PJESA 9
Gëzoni një jetë të kënaqshme tani dhe përgjithmonë!
Mund të bëni një jetë të kënaqshme nëse kultivoni miqësinë me Perëndinë
ABRAHAMI, një burrë me besim që spikat në historinë biblike, hoqi dorë nga një jetë e rehatshme në qytetin e begatë të Urit. Pasi jetoi për njëfarë kohe në Haran, pjesën tjetër të jetës e kaloi si endacak, duke jetuar në tenda e duke mos pasur një vendbanim të përhershëm. (Zanafilla 12:1-3; Veprat 7:2-7; Hebrenjve 11:8-10) Megjithatë, për të thuhet: «Abrahami dha frymë dhe vdiq në pleqëri të mirë, i moshuar dhe i kënaqur.» (Zanafilla 25:8, BR) Çfarë e bëri jetën e tij kaq të kënaqshme? Ai nuk ishte thjesht një burrë i moshuar që ndihej i kënaqur në shtratin e vdekjes për shkak të arritjeve gjatë jetës së tij. Më vonë, Abrahami u quajt «mik i Jehovait», për shkak të besimit të jashtëzakonshëm te Perëndia. (Jakovit 2:23; Isaia 41:8) Ishte marrëdhënia domethënëse që Abrahami kultivoi me Krijuesin, ajo që e bëri jetën e tij të kënaqshme.
2 Ashtu si Abrahami, rreth 4.000 vjet më parë, edhe ju sot mund të keni një jetë domethënëse e të kënaqshme, nëse kultivoni miqësinë me Perëndinë. Ideja që të jeni mik i Krijuesit të universit mund t’ju habitë, por kjo është e mundur. Si? Duhet ta njihni dhe ta doni atë. (1 Korintasve 8:3; Galatasve 4:9) Një marrëdhënie e tillë me Krijuesin mund ta bëjë jetën tuaj kuptimplotë dhe të kënaqshme.
3 Për ata që janë të gatshëm të pranojnë flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, Jehovai ka siguruar udhëzime për të bërë një jetë të lumtur. (Isaia 48:17) Mos harroni, Adami u rebelua kundër Perëndisë duke vendosur vetë ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Ndonëse nëpërmjet flijimit shpërblyes të Birit të tij Jehovai e bleu familjen njerëzore, duke u dhënë një mundësi njerëzve për t’u çliruar nga skllavëria ndaj mëkatit dhe vdekjes, çdo individ duhet ta pranojë shpërblesën dhe të mos vendosë më një normë personale për atë që është e mirë dhe e keqe. Ne duhet t’u nënshtrohemi ligjeve dhe parimeve që siguron Perëndia për ata që e pranojnë flijimin shpërblyes të Jezuit.
4 Ndërsa vazhdoni të studioni Biblën dhe të zbatoni parimet që gjenden në të, pa dyshim, do të arrini të vlerësoni normën e Perëndisë për atë që është e mirë dhe e keqe. (Psalmi 19:7-9) Do të ndiheni të nxitur t’i thoni Perëndisë, atë që i tha profeti i tij, Moisiu: «Tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh.» (Eksodi [Dalja] 33:13; Psalmi 25:4) Bibla siguron parime për t’ju drejtuar që të zgjidhni problemet e këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’. (2 Timoteut 3:1) Çmueshmëria juaj do të rritet dhe kjo do të bëjë që ta njihni më mirë Jehovain dhe të forconi miqësinë me të.
5 Abrahami vdiq «i moshuar dhe i kënaqur», por përderisa njeriu duhet të vdesë, jeta është prapëseprapë tepër e shkurtër. Të gjithë ne kemi një dëshirë të lindur për të jetuar, sado të moshuar të jemi. Ndodh kështu sepse «[Perëndia] ka vënë, gjithashtu, përjetësinë në zemrat e njerëzve; e megjithatë, ata nuk mund ta kuptojnë atë që ka bërë Perëndia nga fillimi në fund». (Predikuesit [Eklisiastiu] 3:11, New International Version) Edhe kur të jetojmë përjetësisht, nuk do të jemi kurrë në gjendje të kuptojmë të gjitha gjërat që ka krijuar Jehovai. Gjërat që do të mund të vëzhgojmë, të studiojmë dhe të gëzojmë ndër veprat e mrekullueshme të Jehovait nuk kanë fund!—Psalmi 19:1-4; 104:24; 139:14.
