Roli i denjë i grave midis shërbëtorëve të hershëm të Perëndisë
«Perëndia Jehova vazhdoi të thoshte: ‘Nuk është mirë për burrin që të vazhdojë i vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.’»—ZANAFILLA 2:18, BR.
1. Si e përshkruan një fjalor biblik gjendjen e grave në kohët e lashta?
«NË ASNJË vend në Mesdheun e lashtë apo në Lindjen e Afërme, gratë nuk gëzonin lirinë që gëzojnë sot në shoqërinë moderne perëndimore. Në përgjithësi, gratë ishin të nënshtruara ndaj burrave, si skllevërit ndaj njerëzve të lirë dhe si të rinjtë ndaj të moshuarve. . . . Fëmijët meshkuj vlerësoheshin më shumë se femrat e disa herë foshnjet femra liheshin të vdisnin të braktisura në rrugë.» Kështu e përshkruan një fjalor biblik gjendjen e gruas në kohët e lashta.
2, 3. (a) Sipas një raporti, cila është gjendja e shumë grave sot? (b) Cilat pyetje ngrihen?
2 Sot, në shumë pjesë të botës, gjendja nuk është shumë më e mirë. Në vitin 1994, për herë të parë, raporti vjetor për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shtetit, në Shtetet e Bashkuara, u përqendrua në trajtimin e grave. «Të dhëna nga 193 vende tregojnë se diskriminimi i përditshëm është një realitet»,—pohoi një artikull në New York Times, në lidhje me raportin.
3 Pasi një numër i madh grash, me prejardhje të ndryshme kulturore shoqërohen me kongregacionin e popullit të Jehovait kudo në botë, ngrihen disa pyetje: A është trajtimi i përshkruar, ai lloj që Perëndia kishte fillimisht ndër mend për gratë? Si trajtoheshin gratë midis adhuruesve të Jehovait në kohët biblike? Si duhen trajtuar sot gratë?
«Një ndihmës» dhe «një plotësim»
4. Çfarë vërejti Jehovai pasi burri i parë kishte qenë për shumë kohë vetëm në kopshtin e Edenit dhe çfarë bëri atëherë Perëndia?
4 Pasi Adami kishte qenë i vetëm për disa kohë në kopshtin e Edenit, Jehovai tha: «Nuk është mirë për burrin që të vazhdojë i vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zanafilla 2:18) Edhe pse Adami ishte një njeri i përsosur, për të përmbushur qëllimin e Krijuesit duhej edhe diçka tjetër. Për të përmbushur këtë nevojë, Jehovai krijoi gruan dhe kreu martesën e parë.—Zanafilla 2:21-24.
5. (a) Si është përdorur shpesh nga shkrimtarët e Biblës, emri hebre i përkthyer «ndihmës»? (b) Çfarë tregon fakti se Jehovai iu referua gruas së parë si «një plotësim»?
5 A tregojnë fjalët «ndihmës» dhe «plotësim» se roli që Perëndia i caktoi gruas ishte poshtërues? Përkundrazi. Shpesh, shkrimtarët e Biblës përdorin për Perëndinë emrin hebre (ʽeʹzer) të përkthyer «ndihmës». Për shembull, Jehovai provon se «është ndihma jonë dhe mburoja jonë». (Psalmi 33:20; Të Dalët 18:4; Ligji i përtërirë 33:7) Në Hozean 13:9, Jehovai i referohet madje vetes si «ndihmës» i Izraelit. Sa për fjalën hebreje (neʹghedh) të përkthyer «plotësim», një studiues i Biblës shpjegon: «Ndihma për të cilën bëhet fjalë nuk është vetëm një përkrahje në punën e tij të përditshme apo në bërjen e fëmijëve . . . por mbështetja reciproke që siguron shoqëria.»
6. Çfarë u tha pas krijimit të gruas së parë dhe përse?
6 Prandaj, nuk ka asgjë poshtëruese në përshkrimin që Jehovai i bën gruas si «një ndihmës» dhe «një plotësim». Gruaja kishte përbërjen e saj të veçantë mendore, emocionale dhe fizike. Ajo ishte shoqe e përshtatshme, një plotësim i kënaqshëm për burrin. Të dy ishin të ndryshëm, megjithatë të dy duhej «të mbushnin tokën» në përputhje me qëllimin e Krijuesit. Ka të ngjarë që pas krijimit të burrit e të gruas «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë».—Zanafilla 1:28, 31.
