KANAANI
[vend tregtar; vend i tregtarit], kananitët.
1. I katërti në radhë nga bijtë e Kamit dhe nip i Noesë. (Zn 9:18; 10:6; 1Kr 1:8) Ishte paraardhësi i 11 fiseve që populluan dalëngadalë zonën përgjatë Mesdheut Lindor, mes Egjiptit dhe Sirisë, e cila mori kështu emrin ‘Kanaan’.—Zn 10:15-19; 1Kr 16:18; shih nr. 2.
Pas incidentit të dehjes së Noesë, Kanaani mori mallkimin profetik nga Noeja, që parathoshte se do të bëhej skllav i Semit dhe i Jafetit. (Zn 9:20-27) Meqë tregimi biblik thotë vetëm se «Kami, babai i Kanaanit, pa lakuriqësinë e të atit dhe shkoi t’u thoshte dy vëllezërve të tij jashtë», ngrihet pyetja pse mallkimi nuk ra mbi Kamin, por mbi Kanaanin. Zanafilla 9:24 tregon se, kur i doli vera, Noeja «mori vesh çfarë i kishte bërë djali më i vogël». Një shënim te ky varg në përkthimin e Rotherhamit thotë: «Pa dyshim Kanaani, jo Kami. Semi dhe Jafeti bekohen për virtytin e tyre; Kanaani mallkohet për ndonjë poshtërsi që nuk thuhet; Kami shpërfillet për shpërfilljen që tregoi.» Edhe një botim judaik hedh idenë se në këtë tregim të shkurtër «bëhet fjalë për ndonjë veprim të pështirë të kryer, me sa duket, nga Kanaani». (The Pentateuch and Haftorahs, nga Xh. H. Herci, Londër, 1972, f. 34) Gjithashtu, pasi përmend se fjala hebraike e përkthyer «djali» në vargun 24 mund të ketë edhe kuptimin «nipi», ky botim thotë: «Duket qartë se bëhet fjalë për Kanaanin.» Një vepër tjetër nxjerr në pah se, sipas disave, Kanaani «shfreu te [Noeja] një dëshirë epshore të degjeneruar» dhe se shprehja «djali më i vogël» lidhet me Kanaanin, djalin më të vogël të Kamit.—The Soncino Chumash, nga A. Koheni, Londër, 1956, f. 47.
Patjetër, këto janë hamendje, pasi Bibla nuk jep hollësira pse përmend Kanaanin në lidhje me fyerjen që iu bë Noesë. Megjithatë, Kanaani futet befas në tregimin biblik menjëherë para se të flitet për dehjen e Noesë (Zn 9:18) dhe, ndërsa përshkruan veprimet e Kamit, Bibla e quan «Kami, babai i Kanaanit» (Zn 9:22), çka tregon qartë se Kanaani duhej të kishte gisht në atë rast. Është logjike të nxirret përfundimi se shprehja «pa lakuriqësinë e të atit» mund të nënkuptojë ndonjë abuzim ose sjellje të degjeneruar nga ana e Kanaanit. Në fakt, kur Bibla përdor shprehjet ‘të zbulosh lakuriqësinë’ ose ‘të shohësh lakuriqësinë’ e tjetrit, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një incest ose për mëkate të tjera seksuale. (Le 18:6-19; 20:17) Pra, ndoshta Kanaani abuzoi ose u mundua të abuzonte me Noenë e pavetëdijshëm dhe Kami, megjithëse e dinte këtë, as nuk e ndali, as nuk e disiplinoi fajtorin, por e rëndoi më tepër të keqen duke u treguar vëllezërve të vet për çnderimin e Noesë.
Duhet mbajtur parasysh edhe ana profetike e mallkimit. Nuk ka asnjë dëshmi që vetë Kanaani u bë skllav i Semit ose i Jafetit sa ishte gjallë. Megjithatë, në atë rast, Perëndia përdori aftësinë për t’i ditur gjërat që më parë. Meqë mallkimi që dha Noeja ishte i frymëzuar nga Perëndia dhe meqë Perëndia gjithmonë ka arsye të vlefshme kur shpreh mosmiratimin e tij, ka shumë të ngjarë që tashmë kishte dalë në pah mbrapshtia e Kanaanit, ndoshta një natyrë epshore e tij, dhe Perëndia parashikoi pasojat e këqija që do të sillte përfundimisht ky tipar mes pasardhësve të Kanaanit. Më parë, në rastin e Kainit, Jehovai kishte pikasur një qëndrim të gabuar në zemër dhe e kishte paralajmëruar Kainin se rrezikonte të mposhtej nga mëkati (Zn 4:3-7); Perëndia kishte dalluar edhe prirjen e pandreqshme drejt ligësisë te shumica e popullsisë së tokës para Përmbytjes, çka bëri që ata të meritonin shkatërrimin. (Zn 6:5) Prova më e qartë se mallkimi i Kanaanit ishte i drejtë, shihet në historinë e mëvonshme të pasardhësve të tij, që morën nam të madh për fëlliqësi me imoralitetin dhe shthurjen e tyre, siç dëshmon qoftë historia biblike, qoftë historia jobiblike. Mallkimi i Kanaanit u përmbush afro tetë shekuj pasi ishte shpallur, kur pasardhësit e tij u vunë nën zgjedhën e izraelitëve, me prejardhje semitike, dhe më pas iu nënshtruan fuqive botërore jafetike të Medo-Persisë, Greqisë dhe Romës.
