KAPITULLI 7
Fuqi mbrojtëse: «Perëndia është për ne strehë»
1, 2. Përballë cilit rrezik gjendeshin izraelitët kur hynë në rajonin e Sinait në vitin 1513 p.e.s. dhe si i qetësoi Jehovai?
KUR hynë në rajonin e Sinait, në fillim të vitit 1513 p.e.s., izraelitët ishin në rrezik. Përpara kishin një udhëtim të frikshëm përmes ‘një shkretëtire të paanë e të tmerrshme, të mbushur me gjarpërinj helmues e akrepa’. (Ligji i përtërirë 8:15, The New English Bible) Rrezikoheshin edhe që të sulmoheshin nga kombet armike. Jehovai e kishte futur popullin e tij në këtë situatë. Si Perëndia i tyre, a do të ishte i zoti t’i mbronte?
2 Fjalët e Jehovait ishin shumë qetësuese: «Ju vetë e keni parë se ç’u bëra egjiptianëve, që t’ju mbaja me krahë shqiponjash e t’ju sillja pranë meje.» (Dalja 19:4) Jehovai i kujtoi popullit të tij se e kishte çliruar nga egjiptianët, duke përdorur, në kuptimin e figurshëm, shqiponjat për t’i çuar në një vend të sigurt. Por ka edhe arsye të tjera pse ‘krahët e shqiponjave’ ilustrojnë në mënyrë të përshtatshme mbrojtjen hyjnore.
3. Pse ‘krahët e shqiponjave’ ilustrojnë në mënyrë të përshtatshme mbrojtjen hyjnore?
3 Shqiponja nuk i përdor krahët e saj të fortë e të mëdhenj vetëm për të qëndruar lart në ajër. Në zhegun e ditës shqiponja nënë i harkon krahët (të cilët mund të kenë një shtrirje mbi dy metra) për të formuar një çadër mbrojtëse, duke i ruajtur të vegjlit e saj të brishtë nga dielli përvëlues. Herë të tjera i mbështjell të vegjlit me krahë për t’i mbrojtur nga era e ftohtë. Ashtu si shqiponja i ruan të vegjlit e saj, po ashtu Jehovai e kishte mbrojtur kombin e porsalindur të Izraelit. Tani që ky popull ishte në shkretëtirë, do të vazhdonte të gjente strehë nën hijen e krahëve të tij të fuqishëm, për sa kohë të mbetej besnik. (Ligji i përtërirë 32:9-11; Psalmi 36:7) Por, a mund të presim sot me të drejtë mbrojtjen e Perëndisë?
Premtimi për mbrojtjen hyjnore
4, 5. Pse mund të kemi siguri të plotë në premtimin e Perëndisë se do të na mbrojë?
4 S’ka asnjë dyshim se Jehovai është i zoti për t’i mbrojtur shërbëtorët e tij. Ai është «Perëndi i Plotfuqishëm», titull që tregon se ka fuqi të pamposhtshme. (Zanafilla 17:1) Porsi një dallgë që s’mund ta ndalësh, fuqia vepruese e Jehovait nuk mund të pengohet. Meqë ai mund të bëjë çdo gjë që i dikton vullneti i tij, lind pyetja: ‘A është vullneti i Jehovait ta përdorë fuqinë për të mbrojtur popullin e vet?’
5 Përgjigjja me një fjalë të vetme është po. Jehovai na siguron se do ta mbrojë popullin e tij. «Perëndia është për ne strehë dhe forcë, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve»,—thuhet te Psalmi 46:1. Duke qenë se Perëndia «nuk mund të gënjejë», mund të kemi siguri të plotë në premtimin e tij për të na mbrojtur. (Titit 1:2) Le të shqyrtojmë disa nga ilustrimet e gjalla që përdor Jehovai për të përshkruar si kujdeset për ne dhe na mbron.
6, 7. (a) Ç’mbrojtje siguronin për delet barinjtë në kohët biblike? (b) Si e ilustron Bibla dëshirën e përzemërt të Jehovait për t’i mbrojtur delet e tij e për t’u kujdesur për to?
