Libri biblik numër 2—Dalja
Shkrimtari: Moisiu
Vendi ku u shkrua: shkretëtirë
Shkrimi përfundoi: 1512 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1657 p.e.s.–1512 p.e.s.
1. (a) Cilat janë pikat kryesore të Daljes? (b) Ç’emra i janë vënë librit të Daljes, dhe vazhdim i cilit tregim është?
TREGIME që ta ngrenë shpirtin peshë të shenjave dhe të mrekullive të rëndësishme që Jehovai kreu për ta çliruar popullin e vet nga mundimet në Egjipt, organizimi i Izraelit si prona e tij e veçantë si «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë», dhe fillesat e historisë së Izraelit si komb teokratik: këto janë pikat kryesore të librit biblik të Daljes. (Dal. 19:6) Në hebraisht titullohet Veʼélleh shemóhth, që do të thotë «Këta janë emrat», ose thjesht Shemóhth, «Emrat», në përputhje me fjalët e tij të para. Emri modern vjen nga Septuaginta greke, në të cilën quhet Éksodos, e latinizuar Exodus, që do të thotë «Të dalësh» ose «Të nisesh». Që Dalja është vazhdim i tregimit të Zanafillës, duket nga fjala e parë në gjuhën origjinale, që do të thotë «dhe», si dhe nga përsëritja e listës së emrave të bijve të Jakobit, ashtu siç janë marrë nga tregimi i plotë i Zanafillës 46:8-27.
2. Çfarë zbulon Dalja për emrin Jehova?
2 Libri i Daljes zbulon emrin madhështor të Perëndisë, Jehova, me gjithë shkëlqimin e lavdisë dhe të shenjtërisë së tij. Teksa vazhdon të tregojë domethënien e thellë të emrit të tij, Perëndia i thotë Moisiut: «UNË DO TË BËHEM ÇDO GJË QË DUA TË BËHEM», dhe shtoi se duhej t’i thoshte Izraelit: «UNË DO TË BËHEM [hebraisht: אהיה, ʼEhjéh, nga folja hebraike hajáh] më ka dërguar te ju.» Emri JEHOVA (יהוה, JHVH) vjen nga folja e ngjashme hebraike haváh, «bëhem», që do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Sigurisht, veprat e fuqishme dhe të frikshme që bëri Jehovai në dobi të popullit të tij, Izraelit, e madhëruan dhe e veshën emrin e tij me një lavdi të shndritshme, duke bërë që të kujtohet «brez pas brezi», si emri që duhet përnderuar në përjetësi. Është më se e dobishme për ne të njohim historinë e mrekullueshme të këtij emri, dhe të adhurojmë Perëndinë e vetëm e të vërtetë, Atë që shpall: «Unë jam Jehovai.»a—Dal. 3:14, 15; 6:6.
3. (a) Si e dimë që shkrimtari i Daljes është Moisiu? (b) Kur u shkrua Dalja, dhe cilën periudhë përfshin?
3 Shkrimtari i Daljes është Moisiu, përderisa ky libër është vëllimi i dytë i Pentateukut. Vetë libri dokumenton tri raste ku Moisiu shkruan nën drejtimin e Jehovait. (17:14; 24:4; 34:27) Sipas studiuesve biblikë Uestkot dhe Hort, Jezui dhe shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke cituan ose iu referuan Daljes më shumë se 100 herë, si për shembull kur Jezui tha: «A nuk jua dha Moisiu Ligjin?» Dalja u shkrua në shkretëtirën e Sinait, në vitin 1512 p.e.s., një vit pasi bijtë e Izraelit ishin larguar nga Egjipti. Ajo përfshin një periudhë prej 145 vjetësh, që nga vdekja e Jozefit në vitin 1657 p.e.s., deri në ngritjen e tabernakullit për adhurimin e Jehovait në vitin 1512 p.e.s.—Gjoni 7:19; Dal. 1:6; 40:17.
4, 5. Cilat dëshmi arkeologjike mbështetin tregimin e Daljes?
4 Po të mbash parasysh se kanë kaluar rreth 3.500 vjet nga ngjarjet e përmendura në librin e Daljes, të habit sasia e madhe e dëshmive arkeologjike dhe e provave të tjera të jashtme që vërtetojnë saktësinë e tregimit. Emrat egjiptianë janë përdorur saktësisht te Dalja, dhe titujt e përmendur përkojnë me mbishkrimet egjiptiane. Arkeologjia tregon se egjiptianët e kishin zakon t’i lejonin të huajt të jetonin në Egjipt, me kusht që të rrinin të ndarë prej tyre. Ujërat e lumit Nil i përdornin për t’u larë, dhe kjo na sjell ndër mend vajzën e faraonit që u la atje. Janë gjetur edhe tulla të bëra me dhe pa lëmishte. Gjithashtu, kur Egjipti ishte në kulmin e fuqisë së tij, magjistarët ishin gjerësisht të njohur.—Dal. 8:22; 2:5; 5:6, 7, 18; 7:11.
