‘Vazhdo të ecësh në unitet me Krishtin’
«Prandaj, ashtu si keni pranuar Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të.»—KOLOSIANËVE 2:6, BR.
1, 2. (a) Si e përshkruan Bibla jetën e Enokut në shërbimin besimplotë ndaj Jehovait? (b) Si na ka ndihmuar Jehovai të ecim me të, siç e tregon Kolosianëve 2:6, 7?
A KE parë ndonjëherë ndonjë djalë të vogël duke ecur me babain e tij? Vogëlushi imiton çdo lëvizje të babait, me një fytyrë që rrëzëllen nga admirimi; babai e ndihmon, me një fytyrë që i shkëlqen nga dashuria dhe miratimi. Në mënyrë të përshtatshme, Jehovai përdor tamam një imazh të tillë, për të përshkruar një jetë shërbimi besimplotë ndaj tij. Për shembull, Fjala e Perëndisë thotë se burri besimplotë, Enoku, «vazhdoi të ecte me Perëndinë [e vërtetë]».—Zanafilla 5:24; 6:9, BR.
2 Ashtu si një baba i kujdesshëm do ta ndihmonte djalin e tij të vogël të ecte me të, Jehovai na ka dhënë ne ndihmën më të mirë të mundshme. Ai dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur. Në çdo hap të ecjes gjatë jetës këtu në tokë, Jezu Krishti pasqyroi në mënyrë të përsosur Atin e tij qiellor. (Gjoni 14:9, 10; Hebrenjve 1:3) Kështu që, për të ecur me Perëndinë, ne duhet të ecim me Jezuin. Apostulli Pavël shkroi: «Prandaj, ashtu si e keni pranuar Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të, të rrënjosur e të ndërtuar në të dhe të stabilizuar në besim, ashtu siç ju është mësuar, duke vërshuar me besim në dhënie falënderimesh.»—Kolosianëve 2:6, 7, BR.
3. Sipas Kolosianëve 2:6, 7, pse mund të themi se në ecjen në unitet me Krishtin përfshihet më shumë sesa thjesht të pagëzohesh?
3 Meqenëse dëshirojnë të ecin në unitet me Krishtin, duke u përpjekur të ndjekin hapat e tij të përsosur, studentët me zemër të ndershme të Biblës pagëzohen. (Luka 3:21; Hebrenjve 10:7-9) Anembanë botës, vetëm në vitin 1997, e ndërmorën këtë hap jetësor mbi 375.000 veta, një mesatare prej më shumë se 1.000 vetash në ditë. Kjo rritje është drithëruese! Megjithatë, fjalët e Pavlit të shkruara në Kolosianëve 2:6, 7, tregojnë se në ecjen në unitet me Krishtin përfshihet më shumë sesa thjesht pagëzimi. Folja greke e përkthyer «vazhdoni të ecni», përshkruan një veprim që duhet të jetë i pandërprerë, progresiv. Më tej, Pavli shton se ecja me Krishtin përfshin katër gjëra: rrënjosjen në Krishtin, ndërtimin në të, stabilizimin në besim dhe vërshimin në dhënie falënderimesh. Le të shqyrtojmë secilën frazë dhe të shohim se si na ndihmon për të vazhduar të ecim në unitet me Krishtin.
A je ‘i rrënjosur në Krishtin’?
4. Çfarë do të thotë të ‘rrënjosesh në Krishtin’?
4 Së pari, Pavli shkruan se ne duhet të jemi ‘të rrënjosur në Krishtin’. (Krahaso Mateun 13:20, 21.) Si mund të punojë një person drejt rrënjosjes në Krishtin? Po ja, rrënjët e një bime janë të fshehura nga shikimi, por janë jetësore për bimën: ato i japin asaj stabilitet dhe e furnizojnë me ushqim. Ngjashëm, shembulli dhe mësimi i Krishtit ndikon te ne, në fillim në mënyrë të padukshme, duke u ngulitur në mendjet dhe në zemrat tona. Atje, ato na ushqejnë dhe na forcojnë. Kur i lejojmë të udhëheqin mënyrën tonë të të menduarit, veprimet dhe vendimet tona, nxitemi për t’ia dedikuar jetën Jehovait.—1. Pjetrit 2:21.