2. Emri Kanaan përdoret edhe për pasardhësit e birit të Kamit dhe për vendin ku banonin. Kanaan ishte emri i lashtë indigjen i viseve të Palestinës në perëndim të lumit Jordan (Nu 33:51; 35:10, 14), ndonëse edhe rajoni në lindje të Jordanit ishte zaptuar nga amoritët me origjinë kananite para pushtimit izraelit.—Nu 21:13, 26.
Kufijtë dhe historia e lashtë. Sipas përshkrimit më të hershëm të kufijve të Kanaanit, ai shtrihej nga Sidoni në veri deri në Gerar, afër Gazës, në jugperëndim dhe pastaj deri në Sodomë e qytetet fqinje në juglindje. (Zn 10:19) Mirëpo, në epokën e Abrahamit, Sodoma dhe të tjera ‘qytete të krahinës’ me sa duket konsideroheshin të shkëputura nga Kanaani. (Zn 13:12) Edhe territoret që zotëruan më pas Edomi e Moabi, ku banonin pasardhës të Abrahamit dhe të Lotit, siç duket nuk konsideroheshin pjesë e Kanaanit. (Zn 36:6-8; Da 15:15) Territori i Kanaanit që iu premtua kombit të Izraelit përshkruhet më hollësisht te Numrat 34:2-12. Zinte fill me sa duket përtej Sidonit në veri dhe shtrihej deri në ‘luginën e përroit të Egjiptit’ dhe Kadesh-Barnea në jug. Filistinët, që nuk ishin kananitë (Zn 10:13, 14), kishin zënë viset bregdetare në jug të rrafshinës së Sharonit, por më parë edhe ai rajon «llogaritej» si pjesë e Kanaanit. (Js 13:3) Në atë territor ishin futur edhe fise të tjera, si kenitët (një familje e të cilëve, nga ç’tregohet më pas, lidhej me Midianin; Nu 10:29; Gjy 1:16) dhe amalekitët (pasardhës të Esaut; Zn 36:12).—Zn 15:18-21; Nu 14:45.
Bibla nuk tregon nëse pasardhësit e Kanaanit u shpërngulën dhe u vendosën me banim në atë vend fill pas dështimit në Babel (Zn 11:9) apo nëse shkuan në fillim në Afrikë me shumicën e kamitëve e më vonë u ngjitën sërish në rajonin e Palestinës. Sido që të jetë, kur Abrahami u largua nga Harani i Padan-Aramit në vitin 1943 p.e.s. dhe mori udhën për në atë vend, kananitët banonin tashmë atje, e Abrahami dha e mori si me amoritët, edhe me hititët. (Zn 11:31; 12:5, 6; 13:7; 14:13; 23:2-20) Perëndia Jehova ia përsëriti shpesh premtimin se fara e tij, pra pasardhësit e Abrahamit, do të trashëgonte vendin dhe e urdhëroi ‘t’i binte vendit për së gjati e për së gjeri’. (Zn 12:7; 13:14-17; 15:7, 13-21; 17:8) Për shkak të atij premtimi dhe duke mbajtur parasysh mallkimin që kishte bërë Perëndia, Abrahami tregoi kujdes që gruaja e të birit, Isakut, të mos ishte kananite.—Zn 24:1-4.
Abrahami, e më pas edhe Isaku e Jakobi, e përshkuan pa shumë vështirësi atë vend, tok me tufat dhe kopetë e tyre të mëdha, çka tregon se rajoni nuk kishte ende një popullsi të dendur. (Krahaso Zn 34:21.) Edhe kërkimet arkeologjike flasin për vendbanime të rralla në atë epokë, dhe shumica e qytezave ndodheshin në bregdet, në pellgun e Detit të Vdekur, në luginën e Jordanit dhe në rrafshinën e Jezreelit. Ndërsa flet për Palestinën e fillimit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., U. F. Ollbrajti thotë se në pjesën më të madhe të zonës kodrinore nuk kishte ende një popullsi të ngulur me banim atje, kështu që Bibla është plotësisht e saktë kur tregon se patriarkët u endën në kodrat e Palestinës qendrore dhe në viset e thata të jugut, ku kishte boll hapësirë të lirë për ta. (Archaeology of Palestine and the Bible, 1933, f. 131-133) Asokohe Kanaani duhet të ketë qenë deri në njëfarë mase nën ndikimin dhe sundimin elamit (pra, semitik), siç e tregon Zanafilla 14:1-7.
Ndër qytezat pranë të cilave fushuan Abrahami, Isaku dhe Jakobi ishin Sikemi (Zn 12:6), Betheli dhe Ai (Zn 12:8), Hebroni (Zn 13:18), Gerari (Zn 20:1) dhe Beer-Sheba (Zn 22:19). Ndonëse kananitët nuk duket se shfaqën ndonjë armiqësi të madhe ndaj patriarkëve hebrenj, arsyeja kryesore pse nuk i sulmonte njeri ishte mbrojtja nga Perëndia. (Ps 105:12-15) Kështu, pasi bijtë e Jakobit sulmuan qytetin hivit të Sikemit, qytetet fqinje «nuk i ndoqën bijtë e Jakobit», pasi i zuri «tmerri nga Perëndia».—Zn 33:18; 34:2; 35:5.