5 Monumentet tregojnë se faraonët i drejtonin personalisht karrocierët e tyre në betejë, dhe Dalja tregon që faraoni në kohën e Moisiut ndoqi këtë zakon. Sa i madh duhet të ketë qenë poshtërimi i tij! Por, si ka mundësi që dokumentet egjiptiane nuk përmendin as qëndrimin e izraelitëve në tokën e tyre, as gjëmën që i ra Egjiptit? Arkeologjia ka treguar se, sipas zakonit të egjiptianëve, një dinasti e re zhdukte çdo gjë të pafavorshme që gjendej në dokumentet e mëparshme. Ata nuk i regjistronin kurrë disfatat poshtëruese. Goditjet që morën perënditë egjiptiane, si perëndia i Nilit, perëndia-bretkosë dhe perëndia-diell, dhe që i diskredituan këto perëndi e treguan epërsinë e Jehovait, nuk mund të gjenin vend në analet e një kombi krenar.—14:7-10; 15:4.b
6. Me cilat vende identifikohen përgjithësisht fushimet e hershme të izraelitëve?
6 Moisiu shërbeu për 40 vjet si bari për Jetroin, dhe kjo e ndihmoi të njihte kushtet e jetesës dhe vendndodhjet e ujit e të ushqimit në atë zonë, duke e kualifikuar kështu më së miri për të udhëhequr Daljen. Sot, itinerari i saktë i Daljes nuk mund të gjurmohet me siguri, pasi vendet e ndryshme që përmenden në tregim, s’mund të përcaktohen saktësisht. Megjithatë, Mara, një nga fushimet e hershme në gadishullin e Sinait, identifikohet zakonisht me ʽEin Havarën, që ndodhet 80 km në jug-juglindje të Suezit modern. Elimi, vendi ku fushuan herën e dytë, identifikohet tradicionalisht me Vadi Garandelin, rreth 88 km në jug-juglindje të Suezit. Është interesante që në kohët tona ky njihet si vend furnizimi me ujë, ku ka gjelbërim e palma, dhe kjo të kujton Elimin e kohëve biblike me «dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma».c Gjithsesi, autenticiteti i tregimit të Moisiut nuk varet nga përputhjet arkeologjike të vendeve të ndryshme përgjatë udhës.—15:23, 27.
7. Cilat dëshmi të tjera, përfshirë edhe ndërtimin e tabernakullit, vërtetojnë që Dalja është e frymëzuar?
7 Tregimi për ndërtimin e tabernakullit në rrafshinat para Sinait, përputhet me kushtet e vendit. Një studiues tha: «Për nga forma, struktura dhe materialet e përdorura, tabernakulli është i tëri pjesë e shkretëtirës. Druri i përdorur në atë strukturë gjendet me bollëk në shkretëtirë.»d Për sa u përket emrave, zakoneve, fesë, vendeve, gjeografisë apo materialeve, grumbulli i dëshmive të jashtme vërteton tregimin e frymëzuar të Daljes, tanimë me një moshë rreth 3.500-vjeçare.
8. Nga duket se Dalja është një libër i ndërthurur me pjesën tjetër të Shkrimeve, si i frymëzuar dhe i dobishëm?
8 Shkrimtarë të tjerë të Biblës i janë referuar vazhdimisht Daljes, duke treguar domethënien profetike dhe vlerën e saj. Mbi 900 vjet më vonë, Jeremia shkroi për ‘Perëndinë e vërtetë, të Madhin, të Fuqishmin, emri i të cilit është Jehova i ushtrive’, që e nxori popullin e tij, Izraelin, nga Egjipti «me shenja e mrekulli, me dorë të fortë e me krah të shtrirë dhe me tmerre të mëdha». (Jer. 32:18-21) Më se 1.500 vjet më vonë, Stefani e bazoi tek informacionet e Daljes një pjesë të madhe të dëshmisë së tij prekëse, që e çoi atë të martirizohej. (Vep. 7:17-44) Te Hebrenjve 11:23-29, jeta e Moisiut citohet si një shembull besimi për ne, dhe Pavli i referohet shpesh Daljes për të dhënë shembuj e paralajmërime për ne sot. (Vep. 13:17; 1 Kor. 10:1-4, 11, 12; 2 Kor. 3:7-16) Të gjitha këto na ndihmojnë të kuptojmë si janë të ndërthurura me njëra-tjetrën pjesët e Biblës, ku secila ka rolin e vet në shfaqjen e qëllimit të Jehovait në një mënyrë të dobishme.