5. Si mund të ‘zhvillojmë një dëshirë të zjarrtë’ për ushqimin frymor?
5 Jezui e donte shumë njohurinë prej Perëndisë. Madje ai e krahasoi atë me ushqimin. (Mateu 4:4) Ja sepse në Predikimin e tij në Mal, ai përdori 21 citime nga tetë libra të ndryshëm të Shkrimeve Hebraike. Që të ndjekim shembullin e tij, duhet të bëjmë ashtu si na nxit apostulli Pjetër, i cili thotë që ‘të zhvillojmë një dëshirë të zjarrtë’ për ushqimin frymor «si foshnja të sapolindura». (1. Pjetrit 2:2, BR) Kur një foshnjë e sapolindur ka dëshirë të zjarrtë për ushqim, nuk lë dyshime për këtë dëshirë të fortë e të zjarrtë. Nëse tani për tani nuk ndihemi në këtë mënyrë në lidhje me ushqimin frymor, fjalët e Pjetrit na inkurajojnë ta «zhvillojmë» këtë dëshirë të zjarrtë. Si? Parimi që gjendet në Psalmin 34:8 mund të na ndihmojë: «Shijoni dhe shihni se Jehovai është i mirë.» (BR) Nëse ‘shijojmë’ rregullisht nga Fjala e Jehovait, Bibla, ndoshta duke lexuar çdo ditë një fragment, do të shohim se kjo është diçka ushqyese dhe e mirë frymësisht. Me kalimin e kohës, dëshira jonë e zjarrtë për të do të rritet.
6. Pse është e rëndësishme të meditojmë mbi atë që lexojmë?
6 Por, është e rëndësishme që pasi ta kemi marrë ushqimin, ta tretim mirë. Kështu që na duhet të meditojmë mbi atë që kemi lexuar. (Psalmi 77:11, 12) Për shembull, ndërsa lexojmë librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, çdo kapitull merr një vlerë edhe më të madhe, nëse ndalemi dhe pyesim veten: ‘Cilin aspekt të personalitetit të Krishtit shoh në këtë tregim dhe si mund ta imitoj atë në jetën time?’ Meditimi në këtë mënyrë do të na aftësojë ta aplikojmë atë që mësojmë. Atëherë, kur të na duhet të marrim një vendim, mund të pyesim veten se ç’do të kishte bërë Jezui. Nëse e marrim vendimin në përputhje me këtë, japim dëshmi se jemi rrënjosur vërtet në Krishtin.
7. Cila duhet të jetë pikëpamja jonë mbi të ushqyerin e fortë frymor?
7 Pavli na nxit edhe që të marrim «ushqim të fortë», të vërteta më të thella nga Fjala e Perëndisë. (Hebrenjve 5:14) Leximi i të gjithë Biblës mund të jetë synimi ynë i parë në lidhje me këtë. Më pas, ka argumente më specifike studimi, të tilla, si: flijimi shpërblerës i Jezuit, besëlidhjet e ndryshme që ka bërë Jehovai me popullin e tij ose disa prej mesazheve profetike në Bibël. Ka një bollëk materialesh që do të na ndihmojnë për ta përvetësuar dhe për ta tretur një ushqim të tillë të fortë frymor. Cili është synimi i marrjes së një njohurie të tillë? Nuk është për të na dhënë arsye që të mburremi, por për të ndërtuar dashurinë tonë për Jehovain dhe për të na afruar më shumë me të. (1. Korintasve 8:1; Jakovit 4:8) Nëse e marrim me uri këtë njohuri, ia aplikojmë vetes dhe e përdorim për të ndihmuar të tjerët, do të jemi duke imituar me të vërtetë Krishtin. Kjo do të na ndihmojë të jemi të rrënjosur siç duhet në të.
A po ‘ndërtohesh në Krishtin’?
8. Çfarë do të thotë të ‘ndërtohesh në Krishtin’?
8 Për aspektin tjetër të ecjes në unitet me Krishtin, Pavli kalon menjëherë nga një imazh i gjallë te një tjetër, nga ai i një bime, tek ai i një ndërtese. Kur mendojmë për një ndërtesë në ndërtim e sipër, nuk mendojmë vetëm për themelin e saj, por edhe për godinën që ngrihet krejt e dukshme për syrin, me anë të një pune të madhe. Ngjashëm, ne duhet të bëjmë një punë shumë të madhe për të ndërtuar cilësi dhe zakone si ato të Krishtit. Një punë e tillë e madhe nuk kalon pa u vënë re, siç i shkroi Pavli Timoteut: ‘Përparimi yt le të jetë i dukshëm për të gjithë personat.’ (1. Timoteut 4:15; Mateu 5:16, BR) Cilat janë disa aktivitete të krishtere që na ndërtojnë?
9. (a) Cilat janë disa synime praktike që mund të vendosim, për të imituar Krishtin në shërbimin tonë? (b) Si e dimë që Jehovai dëshiron të gëzojmë në shërbimin tonë?