Historia jobiblike tregon se para pushtimit nga Izraeli, Kanaani ishte nën hegjemoninë e Egjiptit për afro dy shekuj. Gjatë asaj periudhe, mesazhet (të quajtura Pllakat e Amarnës) që u shkonin faraonëve Amenofi III dhe Akhenaton nga sundimtarët vasalë të Sirisë dhe të Palestinës, paraqitin një tablo me konflikte të shumta mes qyteteve dhe me intriga politike në rajon. Kur Izraeli mbërriti në kufi (viti 1473 p.e.s.), Kanaani përbëhej nga qytet-shtete të shumta ose nga mbretëri të vogla, por që kishin ende njëfarë uniteti falë lidhjeve fisnore. Zbuluesit që kishin vëzhguar vendin rreth 40 vjet më parë, kishin parë se pemët frutore ishin me bollëk dhe qytetet të fortifikuara mirë.—Nu 13:21-29; krahaso Lp 9:1; Ne 9:25.
Shpërndarja e fiseve të Kanaanit. Ndër 11 fiset kananite (Zn 10:15-19), amoritët me sa duket zinin pjesën kryesore të vendit. (Shih AMORITËT.) Veç tokës që kishin pushtuar në lindje të Jordanit, në Bashan dhe Galaad, të dhënat tregojnë se amoritët ishin të fuqishëm në rajonin malor të Kanaanit, edhe në veri, edhe në jug. (Js 10:5; 11:3; 13:4) Ndoshta të dytët për nga fuqia vinin hititët, të cilët, ndonëse në kohën e Abrahamit ishin përhapur deri në Hebron në jug (Zn 23:19, 20), më vonë duket se banonin kryesisht në veri, në drejtim të Sirisë.—Js 1:4; Gjy 1:23-26; 1Mb 10:29.
Pas tyre, fise të tjera që përmenden më shpesh në periudhën e pushtimit janë jebusitët, hivitët dhe girgasitët. Jebusitët duhet të kenë qenë të përqendruar në rajonin malor përqark Jerusalemit. (Nu 13:29; Js 18:16, 28) Hivitët ishin të shpërndarë që nga Gibeoni në jug (Js 9:3, 7) deri rrëzë malit të Hermonit në veri. (Js 11:3) Për territorin e girgasitëve nuk thuhet gjë.
Gjashtë fiset e tjera, sidonitët, arvaditët, hamathitët, arkitët, sinitët dhe zemaritët, mbase përfshihen në termin përgjithësues «kananitët» që përdoret shpesh bashkë me emra të fiseve të tjera, në rast se kjo fjalë nuk nënkupton thjesht qytete a grupe me popullsi të përzier kananite. (Da 23:23; 34:11; Lp 7:1; Nu 13:29) Që të gjashta ato fise me sa duket banonin kryesisht në veri të rajonit që pushtuan në fillim izraelitët dhe nuk përmenden në tregimin biblik për pushtimin.
Pushtimi nga Izraeli. (HARTAT, vëll. 1, f. 737, 738) Vitin e dytë pas Daljes nga Egjipti, izraelitët kishin bërë orvatjen e parë për të kaluar kufirin jugor të Kanaanit, por s’e kishin mbështetjen e Perëndisë, e kështu kananitët me aleatët e tyre amalekitë u kishin dhënë dërrmën. (Nu 14:42-45) Nga fundi i periudhës 40-vjeçare që endej në shkretëtirë, Izraeli iu afrua sërish kananitëve dhe e sulmoi mbreti i Aradit në Negeb, por kësaj radhe forcat kananite u shpartalluan dhe qytetet e tyre u shkatërruan. (Nu 21:1-3) Gjithsesi, izraelitët nuk e përdorën atë fitore për të mësyrë nga jugu, por i ranë vendit përqark, për t’iu afruar nga lindja. Kjo çoi në beteja me mbretëritë amorite të Sihonit dhe të Ogut. Si mundi ata mbretër, Izraeli shtiu në dorë mbarë Bashanin dhe Galaadin, duke përfshirë vetëm në Bashan 60 qytete «me mure të larta, dyer e shula». (Nu 21:21-35; Lp 2:26–3:10) Disfata e atyre mbretërve të fuqishëm ia preu fuqitë mbretërive kananite në perëndim të Jordanit, dhe mrekullia që pasoi, kur kombi i Izraelit e kaloi Jordanin pa iu lagur këmbët, ‘ia mpaku’ zemrën kananitëve. Kështu, kananitët nuk ndërmorën asnjë sulm kundër kampit izraelit në Gilgal ndërkohë që shumë meshkuj izraelitë po merrnin veten pas rrethprerjes, dhe as më vonë gjatë festimit të Pashkës.—Js 2:9-11; 5:1-11.
