PIHAHIROTI
Vendfushimi i fundit i izraelitëve para se të kalonin Detin e Kuq. (Nu 33:7, 8) Pasi kishin fushuar në «Etam, buzë shkretëtirës» (Da 13:20), Perëndia Jehova e udhëzoi Moisiun që ‘të ktheheshin e të fushonin në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit’. (Da 14:1, 2) Nëse sot do të dihej ku ndodheshin Migdoli dhe Baal-Zefoni, nuk do të ishte e vështirë të përcaktohej edhe vendndodhja e Pihahirotit. Por kjo nuk dihet dhe ndonëse janë bërë gjithfarë përpjekjesh për t’i lidhur këta emra dhe atë të Pihahirotit me disa vende përgjatë kufirit lindor të Egjiptit të lashtë, s’është arritur asnjë përfundim bindës. Për këtë arsye duket se baza më e fortë për të pasur një ide të vendndodhjes së Pihahirotit janë të dhëna të tjera gjeografike që i gjejmë në tregimin biblik.
Pihahiroti ndodhej pranë Detit të Kuq, në një pikë ku e vetmja rrugë shpëtimi nga forcat egjiptiane që afroheshin, ishte të kaloje detin. Në atë pikë, deti duhet të ketë qenë aq i thellë sa ujërat mund ‘të ndaheshin’ që të formonin një rrugëkalim «përmes detit», duke u ngritur si «një mur» në të dyja anët. (Da 14:16, 21, 22) Asnjë vend në veri të gjirit të Suezit nuk mund t’i plotësonte këto kushte. Është e vërtetë që shumë studiues të sotëm përkrahin teorinë se kalimi ndodhi në zonën e cekët të Liqeneve të Hidhura, që fillon rreth 25 km në veri të Suezit. Mirëpo, kjo teori ose mohon faktin se deti u kalua me anë të një mrekullie (duke pohuar se bëhej fjalë vetëm për kalimin e një moçali a kënete), ose përkrah idenë se skaji verior i Detit të Kuq në lashtësi arrinte deri në zonën e Liqeneve të Hidhura dhe se në atë kohë ujërat atje ishin shumë më të thella, ndërkohë që dëshmitë arkeologjike tregojnë se niveli i ujit ka ndryshuar fare pak nga kohët e lashta.
Për këtë arsye hipoteza që përputhet më tepër me tregimin e Biblës mbetet ajo që kanë shtruar disa studiues më të hershëm (të shekullit të 19-të). Pihahiroti duhet të ketë qenë një vend në rrafshinën e ngushtë rrëzë anës juglindore të Jebel-ʽAtakahut, rreth 20 km në jugperëndim të Suezit. Mendohet se kalimi filloi nga Ras-ʽAtakahu, skaji i malit, dhe pasi përshkuan shtratin e detit, arritën afër oazës ʽAjun-Musaʼ në bregun tjetër. Në këtë pikë shtrati i detit zbret gradualisht nga të dyja brigjet për shkak të cekëtinave ranore që shtrihen për 3 km në secilën anë. Thellësia maksimale e ujit diku në mes të kësaj rruge është rreth 15 m. Largësia nga njëri breg në tjetrin është rreth 10 km, një hapësirë aq e gjerë sa izraelitët—që ka të ngjarë të ishin 3 milionë—të kalonin nëpër shtratin e detit, ndërkohë që edhe ushtria e faraonit ecte nëpër atë rrugëkalim të hapur me anë të një mrekullie, teksa përpiqej të arrinte turmën e izraelitëve.—Shih DALJA (Itinerari i Daljes).
Në përgjithësi kjo pikëpamje përkon me traditën që na përcjell Jozefi, historian jude i shekullit të parë të e.s., sipas së cilës, para se të kalonin detin, izraelitët ishin ‘bllokuar mes shkëmbinjve të pakapërcyeshëm dhe detit’. (Antikitete judaike, II, 324 [xv, 3]) ‘Kthimi’ i izraelitëve nga Etami për në vendin e përshkruar më sipër, do të përputhej më së miri edhe me parashikimin e Jehovait se faraoni do të thoshte për ta: «Ata po bredhin të hutuar. Shkretëtira i ka zënë brenda.» (Da 14:3) Kjo nuk do të thuhej dot për vendet në veri të Suezit. Gjithashtu, nëse Pihahiroti do të ndodhej në afërsi të Jebel-ʽAtakahut, forcat e faraonit mund t’u afroheshin me shpejtësi izraelitëve duke ndjekur një udhë të rrahur nga Memfisi (ka të ngjarë kryeqyteti i Egjiptit në atë kohë) për në gadishullin e Sinait.—Da 14:4-9.
Edhe pse përkon me të dhënat gjeografike, kjo vendndodhje e Pihahirotit duhet konsideruar thjesht një hipotezë, në pritje të provave të mëtejshme.