9 Jezui na caktoi t’u predikojmë dhe t’u mësojmë të tjerëve lajmin e mirë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ai la shembullin e përsosur, duke dëshmuar me guxim dhe me efektshmëri. Sigurisht, ne s’do ta bëjmë asnjëherë aq mirë sa ai. Megjithatë, apostulli Pjetër vuri këtë synim për ne: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithmonë gati për të bërë një mbrojtje përpara kujtdo që ju kërkon një arsye për shpresën që është në ju, por duke e bërë këtë me butësi dhe respekt të thellë.» (1. Pjetrit 3:15, BR) Nëse nuk e ndjen se je «gjithmonë gati për të bërë një mbrojtje», mos u dëshpëro. Vendos synime të arsyeshme, që do të të ndihmojnë të përparosh gradualisht drejt atij standardi. Përgatitja paraprake mund të të aftësojë për ta ndryshuar prezantimin ose për të përfshirë një ose dy shkrime. Mund të vësh synime për të lënë më shumë literaturë biblike, për të bërë më shumë rivizita ose për të filluar një studim biblik. Theksi nuk duhet të bjerë vetëm e vetëm mbi sasinë, si për shembull në numrin e orëve, të literaturës së lënë ose studimeve, por edhe te cilësia. Vendosja e synimeve të arsyeshme dhe përpjekjet për t’i arritur ato, mund të na ndihmojnë që të gëzojmë duke dhënë nga vetja në shërbim. Kjo është ajo që dëshiron Jehovai: t’i shërbejmë «me gëzim».—Psalmi 100:2; krahaso 2. Korintasve 9:7.
10. Cilat janë disa vepra të tjera të krishtere që duhet të kryejmë dhe si na ndihmojnë ato?
10 Ka edhe vepra që kryejmë në kongregacion, të cilat na ndërtojnë në Krishtin. Më e rëndësishmja është ajo që të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin, sepse kjo është shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:34, 35) Ndërsa jemi ende duke studiuar, shumë prej nesh lidhen ngushtë me mësuesin e vet dhe kjo është shumë e natyrshme. Megjithatë, a mund ta ndjekim tani këshillën e Pavlit për t’u «zgjeruar», duke filluar të njihemi me të tjerët në kongregacion? (2. Korintasve 6:13, BR) Edhe pleqtë kanë nevojë për dashurinë dhe vlerësimin tonë. Duke bashkëpunuar me ta, duke kërkuar dhe pranuar këshillat e tyre biblike, do ta bëjmë shumë më të lehtë punën e tyre të vështirë. (Hebrenjve 13:17) Në të njëjtën kohë, kjo do t’i kontribuojë ndërtimit tonë në Krishtin.
11. Cilën pikëpamje realiste duhet të kemi për pagëzimin?
11 Pagëzimi është një rast emocionues. Megjithatë, nuk duhet të presim që çdo çast i jetës sonë pas tij, të jetë po aq drithërues. Një pjesë e madhe e ndërtimit tonë në Krishtin përfshin ‘ecjen me rregullsi në po këtë brazdë’. (Filipianëve 3:16, BR) Kjo nuk do të thotë një mënyrë jetese monotone dhe të mërzitshme. Kjo do të thotë thjesht të ecësh përpara sipas një vije të drejtë; me fjalë të tjera, të ndërtosh zakone të mira frymore dhe t’u përmbahesh atyre ditë pas dite, vit pas viti. Mos harro, «ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtohet».—Mateu 24:13, BR.
A ‘po stabilizohesh në besim’?
12. Çfarë do të thotë të ‘stabilizohesh në besim’?
12 Në frazën e tij të tretë, që përshkruan ecjen tonë në unitet me Krishtin, Pavli na nxit të jemi «të stabilizuar në besim». Në një version lexohet «të përforcuar në lidhje me besimin», sepse fjala greke që përdori Pavli mund të ketë domethënien «të përforcosh, të garantosh dhe të bësh ligjërisht të parevokueshme». Ndërsa rritemi në njohuri, na jepen arsye të mëtejshme për të parë se besimi ynë në Perëndinë Jehova ka themele të forta dhe se, në fakt, është i vendosur ligjërisht. Rezultati është një rritje e stabilitetit tonë. Për botën e Satanait bëhet gjithnjë e më e vështirë të na lëkundë. Kjo na kujton këshillën e Pavlit për të ‘përparuar drejt pjekurisë’. (Hebrenjve 6:1, BR) Pjekuria dhe stabiliteti ecin dorë për dore.
