NAHORI
1. Babai i Terahut dhe gjyshi i Abrahamit. Nahori ishte një nga bijtë e Serugut dhe pasardhës i Semit. Ai jetoi 148 vjet (2177-2029 p.e.s.).—Zn 11:22-26; 1Kr 1:24-27; Lu 3:34-36.
2. Biri i Terahut; nipi i Nahorit (nr. 1); vëllai i Abrahamit. (Zn 11:26; Js 24:2) Nahori u martua me Milkën, motrën e Lotit dhe vajzën e Haranit, vëllait tjetër të tij, pra, me mbesën e vet. Me të pati 8 bij, kurse me konkubinën e tij, Reumën, pati katër bij të tjerë, gjithsej 12, disa prej të cilëve u bënë krerë fisesh. (Zn 11:27, 29; 22:20-24) Nga Betueli, djali i tij, Nahori u bë gjyshi i Labanit dhe i Rebekës, si dhe stërgjyshi i Leas, Rakelës, Jakobit (Izraelit) dhe Esaut.—Zn 24:15, 24, 47; 29:5, 16; 1Kr 1:34.
Tregimi i Zanafillës nuk e përfshin emrin e Nahorit në listën e atyre që ikën nga Uri i Kaldesë me Terahun dhe Abrahamin. (Zn 11:31) Megjithatë, ai mund të ketë vajtur më vonë, pasi shërbëtori i Abrahamit që po kërkonte grua për Isakun, shkoi në Haran, ku kishte shkuar të banonte Terahu dhe ku kishte vdekur. Edhe Labani, nipi i Nahorit, jetonte atje kur Jakobi shkoi tek ai. (Zn 11:31, 32; 12:4; 27:43) Shërbëtori i Abrahamit shkoi «në qytetin e Nahorit», qoftë në Haran, qoftë diku aty afër, mbase në Nahur, një vend që përmendet shpesh në disa pllaka të Marit që datojnë në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. (Zn 24:10; 29:4; The Biblical Archaeologist, 1948, f. 16) Nga ana tjetër, kur Jakobi dhe Labani u ndanë, Labani thirri ‘perëndinë e Abrahamit dhe perëndinë e Nahorit’ të gjykonte mes tyre.—Zn 31:53; shih HARANI nr. 4.