6 Ideja e jetës së përhershme ndoshta nuk do t’ju tërhiqte, nëse toka do të ishte e mbushur me probleme si ato që shohim sot. Megjithatë, kjo nuk duhet të na shqetësojë. Bibla premton: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Termi «qiej të rinj» i referohet qeverisë së re qiellore, Mbretërisë së Perëndisë, e cila do të sundojë mbi gjithë tokën. ‘Toka e re’ është një shoqëri e re njerëzore, e përbërë nga ata që i binden sundimit të kësaj Mbretërie. Për ta bërë realitet këtë, shumë shpejt Jehovai do të ndërmarrë veprime kundër atyre që po «shkatërrojnë tokën».—Zbulesa 11:18; 2 Pjetrit 3:10.
7 Sa shpejt? Në ‘shenjën . . . e përfundimit të sistemit’, Jezu Krishti përfshiu luftëra ndërmjet kombeve, «mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin», «murtaja» dhe ‘rritje të paligjshmërisë’. (Mateu 24:3-13; Luka 21:10, 11; 2 Timoteut 3:1-5) Pastaj profetizoi: «Kur të shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.» (Luka 21:31) Në fakt, koha kur Jehovai do të shkatërrojë të ligjtë po afrohet me të shpejtë.a
8 Pas «ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm», kur Jehovai do ta pastrojë tokën nga ligësia, globi ynë do të kthehet në një parajsë. (Zbulesa 16:14, 16; Isaia 51:3) Atëherë, «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të». (Psalmi 37:29) Por ç’do të bëhet me ata që kanë vdekur? «Mos u mrekulloni për këtë,—tha Jezui,—sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra në një ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:28, 29) Jehovai, që interesohet për çdo individ, dëshiron t’i sjellë përsëri në jetë ata që flenë në vdekje. Shkencëtarët mund të përpiqen t’i klonojnë njerëzit nëpërmjet inxhinierisë gjenetike, por Krijuesit nuk i duhet të përdorë klonimin. Ai është në gjendje të kujtojë çdo hollësi të njerëzve që meritojnë të shpengohen dhe t’i sjellë ata përsëri në jetë. Po, keni perspektivën për t’i takuar personat e dashur që ju kanë vdekur, në një tokë parajsore!
9 Si do të jetë jeta në Parajsë? Toka do të jetë e mbushur me burra të lumtur dhe gra të lumtura që lavdërojnë njëzëri Krijuesin. «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24; 54:13) Askush nuk do të jetë i ekspozuar ndaj stresit që është i dëmshëm për shëndetin dhe as nuk do të ketë çrregullime emocionale e mendore. Të gjithë do të kenë me bollëk për të ngrënë dhe do të gjejnë kënaqësi në një punë domethënëse në harmoni me qëllimin e Perëndisë. (Psalmi 72:16; Isaia 65:23) Do të gëzojnë paqe me kafshët, paqe me njerëzit e tjerë dhe, mbi të gjitha, «paqe me Perëndinë».—Romakëve 5:1; Psalmi 37:11; 72:7; Isaia 11:6-9.
10 Çfarë duhet të bëni për të qenë në atë Parajsë dhe për të gëzuar një jetë plotësisht të kënaqshme? Jezu Krishti tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Prandaj, vazhdoni të merrni njohuri për Jehovain dhe për Jezu Krishtin, duke mësuar çfarë kërkon Perëndia prej jush. Atëherë do të keni mundësi t’i pëlqeni Perëndisë Jehova, dhe kjo do ta bëjë jetën tuaj shumë të kënaqshme.
a Mund të mësoni më shumë për këtë profeci në kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.