13, 14. (a) Cilat kërcënime për stabilitetin e tyre hasën të krishterët e shekullit të parë në Kolose? (b) Ç’gjë mund ta ketë bërë merak apostullin Pavël?
13 Të krishterët e shekullit të parë në Kolose hasën kërcënime për stabilitetin e tyre. Pavli paralajmëroi: «Kini kujdes se mos dikush ju kap si prenë e tij me anë të filozofisë dhe të mashtrimeve të kota sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës dhe jo sipas Krishtit.» (Kolosianëve 2:8, BR) Pavli nuk dëshironte që kolosianët, të cilët ishin bërë nënshtetas të «mbretërisë së Birit të dashurisë [së Perëndisë]», t’i merrnin, t’i largonin nga gjendja e tyre e bekuar frymore. (Kolosianëve 1:13, BR) Të mashtruar me anë të cilave mjete? Pavli vuri në dukje «filozofinë», e vetmja herë që kjo fjalë shfaqet në Bibël. Mos e kishte vallë fjalën për filozofët grekë, si Platoni dhe Sokrati? Megjithëse këta përbënin një kërcënim për të krishterët e vërtetë, në atë kohë fjala «filozofi» kishte një përdorim të gjerë. Zakonisht ajo u referohej shumë grupeve dhe kategorive të mendimit, madje edhe atyre fetare. Për shembull, judenj të shekullit të parë, të tillë si Jozefi dhe Filo, e quajtën fenë e tyre një filozofi, ndoshta për të shtuar forcën tërheqëse të saj.
14 Disa filozofi që mund ta kenë bërë merak Pavlin, ka mundësi të kenë qenë të një natyre fetare. Më vonë, në të njëjtin kapitull të letrës së tij drejtuar kolosianëve, ai iu drejtua atyre që u mësonin të tjerëve të ‘mos merrnin, mos shijonin, mos preknin’, duke bërë kështu aluzion për tiparet e Ligjit të Moisut, të cilat kishin marrë fund me anë të vdekjes së Krishtit. (Romakëve 10:4) Bashkë me filozofitë pagane, ishin vënë në veprim edhe ndikime që kërcënonin gjendjen frymore të kongregacionit. (Kolosianëve 2:20-22, BR) Pavli paralajmëroi kundër filozofisë që ishte pjesë e «gjërave elementare të botës». Mësime të tilla të rreme kishin origjinë njerëzore.
15. Si mund të shmangim lëkundjen tonë nga mënyrat jobiblike të të menduarit, që na dalin shpesh përpara?
15 Përkrahja e ideve dhe e mënyrës njerëzore të të menduarit, të cilat nuk janë të bazuara fort në Fjalën e Perëndisë, mund të përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e krishterë. Sot, ne duhet të jemi syçelur ndaj kërcënimeve të tilla. Apostulli Gjon nxiti: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë shprehjet e frymëzuara, për të parë nëse e kanë origjinën nga Perëndia.» (1. Gjonit 4:1, BR) Kështu, nëse një shok shkolle përpiqet të të mbushë mendjen se jetesa sipas standardeve të Biblës është e dalë mode, nëse një fqinj ka tendencën të ndikojë te ti për të adoptuar një qëndrim materialist, nëse një bashkëpunëtor të shtyn me dinakëri të dhunosh ndërgjegjen tënde të stërvitur sipas Biblës ose edhe nëse një bashkëbesimtar shprehet në mënyrë kritike dhe negative për të tjerët në kongregacion, duke u bazuar në mendimin e tij, mos i prano ato që thonë. Shoshiti ato që nuk janë në harmoni me Fjalën e Perëndisë. Ndërsa bëjmë kështu, do të mbajmë stabilitetin tonë, ndërkohë që ecim në unitet me Krishtin.
«Duke vërshuar me besim në dhënie falënderimesh»
16. Cili është aspekti i katërt i ecjes në unitet me Krishtin dhe cilën pyetje mund të bëjmë?
16 Aspekti i katërt i ecjes në unitet me Krishtin, që përmend Pavli, është të ‘vërshojmë me besim në dhënie falënderimesh’. (Kolosianëve 2:7, BR) Fjala «vërshoj» sjell ndër mend një lum që del nga shtrati. Kjo jep idenë se për ne si të krishterë, dhënia e falënderimeve duhet të jetë një gjë e vazhdueshme ose e zakonshme. Secili prej nesh mund të pyesë fare mirë: ‘A jam mirënjohës?’
17. (a) Pse mund thuhet se të gjithë ne kemi shumë gjëra për të cilat duhet të japim falënderime, madje edhe gjatë periudhave të vështira? (b) Cilat janë disa dhurata nga Jehovai, për të cilat ndihesh veçanërisht mirënjohës?