6 Jehovai është një Bari dhe «ne jemi populli i tij dhe dele të kullotës së tij». (Psalmi 23:1; 100:3) Pak kafshë janë aq të brishta sa ç’janë delet. Në kohët biblike barinjtë duhej të ishin të guximshëm për t’i mbrojtur delet nga luanët, nga ujqit e nga arinjtë, si edhe nga hajdutët. (1 Samuelit 17:34, 35; Gjoni 10:12, 13) Por kishte edhe raste kur nevojitej butësi për t’i mbrojtur delet. Në qoftë se një dele lindte larg vathës, bariu i dhembshur e ruante delen nënë gjatë momenteve të vështira dhe pastaj e merrte qengjin e pambrojtur dhe e çonte në vathë.
7 Duke e krahasuar veten me një bari, Jehovai na siguron për dëshirën e tij të përzemërt që të na mbrojë. (Ezekieli 34:11-16) Sill ndër mend përshkrimin që bëhet për Jehovain tek Isaia 40:11, varg që e kemi shqyrtuar në kapitullin 2 të këtij libri: «Si një bari do ta kullotë kopenë e vet. Me krahun e tij do t’i mbledhë së bashku qengjat dhe do t’i mbajë në gji.» Si arrin qengji i vogël deri në «gji» të bariut, domethënë në palat e veshjes së tij të sipërme? Qengji ndoshta i afrohet bariut duke i prekur lehtë këmbën. Por është bariu ai që duhet të përkulet, ta ngrejë qengjin dhe me kujdes ta vendosë në gji, ku do të jetë i sigurt. Ç’ilustrim i këndshëm që tregon se sa i gatshëm është Bariu ynë i Madh për të na mbrojtur!
8. (a) Kujt ia bën Perëndia premtimin për mbrojtje dhe si tregohet kjo te Proverbat 18:10? (b) Çfarë përfshin të gjejmë strehë tek emri i Perëndisë?
8 Perëndia premton se do të na mbrojë, por me një kusht: këtë mbrojtje e kanë vetëm ata që i afrohen atij. Te Proverbat 18:10 thuhet: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Në të vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» Në kohët biblike nganjëherë nëpër shkretëtira ndërtoheshin kulla që shërbenin si vende të sigurta strehimi. Por i takonte atij që ishte në rrezik të ikte në një kullë të tillë për të gjetur mbrojtje. Po njësoj është edhe për të gjetur strehë tek emri i Perëndisë. Kjo përfshin më shumë sesa ta përsëritim këtë emër, pasi vetë emri hyjnor nuk është ndonjë formulë magjike. Përkundrazi, duhet të njohim dhe të kemi besim tek Ai që mban këtë emër e të jetojmë në harmoni me normat e tij të drejta. Sa dashamirës tregohet Jehovai duke na siguruar se po t’i drejtohemi atij me besim, do të jetë për ne një kullë mbrojtëse!
«Perëndia ynë . . . është në gjendje të na çlirojë»
9. Si e tregoi Jehovai se nuk u mjaftua vetëm duke premtuar mbrojtje?
9 Jehovai nuk u mjaftua vetëm duke premtuar mbrojtje. Në kohët biblike, ai e tregoi në mënyra të mrekullueshme se është në gjendje ta mbrojë popullin e tij. Gjatë historisë së Izraelit, ‘dora’ e fuqishme e Jehovait shpesh mbajti nën kontroll armiq të fuqishëm. (Dalja 7:4) Por Jehovai e përdori fuqinë e tij mbrojtëse edhe në dobi të individëve.
10, 11. Cilët shembuj biblikë tregojnë se si e përdori Jehovai fuqinë mbrojtëse në dobi të individëve?
10 Kur tre të rinj hebrenj, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës prej ari që kishte bërë mbreti Nabukodonosor, mbreti i xhindosur i kërcënoi se do t’i hidhte në një furrë të mbinxehur. «Kush është ai perëndi që mund t’ju çlirojë nga duart e mia?»,—u tall Nabukodonosori, monarku më i fuqishëm në tokë. (Danieli 3:15) Tre të rinjtë kishin besim të plotë në fuqinë e Perëndisë së tyre për t’i mbrojtur, por nuk pretenduan se ai duhej ta bënte këtë. Prandaj, u përgjigjën: «Nëse është për t’u bërë, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë.» (Danieli 3:17) Pikërisht, ajo furrë e zjarrtë, edhe pse e nxehur shtatë herë më tepër se normalisht, nuk përbënte asnjë sfidë për Perëndinë e tyre të plotfuqishëm. Ai i mbrojti me të vërtetë, kështu që mbreti u detyrua të pranonte: «Nuk ka asnjë perëndi tjetër që të jetë në gjendje të çlirojë si ky.»—Danieli 3:29.