Në Gilgal, izraelitët mund të merrnin ujë me bollëk nga Jordani dhe të furnizoheshin me ushqim nga viset e pushtuara në lindje të Jordanit. Pra, ishte një pikënisje e mirë për të pushtuar vendin. Shënjestra e parë u bë qyteti fqinj kufitar i Jerikosë, që tani ishte mbyllur krejtësisht. Muret e tij të forta u rrëzuan falë fuqisë së Jehovait. (Js 6:1-21) Pastaj forcat sulmuese u ngjitën rreth 1.000 m nëpër rajonin malor në veri të Jerusalemit dhe, pas një disfate të parë, e morën Ain dhe i vunë zjarrin. (Js 7:1-5; 8:18-28) Ndërkohë që mbretëritë kananite anembanë vendit zunë të formonin një koalicion të madh për të zmbrapsur izraelitët, disa qytete hivite bënë paqe me Izraelin duke përdorur një dredhi. Këtë shkëputje të Gibeonit dhe të tri qyteteve fqinje, mbretëritë e tjera kananite e konsideruan me sa duket si akt tradhtie që rrezikonte unitetin e krejt ‘aleancës kananite’. Prandaj, pesë mbretër kananitë u bashkuan për të luftuar jo kundër Izraelit, por kundër Gibeonit. Trupat izraelite nën komandën e Josiut marshuan tërë natën për të shpëtuar qytetin e rrethuar. Shpartallimi i pesë mbretërve sulmues nga Josiu u shoqërua me një rrebesh breshri kokërrmadh që ra falë një mrekullie, si edhe me vonesën e perëndimit të diellit, që e shkaktoi Perëndia.—Js 9:17, 24, 25; 10:1-27.
Pas kësaj, ushtria ngadhënjimtare izraelite bëri një kthesë dhe përshkoi mbarë gjysmën jugore të Kanaanit (me përjashtim të rrafshinave të Filistisë), pushtoi qytetet e Shefelahut, rajonin malor dhe Negebin, e pastaj u kthye në kampin bazë në Gilgal, pranë Jordanit. (Js 10:28-43) Atëherë kananitët e zonës veriore, të udhëhequr nga mbreti i Hazorit, nisën të mobilizonin trupat ushtarake dhe karrocat e luftës, e u mblodhën në një vendtakim pranë ujërave të Meromit, në veri të detit të Galilesë. Mirëpo një sulm i befasishëm i ushtrisë së Josiut bëri që aleatët kananitë të iknin nga sytë këmbët. Më pas ushtria marshoi të pushtonte qytetet e tyre deri në Baal-Gad në veri, rrëzë malit të Hermonit. (Js 11:1-20) Ajo fushatë duhet të ketë vazhduar një periudhë të gjatë dhe u pasua nga një mësymje tjetër në rajonin malor në jug, kësaj here kundër anakimëve gjigantë dhe qyteteve të tyre.—Js 11:21, 22; shih ANAKIMËT.
Kishin kaluar tashmë rreth gjashtë vjet që nga fillimi i luftimeve. Pjesa më e madhe e Kanaanit ishte pushtuar dhe fiset kananite ishin thyer, ndaj mund të fillonte ndarja e tokës mes fiseve izraelite. (Shih KUFIRI.) Gjithsesi mbeteshin për t’u pushtuar disa rajone, ndër të cilat zona të rëndësishme, si: territori i filistinëve, të cilët, ndonëse nuk ishin kananitë, kishin uzurpuar tokën që u ishte premtuar izraelitëve; territori i geshuritëve (krahaso 1Sa 27:8); territori nga zona përreth Sidonit deri lart në Gebal (Biblos); si edhe mbarë rajoni i Libanit (Js 13:2-6). Veç këtyre, anekënd vendit kishte zona të izoluara që bënin qëndresë, disa prej të cilave i shtinë në dorë më vonë fiset izraelite që trashëguan ato rajone, kurse të tjerat ose mbetën të papushtuara, ose izraelitët i lanë vetë dhe i vunë banorët në punë të detyruar.—Js 15:13-17; 16:10; 17:11-13, 16-18; Gjy 1:17-21, 27-36.
Edhe pse shumë kananitë i mbijetuan pushtimit kryesor dhe bënë qëndresë, prapëseprapë mund të thuhej se «Jehovai i dha Izraelit tërë vendin që ishte betuar t’ua jepte paraardhësve të tyre», se u dha «prehje rreth e qark» dhe se «asnjë nga të gjitha gjërat e mira që i premtoi Jehovai shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u plotësuar; të gjitha dolën të vërteta». (Js 21:43-45) Popujve armiq rreth e qark izraelitëve u kishte hyrë frika dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e tyre. Më parë Perëndia kishte thënë se do t’i dëbonte kananitët «pak nga pak», që të mos shtoheshin egërsirat në vendin e shkretuar befas. (Da 23:29, 30; Lp 7:22) Vërtet, kananitët kishin mjete luftarake më të mira, si karroca lufte me kosa të hekurta. Por, kur izraelitët në fund nuk i morën dot disa zona, asnjëherë nuk mund të thuhej se Jehovai nuk plotësoi dot premtimin e vet. (Js 17:16-18; Gjy 4:13) Përkundrazi, siç tregon Bibla, disfatat e pakta të izraelitëve ishin pasoja të pabesisë së tyre.—Nu 14:44, 45; Js 7:1-12.