7, 8. (a) Si ndikoi futja e mëkatit në Eden mbi rolin e gruas? (b) Cilat pyetje ngrihen në lidhje me plotësimin e Zanafillës 3:16 midis shërbëtorëve të Jehovait?
7 Me futjen e mëkatit, për burrin dhe gruan gjërat ndryshuan. Jehovai shpalli për të dy dënimin si mëkatarë. «Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua»,—i tha Jehovai Evës, duke folur për pasojat që ai lejon sikur të ishin vepër e tij. Pastaj shtoi: «Me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.» (Zanafilla 3:16) Që prej asaj kohe, shumë gra kanë qenë nën sundimin, shpeshherë edhe të ashpër, të burrave të tyre. Në vend se të vlerësoheshin si ndihmëse apo plotësuese, ato janë trajtuar vazhdimisht si shërbëtore apo skllave.
8 Por, çfarë domethënie pati plotësimi i Zanafillës 3:16 për adhurueset e Jehovait? A ranë ato në një pozitë më të ulët dhe poshtëruese? Larg qoftë! Por, ç’mund të themi për tregimet biblike që flasin për zakone e praktika në lidhje me gratë, të cilat mund të duken të papranueshme në disa shoqëri të sotme?
Të kuptojmë zakonet biblike
9. Cilat janë tri gjërat që duhet të mbajmë parasysh, kur shqyrtojmë zakonet që përfshijnë gratë në kohët biblike?
9 Midis shërbëtorëve të Perëndisë në kohët biblike gratë trajtoheshin mirë. Natyrisht, për të shqyrtuar zakonet e atyre kohëve në lidhje me gratë, është e dobishme të mbajmë parasysh disa gjëra. Së pari, kur Bibla flet për ndodhi të papëlqyeshme që erdhën si rezultat i sundimit egoist të disa burrave të ligj, kjo nuk do të thotë se Perëndia e miratonte një trajtim të tillë që u bëhej grave. Së dyti, edhe pse Jehovai toleroi përkohësisht disa zakone midis shërbëtorëve të tij, ai i rregulloi ato, në mënyrë që të mbronte gratë. Së treti, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos gjykuar zakonet e lashtësisë sipas normave moderne. Disa zakone që mund të duken të papëlqyeshme për njerëzit e sotëm, nuk është e thënë që patjetër shiheshin si poshtëruese nga gratë e atëhershme. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
10. Si e shikon Jehovai praktikën e poligamisë dhe nga duket se ai kurrë nuk e braktisi normën e tij origjinale të monogamisë?
10 Poligamia.a Sipas qëllimit origjinal të Jehovait, një grua nuk mund ta ndante burrin e saj me një grua tjetër. Perëndia krijoi vetëm një grua për Adamin. (Zanafilla 2:21, 22) Pas rebelimit në Eden, praktika e poligamisë u shfaq së pari në linjën e Kainit. Duket se pastaj u bë zakon e u adoptua nga disa adhurues të Jehovait. (Zanafilla 4:19; 16:1-3; 29:21-28) Edhe pse Jehovai e lejoi poligaminë dhe kjo i shërbeu shtimit të popullsisë së Izraelit, ai tregoi kujdes për gratë, duke e rregulluar praktikën, në mënyrë që gratë dhe fëmijët e tyre të ishin të mbrojtura. (Të Dalët 21:10, 11; Ligji i përtërirë 21:15-17) Për më tepër, Jehovai nuk e braktisi kurrë normën e tij fillestare të monogamisë. Noeja dhe bijtë e tij, të cilëve iu përsërit urdhri për të qenë ‘frytdhënës e të mbushnin tokën’, ishin të gjithë me nga një grua. (Zanafilla 7:7; 9:1; 2. Pjetrit 2:5) Perëndia e portretizoi veten si një burrë monogam, kur tregoi në mënyrë simbolike marrëdhënien e tij me Izraelin. (Isaia 54:1, 5) Gjithashtu, edhe më pas, norma origjinale e Perëndisë për monogaminë u ritheksua nga Jezu Krishti dhe praktikohej në kongregacionin e parë të krishterë.—Mateu 19:4-8; 1. Timoteut 3:2, 12.