17 Në të vërtetë, të gjithë ne kemi plot arsye për të vërshuar çdo ditë në falënderime ndaj Jehovait. Edhe në periudhat më të këqija, mund të ketë disa gjëra të thjeshta që krijojnë çaste lehtësimi. Një mik tregon empati. Një person i dashur bën një gjest dhembshurie. Një natë e mirë pushimi të ripërtërin. Një ushqim i shijshëm shuan të prerat e urisë. Kënga e një zogu, e qeshura e një fëmije, një qiell i kaltër që shkëlqen, një puhizë e freskët: të gjitha këto mund t’i përjetojmë brenda një dite. Është tepër e lehtë që dhurata të tilla t’i konsiderosh të zakonshme. A nuk e meritojnë ato një faleminderit? Të gjitha ato vijnë prej Jehovait, Burimit të «çdo dhuntie të mirë dhe çdo dhurate të përsosur». (Jakovit 1:17, BR) Ai na ka dhënë edhe dhurata që i eklipsojnë këto: për shembull, vetë jetën. (Psalmi 36:9) Më tej akoma, na ka dhënë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Që të na e siguronte këtë dhuratë, Jehovai bëri flijimin suprem, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur, «atë të cilin e kishte veçanërisht për zemër».—Proverbat (Fjalët e urta) 8:30, BR; Gjoni 3:16.
18. Si mund të tregohemi mirënjohës ndaj Jehovait?
18 Sa të vërteta janë, pra, fjalët e psalmistit: «Është e mirë t’i japim falënderime Jehovait.» (Psalmi 92:1, BR) Në mënyrë të ngjashme, Pavli u kujtoi të krishterëve në Selanik: «Në lidhje me çdo gjë, jepni falënderime.» (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:18; Efesianëve 5:20; Kolosianëve 3:15, BR) Secili prej nesh duhet të vendosë të jetë më shumë dhënës falënderimesh. Lutjet tona nuk duhet të jenë vetëm kërkesa drejtuar Perëndisë, në lidhje me nevojat që kemi. Këto janë të përshtatshme në vendin e tyre. Por imagjino të kesh një mik, i cili bisedon me ty vetëm kur ka nevojë për diçka prej teje! Kështu pra, pse të mos i lutemi Jehovait thjesht për ta falënderuar dhe për t’i thurur lavdi? Sa duhet ta kënaqin lutje të tilla, kur nga lart sheh këtë botë kaq mosmirënjohëse! Një dobi e dytë është se lutje të tilla mund të na ndihmojnë të përqendrohemi në aspektet pozitive të jetës, duke na kujtuar se sa të bekuar jemi në të vërtetë.
19. Si e jep idenë gjuha që ka përdorur Pavli në Kolosianëve 2:6, 7, se të gjithë ne mund të vazhdojmë të përmirësohemi në ecjen me Krishtin?
19 A nuk është diçka e rrallë se sa udhëheqje e mençur mund të nxirret nga një fragment i vetëm i Fjalës së Perëndisë? Këshilla e Pavlit për të vazhduar të ecim me Krishtin, është diçka që të gjithë ne duhet të dëshirojmë ta marrim për zemër. Pra, le të jemi të vendosur për të qenë ‘të rrënjosur në Krishtin’, «të ndërtuar në të», «të stabilizuar në besim» dhe për të ‘vërshuar në dhënie falënderimesh’. Një këshillë e tillë është jetësore sidomos për të sapopagëzuarit. Por ajo na aplikohet të gjithëve ne. Mendo se si rrënja kryesore shkon poshtë gjithnjë e më shumë dhe se si një ndërtesë në ndërtim e sipër ngrihet lart gjithnjë e më shumë. Kështu, edhe ecja jonë me Krishtin nuk përfundon kurrë. Ka plot mundësi për rritje. Jehovai do të na ndihmojë dhe do të na bekojë, sepse dëshiron që të vazhdojmë të ecim me të dhe me Birin e tij të dashur, pafundësisht.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë përfshihet në ecjen në unitet me Krishtin?
◻ Ç’do të thotë të jesh ‘i rrënjosur në Krishtin’?
◻ Si mund të jemi ‘të ndërtuar në Krishtin’?
◻ Pse është kaq e rëndësishme të jemi «të stabilizuar në besim»?
◻ Çfarë arsyesh kemi për të ‘vërshuar në dhënie falënderimesh’?
[Figura në faqen 10]
Rrënjët e një peme mund të mos jenë të dukshme, por ato e furnizojnë pemën me ushqim dhe e mbajnë fort