PËRMBAJTJA E DALJES
9. Në cilat rrethana lind dhe rritet Moisiu?
9 Jehovai i cakton një detyrë Moisiut, duke theksuar Emrin me të cilin Ai do të kujtohet (1:1–4:31). Pasi përmend emrat e bijve të Izraelit që kanë dalë nga Egjipti, Dalja flet për vdekjen e Jozefit. Më pas, në Egjipt sundon një mbret tjetër. Kur sheh se izraelitët «shumoheshin e bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm», ai ndërmerr disa masa shtypëse, përfshirë punën e detyruar, dhe orvatet të pakësojë meshkujt në Izrael, duke urdhëruar vrasjen e të gjithë të sapolindurve meshkuj. (1:7) Pikërisht në këto rrethana, një grua izraelite nga shtëpia e Levit bëhet me djalë. Ky është fëmija i tretë i familjes. Kur djali s’është veçse tre muajsh, e ëma e fsheh në një arkë papirusi mes kallamave buzë lumit Nil. E gjen bija e faraonit, e cila e pëlqen djalin dhe e adopton. Mamaja e tij luan rolin e dados, dhe kështu, ai rritet në një familje izraelite. Më vonë, djalin e çojnë në oborrin e faraonit. Ia vënë emrin Moisi, që do të thotë «I nxjerrë [pra, i shpëtuar nga uji]».—Dal. 2:10; Vep. 7:17-22.
10. Cilat ngjarje çuan deri në shërbimin e veçantë që iu caktua Moisiut?
10 Moisiu interesohet për mirëqenien e izraelitëve të tjerë. Ai vret një egjiptian që po keqtrajton një izraelit. Për pasojë, Moisiut i duhet të ikë, dhe shkon në vendin e Midianit. Atje martohet me Ziporën, bijën e Jetroit, priftit të Midianit. Me kalimin e kohës, Moisiut i lindin dy djem, Gershomi dhe Eliezeri. Pastaj, në moshën 80-vjeçare, pasi ka kaluar 40 vjet në shkretëtirë, Jehovai i cakton Moisiut një shërbim të veçantë që lidhet me shenjtërimin e emrit të Jehovait. Një ditë, teksa po kullot kopenë e Jetroit pranë Horebit, pra në «malin e Perëndisë së vërtetë», Moisiu sheh një kaçubë që është përfshirë nga zjarri, por që nuk digjet. Kur shkon për ta parë më nga afër, një engjëll i Jehovait i drejtohet dhe i tregon qëllimin e Jehovait për ta nxjerrë popullin e Tij, «bijtë e Izraelit nga Egjipti». (Dal. 3:1, 10) Moisiu do të jetë mjeti i Jehovait për të çliruar Izraelin nga vargonjtë e Egjiptit.—Vep. 7:23-35.
11. Në ç’kuptim të veçantë e bën tani të ditur Jehovai emrin e tij?
11 Atëherë Moisiu pyet se si duhet t’ua identifikojë Perëndinë bijve të Izraelit. Dhe pikërisht në këtë rast, për herë të parë, Jehovai bën të ditur domethënien e vërtetë të emrit të tij, duke e shoqëruar atë me qëllimin e vet specifik dhe duke e vendosur si një kujtim. «Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘UNË DO TË BËHEM më ka dërguar te ju . . . Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.’» Emri i tij, Jehova, e identifikon si atë që do të bëjë të plotësohen qëllimet e tij për popullin që mban emrin e tij. Këtij populli, pasardhësve të Abrahamit, ai do t’i japë tokën që u premtoi etërve të tyre, «një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë».—Dal. 3:14, 15, 17.
12. Çfarë i shpjegon Jehovai Moisiut për çlirimin e izraelitëve, dhe si i pret populli shenjat?
12 Jehovai i shpjegon Moisiut se mbreti i Egjiptit nuk do t’i lërë izraelitët të shkojnë të lirë, prandaj, së pari, Atij do t’i duhet ta godasë Egjiptin me gjithë veprat e Tij të mrekullueshme. Vëllai i Moisiut, Aaroni, do të shërbejë si zëdhënës, dhe atyre u jepen tri shenja për t’u mbushur mendjen izraelitëve se po vinin në emër të Jehovait. Rrugës për në Egjipt, djali i Moisiut duhet të rrethpritet për të parandaluar një vdekje në familje, dhe kjo i rikujton Moisiut kërkesat e Perëndisë. (Zan. 17:14) Moisiu dhe Aaroni mbledhin pleqtë e bijve të Izraelit dhe u bëjnë të njohur qëllimin e Jehovait për t’i nxjerrë nga Egjipti e për t’i çuar në Tokën e Premtuar. Pastaj, kryejnë shenjat, dhe populli beson.