11. Përse paguhej çmimi i nuses në kohët e Biblës dhe a ishte ky poshtërues për gratë?
11 Pagesa e çmimit të nuses. Një libër pohon: «Ky detyrim për t’i paguar një shumë parash, ose barasvlerën e saj, familjes së vajzës, duket sikur i jep martesës izraelite pamjen e jashtme të një blerjeje. Por [çmimi i nuses] duket se nuk është edhe aq shumë çmimi i paguar për gruan, sesa një kompensim që i jepej familjes.» (Ancient Israel—Its Life and Institutions, kursivi është yni.) Prandaj, pagimi i çmimit të nuses shërbente për të kompensuar familjen e gruas për humbjen e shërbimeve që ajo bënte dhe për pëpjekjet dhe shpenzimet që familja kishte harxhuar për kujdesjen e saj. Pra, në vend se ta poshtëronte gruan, kjo vërtetonte vlerën që ajo kishte për familjen e saj.—Zanafilla 34:11, 12; Të Dalët 22:16; shiko Kullën e Rojës, 15 janar 1989, faqe 21-24, angl.
12. (a) Çfarë referimesh bëjnë disa herë Shkrimet për burrat dhe gratë e martuara dhe a ishin këto terma ofenduese për gratë? (b) Çfarë vlen të përmendet në lidhje me termat që Jehovai përdori në Eden? (Shiko shënimin.)
12 Burrat si «pronarë». Një ndodhi në jetën e Abrahamit e të Sarës, rreth vitit 1918 p.e.s., tregon se në atë kohë ishte e zakonshme që një burrë i martuar të konsiderohej si «pronar» (hebraisht baʹʽal) dhe një grua e martuar si ‘prona’ e tij (hebraisht beʽu·lahʹ). (Zanafilla 20:3) Këto shprehje janë përdorur edhe më pas në Shkrimet dhe nuk ka ndonjë shenjë që tregon se gratë para krishterimit i shihnin ato si ofenduese.b (Ligji i përtërirë 22:22) Megjithatë, gratë nuk duheshin trajtuar si objekte pronësie. Prona apo të mirat materiale mund të bliheshin, të shiteshin e madje edhe të trashëgoheshin, por nuk ndodhte kështu me një grua. «Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit,—thotë një proverb i Biblës,—por një bashkëshorte e mençur vjen nga Zoti.»—Proverbat 19:14; Ligji i përtërirë 21:14.
Një rol i nderuar
13. Cilat ishin rezultatet për gratë, kur burrat me frikë Perëndie ndiqnin shembullin e Jehovait dhe i bindeshin Ligjit të tij?
13 Cili ishte, pra, roli i grave midis shërbëtorëve të Perëndisë në kohët para krishterimit? Si konsideroheshin dhe si trajtoheshin ato? E thënë thjesht, kur burrat me frikë Perëndie ndiqnin vetë shembullin e tij dhe i bindeshin Ligjit të tij, gratë kishin dinjitetin e tyre dhe gëzonin shumë të drejta e privilegje.
14, 15. Çfarë treguesish ekzistojnë se gratë respektoheshin në Izrael dhe përse Jehovai pret me të drejtë që adhuruesit e tij t’i respektojnë ato?
14 Gratë duheshin respektuar. Ligji që Perëndia i dha Izraelit urdhëronte që etërit dhe nënat duheshin respektuar. (Të Dalët 20:12; 21:15, 17) «Secili prej jush të respektojë nënën dhe atin e tij»,—thotë Levitiku 19:3. Në një rast, kur Betsheba shkoi tek i biri, Solomoni, «mbreti u ngrit për t’i dalë përpara, u përul përpara saj» në shenjë respekti. (1. Mbretërve 2:19) Një enciklopedi vëren: «Krahasimet profetike të dashurisë së Perëndisë për Izraelin, me dashurinë e një burri për të shoqen, nuk mund të bëheshin tjetër veçse në një shoqëri ku gratë respektoheshin.»—Encyclopaedia Judaica.
15 Jehovai pret nga adhuruesit e tij që t’i respektojnë gratë, pasi edhe ai i respekton. Tregues të kësaj gjenden në shkrimet, në të cilat Jehovai përdor në mënyrë ilustruese përvoja të grave dhe i krahason ndjenjat e tij me ato të grave. (Isaia 42:14; 49:15; 66:13) Kjo i ndihmon lexuesit për të kuptuar se si ndihet Jehovai. Në mënyrë interesante, termi hebre i përdorur për fjalët «mëshirë» ose «dhembshuri», të cilën Jehovai e aplikon tek vetja, është i lidhur ngushtë me fjalën «prehër» ose «gji» dhe mund të përshkruhet si «ndjenjë prej nëne».—Të Dalët 33:19; Isaia 54:7.
