DALJA
Çlirimi i kombit të Izraelit nga skllavëria në Egjipt. Pasi i premtoi se fara e tij do të trashëgonte vendin, Jehovai i tha (para vitit 1933 p.e.s.) Abrahamit: «Dije mirë se ata që do të vijnë nga fara jote, do të jenë banorë të ardhur në një vend që s’është i tyre. Kanë për t’u bërë skllevër dhe do të mundohen për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin që do t’i shërbejnë dhe pas kësaj, ata do të dalin që andej me shumë të mira. . . . Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse amoritët nuk e kanë mbushur ende kupën me fajet e tyre.»—Zn 15:13-16.
Është e qartë që para se të fillonte periudha 400-vjeçare e mundimit, duhej të shfaqej «fara» e premtuar. Ndonëse Abrahami kishte qenë edhe më parë në Egjipt kur në Kanaan kishte zi buke, dhe kishte pasur probleme me faraonin, në atë kohë ai s’kishte fëmijë. (Zn 12:10-20) Jo shumë kohë pasi Perëndia kishte folur për periudhën 400-vjeçare të mundimit, kur Abrahami ishte 86 vjeç (në vitin 1932 p.e.s.) skllavja dhe konkubina e tij egjiptiane i lindi një djalë, Ismaelin. Mirëpo, vetëm 14 vjet më vonë (1918 p.e.s) gruaja e lirë e Abrahamit, Sara, i lindi Isakun dhe Perëndia e zgjodhi këtë bir si personin përmes të cilit do të vinte Fara e premtuar. Sidoqoftë, nuk kishte ardhur ende koha që Perëndia t’i jepte Abrahamit ose farës së tij vendin e Kanaanit. Për këtë arsye, ashtu siç ishte parathënë, ata ishin ‘banorë të ardhur në një vend që s’ishte i tyre’.—Zn 16:15, 16; 21:2-5; He 11:13.
Koha e Daljes. Pra, kur filloi dhe kur mbaroi periudha 400-vjeçare e mundimit? Tradita judaike e fillon llogaritjen nga lindja e Isakut. Por, faktikisht, dëshminë e parë të mundimit e gjejmë ditën kur u zvordh Isaku. Sipas dëshmive, mundimi filloi në vitin 1913 p.e.s., kur Isaku ishte rreth 5 vjeç dhe Ismaeli rreth 19 vjeç. Në atë kohë, Ismaeli, «ai që kishte lindur sipas mishit, filloi të përndiqte atë që kishte lindur sipas frymës». (Ga 4:29) Ismaeli, që ishte gjysmë egjiptian, nga xhelozia e urrejtja, nisi të «tallej» me Isakun e vogël. (Zn 21:9) Edhe pse disa përkthime të tjera thonë se Ismaeli e «përqeshte» Isakun (DSF, Kris), kjo ishte shumë më tepër se një zënkë fëmijësh. Mundimi i farës së Abrahamit vazhdoi gjatë tërë jetës së Isakut. Ndonëse Jehovai e bekoi Isakun kur u bë burrë, ai u përndoq nga banorët e Kanaanit dhe u detyrua të endej nga njëri vend në tjetrin për shkak të telasheve që i krijuan. (Zn 26:19-24, 27) Së fundi, në vitet e fundit të jetës së Jakobit, birit të Isakut, «fara» e premtuar shkoi të banonte në Egjipt, ku, me kalimin e kohës, ra në skllavëri.
Cilat prova biblike na ndihmojnë të përcaktojmë datën e Daljes së Izraelit nga Egjipti?
Pra, periudha 400-vjeçare e mundimit shtrihet nga viti 1913 p.e.s. deri në vitin 1513 p.e.s. Ajo ishte edhe një periudhë kur Perëndia u tregoi hir, apo i toleroi, kananitët, një nga fiset kryesore të të cilëve ishin amoritët. Në vitin 1513 p.e.s., fajet e tyre do ta kishin mbushur kupën dhe do ta meritonin plotësisht të dëboheshin nga vendi. Si hap të parë drejt këtij dëbimi, Perëndia do ta kthente vëmendjen nga populli i tij në Egjipt, duke e çliruar nga skllavëria dhe duke e rikthyer në Tokën e Premtuar.—Zn 15:13-16.
Periudha 430-vjeçare. Një mënyrë tjetër llogaritjeje bazohet te fjalët e Daljes 12:40, 41. Sipas përkthimit të Kristoforidhit aty thuhet se «koha e të-ndënjurit të bijvet të Israilit që ndënjnë ndë Egjyptë ishte katrë qint e tri-dhjetë vjet. Edhe ndë funtt të katrë qint e tri-dhjetë vjetvet, gjithatë ditë, duallnë gjithë ushtërit’ e Zotit nga dheu i Egjyptësë». Shprehja «që ndenjën» në hebraisht është në shumës dhe përemri lidhor «që» mund t’u referohet ‘bijve të Izraelit’ dhe jo ‘kohës së të ndenjurit’. Shënimi te vargu 40 në Përkthimin Bota e Re thotë se «disa versione të hershme tregojnë se izraelitët banuan në Kanaan dhe në Egjipt». Faktikisht, Septuaginta greke e përkthen këtë varg: «Por, banimi i bijve të Izraelit, gjatë të cilit ata banuan në Egjipt dhe në Kanaan, [ishte] katërqind e tridhjetë vjet i gjatë.» Në Pentateukun samaritan thuhet: «. . . në Kanaan dhe në Egjipt.» Të gjitha këto përkthime tregojnë se periudha 430-vjeçare përfshin një kohë më të gjatë se qëndrimi i izraelitëve në Egjipt.
Apostulli Pavël tregon se kjo periudhë 430-vjeçare (te Da 12:40) nisi kur u shpall e vlefshme besëlidhja abrahamike dhe mbaroi me Daljen. Pavli thotë: «Po ju them edhe këtë: besëlidhjen [abrahamike] që u shpall më parë e vlefshme nga Perëndia, Ligji që erdhi në jetë katërqind e tridhjetë vjet më vonë [në po atë vit kur ndodhi Dalja], nuk e zhvleftësoi, që të shfuqizojë kështu premtimin. . . . kurse Perëndia ia ka dhënë dashamirësisht Abrahamit nëpërmjet një premtimi.»—Ga 3:16-18.