Pse Jehovai dekretoi shfarosjen e kananitëve?
Historia biblike tregon se kur izraelitët pushtonin qytetet kananite, popullsia shfarosej. (Nu 21:1-3, 34, 35; Js 6:20, 21; 8:21-27; 10:26-40; 11:10-14) Disa kritikë e kanë përdorur këtë fakt për t’i paraqitur Shkrimet Hebraike ose «Besëlidhjen e Vjetër» si të karakterizuara nga një frymë mizorie dhe masakra të shfrenuara. Por është e qartë se çështja këtu qëndron nëse pranohet apo jo sovraniteti i Perëndisë mbi tokën dhe banorët e saj. Ai ia kishte kaluar ‘farës së Abrahamit’ të drejtën e pronësisë së tokës së Kanaanit, me anë të një besëlidhjeje të bërë me betim. (Zn 12:5-7; 15:17-21; krahaso Lp 32:8; Ve 17:26.) Megjithatë, qëllimi i Perëndisë nuk ishte thjesht të dëbonte ose të shpronësonte banorët e atëhershëm të vendit. Përfshihej edhe e drejta e tij që të vepronte si «Gjykatësi i gjithë tokës» (Zn 18:25) dhe të dekretonte dënimin kapital për ata që e meritonin, si edhe e drejta e tij që të siguronte zbatimin e atij dekreti.
Kushtet e krijuara në Kanaan në kohën e pushtimit izraelit vërtetuan plotësisht sa i drejtë ishte mallkimi profetik i Perëndisë kundër Kanaanit. Që nga koha e Abrahamit, Jehovai kishte lejuar të kalonin 400 vjet derisa ‘amoritët ta mbushnin kupën me fajet e tyre’. (Zn 15:16) Fakti që gratë hitite të Esaut ishin «burim hidhërimi për Isakun dhe Rebekën», aq sa Rebekës i ishte ‘neveritur jeta nga ato’, flet qartë për ligësinë që kishin shfaqur deri atëherë kananitët. (Zn 26:34, 35; 27:46) Gjatë shekujve që pasuan, në Kanaan vlonin praktikat e neveritshme të idhujtarisë, imoralitetit dhe gjakderdhjes. Feja kananite ishte tejet e ulët dhe e degjeneruar, me ‘shtyllat e shenjta’ që me sa duket ishin simbole falike dhe me ritet e shumta në ‘vendet e larta’, të karakterizuara nga shthurja dhe ndyrësia seksuale. (Da 23:24; 34:12, 13; Nu 33:52; Lp 7:5) Incesti, homoseksualizmi ose sodomia dhe marrëdhëniet seksuale me kafshë ishin ndër praktikat e zakonshme që ‘bëheshin në Kanaan’, të cilat e kishin ndotur vendin, e prandaj ai ‘do t’i villte banorët e vet’. (Le 18:2-25) Magjia, yshtjet, spiritizmi dhe flijimi i fëmijëve në zjarr ishin praktika të tjera të pështira të kananitëve.—Lp 18:9-12.
Nga hyjnitë që adhuronin kananitët, më i rëndësishmi ishte Baali. (Gjy 2:12, 13; krahaso Gjy 6:25-32; 1Mb 16:30-32.) Në një dokument egjiptian, perëndeshat kananite Ashtoreth (Gjy 2:13; 10:6; 1Sa 7:3, 4), Asherah dhe Anath paraqiten edhe si nëna-perëndesha, edhe si prostituta të shenjta që, në mënyrë paradoksale, mbeten gjithmonë virgjëresha (fjalë për fjalë, «perëndeshat e mëdha që ngjizen, por nuk lindin»). Në adhurimin e tyre, me sa duket, përfshiheshin gjithnjë shërbimet e prostitutave të tempullit. Ato perëndesha simbolizonin jo vetëm epshin seksual, por edhe dhunën sadiste e luftën. Kështu, në një poemë epike të zbuluar në Ugarit, e cila flet për Baalin, perëndesha Anath përshkruhet sikur bën kërdinë me një masakër, e pastaj zbukurohet me koka të varura dhe vë në brez duart e njerëzve, ndërsa llapashitet tërë qejf në gjakun e tyre. Statujëzat e perëndeshës Ashtoreth të zbuluara në Palestinë paraqitin një grua të zhveshur, me organe seksuale të zmadhuara në mënyrë vulgare. Në lidhje me adhurimin falik, arkeologu U. F. Ollbrajt vëren: «Në rastet më të rënda, . . . aspekti erotik i adhurimit të tyre duhet të ketë rënë në fëlliqësitë e skajshme të degjenerimit shoqëror.»—Archaeology and the Religion of Israel, 1968, f. 76, 77; shih ASHTORETHI; BAALI nr. 4.