16. Cilët shembuj tregojnë se këshillat e grave të devotshme vlerësoheshin?
16 Këshilla e grave të devotshme vlerësohej. Në një rast, kur Abrahami me frikë Perëndie ngurroi të dëgjonte këshillën e gruas së tij të devotshme, Sarës, Jehovai i tha: «Dëgjoje zërin e saj.» (Zanafilla 21:10-12, DSF) Gratë hitite të Esaut «u bënë shkas për një hidhërim të thellë të Isakut dhe të Rebekës». Me sa duket, Rebeka e shprehu vuajtjen që do të pësonte sikur djali i tyre, Jakobi, të martohej me një hitite. Si reagoi Isaku? «Atëherë,—thotë tregimi,—Isaku thirri Jakobin, e bekoi, i dha këtë urdhër dhe i tha: ‘Mos u marto me një grua nga Kanaanët.’» Po, edhe pse Rebeka nuk dha një këshillë të drejtpërdrejtë, i shoqi mori një vendim që i merrte parasysh ndjenjat e saj. (Zanafilla 26:34, 35; 27:46; 28:1) Më vonë, mbreti David shpëtoi nga faji i gjakut, sepse dëgjoi lutjen e Abigailës.—1. Samuelit 25:32-35.
17. Nga duket se gratë kishin njëfarë autoriteti në familje?
17 Gratë kishin njëfarë autoriteti në familje. Fëmijët u nxitën: «Dëgjoje, biri im, mësimin e tyt et dhe mos e përbuz shtjellimin e Ligjit të nënës sate.» (Proverbat 1:8, DSF) Përshkrimi i «gruas së aftë» në kapitullin 31 të Proverbave, zbulon se një grua e martuar punëtore jo vetëm që merret me punët e shtëpisë, por mund të bëjë edhe shitblerje pronash, të merret me bujqësi, të bëjë njëfarë tregtie dhe të njihet për fjalët e saj të mençura. Më e rëndësishmja ishte frika plot nderim që gruaja e denjë për lëvdim kishte ndaj Jehovait. Nuk habitemi, pra, që vlera e një gruaje të tillë «është xhevahiri më i çmueshëm»! Koralet e kuqe e të çmueshme ishin shumë të kërkuara për xhevahiret dhe për qëllime zbukurimi.—Proverbat 31:10-31, ECM.
Gra që morën favorin e veçantë të Perëndisë
18. Në ç’mënyra, disa grave në kohët biblike iu dha favor i veçantë?
18 Konsiderata e Jehovait për gratë është pasqyruar në favorin e veçantë që ai u dha disa prej tyre në kohët biblike. Hagara, Sara dhe gruaja e Manohaut u vizituan nga engjëj, të cilët u komunikuan atyre drejtimin hyjnor. (Zanafilla 16:7-12; 18:9-15; Gjykatësit 13:2-5) Në tabernakull kishte ‘gra që vinin për të bërë shërbime’ dhe në oborrin e Solomonit kishte këngëtare femra.—Të Dalët 38:8; 1. Samuelit 2:22; Eklisiastiu 2:8.
19. Në ç’mënyrë i përdori disa herë gratë Jehovai, për ta përfaqësuar atë?
19 Herë pas here në historinë e Izraelit, Jehovai përdori gra për ta përfaqësuar apo për të folur për të. Në lidhje me profeteshën Debora, lexojmë: «Bijtë e Izraelit vinin tek ajo për të kërkuar të drejtën.» (Gjykatësit 4:5) Pas disfatës që pësoi mbreti kananeas, Jabini, nga Izraeli, Debora pati një privilegj me të vërtetë të veçantë. Ka të ngjarë që ajo të ketë kompozuar, të paktën pjesërisht, këngën e fitores, e cila u bë pjesë e shkrimit të frymëzuar të Jehovait.c (Gjykatësit, kreu 5) Shekuj më vonë, për të pyetur Jehovain, mbreti Josia i dërgoi profeteshës Hulda një delegacion që përfshinte edhe kryepriftin. Me autoritet, Hulda mundi të përgjigjej: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.» (2. Mbretërve 22:11-15) Në atë rast, mbreti urdhëroi që delegacioni të shkonte te një profeteshë, por e bëri këtë për të marrë drejtim nga Jehovai.—Krahaso Malakia 2:7.