11 Jehovai e tregoi në mënyrë vërtet të jashtëzakonshme fuqinë e tij mbrojtëse edhe kur e zhvendosi jetën e Birit të tij të vetëmlindur nga qielli në barkun e virgjëreshës judeje Marie. Një engjëll i tha Marisë se ajo ‘do të ngjizej në barkun e saj e do të lindte një bir’. Engjëlli i shpjegoi: «Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet.» (Luka 1:31, 35) Me sa duket Biri i Perëndisë nuk kishte qenë kurrë kaq i pambrojtur. A do të krijonte ndonjë të metë te embrioni mëkati dhe papërsosmëria e nënës njerëzore? A do të arrinte Satanai ta dëmtonte ose ta vriste atë edhe para se të lindte? E pamundur! Në të vërtetë Jehovai ngriti një mur mbrojtës përreth Marisë, në mënyrë që asgjë—asnjë papërsosmëri, forcë dëmtuese, vrasës njerëzor ose ndonjë demon—të mos e dëmtonte embrionin që rritej, që nga momenti i ngjizjes e më tej. Jehovai vazhdoi ta mbronte Jezuin gjatë rinisë së tij. (Mateu 2:1-15) Deri në kohën e caktuar të Perëndisë, Birin e tij nuk mund ta prekte askush.
12. Pse Jehovai i mbrojti me anë të mrekullive disa individë në kohët biblike?
12 Pse Jehovai i mbrojti disa individë me anë të mrekullive të tilla? Në shumë raste i mbrojti ata individë për të mbrojtur diçka shumë më të rëndësishme: plotësimin e qëllimit të tij. Për shembull, mbijetesa e Jezuit kur ishte fëmijë ishte thelbësore për përmbushjen e qëllimit të Perëndisë që përfundimisht do t’i sjellë dobi gjithë njerëzimit. Shumë shfaqje të fuqisë mbrojtëse janë dokumentuar e janë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara, të cilat ‘u shkruan për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë’. (Romakëve 15:4) Po, këta shembuj na e forcojnë besimin te Perëndia ynë i plotfuqishëm. Por, çfarë mbrojtjeje mund të presim sot nga Perëndia?
Çfarë nuk do të thotë mbrojtja hyjnore
13. A është i detyruar Jehovai që të bëjë mrekulli për ne? Shpjegoni.
13 Fakti që Jehovai na premton se do të na mbrojë nuk do të thotë se ai është i detyruar të bëjë mrekulli për ne. Jo, Perëndia ynë nuk na garanton një jetë pa probleme në këtë sistem të vjetër. Shumë shërbëtorë besimplotë të Jehovait hasin vështirësi të mëdha, përfshirë varfërinë, luftërat, sëmundjet dhe vdekjen. Jezui ua tha hapur dishepujve të tij se disa prej tyre mund t’i vritnin për shkak të besimit të tyre. Ja përse ai theksoi nevojën për të pasur qëndrueshmëri deri në fund. (Mateu 24:9, 13) Po ta përdorte në çdo rast Jehovai fuqinë e tij për të na çliruar me ndonjë mrekulli, Satanai mund të kishte një bazë për t’u tallur me Jehovain dhe për të vënë në dyshim sinqeritetin e përkushtimit tonë ndaj Perëndisë.—Jobi 1:9, 10.
14. Cilët shembuj tregojnë se Jehovai nuk i mbron gjithnjë të gjithë shërbëtorët e tij në të njëjtën mënyrë?
14 Edhe në kohët biblike Jehovai nuk e përdori fuqinë mbrojtëse për të ruajtur çdo shërbëtor të tij nga vdekja e parakohshme. Për shembull, apostulli Jakov u vra nga Herodi rreth vitit 44 të e.s., e megjithatë, pak më pas, Pjetri u çlirua «nga dora e Herodit». (Veprat 12:1-11) Kurse Gjoni, vëllai i Jakovit, jetoi më gjatë se Pjetri e Jakovi. Qartë, pra, nuk mund të presim që Perëndia ynë t’i mbrojë të gjithë shërbëtorët e tij në të njëjtën mënyrë. Përveç kësaj, të gjithëve na rastis ‘të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Atëherë, si na mbron sot Jehovai?
Jehovai siguron mbrojtje fizike
15, 16. (a) Çfarë dëshmie ka se Jehovai ka siguruar mbrojtje fizike për adhuruesit e tij si grup? (b) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbrojë shërbëtorët e tij tani dhe gjatë ‘shtrëngimit të madh’?
15 Të shqyrtojmë së pari çështjen e mbrojtjes fizike. Si adhurues të Jehovait, ne mund të presim një mbrojtje të tillë si grup. Përndryshe do të ishim pre e lehtë për Satanain. Mendo për këtë: Satanai, «sundimtari i kësaj bote» dëshiron që me çdo kusht të zhdukë adhurimin e vërtetë. (Gjoni 12:31; Zbulesa 12:17) Disa nga qeveritë më të fuqishme në tokë e kanë ndaluar veprën tonë të predikimit dhe janë përpjekur që të na zhdukin krejt nga faqja e dheut. Megjithatë, populli i Jehovait ka qëndruar i palëkundur dhe ka vazhduar të predikojë pa pushim. Pse kombet e fuqishme nuk kanë qenë në gjendje të ndalin veprën e këtij grupi të krishterësh relativisht të vogël dhe në dukje të pambrojtur? Sepse Jehovai na ka mbrojtur me krahët e tij të fuqishëm.—Psalmi 17:7, 8.
16 Ç’të themi për mbrojtjen fizike gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që po vjen? Nuk duhet t’i frikësohemi ekzekutimit të gjykimeve të Perëndisë. Në fund të fundit, «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, por të ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen». (Zbulesa 7:14; 2 Pjetrit 2:9) Ndërkohë, mund të jemi gjithnjë të sigurt për dy gjëra. Së pari, Jehovai nuk do të lejojë kurrë që shërbëtorët e tij besnikë të zhduken nga toka. Së dyti, ata që qëndrojnë besnikë do t’i shpërblejë me jetën e përhershme në botën e tij të re e të drejtë, po të jetë e nevojshme edhe nëpërmjet ringjalljes. Për ata që vdesin, nuk ka vend më të sigurt sesa të jenë në kujtesën e Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.
17. Si na mbron Jehovai me anë të Fjalës së tij?
17 Edhe tani Jehovai na mbron me anë të ‘fjalës’ së tij të gjallë që ka fuqinë t’i motivojë njerëzit, kështu që zemra e tyre shërohet dhe jeta e tyre ndryshon për mirë. (Hebrenjve 4:12) Duke zbatuar parimet e saj, mund të mbrohemi në disa drejtime nga dëmtimet fizike. «Unë, Jehovai jam . . . Ai që të mëson t’i sjellësh dobi vetes»,—thuhet te Isaia 48:17. Pa dyshim, jetesa në harmoni me Fjalën e Perëndisë mund të na e përmirësojë shëndetin dhe mund të na e zgjatë jetën. Për shembull, duke qenë se zbatojmë këshillën e Biblës për t’u përmbajtur nga kurvëria dhe për t’u pastruar nga çdo ndotje, i shmangim praktikat e papastra dhe veset e dëmshme që bëjnë kërdinë në jetën e shumë njerëzve të paperëndishëm. (Veprat 15:29; 2 Korintasve 7:1) Sa mirënjohës jemi për mbrojtjen që na siguron Fjala e Perëndisë!
Jehovai na mbron frymësisht
18. Çfarë mbrojtjeje frymore siguron Jehovai për ne?
18 Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai siguron mbrojtje frymore. Perëndia ynë i dashur na mbron nga dëmet frymore, duke na pajisur me atë që na nevojitet për t’u qëndruar sprovave dhe për të ruajtur marrëdhënien që kemi me të. Në këtë mënyrë, Jehovai bën që të jemi në jetë jo vetëm për disa vjet, por për gjithë përjetësinë. Shqyrto disa nga masat që ka marrë Perëndia për të na mbrojtur frymësisht.