Praktikave të zvetënuara u shtohej flijimi i fëmijëve. Meril F. Angëri shkruan: «Nga gërmimet në Palestinë janë zbuluar pirgje hiri dhe mbetje të skeleteve të foshnjave në varrezat përqark altarëve paganë, çka flet për përhapjen e kësaj praktike mizore të pështirë.» (Archaeology and the Old Testament, 1964, f. 279) Në një vepër (Halley’s Bible Handbook, 1964, f. 161) thuhet: «Kur adhuronin, kananitët jepeshin pas imoralitetit si një rit fetar, në prani të perëndive të tyre; pastaj vrisnin fëmijët e vet të parëlindur, si kurban për të njëjtat perëndi. Me sa duket, Kanaani ishte bërë një lloj Sodome e Gomorre në shkallë kombëtare. . . . A kishte të drejtë të ekzistonte më një qytetërim aq i pështirë, i fëlliqur e mizor? . . . Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananite, çuditen pse Perëndia nuk i shkatërroi edhe më shpejt.»—FIGURA, vëll. 1, f. 739 në botimin anglisht.
Jehovai e kishte ushtruar të drejtën e tij sovrane për të ekzekutuar dënimin me vdekje ndaj popullsisë së ligë të krejt planetit në kohën e Përmbytjes globale; e kishte ushtruar atë të drejtë në mbarë krahinën e qyteteve të Sodomës e Gomorrës, ngaqë ‘britma e ankimit për to ishte e fortë, dhe mëkati i tyre shumë i rëndë’ (Zn 18:20; 19:13); kishte ekzekutuar dekretin për shkatërrimin e forcave ushtarake të faraonit në Detin e Kuq; kishte shfarosur madje edhe shtëpinë e Korahut dhe të rebelëve të tjerë në mes të Izraelit. Gjithsesi, në ato raste Perëndia kishte përdorur forcat natyrore për të kryer shkatërrimin. Kurse tani Jehovai ua caktoi izraelitëve detyrën e shenjtë si ekzekutues kryesorë të dekretit hyjnor, të udhëhequr nga lajmëtari i tij engjëllor dhe të mbështetur nga fuqia e pakufishme e Perëndisë. (Da 23:20-23, 27, 28; Lp 9:3, 4; 20:15-18; Js 10:42) Sidoqoftë, pasojat për kananitët do të ishin njëlloj sikur Perëndia të kishte vendosur t’i shkatërronte me ndonjë dukuri natyrore, si përmbytje, zjarr a tërmet. Fakti që gjykimi ndaj të dënuarve me vdekje u ekzekutua nëpërmjet njerëzve, sado e pakëndshme të duket detyra e tyre, nuk e ndryshon drejtësinë e atij veprimi të urdhëruar nga Perëndia. (Jr 48:10) Duke përdorur atë mjet njerëzor, që kishte kundërshtarë «shtatë kombe më të mëdha e më të fuqishme», u madhërua fuqia e Jehovait dhe u provua se ai është Perëndia i vërtetë.—Lp 7:1; Le 25:38.
Kananitët nuk ishin në padije të dëshmive të fuqishme që tregonin se Izraeli ishte mjeti dhe populli i zgjedhur i Perëndisë. (Js 2:9-21, 24; 9:24-27) Prapëseprapë, me përjashtim të Rahabës e familjes së saj dhe të qyteteve të gibeonitëve, ata që u shkatërruan as kërkuan t’u tregohej mëshirë, as përfituan nga mundësia për t’u larguar, por zgjodhën të bëheshin kokëfortë në rebelimin kundër Jehovait. Ai nuk i detyroi të përuleshin dhe t’i hapnin udhë vullnetit të tij të shprehur qartë, por la që «zemra e tyre të ngurtësohej, e kështu t’i shpallnin luftë Izraelit që ai pastaj t’i shfaroste. Kësisoj, ata nuk do të kishin mëshirë për ta, por do t’i shfarosnin», duke ekzekutuar gjykimin e Jehovait.—Js 11:19, 20.
Me mençuri, Josiu «nuk hoqi asnjë fjalë nga të gjitha ato që Jehovai i urdhëroi Moisiut» në lidhje me shkatërrimin e kananitëve. (Js 11:15) Mirëpo kombi i Izraelit nuk ndoqi udhëheqjen e tij të mirë dhe nuk e zhduku plotësisht burimin e ndotjes së vendit. Ngaqë kananitët vazhduan të banonin mes tyre, izraelitët u molepsën, dhe vdekjet që erdhën si pasojë e kësaj në rrjedhën e kohës (pa përmendur krimet, imoralitetin e idhujtarinë) pa dyshim që ishin më të shumta sesa po të ishte zbatuar me besnikëri dekreti për shfarosjen e gjithë kananitëve. (Nu 33:55, 56; Gjy 2:1-3, 11-23; Ps 106:34-43) Jehovai i kishte paralajmëruar izraelitët se drejtësia dhe gjykimet e tij nuk do të ishin të anshme dhe se po të lidheshin me kananitët, të bënin krushqi me ata, ta përzienin adhurimin e vërtetë me adhurimin e tyre dhe të ndiqnin zakonet fetare e praktikat e tyre të degjeneruara, atëherë, në mënyrë të pashmangshme, do t’i priste i njëjti dënim me shfarosje dhe ‘vendi do t’i villte’ edhe ata.—Da 23:32, 33; 34:12-17; Le 18:26-30; Lp 7:2-5, 25, 26.
