KABULI
1. Qytet që iu dha fisit të Asherit si pjesë e trashëgimisë së tij. (Js 19:24, 27) Është Kabuli i sotëm, që ndodhet afro 13 km në lindje-juglindje të Akos.
2. Emri i një krahinë në Galile me 20 qytete që Solomoni ia bëri dhuratë Hiramit, mbretit të Tirit, ndoshta si vlerësim për ndihmën e tij në programin e ndërtimit. Megjithatë, kur Hirami i pa qytetet «nuk mbeti i kënaqur» dhe i tha Solomonit: «Ç’janë këto qytete që më ke dhënë, o vëlla?» Pas kësaj, ato u quajtën «Vendi i Kabulit».—1Mb 9:10-13.
Sipas historianit Jozef, qytetet «nuk ndodhen larg Tirit». (Antikitete judaike, VIII, 142 [v, 3]) Tek Isaia 9:1, Galilea quhet ‘Galilea e kombeve’ dhe, sipas disa studiuesve, 20 qytetet duhej të kishin popullsi pagane. S’ka të ngjarë që Solomoni t’ia jepte qytetet një mbreti të huaj nëse aty banonin izraelitë. Në të vërtetë, ato mund të kenë qenë jashtë kufijve të territorit të atëhershëm të Izraelit, por prapë ishin brenda kufijve të tokës që i premtoi fillimisht Perëndia Izraelit dhe që pushtoi Davidi, ati i Solomonit. (Da 23:31; 2Sa 8:1-15) Në bazë të asaj që thotë ligji i Perëndisë te Levitiku 25:23, 24, është vënë në dyshim nëse veprimi i Solomonit ishte i përshtatshëm. Mbase ky ligj zbatohej vetëm për rajonet ku banonte asokohe populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje, e në këtë rast dhurata e Solomonit nuk do të ishte e pavend. Përndryshe, ky veprim do të ishte një tregues tjetër se ai nuk i qëndroi plotësisht besnik drejtimit hyjnor, si në rastin kur shtoi kuajt ose kur mori shumë gra nga kombe të huaja.—Krahaso Lp 17:16, 17 me 1Mb 4:26; 11:1-8.
Në tregimin biblik nuk thuhet pse nuk i pëlqyen qytetet Hiramit. Disa mendojnë se banorët paganë i kishin mbajtur qytetet në gjendje të mjerueshme; të tjerë hedhin idenë se pozita gjeografike nuk ishte e favorshme. Sidoqoftë, ngaqë Hirami nuk i pëlqeu, ato u quajtën «Vendi i Kabulit». Kuptimi i emrit Kabul në këtë varg ka qenë objekt i shumë diskutimeve. Jozefi (i përmendur më sipër) thotë se fjala Kabul «në gjuhën fenikase do të thotë ‘e papëlqyeshme’», por studiuesit e sotëm nuk gjejnë prova të tjera që të mbështetin këtë shpjegim. Në përgjithësi leksikografët shtrojnë hipotezën se është lojë fjalësh; emri Kabul përdoret në të njëjtin kuptim si fjala hebraike e ngjashme me të, kevál, e cila do të thotë «pa asnjë vlerë».
Në tregimin paralel ku flitet për ngjarjet që ndodhën pasi Solomoni përfundoi projektin e ndërtimit, te 2 Kronikave 8:2 përmenden qytetet «që i kishte dhënë Hirami» Solomonit dhe që Solomoni i rindërtoi për izraelitët. Nuk thuhet në ishin po ato qytete që më parë Solomoni ia kishte dhënë si dhuratë Hiramit. Nëse po, atëherë ky varg tregon se Hirami nuk e pranoi dhuratën. Disa kanë hedhur edhe idenë se qytetet u shkëmbyen si dhurata, ndonëse kjo nuk përmendet në Librin e Parë të Mbretërve, kapitulli 9.