-
Pyetje nga lexuesitKulla e Rojës—2010 | 15 Mars
-
-
Tek Ezekieli 18:20 thuhet se «biri nuk do të mbajë asgjë nga fajet e të atit», kurse te Dalja 20:5 thuhet se Jehovai ‘për fajin e etërve ndëshkon bijtë’. A janë në kundërshtim këto shkrime?
Jo. Këto shkrime nuk janë në kundërshtim. Njëri pohim përqendrohet te përgjegjësia individuale, kurse tjetri pranon faktin se faji i një personi mund të ketë pasoja te pasardhësit e tij.
-
-
Pyetje nga lexuesitKulla e Rojës—2010 | 15 Mars
-
-
Por, ç’të themi për paralajmërimin te Dalja 20:5, që është pjesë e Dhjetë Urdhërimeve? Përsëri, le të shqyrtojmë kontekstin. Jehovai themeloi besëlidhjen e Ligjit me kombin e Izraelit. Pasi dëgjuan kushtet e besëlidhjes, izraelitët deklaruan: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që thotë Jehovai.» (Dal. 19:5-8) Kështu, kombi si një i tërë hyri në një marrëdhënie të veçantë me Jehovain. Pra, fjalët te Dalja 20:5 i drejtoheshin në thelb tërë kombit.
Kur izraelitët i qëndronin besnikë Jehovait, kombi nxirrte dobi dhe kishte shumë bekime. (Lev. 26:3-8) Por ishte e vërtetë edhe e kundërta. Kur kombi i Izraelit hidhte poshtë Jehovain dhe shkonte pas perëndive të rreme, Ai nuk e bekonte dhe nuk e mbronte dhe kombit i binin gjëma. (Gjyk. 2:11-18) Sigurisht, kishte disa që e ruajtën integritetin dhe i zbatuan urdhërimet e Perëndisë edhe nëse kombi jepej pas idhujtarisë. (1 Mbret. 19:14, 18) Ka të ngjarë që individët besnikë hasën ndonjë vështirësi për faj të mëkateve të kombit, por Jehovai tregoi dashamirësi ndaj tyre.
Kur Izraeli i shkeli në mënyrë aq flagrante parimet e Jehovait, saqë kombet talleshin me emrin e Tij, Jehovai vendosi ta ndëshkonte popullin e vet duke lejuar që të merrej rob në Babiloni. Natyrisht, kjo përfshiu ndëshkimin e individëve dhe të popullit të tij si një i tërë. (Jer. 52:3-11, 27) Në fakt, Bibla tregon se faji i kombit të Izraelit ishte aq i madh, sa nga keqbërjet e paraardhësve të tyre vuajtën tre, katër ose ndoshta më shumë breza, siç thotë Dalja 20:5.
Fjala e Perëndisë përmban gjithashtu tregime ku disa familje vuajtën nga sjellja e keqe e prindërve. Kryeprifti Eli e fyeu Jehovain duke i lejuar bijtë e tij imoralë e «pa pikë vlere» të vazhdonin të shërbenin si priftërinj. (1 Sam. 2:12-16, 22-25) Ngaqë Eliu i nderonte bijtë e tij më shumë se Jehovain, Perëndia shpalli që kryepriftërinjtë nuk do të vinin më nga familja e Eliut, dhe kjo ndodhi që me stër-stërnipin e tij, Abiatarin, e më tej. (1 Sam. 2:29-36; 1 Mbret. 2:27) Parimi i Daljes 20:5 ilustrohet edhe me shembullin e Gehazit. Ai abuzoi me privilegjin e tij si shërbëtor i Eliseut për të përfituar materialisht nga shërimi i gjeneralit sirian, Naamanit. Nëpërmjet Eliseut, Jehovai shpalli këtë gjykim: «Lebra e Naamanit do të të ngjitet përgjithnjë ty dhe pasardhësve të tu.» (2 Mbret. 5:20-27) Pra, pasardhësit e Gehazit vuajtën pasojat e keqbërjes së tij.
Si Krijues dhe Jetëdhënës, Jehovai ka çdo të drejtë që të vendosë se cili ndëshkim është i drejtë dhe i përshtatshëm. Rastet e mësipërme tregojnë se fëmijët ose pasardhësit mund të vuajnë pasojat e këqija të mëkatit të paraardhësve. Megjithatë, Jehovai ‘e dëgjon klithmën e të munduarve’ dhe individët që i drejtohen atij me gjithë zemër, mund të kenë miratimin e tij e madje njëfarë lehtësimi.—Jobi 34:28.
-