Te Gjykatësit 3:1, 2 thuhet se Jehovai la disa kombe kananite, «që me anë të tyre ta vinte në provë Izraelin, domethënë të gjithë ata që nuk kishin përjetuar asnjërën nga luftërat e Kanaanit. Kjo ishte vetëm për brezat e bijve të Izraelit, domethënë vetëm për ata që më parë nuk kishin përjetuar gjëra të tilla, që të kishin përvojë e t’u mësohej lufta.» Ky pohim nuk bie ndesh me deklaratën e mëparshme (Gjy 2:20-22) se Jehovai lejoi që të mbeteshin ato kombe për shkak të jobesnikërisë së Izraelit dhe ‘për ta vënë në provë Izraelin, nëse do ta mbanin apo jo udhën e Jehovait’. Përkundrazi, është në harmoni me atë deklaratë dhe tregon se brezave të ardhshëm të Izraelit do t’u jepej kështu mundësia t’u bindeshin urdhrave të Perëndisë në lidhje me kananitët, duke ua vënë në provë besimin deri aty sa të rrezikonin jetën në luftë për të treguar bindjen.
Duke mbajtur parasysh gjithë këto, është e qartë se mendimi i disa kritikëve të Biblës se shkatërrimi i kananitëve nga Izraeli s’është në harmoni me frymën e Shkrimeve të Krishtere Greke, nuk përputhet me faktet, siç e tregon krahasimi i shkrimeve të tilla, si Mateu 3:7-12; 22:1-7; 23:33; 25:41-46; Marku 12:1-9; Luka 19:14, 27; Romakëve 1:18-32; 2 Selanikasve 1:6-9; 2:3 dhe Zbulesa 19:11-21.
Historia e mëvonshme. Pas pushtimit, dalëngadalë bashkëjetesa e kananitëve me izraelitët u bë pak a shumë paqësore, ndonëse kjo ishte në dëm të Izraelit. (Gjy 3:5, 6; krahaso Gjy 19:11-14.) Mbi izraelitët sunduan përkohësisht njëri pas tjetrit monarkë nga Siria, Moabi dhe Filistia, por vetëm në epokën e Jabinit, i quajtur ‘mbreti i Kanaanit’, kananitët u bënë sërish aq të fuqishëm, sa ta mbanin nën zgjedhë Izraelin për 20 vjet. (Gjy 4:2, 3) Kur Jabini u mposht përfundimisht nga Baraku, burim telashesh për Izraelin para periudhës së monarkisë ishin kryesisht jokananitët: midianitët, amonitët dhe filistinët. Edhe gjatë epokës së Samuelit, nga fiset kananite përmenden shkurtimisht vetëm amoritët. (1Sa 7:14) Mbreti David dëboi nga Jerusalemi jebusitët (2Sa 5:6-9), por fushatat kryesore i bëri kundër filistinëve, amonitëve, moabitëve, edomitëve, amalekitëve dhe sirianëve. Pra, ndonëse zotëronin ende qytete e tokë brenda territorit të Izraelit (2Sa 24:7, 16-18), kananitët me sa duket nuk përbënin më një kërcënim ushtarak. Dy luftëtarë hititë përmenden mes ushtarëve të Davidit.—1Sa 26:6; 2Sa 23:39.
Gjatë sundimit të tij, Solomoni i vuri në punë të detyruar ata që kishin mbetur nga fiset e Kanaanit, për të realizuar projektet e tij të shumta (1Mb 9:20, 21) dhe e shtriu veprën e ndërtimit deri në qytetin e largët verior kananit të Hamathit. (2Kr 8:4) Mirëpo më pas, martesa me gra kananite çoi në rënien e Solomonit, në humbjen e një pjese të madhe të mbretërisë që do të trashëgonte pasardhësi i tij dhe në korruptimin fetar të kombit. (1Mb 11:1, 13, 31-33) Që nga mbretërimi i Solomonit (1037-998 p.e.s.) deri në mbretërimin e Jehoramit të Izraelit (rr. 917-905 p.e.s.), vetëm hititët duhet të kenë pasur akoma njëfarë rëndësie dhe fuqie si fis, edhe pse banonin me sa duket në veri të territorit të Izraelit, në Siri ose afër saj.—1Mb 10:29; 2Mb 7:6.
Mes izraelitëve të kthyer nga mërgimi në Babiloni ishin ende problem krushqitë me kananitët (Ezd 9:1, 2), por mbretëritë kananite, përfshirë edhe ato hitite, duket se ishin shpërbërë nga agresioni sirian, asirian dhe babilonas. Termi «Kanaan» nisi të nënkuptonte kryesisht Fenikinë, si në profecinë e Isaisë për Tirin (Is 23:1, 11, shën., NW) dhe në rastin e gruas «fenikase» (fjalë për fjalë, «kananite» [gr., khananaía]) nga rajoni i Tirit dhe Sidonit, e cila iu afrua Jezuit.—Mt 15:22, shën., NW; krahaso Mr 7:26.