20. Cilët shembuj tregojnë kujdesin e Jehovait për ndjenjat dhe mirëqenien e grave?
20 Kujdesi i Jehovait për mirëqenien e grave është i dukshëm nga rastet, në të cilat ai veproi në mbështetje të disa adhuruesve të tij femra. Dy herë ndërhyri ai për të mbrojtur gruan e bukur të Abrahamit, Sarën, që të mos përdhunohej. (Zanafilla 12:14-20; 20:1-7) Perëndia i tregoi favor gruas që Jakobi donte më pak, Leas, duke ‘ia çelur barkun’ e kështu ajo lindi një djalë. (Zanafilla 29:31, 32) Kur dy mami izraelite me frikë Perëndie rrezikuan jetën e tyre, për të mbrojtur fëmijët meshkuj hebrenj nga vrasja e fëmijëve në Egjipt, Jehovai me çmueshmëri «u dha familje më vete». (Të Dalët 1:17, 20, 21) Ai iu përgjigj, gjithashtu, edhe lutjeve të zjarrta të Anës. (1. Samuelit 1:10, 20) Po kështu, kur vejusha e një profeti u ballafaqua me një huadhënës, i cili ishte përgatitur t’i merrte dy fëmijët për të shlyer borxhin, Jehovai nuk e braktisi. Me dashuri, Perëndia i dha mundësi profetit Elise që të shtonte sasinë e saj të vajit, në mënyrë që të mund të paguante borxhin. Kështu, ajo mbrojti familjen dhe dinjitetin e saj.—Të Dalët 22:22, 23; 2. Mbretërve 4:1-7.
21. Çfarë pamje të ekuilibruar të gjendjes së grave paraqesin Shkrimet Hebreje?
21 Prandaj, në vend se të paraqesin një pamje jo të favorshme të grave, Shkrimet Hebreje japin një përshkrim të ekuilibruar të gjendjes së tyre midis shërbëtorëve të Perëndisë. Edhe pse Jehovai nuk i mbrojti adhurueset e tij nga plotësimi i Zanafillës 3:16, gratë trajtoheshin me dinjitet dhe respekt nga burrat e devotshëm, të cilët ndiqnin shembullin e Jehovait dhe dëgjonin Ligjin e tij.
22. Si kishte ndryshuar roli i grave në kohën kur Jezui erdhi në tokë dhe cilat pyetje dalin?
22 Në shekujt pas plotësimit të Shkrimeve Hebreje, roli i grave midis hebrenjve ndryshoi. Në kohën kur Jezui erdhi në tokë, traditat e rabinëve i kishin kufizuar shumë gratë në privilegjet fetare dhe në jetën shoqërore. A ndikuan këto tradita mbi mënyrën në të cilën i trajtoi Jezui gratë? Si duhen trajtuar sot gratë e krishtere? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Sipas Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary, «poligamia» është një «martesë ku secili nga të martuarit e çdo seksi mund të ketë në të njëjtën kohë më shumë se një shok bashkëshortor». Në mënyrë më specifike, termi që përcaktohet nga Fjalori i Gjuhës Shqipe si «formë e martesës . . . kur një burrë mund të kishte në të njëjtën kohë disa gra», është «poligjini».
b Në të gjitha Shkrimet Hebreje, burrave dhe grave të martuara u është referuar shumë më shpesh me termat «burrë» (hebraisht ʼish) dhe «grua» (hebraisht ʼish·shahʹ). Në Eden, për shembull, termat që përdori Jehovai nuk ishin «pronar» dhe ‘pronë’, por «burrë» dhe «grua». (Zanafilla 2:24; 3:16, 17) Profecia e Hozeas paratha se pasi të kthehej nga robëria, në mënyrë të penduar Izraeli do ta quante Jehovain «burri im» dhe jo më «Baali [pronari, BR] im». Nga kjo mund të nxjerrim se termi «burrë» kishte një ngjyrim shumë më të ngrohtë se «pronar».—Hozea 2:16.
c Vlen të përmendet përdorimi i vetës së parë të njëjësit, duke iu referuar Deboras, në Gjykatësit 5:7.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë tregojnë fjalët «ndihmës» dhe «plotësim» mbi rolin që Perëndia u caktoi grave?
◻ Çfarë duhet të mbajmë parasysh, kur shqyrtojmë zakonet e kohëve biblike në lidhje me gratë?
◻ Nga duket se gratë kishin një rol të denjë midis shërbëtorëve të Perëndisë në kohët e lashta?
◻ Në ç’mënyra, Jehovai u dha favor të veçantë grave në kohët para krishterimit?