13. Si përfundon takimi i parë i Moisiut me faraonin?
13 Plagët mbi Egjiptin (5:1–10:29). Moisiu dhe Aaroni dalin para faraonit dhe e lajmërojnë se Jehovai, Perëndia i Izraelit, ka thënë: «Lëre popullin tim të shkojë.» Me një ton shpërfillës, faraoni krenar ua kthen: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?! Unë s’e njoh fare Jehovain, dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!» (5:1, 2) Në vend që t’i lirojë izraelitët, ai i detyron të bëjnë punë edhe më të rënda. Megjithatë, Jehovai e përsërit edhe një herë premtimin për lirimin duke e lidhur përsëri me shenjtërimin e emrit të tij: «Unë jam Jehovai . . . dhe do të jem Perëndia juaj . . . Unë jam Jehovai.»—6:6-8
14. Si janë të detyruar egjiptianët të pranojnë ‘gishtin e Perëndisë’?
14 Shenjën që kryen Moisiu para faraonit, kur i thotë Aaronit të hedhë përtokë shkopin që kthehet në gjarpër, e imitojnë edhe priftërinjtë e Egjiptit që merren me magji. Edhe pse gjarpërinjtë e tyre përpihen nga gjarpri i madh i Aaronit, gjithsesi, zemra e faraonit bëhet kryeneçe. Tani, Jehovai sjell njërën pas tjetrës dhjetë plagë të rënda mbi Egjiptin. Së pari, lumi Nil dhe gjithë ujërat e Egjiptit kthehen në gjak. Pastaj mbi ta bie plaga e bretkosave. Këto dy plagë imitohen edhe nga priftërinjtë që merren me magji, por ata nuk mund të imitojnë dot plagën e tretë: harrjet që bien mbi njerëzit dhe kafshët. Priftërinjtë e Egjiptit janë të detyruar të pranojnë se «ky është gishti i Perëndisë». Megjithatë, faraoni nuk e lë Izraelin të shkojë.—8:19.
15. Cilat plagë godasin vetëm egjiptianët, dhe përse Jehovai e lë faraonin gjallë?
15 Tri plagët e para bien edhe mbi egjiptianët, edhe mbi izraelitët, kurse nga e katërta e tutje, ato goditën vetëm egjiptianët. Izraeli qëndron i veçuar nën mbrojtjen e Jehovait. Plaga e katërt është një mori e madhe zekthash. Pastaj bie murtaja mbi bagëtinë e Egjiptit, e cila pasohet nga çibanët me flluska që bien mbi njerëzit e kafshët, aq sa edhe priftërinjtë që merren me magji, nuk mundin të qëndrojnë para Moisiut. Jehovai lejon që zemra e faraonit të bëhet përsëri kryeneçe, dhe i drejtohet atij përmes Moisiut: «Por, për këtë shkak të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.» (9:16) Pastaj, Moisiu i tregon faraonit plagën tjetër, «një breshër shumë të madh», dhe në këtë çast, për herë të parë, Bibla tregon se disa nga shërbëtorët e faraonit i frikësohen fjalës së Jehovait dhe veprojnë në bazë të saj. Plaga e tetë dhe e nëntë, pushtimi nga karkalecat dhe një errësirë e zymtë, vijnë shpejt njëra pas tjetrës, dhe faraoni kryeneç e i tërbuar e kërcënon Moisiun me vdekje, nëse ky përpiqet të dalë prapë përpara tij.—9:18.
16. Çfarë urdhëron Jehovai për Pashkën dhe festën e Kuleçve të Ndormë?
16 Pashka dhe goditja e të parëlindurve (11:1–13:16). Tani Jehovai shpall: «Edhe një plagë do të sjell mbi faraonin dhe Egjiptin»,—vdekjen e të parëlindurve. (11:1) Ai urdhëron që Abibi të jetë muaji i parë për Izraelin. Ditën e dhjetë të muajit ata duhet të marrin një qengj ose një kec, një mashkull motak të patëmetë, dhe ditën e katërmbëdhjetë duhet ta therin. Atë mbrëmje, me gjakun e kafshës do të spërkatin dy shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjes së shtëpive. Pastaj duhet të rrinë brenda në shtëpi e të hanë kafshën e pjekur, së cilës nuk duhet t’i thyejnë asnjë kockë. Në shtëpi nuk duhet të ketë fare maja, duhet të hanë shpejt, të jenë të veshur e gati për udhë. Pashka do të shërbejë si kujtim, si një festë për Jehovain përgjatë brezave. Pas saj do të mbahet festa shtatëditore e Kuleçve të Ndormë. Ata duhet t’u mësojnë plotësisht bijve domethënien e gjithë këtyre gjërave. (Më vonë, Jehovai jep disa udhëzime të tjera për këto festa, dhe urdhëron që të gjithë të parëlindurit meshkuj të Izraelit, të njerëzve e të kafshëve, t’i shenjtërohen Jehovait.)