Sa kohë kaloi nga momenti kur u shpall e vlefshme besëlidhja abrahamike deri kur izraelitët shkuan në Egjipt? Te Zanafilla 12:4, 5 shohim se Abrahami ishte 75 vjeç kur doli nga Harani dhe kaloi Eufratin për të shkuar në Kanaan (në vitin 1943 p.e.s.). Në këtë kohë hyri në fuqi besëlidhja abrahamike, premtimi që iu bë më parë në Ur të Kaldeasve. Më pas, nga referimet gjenealogjike të Zanafillës 12:4; 21:5; 25:26 dhe nga fjalët e Jakobit te Zanafilla 47:9, kuptohet se nga koha kur u shpall e vlefshme besëlidhja abrahamike deri kur Jakobi u shpërngul bashkë me familjen në Egjipt, kaluan 215 vjet. Kjo do të tregonte se, faktikisht, izraelitët jetuan në Egjipt 215 vjet (1728-1513 p.e.s.). Kjo shifër përkon me të dhëna të tjera kronologjike.
Nga Dalja te ndërtimi i tempullit. Kjo pikëpamje përputhet dhe argumentohet edhe nga dy të dhëna të tjera kronologjike. Solomoni nisi të ndërtonte tempullin vitin e katërt të mbretërimit të tij (1034 p.e.s.), për të cilin përkthimi i Simon Filipajt te 1 Mbretërve 6:1 thotë se ishte ‘i katërqind e tetëdhjeti vit’ nga koha e Daljes (1513 p.e.s.).
‘Rreth 450 vjet’. E dhëna tjetër është fjalimi i Pavlit para një auditori në Antioki të Pisidisë, që gjendet te Veprat 13:17-20, ku ai i referohet një periudhe prej ‘rreth katërqind e pesëdhjetë vjetësh’. Ai e fillon diskutimin për historinë e izraelitëve nga koha kur Perëndia «zgjodhi paraardhësit tanë», domethënë, nga koha kur kishte lindur Isaku, fara e premtimit (1918 p.e.s.). (Lindja e Isakut e zgjidhi përfundimisht çështjen se kë do të njihte Perëndia si farën, e cila ishte vënë në pikëpyetje për shkak se Sara ishte shterpë.) Duke filluar nga këtu, Pavli vazhdon të përshkruajë veprat që Perëndia bëri për kombin e tij të zgjedhur, gjersa «u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel». Me sa duket, pra, periudha prej ‘rreth katërqind e pesëdhjetë vjetësh’ shtrihet nga lindja e Isakut në vitin 1918 p.e.s., deri në vitin 1467 p.e.s., apo 46 vjet pas Daljes në vitin 1513 p.e.s. (40 vjet kishin kaluar duke u endur nëpër shkretëtirë dhe 6 vjet për të shtënë në dorë Kanaanin). (Lp 2:7; Nu 9:1; 13:1, 2, 6; Js 14:6, 7, 10) Shifra e përgjithshme përputhet qartë me numrin e rrumbullakosur prej ‘rreth katërqind e pesëdhjetë vjetësh’ që përmend apostulli. Prandaj, të dyja këto referime kronologjike mbështetin vitin 1513 p.e.s. si vitin e Daljes dhe përkojnë me kronologjinë biblike për mbretërit e gjykatësit e Izraelit.—Shih KRONOLOGJIA (Nga viti 1943 p.e.s. deri te Dalja).
Pikëpamje të tjera. Përcaktimi i vitit 1513 p.e.s si viti i Daljes dhe, si pasojë, pushtimi i Kanaanit nga izraelitët dhe rënia e Jerikosë në vitin 1473 p.e.s., 40 vjet pas Daljes, është konsideruar si shumë i hershëm nga disa kritikë, sipas të cilëve këto ngjarje duhet të kenë ndodhur nga fundi i shekullit të 14-të e madje edhe i shekullit të 13-të p.e.s. Sidoqoftë, edhe pse disa arkeologë e vendosin rënien e Jerikosë në shekullin e 13-të p.e.s., ata nuk mbështeten te ndonjë dokument a dëshmi historike e lashtë, por te gjetjet qeramike. Është e dukshme se kjo llogaritje e periudhave kohore në bazë të gjetjeve qeramike bazohet shumë në hamendje, siç është e dukshme nga kërkimet e bëra në Jeriko. Gjetjet e atjeshme i kanë çuar arkeologët në përfundime dhe datime kontradiktore.—Shih ARKEOLOGJIA (Ndryshime në datim); KRONOLOGJIA (Datimi arkeologjik).
Edhe mes egjiptologëve ekzistojnë dallime në përcaktimin e datave të dinastive të Egjiptit. Për shkak të këtyre dallimeve, që arrijnë në shekuj, këto datime s’mund të përdoren për asnjë periudhë specifike. Ja përse nuk është e mundur të themi me siguri se cili ishte faraoni i periudhës së Daljes. Ndonëse disa arsyetojnë se ishte Tutmesi III, Amenofi II, Ramsesi II e kështu me radhë, në secilin rast këto arsyetime nuk kanë baza të qëndrueshme.
Autenticiteti i tregimit të Daljes. Një kundërshtim që ka lindur për tregimin e Daljes, është se faraonët e Egjiptit nuk e kanë dokumentuar kurrkund Daljen. Megjithatë, kjo s’është ndonjë gjë e pazakontë. Edhe në kohët më moderne, mbretërit kanë regjistruar vetëm fitoret dhe jo disfatat, si dhe janë përpjekur shpesh të shuajnë nga historia çdo gjë që bie ndesh me figurën e tyre apo me imazhin e kombit ose me ideologjinë që ata janë përpjekur t’i ngulitin popullit. Madje edhe kohët e fundit pushtetarët janë munduar të fshijnë veprat dhe reputacionin e paraardhësve të tyre. Në mbishkrimet egjiptiane, çdo gjë që shihej si e sikletshme apo e papëlqyeshme, nuk përfshihej fare ose hiqej sa më parë të ishte e mundur. Për shembull, Tutmesi III e kishte prishur me daltë emrin dhe figurën e paraardhëses së tij, mbretëreshës Hatshepsut, në një monument guri të zbuluar në Deir-al-Bahri, Egjipt.—Shih Archaeology and Bible History, nga J. P. Fri, 1964, f. 98 dhe fotografinë përballë faqes 94.
