SHURI
[mur].
Emër gjeografik që e kanë lidhur në raste të ndryshme me një qytet, një varg fortifikatash në kufi, një rajon ose një vargmal. Në Shkrime thuhet se ndodhej «përballë Egjiptit», domethënë në kufirin lindor ose në lindje të Egjiptit. Nga konteksti del se Shuri gjendej në pjesën veriperëndimore të gadishullit të Sinait. (Zn 25:18) Pasi Izraeli kaloi Detin e Kuq, Moisiu e drejtoi popullin nga brigjet e detit për në ‘shkretëtirën e Shurit’.—Da 15:22.
Kohë më parë, në një burim «në udhën për në Shur», engjëlli i Jehovait i foli Agarës, skllaves egjiptiane të Abrahamit (e cila duket se po kthehej në Egjipt). (Zn 16:7) Më vonë, Abrahami iku nga rajoni i Hebronit (Zn 13:18) dhe u vendos me banim mes Kadeshit (Kadesh-Barneas, në jug të Beer-Shebës në rajonin e Negebit) dhe Shurit, ndonëse banoi për njëfarë kohe edhe në Gerar, qytet filistin mjaft më në veri të Kadeshit. (Zn 20:1) Shtegtimet i çuan ismaelitët, banorë të shkretëtirës, deri në ‘Havilah pranë Shurit’. (Zn 25:18) Mbreti Saul korri fitore në luftën kundër amalekitëve deri në Shur, por në kohën e Davidit, amalekitët, bashkë me geshuritët e girzitët banonin ende pak a shumë në atë zonë.—1Sa 15:7; 27:8.
Disa nga këto vargje duket se tregojnë më tepër një vend të veçantë sesa thjesht një rajon në përgjithësi. Në qoftë kështu, atëherë shprehja «shkretëtira e Shurit», e përdorur vetëm një herë, mund të tregojë shkretëtirën në afërsi të një qyteti a vendi të quajtur Shur.—Da 15:22; krahaso rastin kur përmendet ‘shkretëtira e Damaskut’ te 1Mb 19:15, ose atë të Zifit te 1Sa 23:14.
Domethënia e emrit Shur (mur) i ka nxitur disa ta lidhin me murin e lashtë mbrojtës përgjatë istmit të Suezit, që në mbishkrimet egjiptiane thuhet se është ndërtuar shumë herët në historinë e atij kombi. Të tjerë mendojnë se ky term i referohet vargut të fortesave egjiptiane përgjatë kufirit lindor të Egjiptit, përballë gadishullit të Sinait. Mirëpo, në Daljen 15:22 bëhet fjalë për një vend në lindje të Detit të Kuq, pra, një vend jashtë kufijve të Egjiptit. Për këtë arsye është hedhur ideja se emri Shur (mur) tregon pjesën veriperëndimore të vargmalit që mbulon një hapësirë të madhe të gadishullit të Sinait. Po të shihen nga pjesa egjiptiane e Gjirit të Suezit, shkëmbinjtë e bardhë të këtij vargmali të gjatë duken si mur ose pengesë. Te ky vargmal ose rrëzë tij, mund të ketë qenë një vend a qytet i quajtur Shur, mbase qyteti i fundit arab para se të kalohej kufiri egjiptian. Megjithatë, për ta përcaktuar saktësisht vendin do të duheshin prova të tjera.