Rëndësia tregtare dhe gjeopolitike. Kanaani ishte urë lidhëse mes Egjiptit dhe Azisë, sidomos Mesopotamisë. Në thelb, ekonomia e vendit ishte ekonomi bujqësore, por lulëzonte edhe tregtia. Qytetet-port të Tirit e Sidonit u bënë qendra të rëndësishme tregtare, me flota të famshme në mbarë botën e njohur deri atëherë. (Krahaso Ezk 27.) Në fakt, qysh në kohën e Jobit, fjala ‘kananit’ ishte bërë sinonim i ‘tregtar’ dhe kështu është përkthyer në Shkrime. (Jb 41:6; So 1:11; vër re edhe referimin për Babiloninë si ‘vendi i Kanaanit’, Ezk 17:4, 12.) Pra, Kanaani zinte vend mjaft strategjik në Gjysmëhënën Pjellore dhe ishte shënjestra e perandorive të mëdha të Mesopotamisë, Azisë së Vogël dhe Afrikës, që orvateshin të kishin nën kontroll rrugëkalimin ushtarak dhe transportin tregtar brenda kufijve të Kanaanit. Prandaj, fakti që Perëndia e vendosi popullin e vet në atë vend, pa dyshim që do të tërhiqte vëmendjen e kombeve dhe do të kishte ndikim të gjithanshëm; mund të thuhej se izraelitët banonin «në zemër të tokës» në kuptimin gjeografik, por, ç’është më e rëndësishmja, në kuptimin fetar.—Ezk 38:12.
Gjuha. Edhe pse Bibla tregon qartë se kananitët kishin origjinë kamitike, sipas shumicës së veprave të referimit ata kishin origjinë semitike. Kjo bazohet në dëshmitë se kananitët flitnin një gjuhë semitike. Më shpesh përmenden si dëshmi dokumentet e shumta të zbuluara në Ras-Shamra (Ugarit), të shkruara në një gjuhë a dialekt semitik, që mendohet se datojnë qysh nga shekulli i 14-të p.e.s. Megjithatë, Ugariti me sa duket nuk gjendej brenda kufijve të Kanaanit të përshkruara në Bibël. Në një artikull nga A. F. Reini, botuar në The Biblical Archaeologist (1965, f. 105), thuhet se nga ana etnike, politike e ndoshta edhe gjuhësore, «sot s’ka dyshim se është e gabuar që Ugariti të quhet qytet ‘kananit’». Ai jep dëshmi të mëtejshme për të treguar se «Ugariti dhe vendi i Kanaanit ishin ente politike më vete e të pavarura nga njëra-tjetra». Si rrjedhojë, pllakat e zbuluara nuk japin asnjë kriter të qartë për të përcaktuar ç’gjuhë flitnin kananitët.
Shumë nga Pllakat e Amarnës të gjetura në Egjipt, të cilat datojnë para pushtimit izraelit, vijnë nga qytete brenda Kanaanit dhe janë shkruar kryesisht në gjuhën kuneiforme babilonase, një gjuhë semitike. Gjithsesi, në atë epokë, ajo ishte gjuha diplomatike e mbarë Lindjes së Mesme, kështu që përdorej për t’i shkruar madje edhe oborrit të Egjiptit. Prandaj është shumë interesante të vërejmë atë që thotë një fjalor biblik: «Letrat e Amarnës mbështetin idenë se në Palestinë dhe Siri u vendosën me banim në një epokë mjaft të hershme elementë etnikë josemitikë, sepse në disa nga letrat bie në sy një ndikim i jashtëzakonshëm i gjuhëve josemitike.» (The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 1, f. 495; kursivi është yni.) Realiteti është që ende ka paqartësi se cila ishte gjuha origjinale e banorëve të parë të Kanaanit.
Vërtet, nga tregimi biblik kuptohet se Abrahami dhe pasardhësit e tij bisedonin me banorët e Kanaanit pa pasur nevojë për përkthyes; gjithashtu mund të vërehet se, ndonëse disa vende mbanin emra josemitë, shumica e fshatrave dhe e qyteteve që pushtuan izraelitët kishin tashmë emra semitë. Megjithatë, mbretërit filistinë të kohës së Abrahamit, e me sa duket edhe të kohës së Davidit, quheshin ‘Abimelek’ (Zn 20:2; 21:32; Ps 34:Mbishk.), një emër (a titull) krejtësisht semit, ndërkohë që askund nuk pohohet se filistinët kishin prejardhje semite. Prandaj, me sa duket, gjatë disa shekujve pas ngatërrimit të gjuhëve në Babel (Zn 11:8, 9), fiset e Kanaanit duhet ta kenë ndërruar gjuhën origjinale kamitike me një gjuhë semite. Arsyeja e kësaj mund të ketë qenë shoqërimi i shpeshtë me popujt e gjuhës aramaike në Siri, si pasojë e epërsisë së përkohshme të Mesopotamisë, ose ndoshta kishte arsye të tjera që sot nuk dihen. Ky ndryshim nuk do të ishte më i madh nga ndryshimi që bënë kombe të tjera të moçme, si persët e lashtë që, ndonëse vinin nga trungu indoevropian (jafetik), përvetësuan më vonë gjuhën dhe shkrimin semitik-aramaik.
‘Gjuha e Kanaanit’ që përmendet tek Isaia 19:18, në atë kohë (shekulli i tetë p.e.s.) duhet të ishte hebraishtja, gjuha kryesore e vendit.
[Figura në botimin e shtypur]
Stela të gjetura në Hazor. Gdhendja në stelën e mesit mund të simbolizojë një lutje drejtuar perëndisë-hënë