Manetoja, një prift egjiptian që duket qartë se i urrente judenjtë, shkroi në greqisht rreth vitit 280 p.e.s. Sipas Jozefit, një historiani jude, Manetoja paska thënë se të parët e judenjve «u futën në Egjipt me mijëra e mijëra dhe i nënshtruan banorët». Pastaj, Jozefi thotë se Manetoja «e pranon se, më pas, ata u dëbuan nga vendi, pushtuan zonën ku sot ndodhet Judea, themeluan Jerusalemin dhe ndërtuan tempullin».—Kundër Apionit, I, 228 (26).
Ndonëse, në përgjithësi, tregimi i Manetos nuk është aspak historik, është domethënës fakti që ai thotë se judenjtë ishin në Egjipt dhe dolën prej andej. Në shkrime të tjera, sipas Jozefit, ai e lidh Moisiun me Osarsifin, një prift egjiptian. Kjo tregon se judenjtë ishin në Egjipt dhe se udhëheqësi i tyre ishte Moisiu, edhe pse kjo nuk është pasqyruar në monumentet egjiptiane. Jozefi përmend edhe një historian tjetër egjiptian, Keremonin, i cili thotë se Jozefi dhe Moisiu u dëbuan nga Egjipti njëkohësisht; po ashtu, flet edhe për njëfarë Lisimaku, i cili tregon një histori të ngjashme.—Kundër Apionit, I, 228, 238 (26); 288, 290 (32); 299 (33); 304-311 (34).
Numri i atyre që dolën. Te Dalja 12:37 na jepet numri i plotë prej 600.000 ‘burrash në këmbë’, pa numëruar «të vegjlit». Sipas tregimit të Numrave 1:2, 3, 45, 46, në regjistrimin që u bë rreth një vit pas Daljes ata ishin 603.550 meshkuj nga 20 vjeç e lart, përveç levitëve (Nu 2:32, 33), nga të cilët 22.000 ishin meshkuj njëmuajsh e lart. (Nu 3:39) Termi hebraik gevarím (burrë) nuk përfshin gratë. (Krahaso Jr 30:6.) Fjala «të vegjlit» vjen nga hebraishtja taf dhe u referohet atyre që ecin me hapa të zhdërvjellët. (Krahaso Is 3:16.) Shumë nga këta ‘të vegjël’ duhet t’i kenë mbajtur në krahë ose, të paktën, nuk kanë mundur ta bënin gjithë udhëtimin në këmbë.
«Në brezin e katërt.» S’duhet të harrojmë që Jehovai i tha Abrahamit se pasardhësit e tij do të ktheheshin në Kanaan në brezin e katërt. (Zn 15:16) Sipas tregimit, gjatë gjithë periudhës 430-vjeçare që nga koha kur besëlidhja abrahamike hyri në fuqi e deri te Dalja, kishte më shumë se katër breza, edhe nëse marrim parasysh jetëgjatësinë e asaj kohe. Gjithsesi, izraelitët jetuan në Egjipt vetëm 215 vjet. ‘Katër brezat’ pas hyrjes së tyre në Egjipt, mund të llogariten në këtë mënyrë, duke marrë si shembull një fis të Izraelit, fisin e Levit: (1) Levi, (2) Kehathi, (3) Amrami dhe (4) Moisiu.—Da 6:16, 18, 20.
Përderisa ata që dolën nga Egjipti ishin 600.000 burra, përveç grave e fëmijëve, kjo do të thotë se gjithsej mund të kenë qenë më shumë se tre milionë. Edhe pse disa e kundërshtojnë këtë përfundim, kjo nuk është aspak e paarsyeshme. Faktikisht, edhe pse që nga Levi deri te Moisiu ishin vetëm katër breza, po të mbajmë parasysh se këta burra jetuan gjatë, çdonjëri prej tyre mund të ketë parë të lindnin gjatë jetës së tij disa breza fëmijësh. Edhe sot, një burrë 60 a 70 vjeç, shpesh ka nipër e madje edhe stërnipër (pra, katër breza që jetojnë njëkohësisht).
Rritje e jashtëzakonshme. Tregimi biblik thotë: «Bijtë e Izraelit u bënë frytdhënës, dhe toka nisi të gëlonte prej tyre. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ata shumoheshin e bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm, aq sa vendi u mbush me ta.» (Da 1:7) Në fakt, aq shumë u bënë, sa mbreti i Egjiptit tha: «Populli i Izraelit është më i madh dhe më i fuqishëm se ne.» «Por sa më shumë i shtypnin, aq më shumë ata shumoheshin e përhapeshin kudo, aq sa egjiptianët tmerroheshin nga bijtë e Izraelit.» (Da 1:9, 12) Po ashtu, duke ditur se poligamia dhe pasja e konkubinave ishin të zakonshme, dhe se disa izraelitë u martuan me egjiptiane, kuptohet qartë se si arritën të kishin një numër prej 600.000 meshkujsh të rritur.
Shtatëdhjetë shpirt nga shtëpia e Jakobit zbritën në Egjipt ose lindën atje pak kohë më pas. (Zn 46) Po të mos përfshijmë Jakobin, 12 bijtë e tij, bijën e tij, Dinën, mbesën e tij, Serën, tre bijtë e Levit dhe ndoshta disa krerë të familjeve që nisën të shtoheshin në Egjipt, nga 70 mund të mbeten vetëm 50 shpirt. (Bijtë e Levit nuk llogariten ngaqë levitët nuk u përfshinë në numrin e mëvonshëm prej 603.550 vetash.) Pra, po të nisemi nga vlerësimi i përkorë prej 50 krerë familjesh dhe po të mbajmë ndër mend pohimin e Biblës se ‘bijtë e Izraelit u bënë frytdhënës, dhe toka nisi të gëlonte prej tyre [dhe se] me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ata shumoheshin e bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm, aq sa vendi u mbush me ta’ (Da 1:7), mund të tregojmë kollaj se në kohën e Daljes jetonin 600.000 burra në moshë për ushtar, nga 20 deri në 50 vjeç. Le të shqyrtojmë sa vijon.
Po të kemi parasysh se në atë kohë familjet ishin të mëdha dhe se izraelitët dëshironin të kishin fëmijë për të përmbushur premtimin e Perëndisë, nuk do të ishte e paarsyeshme të llogaritnim se nga mosha 20 deri 40 vjeç, çdo kryefamiljar mund të ketë lindur, mesatarisht, dhjetë fëmijë (gati gjysma e të cilëve djem). Për të qenë të matur, ta zëmë se secili nga 50 meshkujt që më pas u bënë krerë familjesh, u bë me fëmijë vetëm 25 vjet pasi kishte hyrë në Egjipt. Gjithashtu, disa meshkuj mund të mos kenë bërë fëmijë për shkak se kanë vdekur apo për shkaqe të tjera, ose mund t’i kenë humbur aftësitë riprodhuese para se të mbushnin 40 vjeç, mosha që vendosëm si kufi më sipër. Në këtë mënyrë, mund ta ulim me 20 për qind numrin e meshkujve që u bënë baballarë. Me pak fjalë, kjo do të thotë se brenda një periudhe 20-vjeçare, nga djemtë që u lindën 50 kryefamiljarëve që përcaktuam në fillim, do të bëheshin me familje vetëm 200 dhe jo 250.
Urdhri i faraonit. Mund të konsiderojmë edhe një faktor tjetër: urdhrin e faraonit për të vrarë të gjithë meshkujt e sapolindur. Duket se ky urdhër nuk dha shumë rezultat dhe zgjati pak. Aaroni lindi nja tre vjet para Moisiut (ose në vitin 1597 p.e.s.) dhe, me sa duket, ky urdhër nuk ishte në fuqi në atë kohë. Bibla e thotë hapur se urdhri i faraonit nuk pati shumë sukses. Shifra dhe Puaha, gratë hebreje që ka të ngjarë të kenë qenë kryemami, nuk e zbatuan urdhrin e mbretit. Nga ç’duket, ato nuk i udhëzuan mamitë e tjera të vepronin sipas atij urdhri. Si rezultat «populli shtohej e bëhej shumë i fuqishëm». Prandaj, faraoni e urdhëroi popullin e vet të hidhnin në lumin Nil çdo djalë të sapolindur izraelit. (Da 1:15-22) Mirëpo, egjiptianët duket se nuk i urrenin hebrenjtë deri në këtë pikë. Në fakt, vetë vajza e faraonit shpëtoi Moisiun. Po ashtu, ka mundësi që faraoni ta ketë kuptuar shpejt se, nëse urdhri i tij do të mbetej në fuqi, do të humbiste skllevër të vlefshëm. Ne e dimë se, më vonë, faraoni i Daljes nuk i lejoi izraelitët të shkonin, pikërisht sepse i çmonte si krahë pune të vlefshëm.
Megjithatë, për të qenë akoma më të matur, numrin e djemve që mbijetuan gjatë një periudhe pesëvjeçare mund ta ulim me afro një të tretën, për të paraqitur kështu pasojat e mundshme të dekretit të pasuksesshëm të faraonit.
Një llogaritje. Edhe duke bërë gjithë këto lëshime, prapëseprapë popullsia do të rritej me një ritëm të përshpejtuar, me bekimin e Perëndisë. Fëmijët e lindur çdo pesëvjeçar, gjatë dhe pas vitit 1563 p.e.s. (d.m.th., 50 vjet para Daljes) deri në vitin 1533 (apo 20 vjet para Daljes), do të ishin:
RRITJA E NUMRIT TË MESHKUJVE
p.e.s.
Djem të lindur
nga 1563 në 1558
47.350
nga 1558 në 1553
62.300
nga 1553 në 1548
81.800
nga 1548 në 1543
103.750
nga 1543 në 1538
133.200
nga 1538 në 1533
172.250
—
Gjithsej 600.650*
* Vlerësim hipotetik i numrit të meshkujve nga 20 deri 50 vjeç në kohën e Daljes (1513 p.e.s.)
Vlen të përmendet se, edhe po të bëjmë një rregullim të vogël në metodën e llogaritjes, për shembull, duke e shtuar me një numrin e djemve që do të lindte mesatarisht një baba, kjo shifër do të ishte mbi një milion.
Sa ishte numri i popullsisë që doli nga Egjipti nën drejtimin e Moisiut?
Përveç 600.000 burrave të përmendur në Bibël, kishte edhe shumë të moshuar, akoma më shumë gra e fëmijë dhe ‘një turmë të madhe të përzier’ me joizraelitë. (Da 12:38) Kështu, ka mundësi që numri i përgjithshëm i popullsisë që doli nga Egjipti, të ketë qenë mbi tre milionë veta. S’është për t’u habitur se përse mbreti i Egjiptit nuk e kapërdinte dot se mund t’i iknin kaq shumë skllevër. Kjo u solli një humbje ekonomike me vlerë të konsiderueshme.
Bibla tregon se numri i burrave të aftë për luftë të ngjallte frikë: «Moabi u tremb shumë nga ky popull, se ishte i madh, po, e zuri tmerri nga bijtë e Izraelit.» (Nu 22:3) Pjesërisht, moabitët u trembën sepse Jehovai kishte bërë mrekulli për Izraelin, por edhe për shkak të numrit të tyre të madh. Kjo frikë nuk do të kishte kuptim nëse do të ishin vetëm disa mijëra. Numri i popullsisë së Izraelit u luhat fare pak gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, sepse shumë prej tyre vdiqën ngaqë nuk qëndruan besnikë.—Nu 26:2-4, 51.
Në regjistrimin që u bë pak pas Daljes, levitët u llogaritën më vete, dhe të gjithë meshkujt njëmuajsh e lart ishin 22.000. (Nu 3:39) Atëherë, si ka mundësi që 12 fiset e tjera kishin vetëm 22.273 të parëlindur meshkuj njëmuajsh e lart? (Nu 3:43) Këtë mund ta kuptojmë lehtësisht, po të mbajmë parasysh se krerët e familjeve nuk llogariteshin dhe se, përderisa poligamia lejohej, një burrë mund të kishte shumë djem, por vetëm një të parëlindur dhe se numërohej vetëm i parëlinduri i burrit e jo i gruas.
Çështje që përfshihen. Sipas premtimit që i kishte bërë Abrahamit, kishte ardhur koha që Perëndia të çlironte kombin e Izraelit nga «furra e hekurt» e Egjiptit. Falë premtimit që i kishte bërë Abrahamit, Jehovai e konsideronte Izraelin si të parëlindurin e vet. Jakobi zbriti vullnetarisht në Egjipt bashkë me shtëpinë e vet, por, më vonë, pasardhësit e tij u bënë skllevër. Si komb, ata ishin të dashur për Jehovain, si një bir i parëlindur, dhe Jehovai kishte të drejtën ligjore t’i çlironte nga Egjipti pa paguar asnjë çmim.—Lp 4:20; 14:1, 2; Da 4:22; 19:5, 6.
