Të nderojmë emrin e madh të Jehovait
«Përjetë do t’i jap lavdi emrit tënd.»—PSAL. 86:12.
1, 2. Ndryshe nga kishat e krishterimit, si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait emrin e Perëndisë?
NË PËRGJITHËSI, kishat e krishterimit janë distancuar nga emri i Perëndisë. Për shembull, në parathënien e një versioni të Biblës, thuhet: «Përdorimi i çfarëdolloj emri të përveçëm për Perëndinë që është një dhe i vetëm . . . është krejt i papërshtatshëm për besimin universal të Kishës së Krishterë.» (Revised Standard Version)
2 Nga ana tjetër, Dëshmitarët e Jehovait janë krenarë që mbajnë emrin e Perëndisë dhe e lëvdojnë atë. (Lexo Psalmin 86:12; Isainë 43:10.) Për më tepër, e quajmë privilegj të kuptojmë domethënien e këtij emri dhe çështjen universale që lidhet me shenjtërimin e tij. (Mat. 6:9) Mirëpo, këtë privilegj nuk duhet ta marrim si diçka të zakonshme. Prandaj, le të shqyrtojmë tri pyetje të rëndësishme: ç’do të thotë të njohim emrin e Perëndisë? Si ka treguar Jehovai se ka qenë në lartësinë e emrit të tij të madh e kështu ia ka shtuar lavdinë? Si mund të ecim në emër të Jehovait?
Ç’DO TË THOTË TË NJOHIM EMRIN E PERËNDISË
3. Ç’do të thotë të njohim emrin e Perëndisë?
3 Të njohim emrin e Perëndisë përfshin më shumë se sa thjesht të dimë fjalën «Jehova». Do të thotë të njohim edhe reputacionin e Jehovait, si edhe cilësitë, qëllimin dhe veprat e tij që tregohen në Bibël, si për shembull, mënyrën si veproi me shërbëtorët e tij. Natyrisht, Jehovai e jep këtë kuptueshmëri hap pas hapi, në përputhje me përmbushjen e qëllimit të tij. (Prov. 4:18) Ai ia tregoi emrin e tij çiftit të parë njerëzor, dhe Eva e përdori pasi lindi Kainin. (Zan. 4:1) Patriarkët besnikë Noe, Abraham, Isak dhe Jakob e njihnin emrin e Perëndisë. Për më tepër, çmueshmëria për këtë emër iu shtua teksa Jehovai i bekonte, kujdesej për ta dhe u zbulonte aspekte të qëllimit të tij. Moisiut iu dha kuptueshmëri e veçantë për emrin e Perëndisë.
4. Pse Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin? Pse meraku i Moisiut ishte me vend?
4 Lexo Daljen 3:10-15. Kur Moisiu ishte 80 vjeç, Perëndia i dha një urdhër me peshë: «Nxirre popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.» Me respekt, Moisiu i bëri një pyetje shumë domethënëse. Me fjalë të tjera e pyeti: ‘Si e ke emrin?’ Ku donte të dilte Moisiu me këtë pyetje, meqë emri i Perëndisë njihej prej kohësh? Me sa duket, donte të dinte më shumë për personin që përfaqësonte ky emër, pra kërkonte fakte që do ta bindnin popullin e Perëndisë se Ai do t’i çlironte vërtet. Meraku i Moisiut ishte me vend, sepse izraelitët ishin skllevër prej kohësh. Mbase do të pyetnin veten nëse Perëndia i paraardhësve të tyre mund t’i çlironte. Në fakt, disa izraelitë kishin përvetësuar adhurimin e perëndive egjiptiane.—Ezek. 20:7, 8.
5. Kur Jehovai iu përgjigj Moisiut, si hodhi më tepër dritë mbi kuptimin e emrit të Tij?
5 Si iu përgjigj Jehovai pyetjes së Moisiut? Pjesërisht tha: «Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘UNË DO TË BËHEM më ka dërguar te ju.’»a Pastaj shtoi: «Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, . . . më ka dërguar te ju.» Perëndia i shpjegoi se do të bëhet çfarëdo gjëje që zgjedh të bëhet për të përmbushur qëllimin e tij, se do ta mbajë gjithmonë fjalën. Kështu, te vargu 15 lexojmë se vetë Jehovai tha: «Ky është emri im në jetë të jetëve, dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.» Me siguri ky shpjegim duhet t’ia ketë forcuar besimin Moisiut dhe duhet ta ketë mbushur me nderim të thellë!