17. Cilat ngjarje e bëjnë këtë natë të paharrueshme?
17 Izraeli bën ashtu siç e urdhëron Jehovai. Pastaj godet katastrofa. Në mesnatë, Jehovai vret gjithë të parëlindurit e Egjiptit, ndërkohë që i kalon të parëlindurit e Izraelit dhe i çliron. «Largohuni nga populli im»,—çirret faraoni. Kurse egjiptianët «nisën ta nxitnin popullin» që të largohej shpejt. (12:31, 33) Izraelitët nuk ikin duarbosh, sepse u kërkojnë e u marrin egjiptianëve sende argjendi dhe ari, si edhe veshje. Ata dalin nga Egjipti në formacion luftimi, 600.000 mijë burra, bashkë me familjet e tyre dhe me një turmë të madhe të përzier me joizraelitë, si dhe me një numër të madh bagëtish. Kjo ngjarje shënon fundin e 430 vjetëve, që kur Abrahami kaloi Eufratin për të hyrë në vendin e Kanaanit. Është me të vërtetë një natë e paharrueshme!—Dal. 12:40, shënimi i dytë te Bibla me referime, anglisht; Gal. 3:17.
18. Ç’kulm arrin shenjtërimi i emrit të Jehovait në Detin e Kuq?
18 Emri i Jehovait shenjtërohet në Detin e Kuq (13:17–15:21). Jehovai e udhëheq Izraelin për në Sukot, e i prin udhën, ditën me një shtyllë reje dhe natën me një shtyllë zjarri. Kryeneçësia e faraonit del sërish në pah, kështu që u vihet pas izraelitëve bashkë me karrocat e zgjedhura të luftës, dhe sipas tij, i fut në grackë në Detin e Kuq. Moisiu i jep përsëri siguri popullit, dhe i thotë: «Mos kini frikë! Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë sot Jehovai.» (14:13) Atëherë, Jehovai bën që deti të tërhiqet duke formuar një korridor shpëtimi, përmes të cilit Moisiu i drejton izraelitët shëndoshë e mirë për në bregun lindor. Hordhitë e fuqishme të faraonit turren pas tyre, por bien në grackë dhe mbyten mes ujërave që rikthehen në vend. Ç’kulm i shenjtërimit të emrit të Jehovait! Ç’rast i madh për t’u gëzuar për të! Ky gëzim shprehet në këngën e parë të madhe të fitores që gjendet në Bibël: «Më lini t’i këndoj Jehovait, sepse shumë është lartësuar. Kalin dhe kalorësin në det i ka flakëruar. Forca dhe fuqia ime është Jah, sepse ai është shpëtimi im. . . . Jehovai do të mbretërojë në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.»—15:1, 2, 18.
19. Cilat ngjarje ndodhin gjatë udhëtimit për në Sinai?
19 Jehovai bën besëlidhjen e Ligjit në Sinai (15:22–34:35). Hap pas hapi, të udhëhequr nga Jehovai, izraelitët udhëtojnë drejt Sinait, malit të Perëndisë së vërtetë. Kur populli murmurit për shkak të ujit të hidhur në Marë, Jehovai e bën ujin të ëmbël. Ata murmuritin prapë ngaqë s’kanë mish e bukë, dhe ai u siguron shkurta në mbrëmje dhe në mëngjes manën ëmbëloshe, si vesa e tokës. Mana do t’u shërbejë izraelitëve si ushqim për 40 vitet e ardhshme. Gjithashtu, për herë të parë në histori, Jehovai urdhëron respektimin e një dite pushimi ose sabati, dhe u thotë izraelitëve që ditën e gjashtë të javës të mbledhin dyfishin e sasisë së manës, pasi ditën e shtatë nuk do të marrin asgjë. Ai u gjen ujë në Refidim, lufton për ta kundër Amalekut, dhe i thotë Moisiut të dokumentojë gjykimin e Tij për ta zhdukur krejt Amalekun.
20. Si vihet në veprim një organizim më i mirë?
20 Më pas, Jetroi, vjehrri, i sjell Moisiut gruan dhe dy djemtë. Tanimë ka ardhur koha që Izraeli të organizohet më mirë, dhe Jetroi jep ndihmesën e vet me disa këshilla të mira dhe praktike. Ai e këshillon Moisiun të mos e mbajë vetë gjithë peshën, por të emërojë disa burra të zotë, të cilët i frikësohen Perëndisë, që të gjykojnë popullin si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve. Moisiu ia dëgjon fjalën, dhe kështu tani tek ai paraqitin vetëm çështjet e vështira.
21. Ç’premtim bën Jehovai më pas, dhe me cilat kushte?