19. Si na ndihmon fryma e Jehovait për t’i përballuar sprovat që mund të hasim?
19 Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Kur presionet e jetës na duken shtypëse, mund të gjejmë shumë lehtësim duke i hapur zemrën atij. (Filipianëve 4:6, 7) Ka të ngjarë që të mos na i heqë me ndonjë mrekulli sprovat, por në përgjigje të lutjeve tona të sinqerta mund të na japë mençurinë e duhur për t’i përballuar ato. (Jakovit 1:5, 6) Për më tepër, Jehovai u jep frymën e shenjtë atyre që ia kërkojnë. (Luka 11:13) Kjo frymë e fuqishme mund të na ndihmojë të përballojmë çdo sprovë ose problem që hasim. Mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të qëndrojmë derisa Jehovai t’i heqë të gjitha problemet pikëlluese në botën e re që tani është kaq afër!—2 Korintasve 4:7.
20. Si mund të shprehet fuqia mbrojtëse e Jehovait nëpërmjet bashkadhuruesve tanë?
20 Disa herë fuqia mbrojtëse e Jehovait mund të shprehet nëpërmjet bashkadhuruesve tanë. Jehovai e ka mbledhur popullin e tij në një ‘vëllazëri’ mbarëbotërore. (1 Pjetrit 2:17; Gjoni 6:44) Në atmosferën e dashur që ekziston mes kësaj vëllazërie shohim dëshmi të gjallë të fuqisë që ka fryma e shenjtë e Perëndisë për të ndikuar për mirë te njerëzit. Kjo frymë prodhon te ne fryte, cilësi të bukura e të çmuara ku përfshihen dashuria, mirëdashja dhe mirësia. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, kur jemi në hall dhe një bashkëbesimtar ndihet i nxitur të na japë këshilla të dobishme ose të na thotë fjalë inkurajuese që na nevojiten shumë, mund të falënderojmë Jehovain për shprehje të tilla të kujdesit dhe të mbrojtjes së tij.
21. (a) Çfarë ushqimi frymor në kohën e duhur siguron Jehovai nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’? (b) Si ke nxjerrë dobi ti vetë nga masat e Jehovait për të na mbrojtur frymësisht?
21 Jehovai siguron edhe diçka tjetër për të na mbrojtur: ushqim frymor në kohën e duhur. Për të na ndihmuar që të marrim forcë nga Fjala e tij, Jehovai ka ngarkuar ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ që të shpërndajë ushqim frymor. Ky skllav i besueshëm përdor botimet e shtypura, përfshirë këtu revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe mbledhjet, asambletë e kongreset për të na siguruar «ushqim në kohën e duhur», pra çfarë na nevojitet dhe në kohën kur na nevojitet. (Mateu 24:45) A të ka ndodhur që në një mbledhje të krishtere të kesh dëgjuar diçka në një koment, fjalim ose edhe në lutje, që të ka dhënë pikërisht forcën dhe inkurajimin që të duhej? A ka ndikuar ndonjëherë në jetën tënde ndonjë artikull specifik i botuar në revistat tona? Mos harro, Jehovai i merr të gjitha këto masa për të na mbrojtur frymësisht.
22. Në cilën mënyrë e përdor gjithnjë Jehovai fuqinë e tij dhe pse kjo është për të mirën tonë?
22 Jehovai është me siguri një mburojë «për të gjithë ata që gjejnë strehë tek ai». (Psalmi 18:30) E kuptojmë se ai nuk e përdor fuqinë për të na mbrojtur tani nga çdo e keqe. Por ama e përdor gjithnjë këtë fuqi mbrojtëse për të siguruar plotësimin e qëllimit të tij. Së fundi, fakti që vepron kështu do të jetë për të mirën e popullit të tij. Në qoftë se i afrohemi atij dhe qëndrojmë në dashurinë e tij, Jehovai do të na japë jetën e përsosur në përjetësi. Me këtë shpresë në mendje, mund ta shohim vërtet çdo vuajtje në këtë sistem si ‘kalimtare dhe të lehtë’.—2 Korintasve 4:17.