JEHOVAI TREGOI SE ISHTE NË LARTËSINË E EMRIT TË TIJ
6, 7. Si tregoi në mënyrë absolute Jehovai se ishte në lartësinë e emrit të tij të madh?
6 Pak pasi i dha caktimin Moisiut, Jehovai tregoi se ishte plotësisht në lartësinë e emrit të tij kur ‘u bë’ Çliruesi i Izraelit. Ai e poshtëroi Egjiptin me dhjetë plagë shkatërrimtare dhe në të njëjtën kohë i demaskoi si të pafuqishme perënditë egjiptiane, përfshirë faraonin. (Dal. 12:12) Pastaj, Jehovai hapi Detin e Kuq, i priu Izraelit përmes tij dhe e mbyti faraonin bashkë me forcat e tij ushtarake. (Psal. 136:13-15) Në ‘shkretëtirën e madhe e të frikshme’, Jehovai u bë Mbrojtësi i jetës kur i siguroi ushqim dhe ujë popullit të tij që mbase përbëhej nga dy deri në tre a më shumë milionë veta. Madje bëri që të mos u vjetroheshin rrobat dhe sandalet. (Ligj. 1:19; 29:5) Po, asgjë nuk mund ta ndalë Jehovain që të jetë në lartësinë e emrit të tij të pashoq. Më vonë i tha Isaisë: «Unë, pikërisht unë, jam Jehovai dhe veç meje nuk ka tjetër shpëtimtar.»—Isa. 43:11.
7 Edhe Josiu, pasuesi i Moisiut, ishte dëshmitar i bëmave të frikshme të Jehovait në Egjipt dhe në shkretëtirë. Prandaj, nga fundi i jetës Josiu mundi t’u thoshte me plot bindje izraelitëve: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» (Jos. 23:14) Po, Jehovai e përmbushi një më një fjalën e tij, ai ‘u bë’ siç kishte premtuar.
8. Si po tregon Jehovai në kohën tonë se është në lartësinë e emrit të tij?
8 Po kështu edhe sot, Jehovai ‘po bëhet’ siç ka premtuar. Nëpërmjet Birit të tij paratha se gjatë ditëve të fundit, mesazhi për Mbretërinë do të predikohej «në gjithë tokën e banuar». (Mat. 24:14) E kush tjetër përveç Perëndisë së Plotfuqishëm mund të parathoshte një vepër të tillë, të kujdesej që ajo të kryhej dhe të përdorte shumë njerëz «të pashkolluar e të thjeshtë» për ta çuar deri në fund? (Vep. 4:13) Ja pse kur marrim pjesë në këtë vepër, faktikisht marrim pjesë në përmbushjen e profecisë biblike. E nderojmë Atin tonë dhe me plot gojën lutemi: «U shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mat. 6:9, 10.
EMRI I TIJ ËSHTË I MADH
9, 10. Në marrëdhënien me Izraelin, si vazhdoi Jehovai t’i jepte edhe më shumë kuptim emrit të tij dhe me ç’rezultate?
9 Pak kohë pas Daljes së Izraelit nga Egjipti, Jehovai ‘u bë’ diçka e re për popullin e tij. Me anë të besëlidhjes së Ligjit, u bë ‘pronari i tyre bashkëshortor’, duke pranuar me gatishmëri të gjitha përgjegjësitë që përfshiheshin. (Jer. 3:14, shën.) Ndërsa izraelitët u bënë gruaja e tij e figurshme, populli për emrin e tij. (Isa. 54:5, 6) Përderisa i nënshtroheshin me gatishmëri dhe zbatonin urdhërimet e tij, ai do të bëhej ‘Burri’ i përsosur. Do t’i bekonte, do t’i ruante dhe do t’u jepte paqe. (Num. 6:22-27) Kështu emri i madh i Jehovait do të lëvdohej ndër kombe. (Lexo Ligjin e përtërirë 4:5-8; Psalmin 86:7-10.) Në fakt, gjatë gjithë historisë së Izraelit, shumë të huaj u tërhoqën drejt adhurimit të vërtetë. Ishte si të thoshin fjalët që moabitja Ruthë i tha Naomit: «Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.»—Rutha 1:16.