21 Brenda tre muajsh pas Daljes, izraelitët e ngrenë kampin në shkretëtirën e Sinait. Këtu Jehovai premton: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, sepse gjithë toka më përket mua. Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» Atëherë gjithë populli betohet: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që thotë Jehovai.» (19:5, 6, 8) Pas një periudhe shenjtërimi për Izraelin, ditën e tretë Jehovai zbret mbi mal, dhe bën që ai të nxjerrë tym e të dridhet.
22. (a) Cilat urdhërime përmbajnë Dhjetë Fjalët? (b) Cilat vendime të tjera gjyqësore i jepen Izraelit, dhe si hyn kombi në besëlidhjen e Ligjit?
22 Pastaj Jehovai jep Dhjetë Fjalët, ose Dhjetë Urdhërimet. Këto theksojnë sa e nevojshme është t’i përkushtohesh vetëm Jehovait, ndalojnë perënditë e tjera, adhurimin e shëmbëlltyrave, si dhe zënien në gojë kot të emrit të Jehovait. Izraelitët urdhërohen të shërbejnë gjashtë ditë, dhe pastaj të mbajnë një sabat për Jehovain, si edhe të nderojnë atin dhe nënën. Dhjetë Fjalët plotësohen me ligje kundër vrasjes, kurorëshkeljes, vjedhjes, dëshmisë së rreme dhe zilisë. Pastaj, Jehovai vazhdon të japë për kombin e ri vendime gjyqësore dhe udhëzime që kanë të bëjnë me skllavërinë, sulmet, dëmet, dëmshpërblimet, vjedhjet, dëmtimet nga zjarri, adhurimin e rremë, joshjen, keqtrajtimin e vejushave e të jetimëve, huatë dhe shumë çështje të tjera. Jepen edhe ligjet për sabatin, dhe merren masat për tri festa vjetore për adhurimin e Jehovait. Moisiu i shkruan fjalët e Jehovait, bëhen flijime, dhe gjysma e gjakut spërkatet mbi altar. Libri i ligjit lexohet para popullit, dhe pasi ata pohojnë edhe një herë se janë gati të binden, me pjesën tjetër të gjakut spërkatet libri dhe gjithë populli. Kështu, Jehovai bën me Izraelin besëlidhjen e Ligjit, nëpërmjet një ndërmjetësi, Moisiut.—Hebr. 9:19, 20.
23. Ç’udhëzime i jep Jehovai Moisiut në mal?
23 Moisiu ngjitet lart në mal te Jehovai për të marrë Ligjin. Për 40 ditë e net ai merr udhëzime për materialet e ndërtimit të tabernakullit, hollësi për pajisjet e tij, udhëzime specifike për vetë tabernakullin, modelin për rrobat e priftërinjve, përfshirë edhe pllakën prej ari të kulluar për çallmën e Aaronit me mbishkrimin «Shenjtëria i përket Jehovait». Flitet në mënyrë të hollësishme për emërimin e priftërinjve dhe shërbimin e tyre, dhe Moisiut i rikujtohet që sabati do të jetë një shenjë mes Jehovait dhe bijve të Izraelit «brez pas brezi». Pastaj Moisiu merr dy pllakat e Dëshmisë të shkruara me «gishtin e Perëndisë».—Dal. 28:36; 31:17, 18.
24. (a) Ç’mëkat kryen populli, dhe ç’pasoja solli? (b) Si ia zbulon Jehovai Moisiut emrin dhe lavdinë e tij?
24 Ndërkohë, popullit i humbet durimi, dhe i kërkon Aaronit të bëjë një perëndi që t’u prijë. Aaroni bën një viç prej ari, që populli e adhuron gjatë asaj që e quajnë «një festë për Jehovain». (32:5) Jehovai thotë se do ta shfarosë Izraelin, por Moisiu ndërhyn për ta, edhe pse ai vetë, i ndezur nga zemërimi, i bën copë-copë pllakat. Bijtë e Levit i dalin krah adhurimit të pastër, dhe vrasin 3.000 veta nga ata që morën pjesë në atë aheng të shfrenuar. Edhe Jehovai i godet me një plagë. Pasi Moisiu i lutet Perëndisë që të vazhdojë ta drejtojë popullin e vet, dhe Perëndia i thotë se mund ta shohë lavdinë e Tij dhe pastaj e udhëzon të gdhendë dy pllaka të tjera, mbi të cilat Jehovai do të shkruajë përsëri Dhjetë Fjalët. Kur Moisiu ngjitet në mal për herë të dytë, Jehovai i shpall emrin e Jehovait, teksa kalon përpara Moisiut: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza.» (34:6, 7) Pastaj, ai shpall kushtet e besëlidhjes së tij dhe Moisiu i shkruan, sikurse i kemi sot në librin e Daljes. Kur zbret nga mali i Sinait, fytyra e Moisiut lëshon rreze nga lavdia që i ka zbuluar Jehovait. Prandaj vë një vel për të mbuluar fytyrën.—2 Kor. 3:7-11.
25. Ç’na tregohet për tabernakullin dhe shfaqjen e mëtejshme të lavdisë së Jehovait?
25 Ndërtimi i tabernakullit (35:1–40:38). Moisiu mbledh gjithë Izraelin dhe i përcjell fjalët e Jehovait. U thotë se ata që kanë një zemër të gatshme, kanë privilegjin të kontribuojnë për tabernakullin, kurse ata që kanë mençuri në zemër, kanë privilegjin ta ndërtojnë atë. Pak pas kësaj, Moisiut i thonë: «Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për punën që Jehovai urdhëron të bëhet.» (36:5) Nën drejtimin e Moisiut, punëtorë të mbushur me frymën e Jehovait vazhdojnë të ndërtojnë tabernakullin dhe pajisjet e tij, si edhe të bëjnë të gjitha veshjet e priftërinjve. Tabernakulli përfundon një vit pas Daljes, dhe ata e ngrenë në rrafshinën para malit Sinai. Jehovai tregon pëlqimin duke e mbuluar tendën e mbledhjes me renë e tij dhe duke e mbushur tabernakullin me lavdinë e tij, aq sa Moisiu s’mund të hyjë në tendë. Reja ditën dhe zjarri natën, janë shenjat që tregojnë se Jehovai po e drejton Izraelin gjatë gjithë etapave të udhëtimit. Është viti 1512 p.e.s., dhe tregimi i Daljes përfundon këtu, pasi emri i Jehovait shenjtërohet në mënyrë të lavdishme përmes veprave të mrekullueshme që kreu për Izraelin.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
26. (a) Si na e ndërton Dalja besimin te Jehovai? (b) Si na e rritin besimin referimet për Daljen te Shkrimet e Krishtere Greke?
26 Para së gjithash, Dalja zbulon se Jehovai është Çliruesi dhe Organizatori i madh, Përmbushësi i qëllimeve të tij të mrekullueshme, dhe kjo na forcon besimin tek ai. Ky besim rritet teksa studiojmë referimet e shumta për Daljen te Shkrimet e Krishtere Greke, ku flitet për përmbushjen e aspekteve të shumta të besëlidhjes së Ligjit, sigurinë e ringjalljes, masat e Jehovait për të mbështetur popullin e tij, precedentë për veprën bamirëse të të krishterëve, këshilla për respektimin e prindërve, kërkesa që duhen plotësuar për të fituar jetën, dhe si duhet konsideruar drejtësia shpaguese. Përfundimisht, Ligji u përmblodh në dy urdhërime: dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin.—Mat. 22:32—Dal. 4:5; Gjoni 6:31-35 dhe; 2 Kor. 8:15—Dal. 16:4, 18; Mat. 15:4 dhe Efes. 6:2—Dal. 20:12; Mat. 5:26, 38, 39—Dal. 21:24; Mat. 22:37-40.
27. Ç’dobi ka për të krishterët tregimi historik i Daljes?
27 Te Hebrenjve 11:23-29 lexojmë për besimin e Moisiut dhe të prindërve të tij. Me anë të besimit ai la Egjiptin, me anë të besimit kremtoi Pashkën, dhe me anë të besimit i priu Izraelit përmes Detit të Kuq. Izraelitët u pagëzuan në Moisiun, hëngrën ushqim frymor dhe pinë pije frymore. Ata shikuan përpara, drejt shkëmbit frymor, ose Krishtit, por gjithsesi, nuk patën miratimin e Perëndisë, sepse e vunë në provë Atë, u bënë idhujtarë, kurvëruan dhe murmuritën. Pavli shpjegon se të gjitha këto vlejnë edhe për të krishterët sot: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve. Prandaj, ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.»—1 Kor. 10:1-12; Hebr. 3:7-13.
28. Si janë përmbushur hijet e Ligjit dhe simboli i qengjit të Pashkës?
28 Shkrimet e Pavlit, sidomos kapitujt 9 dhe 10 të Hebrenjve, përcjellin një pjesë të madhe të domethënies së thellë frymore të Daljes, bashkë me zbatimin e saj profetik. «Meqë Ligji është një hije e gjërave të mira që do të vijnë, por jo vetë thelbi i gjërave, njerëzit nuk munden kurrë që, me të njëjtat flijime që paraqitin vazhdimisht vit për vit, t’i bëjnë të përsosur ata që i afrohen Perëndisë.» (Hebr. 10:1) Prandaj, ne duam të njohim hijen dhe të kuptojmë realitetin. Krishti «paraqiti në amshim një flijim të vetëm për mëkatet». Ai është përshkruar si «Qengji i Perëndisë». Asnjë eshtër e këtij «Qengji» nuk u thye, njësoj si me modelin tipik. Apostulli Pavël komenton: «Krishti, pashka jonë, është flijuar. Prandaj, të mos e kremtojmë festën me maja të vjetër, as me majanë e së keqes e të ligësisë, por me kuleç të ndormë të çiltërsisë dhe të së vërtetës.»—Hebr. 10:12; Gjoni 1:29 dhe Gjo 19:36—Dal. 12:46; 1 Kor. 5:7, 8—Dal. 23:15.
