duke lexuar Isainë 53:7, 8 pikërisht nga përkthimi i parë i Biblës—Septuaginta Greke. Kjo vepër ka luajtur një rol kaq të rëndësishëm për të përhapur mesazhin biblik gjatë shekujve, saqë ajo është quajtur një përkthim i Biblës që ndryshoi botën.
Kur dhe në ç’rrethana u përgatit Septuaginta? Pse nevojitej ky përkthim? Sa e dobishme ka qenë gjatë shekujve? Nëse ka diçka që Septuaginta mund të na mësojë sot, çfarë na mëson ajo?
E bërë për judenjtë që flitnin greqisht
Në vitin 332 p.e.s., kur Aleksandri i Madh marshoi në Egjipt, pasi kishte shkatërruar qytetin fenikas Tirin, ai u përshëndet si çlirimtar. Atje themeloi qytetin e Aleksandrisë, një qendër mësimi në botën e lashtë. Duke dëshiruar të përhapte kulturën greke te njerëzit që jetonin në vendet e pushtuara, Aleksandri futi greqishten e thjeshtë (koinen) kudo në mbretërinë e tij të paanë.
Në shekullin e tretë p.e.s. Aleksandria u popullua nga një numër i madh judenjsh. Shumë judenj, që pas mërgimit në Babiloni kishin jetuar në koloni të shpërndara jashtë Palestinës, erdhën në Aleksandri. Sa mirë e njihnin gjuhën hebreje këta judenj? Në enciklopedinë (Cyclopedia) e autorëve MekKlinton dhe Strong pohohet: «Dihet mirë se, pasi judenjtë u kthyen nga robëria në Babiloni, duke qenë se në një shkallë të madhe kishin humbur njohjen nga afër të hebraishtes së lashtë, leximet nga librat e Moisiut në sinagogat e Palestinës u shpjegoheshin atyre në gjuhën e kaldeasve. . . . Judenjtë e Aleksandrisë ndoshta kishin edhe më pak njohuri për hebraishten; gjuha që njihnin nga afër ata ishte greqishtja aleksandrine.» Me sa duket, në Aleksandri ishte atmosfera e përshatshme për një përkthim të Shkrimeve Hebraike në greqisht.
Aristobuli, një jude që jetoi në shekullin e dytë p.e.s., shkroi se një version i ligjit hebraik u përkthye në greqisht dhe u përfundua gjatë mbretërimit të Ptoleme Filadelfusit (285-246 p.e.s.). Ka mendime të ndryshme në lidhje me atë që donte të thoshte Aristobuli me fjalën ‘ligj’. Disa mendojnë se ai thjesht po i referohej Pentateukut, kurse të tjerë thonë se ndoshta ai kishte ndër mend të gjitha Shkrimet Hebraike.
Sidoqoftë, sipas traditës thuhet se rreth 72 dijetarë judenj morën pjesë në atë përkthim të Shkrimeve nga hebraishtja në gjuhën greke, e që ishte i pari përkthim i shkruar. Më vonë filloi të përdorej shifra e rrumbullakosur 70. Për këtë arsye ky përkthim u quajt Septuaginta. Kjo fjalë bazohet në një fjalë latine që do të thotë «shtatëdhjetë» dhe paraqitet me LXX, pra, shifrat romake për numrin 70. Aty nga fundi i shekullit të dytë p.e.s., të gjithë librat e Shkrimeve Hebraike mund të lexoheshin në greqisht. Kështu, emri Septuaginta u referohej gjithë Shkrimeve Hebraike, të përkthyera në greqisht.
E dobishme në shekullin e parë
Septuaginta u përdor gjerësisht nga judenjtë që flitnin greqisht para dhe gjatë kohës së Jezu Krishtit dhe apostujve të tij. Shumë nga judenjtë dhe prozelitët që u mblodhën në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., ishin nga krahinat e Azisë, Egjiptit, Libisë, Romës dhe Kretës—zona ku njerëzit flitnin greqisht. Pa dyshim, zakonisht ata lexonin nga Septuaginta. (Veprat 2:9-11) Kështu, ky përkthim pati ndikim të madh për të përhapur lajmin e mirë në shekullin e parë.
Për shembull, kur po fliste me njerëzit nga Kirena, Aleksandria, Kilikia dhe Azia, dishepulli Stefan tha: «Jozefi dërgoi dhe thirri Jakobin, atin e tij, bashkë me gjithë farefisin nga ai vend [Kanaani], gjithsej shtatëdhjetë e pesë shpirtra.» (Veprat 6:8-10; 7:12-14) Teksti hebraik në kapitullin 46 të Zanafillës thotë se numri i të afërmve të Jozefit ishte shtatëdhjetë. Por Septuaginta përdor numrin shtatëdhjetë e pesë. Me sa duket, Stefani citoi nga Septuaginta.—Zanafilla 46:20, 26, 27.
Teksa apostulli Pavël udhëtonte përmes Azisë së Vogël dhe Greqisë, gjatë udhëtimit të tij të dytë dhe të tretë misionar u predikoi shumë johebrenjve që i frikësoheshin Perëndisë dhe ‘grekëve që adhuronin Perëndinë’. (Veprat 13:16, 26; 17:4) Këta njerëz kishin arritur t’i frikësoheshin Perëndisë ose ta adhuronin atë, sepse kishin marrë njëfarë njohurie për të nga Septuaginta. Duke u predikuar këtyre njerëzve që flitnin greqisht, Pavli shpesh citoi ose parafrazoi pjesë nga ky përkthim.—Zanafilla 22:18; Galatasve 3:8.
Shkrimet e Krishtere Greke përmbajnë gati 320 citime të drejtpërdrejta dhe ndoshta një numër të përgjithshëm prej 890 citimesh e referimesh nga Shkrimet Hebraike. Shumica e tyre bazohen te Septuaginta. Si rrjedhim, citimet e marra nga ky përkthim dhe jo nga dorëshkrimet hebraike u bënë pjesë e Shkrimeve të Krishtere Greke të frymëzuara. Sa domethënës që ishte ky fakt! Jezui kishte parathënë se lajmi i mirë i Mbretërisë do të predikohej në gjithë tokën e banuar. (Mateu 24:14) Për të përmbushur këtë, Jehovai do të lejonte që Fjala e tij e frymëzuar të përkthehej në gjuhët e ndryshme që lexojnë njerëzit në mbarë botën.
E dobishme sot
Septuaginta vazhdon të jetë e vlefshme sot dhe ndihmon për të zbuluar gabimet e kopistëve, të cilat mund të kenë depërtuar pa u vënë re në dorëshkrimet hebraike, të kopjuara në data të mëvonshme. Për shembull, në tregimin te Zanafilla 4:8, BR lexohet: «Pas kësaj, Kaini i tha Abelit, të vëllait: ‘Le të shkojmë në fushë.’ Kështu, ndërsa ishin në fushë, Kaini e sulmoi vëllanë e tij Abelin dhe e vrau.»
Shprehja ‘le të shkojmë në fushë’ nuk gjendet në dorëshkrimet hebraike që datojnë nga shekulli i dhjetë i e.s. Megjithatë, ajo është futur në dorëshkrimet më të vjetra të Septuagintës dhe në disa referime të tjera të hershme. Në tekstin hebraik është fjala që zakonisht tregon se do të ketë një bisedë, por megjithatë më pas nuk ka asnjë fjalë tjetër. Çfarë mund të ketë ndodhur? Duke qenë se në hebraisht të dyja fjalitë që pasojnë njëra-tjetrën e që përfundojnë me shprehjen «në fushë», në enciklopedinë (Cyclopedia) e autorëve MekKlintok dhe Strong hidhet ideja: «Syri i kopistit hebre ndoshta u mashtrua nga fjala [e njëjtë] . . . duke i përfunduar të dyja fjalitë.» Kështu kopisti ndoshta e ka kapërcyer pjesën e fjalisë që përfundon me shprehjen ‘le të shkojmë në fushë’ kur kjo del herën e parë. Qartë, Septuaginta, ashtu si edhe dorëshkrime të tjera më të vjetra që gjenden ende, mund të jetë e dobishme për të dalluar gabimet në kopjet e mëvonshme të tekstit hebraik.
Nga ana tjetër, edhe disa kopje të Septuagintës kanë gabime dhe ndonjëherë teksti hebraik përdoret si baza për të ndrequr tekstin në greqisht. Në këtë mënyrë krahasimi i dorëshkrimeve hebraike me ato në greqisht dhe me përkthime në gjuhë të tjera bën që të gjenden gabime në përkthim, si edhe të kopistëve dhe na siguron që Fjala e Perëndisë jepet e saktë.
Kopjet e plota të Septuagintës që ekzistojnë sot datojnë që nga shekulli i katërt i e.s. Këto dorëshkrime dhe kopje të mëvonshme nuk e kanë emrin hyjnor, Jehova, që paraqitet me Tetragramin ( JHVH ) në hebraisht. Këto kopje e kanë zëvendësuar me fjalët greke që përdoren për «Perëndi» dhe «Zotëri» kudo që ndodhej Tetragrami në tekstin hebraik. Gjithsesi, një zbulim në Palestinë afro 50 vjet më parë hodhi dritë mbi këtë çështje. Një skuadër që po eksploronte disa shpella pranë bregut perëndimor të Detit të Vdekur gjeti fragmente nga një rrotull e lashtë lëkure, që u përkiste 12 profetëve (nga Hozea deri te Malakia), të shkruara në greqisht. Këto shkrime datonin nga vitet 50 p.e.s. deri 50 të e.s. Në këto fragmente, më të hershme se ato që janë përmendur në hyrje të paragrafit, Tetragrami nuk është zëvendësuar me fjalët greke që përdoren për «Perëndi» dhe «Zotëri». Prandaj u dëshmua përdorimi i emrit hyjnor në përkthimin e hershëm të Shkrimeve, pra, në Septuagintë.
Në vitin 1971 u dha leja për botimin e fragmenteve të një rrotulle të lashtë papirusi (Fouad 266 papyri). Çfarë zbuluan këto pjesë të Septuagintës që datojnë në shekullin e dytë ose të parë p.e.s.? Emri hyjnor ishte ruajtur edhe në to. Këto fragmente të hershme të Septuagintës sigurojnë dëshmi të fuqishme se Jezui dhe dishepujt e tij të shekullit të parë e njihnin dhe e përdornin emrin e Perëndisë.
Sot Bibla është libri më i përkthyer në histori. Më shumë se 90 për qind e familjes njerëzore kanë mundësi që të lexojnë në gjuhën e tyre të paktën disa pjesë të saj. Jemi veçanërisht mirënjohës për një përkthim të saktë në gjuhën moderne, pra, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, që tani është në dispozicion i plotë ose pjesërisht në më shumë se 40 gjuhë. Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta—Me Referime përmban qindra shënime të marra nga Septuaginta dhe nga dorëshkrime të tjera të lashta. Vërtet, Septuaginta vazhdon të jetë me interes dhe me vlerë për studentët e Biblës në ditët tona.
[Figura në faqen 26]
Dishepulli Filip shpjegoi një pjesë që ishte lexuar nga «Septuaginta»
[Figurat në faqen 29]
Apostulli Pavël shpesh citoi nga «Septuaginta»