10 Për rreth 1.500 vjet, marrëdhënia e Jehovait me Izraelin nxori në pah shumë aspekte të personalitetit të Tij. Pavarësisht nga fryma rebele e kombit, herë pas here Jehovai u bë për ta «një Perëndi i mëshirshëm» dhe «që nuk zemërohet shpejt». Ai ishte Perëndi jashtëzakonisht i durueshëm dhe shpirtgjerë. (Dal. 34:5-7) Megjithatë, durimi i Jehovait kishte kufi e ky u arrit kur kombi jude hodhi poshtë dhe vrau Birin e tij. (Mat. 23:37, 38) Pasardhësit e Izraelit nuk ishin më popull për emrin e Perëndisë. Në përgjithësi, vdiqën frymësisht, si pema kur thahet. (Luka 23:31) Si ndikoi kjo te qëndrimi i tyre ndaj emrit të Perëndisë?
11. Si u shkëput emri i Perëndisë nga kombi jude?
11 Historia tregon se, me kalimin e kohës, judenjtë zhvilluan një qëndrim bestytë ndaj emrit të Perëndisë, duke e konsideruar si diçka që nuk duhej ta shqiptonin. (Dal. 20:7) Dalëngadalë emri i Perëndisë u shkëput nga judaizmi. Pa dyshim, Jehovai u lëndua tek shihte se emri i tij trajtohej kaq pa respekt. (Psal. 78:40, 41) Gjithsesi, Perëndia, «emri i të cilit është ‘Ai që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij’», nuk do të lejonte aspak që këtë emër ta mbante një popull që e kishte mohuar e që edhe Ai e kishte mohuar. (Dal. 34:14) Ky fakt duhet të na ngulitë në mendje sa e rëndësishme është ta trajtojmë me respekt të thellë emrin e Krijuesit.
NJË POPULL I RI QË THIRRET ME EMRIN E PERËNDISË
12. Si e formoi Jehovai popullin për të cilin u paratha se do të thirrej me emrin e tij?
12 Nëpërmjet Jeremisë, Jehovai zbuloi qëllimin e tij që të themelonte «një besëlidhje të re» me një komb të ri, Izraelin frymor. Jeremia paratha se të gjithë pjesëtarët e tij, ‘të vegjël e të mëdhenj, do ta njihnin Jehovain’. (Jer. 31:31, 33, 34) Kjo profeci nisi të përmbushej në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. kur Perëndia themeloi besëlidhjen e re. Kombi i ri, ‘Izraeli i Perëndisë’, ku përfshiheshin judenj e jojudenj, u bë «një popull për emrin e [Perëndisë]» ose siç tha Jehovai, ‘një popull që thirret me emrin tim’.—Gal. 6:16; lexo Veprat 15:14-17; Mat. 21:43.
13. (a) A e përdornin të krishterët e hershëm emrin e Perëndisë? Shpjegoni. (b) Si e shihni privilegjin që të përdorni emrin e Jehovait në shërbim?
13 Si ‘njerëz që thirreshin me emrin e Perëndisë’, pjesëtarët e këtij kombi frymor e përdornin emrin hyjnor sidomos kur citonin Shkrimet Hebraike.b Kështu, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. apostulli Pjetër përdori emrin e Perëndisë disa herë kur i foli një auditori ndërkombëtar me judenj dhe prozelitë. (Vep. 2:14, 20, 21, 25, 34) Të krishterët e hershëm e nderuan Jehovain, prandaj ai ua bekoi përpjekjet në veprën e predikimit. Po kështu edhe sot, Jehovai bekon shërbimin tonë kur shpallim me krenari emrin e tij dhe ua tregojmë të interesuarve, mundësisht në Biblën e tyre. Në këtë mënyrë u krijojmë mundësinë ta njohin Perëndinë e vërtetë. Ç’privilegj për ata dhe për ne! Për disa ky mund të jetë fillimi i një marrëdhënieje të mrekullueshme me Jehovain që do të bëhet gjithnjë e më e fortë dhe do të zgjatë përgjithmonë.
14, 15. Ç’ka bërë Jehovai për emrin me të cilin do të kujtohej, pavarësisht nga përhapja e apostazisë?