29. (a) Trego ndryshimin mes besëlidhjes së Ligjit dhe besëlidhjes së re. (b) Çfarë flijimesh i paraqitin tani Perëndisë izraelitët frymorë?
29 Jezui u bë Ndërmjetësi i një besëlidhjeje të re, ashtu si Moisiu kishte qenë ndërmjetësi i besëlidhjes së Ligjit. Ndryshimi mes këtyre besëlidhjeve është shpjeguar qartësisht nga apostulli Pavël që flet për «dokumentin e shkruar me dorë, i cili përbëhej nga dekrete», dhe që u hoq kur Jezui vdiq në shtyllën e torturës. Jezui i ringjallur si një Kryeprift, është «shërbëtor publik i vendit të shenjtë dhe i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu». Priftërinjtë që shërbenin nën Ligj, bënin «një shërbim të shenjtë, që është pasqyrim simbolik dhe hije e gjërave qiellore», sipas modelit që iu dha Moisiut. «Kurse Jezuit i është ngarkuar të kryejë një shërbim publik më të shkëlqyer, kështu që është edhe ndërmjetësi i një besëlidhjeje përkatëse më të mirë, e cila është themeluar ligjërisht mbi premtime më të mira.» Besëlidhja e parë u vjetërua dhe u hoq si një kod që administronte vdekjen. Për judenjtë që nuk e kuptonin dot këtë, thuhet se i kishin të mpira aftësitë e tyre perceptuese, kurse besimtarët që e kuptuan se Izraeli frymor kishte hyrë në një besëlidhje të re, ‘me fytyrë të zbuluar pasqyronin si pasqyrë lavdinë e Jehovait’, dhe ishin të kualifikuar aq sa duhet për të qenë shërbëtorë të kësaj besëlidhjeje. Me ndërgjegje të pastruar, këta mund të paraqitin një «flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij».—Kolos. 2:14; Hebr. 8:1-6, 13; 2 Kor. 3:6-18; Hebr. 13:15; Dal. 34:27-35.
30. Çfarë përfaqësonin çlirimi i Izraelit dhe madhërimi i emrit të Jehovait në Egjipt?
30 Dalja madhështon emrin dhe sovranitetin e Jehovait, dhe drejton vëmendjen nga çlirimi i lavdishëm i kombit të krishterë të Izraelit frymor, për të cilin thuhet: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.» Fuqia që tregoi Jehovai, kur mblodhi Izraelin frymor dhe e nxori nga kjo botë për të madhëruar emrin e tij, nuk është më pak e mrekullueshme se fuqia që shfaqi në dobi të popullit të vet në Egjiptin e lashtë. Jehovai e la gjallë faraonin për t’i treguar forcën e vet dhe që emri i Tij të shpallej, gjëra që përfaqësonin një dëshmi edhe më të madhe që do të jepej nga Dëshmitarët e tij të krishterë.—1 Pjet. 2:9, 10; Rom. 9:17; Zbul. 12:17.
31. Çfarë thotë Dalja për një mbretëri dhe për praninë e Jehovait?
31 Kështu pra, në bazë të Shkrimeve, mund të themi se kombi që u formua nën drejtimin e Moisiut, na e drejton vëmendjen nga një komb i ri nën drejtimin e Krishtit dhe nga një mbretëri që nuk do të tundet kurrë. Me këtë në mendje, jemi të nxitur «t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë . . . me frikë Perëndie dhe nderim të thellë». Ashtu si prania e Jehovait mbuloi tabernakullin në shkretëtirë, ai premton se do të jetë përgjithnjë pranë atyre që i frikësohen atij: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. . . . Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Vërtet, Dalja është një pjesë thelbësore dhe e dobishme e tregimit të Biblës.—Dal. 19:16-19—Hebr. 12:18-29; Dal. 40:34—Zbul. 21:3, 5.
[Shënimet]
a Dalja 3:14, shënimi te Bibla me referime, anglisht; Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 12, anglisht.
b Të fitojmë gjykim i thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 532, 535, anglisht; Archaeology and Bible History, 1964, Xh. P. Fri, faqja 98.
c Të fitojmë gjykim i thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 540, 541, anglisht.
d Exodus, F. K. Kuk, faqja 247.