Faraoni iu kundërvu qëllimit të Jehovait dhe nuk deshi ta lironte kombin e madh të skllevërve. Për më tepër, kur Moisiu i kërkoi në emër të Jehovait që t’i niste izraelitët në shkretëtirë për të kremtuar një festë për Të, faraoni u përgjigj: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?! Unë s’e njoh fare Jehovain.» (Da 5:2) Faraoni e mbante veten për perëndi dhe nuk e pranoi autoritetin e Jehovait, ndonëse, pa dyshim, i kishte dëgjuar shpeshherë hebrenjtë ta përdornin emrin e Perëndisë. Populli i Jehovait e kishte njohur që nga fillimi emrin e tij, madje Abrahami iu drejtua Perëndisë me emrin Jehova.—Zn 2:4; 15:2.
Qëndrimi dhe veprimet e faraonit ngritën çështjen se kush ishte Perëndia i vërtetë. Ishte e nevojshme që Perëndia Jehova të lartësohej mbi perënditë e Egjiptit, përfshirë edhe faraonin, që përnderohej si perëndi. Ai e bëri këtë duke e goditur Egjiptin me Dhjetë Plagët, pas të cilave Izraeli u la i lirë. (Shih PERËNDITË DHE PERËNDESHAT [Dhjetë Plagët].) Në kohën e plagës së dhjetë, vdekjes së të parëlindurve, izraelitët morën urdhrin që gjatë darkës së Pashkës të ishin gati për të dalë nga Egjipti. Edhe pse u larguan me të shpejtë, të nxitur nga egjiptianët që thoshin se ‘do të vdisnin të gjithë’, izraelitët nuk dolën duarbosh. (Da 12:33) Morën me vete tufat e kopetë dhe magjet me brumin e paardhur. Veç kësaj, egjiptianët u dhanë gjithçka që kërkuan, sende argjendi, ari dhe rroba. Vlen të thuhet se kjo nuk ishte një grabitje. Egjiptianët s’kishin të drejtë ta skllavëronin Izraelin, prandaj ia kishin borxh pagën.—Da 12:34-38.
Bashkë me Izraelin doli edhe «një turmë e madhe e përzier». (Da 12:38) Të gjithë këta ishin adhurues të Jehovait, sepse faktikisht ishin përgatitur të iknin me Izraelin kur egjiptianët po varrosnin të vdekurit. Kishin kremtuar edhe Pashkën, pasi përndryshe do të kishin marrë pjesë në zinë dhe ritet e varrimit të egjiptianëve. Deri diku, kjo turmë mund të jetë përbërë nga persona që, në njëfarë mënyre, kanë pasur lidhje me izraelitët për shkak të martesave mes tyre. Për shembull, shumë izraelitë ishin martuar me egjiptiane dhe, po kështu, gratë izraelite ishin martuar me egjiptianë. I tillë ishte rasti i një personi që u vra në shkretëtirë pasi shante emrin e Jehovait. Ai ishte biri i një egjiptiani, kurse e ëma, Shelomita, ishte nga fisi i Danit. (Le 24:10,11) Gjithashtu, ia vlen të vërehet se Jehovai dha udhëzime të përhershme në lidhje me kërkesat që duhet të përmbushnin të ardhurit dhe skllevërit për të ngrënë Pashkën, kur Izraeli të futej në Tokën e Premtuar.—Da 12:25, 43-49.
Itinerari i Daljes. Kur nisën të dilnin nga Egjipti, izraelitët nuk duhet të kenë qenë që në fillim të gjithë bashkë, por të shpërndarë në vende të ndryshme. Disa mund të jenë bashkuar rrugës me grupin kryesor. Vendnisja ishte Ramsesi, qyteti ose krahina me këtë emër, dhe etapa e parë e udhëtimit ishte deri në Sukot. (Da 12:37) Disa studiues sugjerojnë se Moisiu e nisi udhëtimin nga Ramsesi, kurse izraelitët erdhën nga gjithë Gosheni dhe u takuan në Sukot.—HARTA, vëll. 1, f. 536 në botimin anglisht.
Izraelitët nuk ishin aspak të paorganizuar, paçka se ishin larguar me të shpejtë nga Egjipti të nxitur nga egjiptianët: «Bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi», me shumë gjasë si një ushtri e përbërë nga pesë pjesë, pararoja, praparoja, pjesa kryesore dhe dy krahët. Përveç aftësive të Moisiut si prijës, Jehovai e shfaqi dukshëm rolin e tij udhëheqës, të paktën që kur izraelitët fushuan në Etam. Ditën u printe udhën me një shtyllë reje, e cila natën kthehej në një shtyllë zjarri që t’u jepte dritë.—Da 13:18-22.
Rruga më e shkurtër do të kishte qenë një udhëtim rreth 400 km në rrugë tokësore nga një zonë pak më në veri të Memfisit, deri, le të themi, në Lakish në Tokën e Premtuar. Mirëpo, po të merrnin këtë udhë, izraelitët do të kalonin përgjatë bregut të Mesdheut dhe vendit të filistinëve. Në të shkuarën, etërit e tyre, Abrahami dhe Isaku, kishin pasur probleme me filistinët. Perëndia e dinte se izraelitët mund t’i lëshonte zemra po t’i sulmonin filistinët dhe se ishin të pamësuar me luftën e kishin me vete familjet dhe bagëtinë, prandaj i urdhëroi të ktheheshin e të fushonin në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit. Fushuan pranë detit.—Da 14:1, 2.
Sot është e pamundur të përcaktojmë me saktësi rrugën që ndoqën izraelitët për të shkuar nga Ramsesi në Detin e Kuq, ngaqë vendet e përmendura në tregimin biblik s’mund të lokalizohen me siguri të plotë. Shumica e veprave të referimit parapëlqejnë të tregojnë se ata kaluan përmes vendit që sot njihet si Vadi-Tumilat, në zonën e deltës në Egjipt. Megjithatë, ky itinerar mbështetet kryesisht në pretendimin se Ramsesi është një vend në cepin verilindor të zonës së deltës. Mirëpo, profesori i egjiptologjisë, Xhon A. Uilsoni thotë: «Fatkeqësisht, studiuesit nuk bien dakord për vendndodhjen e saktë të Ramsesit. Faraonët me emrin Ramses, sidomos Ramsesi II, u vinin pa kursim qyteteve emrin e tyre. Nga gërmimet në disa fshatra përreth Deltës kanë dalë në dritë materiale që flasin për këtë qytet, por asgjë domethënëse që të provojë vendndodhjen.»—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. Batriku, 1962, vëll. 4, f. 9.