14 Më vonë, apostazia filloi të infektonte kongregacionin e hershëm të krishterë, sidomos pas vdekjes së apostujve. (2 Sel. 2:3-7) Madje, mësues të rremë përvetësuan traditën judaike duke mos e përdorur emrin e Perëndisë. Por, a do të lejonte Jehovai të fshihej emri me të cilin do të kujtohej? Kurrën e kurrës! Kuptohet, shqiptimi i saktë nuk mund të përcaktohet, megjithatë, ky emër ka mbijetuar. Gjatë kohës, është shfaqur në përkthimet e ndryshme të Biblës, si edhe në shkrimet e studiuesve të saj. Për shembull, më 1757, Çarls Pitërsi shkroi se emri «Jehova», ndryshe nga titujt e shumtë të Perëndisë, «duket se shpreh më së miri tiparet e Tij thelbësore». Më 1797, Haptën Hejnsi e nisi kështu kapitullin 7 të një libri për adhurimin e Perëndisë: «JEHOVA, emri i përveçëm i PERËNDISË për judenjtë; i vetmi që adhuronin, siç bënte edhe Krishti e Apostujt e tij.» Henri Gru (1781-1862) jo vetëm e përdorte emrin e Perëndisë, por edhe e kuptonte se mbi të ishte hedhur baltë dhe duhej shenjtëruar. Po kështu, Xhorxh Storsi (1796-1879), një bashkëpunëtor i ngushtë i Çarls T. Rasëllit, e përdori emrin e Perëndisë, siç bëri edhe vetë Rasëlli.
15 Viti 1931 ishte veçanërisht domethënës, sepse atë vit Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç quhej në atë kohë populli i Perëndisë, morën emrin biblik Dëshmitarë të Jehovait. (Isa. 43:10-12) Kështu i njoftuan botës se ndiheshin krenarë që ishin shërbëtorë të të vetmit Perëndi të vërtetë, që ishin «një popull për emrin e tij» dhe e lëvdonin këtë emër. (Vep. 15:14) Këto zhvillime na sjellin ndër mend fjalët e Jehovait te Malakia 1:11: «Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij emri im do të jetë i madh ndër kombet.»
TË ECIM NË EMËR TË JEHOVAIT
16. Pse duhet ta quajmë një nder të ecim në emër të Jehovait?
16 Profeti Mikea shkroi: «Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» (Mik. 4:5) Ishte një nder i madh për Studentët e Biblës që Jehovai i lejoi të merrnin emrin e tij. Për më tepër ishte edhe një shenjë që u jepte sigurinë se kishin miratimin e tij. (Lexo Malakinë 3:16-18.) Po ti, ç’mund të thuash? A po bën çdo përpjekje që ‘të ecësh në emër të Jehovait’? E dallon çfarë përfshin kjo?
17. Çfarë përfshin të ecim në emër të Perëndisë?
17 Të ecim në emër të Perëndisë përfshin të paktën tri gjëra. Së pari, duhet t’ua shpallim këtë emër të tjerëve, duke pranuar se vetëm ata që ‘thërrasin emrin e Jehovait, do të shpëtojnë’. (Rom. 10:13) Së dyti, duhet të pasqyrojmë cilësitë e Jehovait, sidomos dashurinë. (1 Gjon. 4:8) Së treti, ecim në emër të Perëndisë kur me gëzim u nënshtrohemi standardeve të tij të drejta që të mos i sjellim sharje emrit të shenjtë të Atit tonë. (1 Gjon. 5:3) A jeni të vendosur ‘të ecni në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve’?
18. Pse të gjithë ata që e nderojnë emrin e madh të Jehovait e presin të ardhmen plot siguri?
18 Së shpejti, të gjithë ata që e shpërfillin ose e kundërshtojnë haptas Jehovain do të detyrohen ta njohin. (Ezek. 38:23) Këtu përfshihen individë si faraoni që tha: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij?!» Por, sa shpejt e mori vesh! (Dal. 5:1, 2; 9:16; 12:29) Gjithsesi, ne e kemi njohur Jehovain me dëshirë. Jemi krenarë që mbajmë emrin e tij dhe që jemi populli i tij i bindur që thirret me këtë emër. Prandaj, presim të ardhmen plot siguri te premtimi i dokumentuar në Psalmin 9:10: «Ata që e njohin emrin tënd, do të kenë besim te ti, sepse ti, o Jehova, nuk do t’i braktisësh ata që të kërkojnë.»
a Emri i Perëndisë është formë e një foljeje hebraike që ka kuptimin «bëhem». Prandaj, «Jehova» do të thotë «Ai shkakton të bëhet».—Zan. 2:4. (Shih Përkthimin Bota e Re, Shtojca 1a, par. 1.)
b Teksti hebraik që përdornin të krishterët e hershëm përmbante Tetragramin. Nga dëshmitë nxirret përfundimi se e përmbanin edhe kopjet e hershme të Septuagintës, një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike.