-
«Perëndia i miratoi» dhuratat e tyreJehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
Abeli lë shembullin
10. Pse Abeli është një shembull për sa i përket adhurimit të pastër?
10 Abeli ia paraqiti flijimin Jehovait, pasi e dinte se Ai është i vetmi person i denjë për t’u adhuruar. Veç kësaj, dhurata ishte e cilësisë më të lartë—Abeli zgjodhi ‘disa pjella të para të kopesë’. Edhe pse Bibla nuk tregon nëse e paraqiti në një altar flijimin, është më se e qartë se e ofroi në mënyrë të pranueshme. Por, ajo që spikat te dhurata e Abelit është motivi pse e paraqiti. Ja pse shembulli i tij «flet» ende pas 6.000 vjetësh. Abeli u motivua nga besimi te Perëndia dhe nga dashuria për standardet e drejta të Jehovait. Nga e dimë këtë?
11. Pse Jezui e përshkroi Abelin si njeri të drejtë?
11 Si fillim, le të shohim si u shpreh Jezui për Abelin. Jezui e kishte veçanërisht për zemër këtë fëmijë të Adamit: e njihte mirë, sepse e kishte parë nga qielli. (Prov. 8:22, 30, 31; Gjoni 8:58; Kolos. 1:15, 16) Si dëshmitar okular, Jezui mund të thoshte me plot gojën se Abeli ishte njeri i drejtë. (Mat. 23:35) Një njeri i drejtë e pranon se i takon Jehovait të vendosë standardet e së drejtës dhe të së gabuarës. Por jo vetëm kaq. Ai tregon me fjalë e me vepra se jeton sipas këtyre standardeve. (Krahaso Lukën 1:5, 6.) Duhet kohë që të fitosh reputacionin si njeri i drejtë. Prandaj Abeli duhet të jetë njohur si njeri që jetonte në harmoni me standardet e Jehovait që para se të paraqiste flijimin. Mendo sa e vështirë duhet të ketë qenë kjo! Vëllai i madh s’ishte aspak shembull pozitiv—zemra e Kainit ishte bërë e ligë. (1 Gjon. 3:12) E ëma kishte shkelur një urdhër që vinte drejtpërdrejt nga Perëndia. I ati ishte rebeluar kundër Jehovait, sepse donte të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. (Zan. 2:16, 17; 3:6) Pra, Abeli u tregua shumë i guximshëm, duke zgjedhur një rrugë krejt ndryshe nga ajo e familjes.
12. Cili ishte ndryshimi kryesor mes Kainit dhe Abelit?
12 Veç kësaj, shiko se çfarë tha Pavli për lidhjen që ekziston mes besimit dhe drejtësisë. Ai shkroi: «Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se i Kainit, e nëpërmjet këtij besimi mori dëshmi se ishte i drejtë.» (Hebr. 11:4) Këto fjalë të Pavlit tregojnë se, ndryshe nga Kaini, Abeli u motivua gjithë jetën nga besimi i sinqertë te Jehovai dhe te mënyra si vepron Ai.
13. Çfarë na mëson shembulli i Abelit?
13 Shembulli i Abelit na mëson se adhurimi i pastër vjen vetëm nga një zemër me motive të pastra—një zemër që ka besim absolut te Jehovai dhe që i pranon plotësisht standardet e tij të drejta. Për më tepër kuptojmë se adhurimi i pastër nuk është një akt i vetëm përkushtimi. Përkundrazi, përfshin gjithë jetën tonë, çdo aspekt të sjelljes sonë.
-