Janë sugjeruar vendndodhje të ndryshme, të cilat janë pranuar gjerësisht për njëfarë kohe, por, më pas, janë hedhur poshtë për t’u hapur udhë sugjerimeve të tjera. Një nga vendet më të pranuara është Tanisi (San-el-Hagari i sotëm), 56 kilometra në jugperëndim të qytetit bregdetar të Mesdheut, Port-Saidit, por edhe Kantiri, rreth 20 km më në jug. Sa për Tanisin, duhet mbajtur parasysh se një tekst egjiptian e rendit atë dhe (Per-)Ramsesin si dy vende të ndryshme, pra jo i njëjti, dhe, së paku një pjesë e materialeve të zbuluara në Tanis, provojnë se e kanë origjinën nga vende të tjera. Kështu, Xhon A. Uilsoni thotë më tej se «s’kemi asnjë garanci se mbishkrimet ku del emri i Ramsesit e kanë origjinën nga ky vend». Për Tanisin dhe Kantirin mund të thuhet se mbishkrimet e gjetura aty për Ramsesin II mund të provojnë vetëm njëfarë lidhjeje me atë faraon, por jo që janë vendndodhja e Ramsesit biblik që u ndërtua nga izraelitët si depo para lindjes së Moisiut. (Da 1:11) Siç tregohet te zëri RAMSESI, ekzistojnë pak dëshmi që mbështetin pikëpamjen se Ramsesi II është faraoni i Daljes.
Ideja se itinerari i përshkuar kalonte përmes Vadi-Tumilatit ka gjetur përkrahje për shkak të teorisë moderne të përhapur se kalimi i Detit të Kuq nuk ndodhi në Detin e Kuq, por diku më në veri. Madje disa studiues thonë se ata kanë kaluar në liqenin Serboni ose diku aty pranë, përgjatë bregut të Mesdheut, që do të thotë se, pasi lanë Vadi-Tumilatin, izraelitët u kthyen në veri drejt bregut. Mirëpo, kjo pikëpamje bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pohimin specifik të Biblës se Perëndia i drejtoi izraelitët larg rrugës që do të kalonte në vendin e filistinëve. (Da 13:17, 18) Disa të tjerë përkrahin itinerarin përmes Vadi-Tumilatit, por thonë se kalimi i «detit» ndodhi në zonën e Liqeneve të Hidhura, në veri të Suezit.
Deti i Kuq, jo ‘deti i kallamave’. Pikëpamja e fundit bazohet në argumentin se termi hebraik jam-súf (që përkthehet «Deti i Kuq») fjalë për fjalë do të thotë «deti i zhukave, deti i kallamave ose deti i xunkthave». Kjo do të thotë se izraelitët s’duhet të kenë kaluar mëngën e Detit të Kuq të njohur si gjiri i Suezit, por një det kallamash, një vend moçalor, si zona e Liqeneve të Hidhura. Megjithatë, ky arsyetim nuk pajtohet me përkthyesit e Septuagintës greke, të cilët e përkthyen termin jam-súf me emrin grek erithrá thálassa, që fjalë për fjalë do të thotë «Det i Kuq». Por ajo që është më e rëndësishme, Luka, shkrimtari i Veprave (që citoi Stefanin), dhe apostulli Pavël përdorën të njëjtin emër grek kur folën për ngjarjet e Daljes.—Ve 7:36; He 11:29; shih DETI I KUQ.
Për më tepër, s’do të kishte qenë kushedi se çfarë mrekullie sikur të kishin kaluar thjesht një moçal. Po ashtu, do të kishte qenë e pamundur që egjiptianët t’i kishte ‘përpirë’ Deti i Kuq apo që ‘ujërat vërshuese t’i mbulonin’ e të shkonin poshtë «si një gur thellësirave». (He 11:29; Da 15:5) Për këtë mrekulli të mahnitshme folën më vonë Moisiu dhe Josiu, por edhe apostulli Pavël tha se izraelitët u pagëzuan në Moisiun, kur kaluan nën renë përmes detit. Kjo tregon se ata ishin të rrethuar tërësisht nga uji, me detin në të dyja anët dhe me renë që qëndronte lart dhe mbrapa tyre. (1Ko 10:1, 2) Gjithashtu, nga kjo kuptojmë se ujërat ishin shumë të thella dhe s’bëhej fjalë për një vend me ujë që mund të çahej më këmbë.
Itinerari i Daljes kushtëzohet kryesisht nga dy faktorë: ku gjendej asokohe kryeqyteti i Egjiptit dhe çfarë kaluan. Meqë Shkrimet e Krishtere Greke të frymëzuara përdorin shprehjen «Deti i Kuq», kemi çdo arsye për të besuar se Izraeli kaloi këtë det. Sa për kryeqytetin e Egjiptit, vendi më i mundshëm është Memfisi, selia qendrore e qeverisë gjatë pjesës më të madhe të historisë së Egjiptit. (Shih MEMFISI.) Nëse është kështu, vendi nga ku nisi marshimi i Daljes duhet të ketë qenë aq afër Memfisit, saqë Moisiu, i cili natën e Pashkës ishte thirrur të paraqitej te faraoni pas mesnatës, të kishte kohë të kthehej në Ramses për të filluar marshimin drejt Sukotit përpara se të mbaronte 14 nisani. (Da 12:29-31, 37, 41, 42) Sipas Jozefit, tradita më e vjetër judaike tregon se marshimi filloi pak më në veri të Memfisit.—Antikitete judaike, II, 315 (xv, 1).
Një itinerar përmes Vadi-Tumilatit do të kishte qenë shumë më në veri të Memfisit, dhe kjo do t’i bënte të pamundura ngjarjet e mësipërme. Ja përse, më parë, shumë komentues kanë sugjeruar një nga rrugët e njohura të «shtegtarëve» përmes Egjiptit, si për shembull El Hajin, që kalonte nga Kajroja përmes Suezit (Klisma e lashtë, e njohur më vonë si Kolsumi), në skajin e sipërm të gjirit të Suezit.
Ku u nda Deti i Kuq që të kalonin izraelitët?
Duhet të përmendim që, pasi përfunduan etapën e dytë të udhëtimit, «buzë shkretëtirës» në Etam, Perëndia e urdhëroi Moisiun ‘të ktheheshin e të fushonin në Pihahirot . . . pranë detit’. Nga kjo manovër, faraoni do të kujtonte se izraelitët ‘po bridhnin të hutuar’. (Da 13:20; 14:1-3) Sipas studiuesve që përkrahin rrugën e El Hajit si itinerarin e mundshëm, folja hebraike ‘kthehem’ përdoret për të theksuar dhe nuk do të thotë thjesht «të ndërrosh drejtim» ose «të devijosh», por më shumë ka kuptimin të kthehesh mbrapsht ose, të paktën, të bësh një kthesë të fortë. Ata janë të mendimit se, pasi mbërritën diku në veri të skajit të sipërm të gjirit të Suezit, izraelitët kthyen drejtim dhe u rrotulluan në lindje të vargmalit të Jebel-ʽAtakahut, anës bregut perëndimor të gjirit. Një turmë kaq e madhe sa izraelitët, nuk do të shpëtonte dot kollaj nga ai pozicion po t’i ndiqnin nga veriu, dhe kështu do të ziheshin në grackë të bllokuar nga deti.
Edhe tradita judaike e shekullit të parë të erës sonë na jep një përshkrim të ngjashëm. (Shih PIHAHIROTI.) Por, ajo që ka më shumë rëndësi, është se ky përshkrim përkon me kuadrin e përgjithshëm që paraqet Bibla, kurse pikëpamjet e përhapura të shumë studiuesve nuk përkojnë me të. (Da 14:9-16) Është e qartë se kalimi i Detit të Kuq duhet të ketë ndodhur mjaft larg skajit të sipërm të gjirit (apo mëngës perëndimore të Detit të Kuq), përndryshe forcat e faraonit do të kishin mundësi t’i binin qark bregut të gjirit e t’i arrinin me lehtësi izraelitët në bregun tjetër.—Da 14:22, 23.
Faraoni u pendua që i liroi izraelitët sapo mori vesh se ata ishin nisur. Sigurisht që humbja e një kombi me skllevër ishte një goditje e rëndë për ekonominë egjiptiane. Karrocat e faraonit nuk do ta kishin të vështirë ta kapnin rrugës këtë komb në lëvizje, sidomos po të mbajmë parasysh se ata ‘u kthyen’. Ai mori zemër nga ideja se izraelitët po bridhnin të hutuar në shkretëtirë dhe u ra pas tërë siguri. Mori 600 karroca të zgjedhura dhe gjithë karrocat e tjera të Egjiptit me luftëtarë, kalorësit dhe gjithë forcat e tij ushtarake dhe iu afrua izraelitëve në Pihahirot.—Da 14:3-9.
Nga këndvështrimi strategjik dukej se izraelitët ishin në një pozicion shumë të keq. Ishte e dukshme se ata gjendeshin të mbërthyer mes detit dhe maleve, kurse egjiptianët u kishin bllokuar rrugën e kthimit. Kur u duk se ishin zënë në grackë, izraelitëve u hyri frika në zemër dhe nisën të ankoheshin kundër Moisiut. Tani Perëndia ndërhyri për të mbrojtur Izraelin dhe e lëvizi renë nga përpara izraelitëve prapa tyre. Në njërin krah, nga ana e egjiptianëve, ishte errësirë; kurse në krahun tjetër, për Izraelin reja vazhdonte të ndriçonte natën. Ndërkohë që reja i pengonte egjiptianët të sulmonin, Jehovai e urdhëroi Moisiun të ngrinte shkopin. Kështu ujërat e detit u ndanë dhe Izraeli kaloi nëpër shtratin e thatë të detit.—Da 14:10-21.
Gjerësia dhe gjatësia e vendit të kalimit. Izraeli e kaloi detin brenda natës, prandaj është zor të mendohet se ujërat formuan thjesht një kanal të ngushtë. Përkundrazi, kanali duhet të ketë qenë i gjerë një kilometër a më shumë. Një turmë e tillë, edhe sikur të ketë marshuar në një formacion goxha të ngjeshur e me rreshta mjaft afër njëri-tjetrit, bashkë me qerret, plaçkat dhe bagëtinë që kishin, do të zinte një sipërfaqe prej rreth 8 km2 a më shumë. Prandaj, duket se deti u hap aq sa t’u lejonte izraelitëve të kalonin në një formacion goxha të gjerë. Sikur gjerësia të ketë qenë rreth 1,5 km, gjatësia e formacionit izraelit ka të ngjarë të ketë qenë rreth 5 km ose më shumë. Sikur gjerësia të ketë qenë rreth 2,5 km, gjatësia mund të ketë qenë rreth 3 km ose më shumë. Kësaj kolone do t’i duheshin disa orë të futej në shtratin e detit e të kalonte matanë. Edhe pse qëndruan në formacion luftimi dhe nuk i zuri paniku, pa dyshim që kanë ecur me mjaft nxitim.
Po të mos kishte qenë reja, egjiptianët do ta kishin pasur të lehtë të arrinin e të vrisnin shumë veta. (Da 15:9) Kur izraelitët kishin hyrë në det, reja lëvizi e shkoi përpara tyre. Kështu, egjiptianët panë ç’po ndodhte dhe i ndoqën. Ky rast tregon përsëri se sa e nevojshme ishte që shtrati i thatë i detit të kishte gjerësi dhe gjatësi të konsiderueshme, sepse ushtria e faraonit ishte e madhe. Të vendosur për të shkatërruar dhe kapur skllevërit e tyre të dikurshëm, e tërë ushtria u fut thellë në shtratin e detit. Atëherë, gjatë ndërresës së mëngjesit, që i bie, pak a shumë, nga ora 2.00 deri 6.00 të mëngjesit, Jehovai vëzhgoi nga reja dhe nisi ta bënte rrëmujë kampin e egjiptianëve, duke u hequr rrotat karrocave.—Da 14:24, 25.
Kur po lindte mëngjesi, izraelitët dolën shëndoshë e mirë në bregun lindor të Detit të Kuq. Perëndia e urdhëroi Moisiun të shtrinte dorën që ujërat të ktheheshin e të binin mbi egjiptianët. Kështu, «deti nisi të kthehej në vendin e vet», kurse egjiptianët ia mbathën që të mos i përlante. Edhe kjo tregon se ujërat ishin hapur shumë, sepse, po të kishte qenë një kanal i ngushtë, do t’i kishin zënë poshtë menjëherë. Egjiptianët ia mbathën për në bregun perëndimor për t’u shpëtuar mureve të ujit, mirëpo ujërat vazhduan të ktheheshin derisa i mbuluan plotësisht gjithë karrocat e luftës dhe kalorësit e ushtrisë së faraonit; nuk mbeti asnjë prej tyre.
Është e qartë se kjo përmbytje kaq shkatërrimtare nuk mund të ndodhte në një moçal. Për më tepër, një moçal i cekët nuk i nxjerr në breg trupat e vdekur, siç ndodhi në atë rast. Faktikisht, «Izraeli i pa egjiptianët të vdekur në breg të detit».—Da 14:22-31; HARTA dhe FIGURA, vëll. 1, f. 537 në botimin anglisht.
Ujërat «u ngurtësuan». Sipas përshkrimit të Biblës, ujërat vërshuese u ngurtësuan që të lejonin kalimin e Izraelit. (Da 15:8) Përkthimi i Simon Filipajt përdor fjalën «u ngurën». Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe (1980), ngurtësohet do të thotë «shndërrohet në trup të ngurtë [për shembull, nga të ftohtët] . . . bëhet i fortë». Fjala hebraike e përkthyer «u ngurtësuan», është përdorur te Jobi 10:10 për të treguar mpiksjen (ngjizjen) e qumështit, që do të thotë ta bësh ‘më të trashë e si të ngrirë, ta trashësh derisa të bëhet si qull . . . ta lësh të ngrijë e të bëhet si pelte (për lëngje të ndryshme)». Nga kjo kuptojmë se muret e ujërave nuk u ngurtësuan medoemos deri në pikën e ngrirjes. Masa e ngurtësuar mund të ketë qenë e trashë si xhelatinë ose si qumësht i prerë. Përderisa ujërat e Detit të Kuq nuk i mbante asgjë e dukshme në të dy krahët nga kalonin izraelitët, dukej sikur ato ishin ngurtësuar, forcuar, mpiksur ose trashur, sa të qëndronin në këmbë si një mur e të mos vërshonin mbi izraelitët për t’i vrarë. Kështu duhet t’i jenë dukur Moisiut, teksa një erë e fortë nga lindja i ndau ujërat dhe thau shtratin. Pra, toka nuk ishte as baltë, as e ngrirë, por lehtësisht e kalueshme nga turma.
Shtegu që u hap në det ishte aq i gjerë sa izraelitët, të cilët ka të ngjarë të ishin tre milionë, të kalonin të gjithë në bregun lindor brenda mëngjesit. Atëherë, ujërat që ishin ngurtësuar, nisën të lëshoheshin e të mbylleshin nga të dyja anët, duke shkulmuar mbi egjiptianët e duke i mbytur. Ndërkaq, izraelitët qëndronin në bregun lindor, duke kundruar se si Jehovai e çliroi në mënyrë të pashembullt gjithë kombin nga fuqia botërore. Panë me sytë e tyre se si u përmbushën në kuptimin e vërtetë fjalët e Moisiut: «Egjiptianët që po shihni sot, nuk do t’i shihni kurrë më.»—Da 14:13.
Me një shfaqje spektakolare të fuqisë së vet, Jehovai lartësoi emrin e tij dhe çliroi Izraelin. Tani që ishin të sigurt në bregun lindor të Detit të Kuq, Moisiu ia mori këngës bashkë me bijtë e Izraelit, kurse motra e tij, profetesha Miriam, dhe gjithë gratë e tjera morën në dorë dajret dhe ia nisën valleve, duke ua kthyer me këngë burrave. (Da 15:1, 20, 21) Mes Izraelit dhe armiqve të tij u bë një ndarje e plotë. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, asnjë njeri dhe asnjë kafshë nuk u lejua t’i dëmtonte; madje asnjë qen nuk iu skërmit. (Da 11:7) Ndonëse tregimi i Daljes nuk thotë se faraoni u mbyt në det me forcat e tij ushtarake, Psalmi 136:15 e pohon qartë që Jehovai «e plandosi faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq».
Shembull për ngjarje të mëvonshme. Kur e nxori Izraelin nga Egjipti, siç i kishte premtuar Abrahamit, Perëndia e konsideroi këtë komb si birin e vet, sikurse i kishte thënë faraonit: ‘Izraeli është i parëlinduri im.’ (Da 4:22) Më vonë, Jehovai tha: «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha dhe nga Egjipti e thirra tim bir.» (Ho 11:1) Ky referim që iu bë ngjarjeve të Daljes ishte, gjithashtu, një profeci që u përmbush në ditët e Herodit, kur Jozefi e Maria u kthyen me Jezuin nga Egjipti, pas vdekjes së Herodit, dhe u vendosën në Nazaret. Historiani Mate e lidh këtë profeci të Hozesë me këtë ngjarje, kur thotë për Jozefin: «Ai qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej kështu ajo që kishte thënë Jehovai nëpërmjet profetit: ‘Nga Egjipti e thirra tim bir.’»—Mt 2:15.
Apostulli Pavël e përmend Daljen mes atyre gjërave, për të cilat ai thotë se u ndodhën izraelitëve si shembuj. (1Ko 10:1, 2, 11) Duket se ajo simbolizon diçka më të madhe. Izraeli natyror është përdorur në Bibël si simbol i Izraelit frymor, Izraelit të Perëndisë. (Ga 6:15, 16) Edhe Moisiu foli për një profet të ardhshëm që do të ishte si ai. (Lp 18:18, 19) Judenjtë prisnin që ky të ishte një prijës dhe shpëtimtar i madh. Apostulli Pjetër tregoi se Jezu Krishti ishte Moisiu më i Madh. (Ve 3:19-23) Prandaj, çlirimi i Izraelit në Detin e Kuq dhe shkatërrimi i ushtrisë egjiptiane, duhet të përfaqësojnë çlirimin e Izraelit frymor nga armiqtë e Egjiptit simbolik, me anë të një mrekullie të madhe të Jezu Krishtit. Ashtu si ajo që Perëndia kreu në Detin e Kuq e lartësoi emrin e tij, edhe përmbushja e këtyre ngjarjeve tipike në një shkallë shumë më të madhe, do të bëjë që emri i Jehovait të fitojë anembanë një famë më të madhe.—Da 15:1.