A po gjen strehë te Jehovai?
«Jehovai e shpengon shpirtin e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë tek ai, nuk do të quhet fajtor.»—PSAL. 34:22.
1. Për shkak të mëkatit, çfarë ndjenjash provojnë shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë?
«Ç’NJERI i mjerë që jam!» (Rom. 7:24) Shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë bashkohen me këto ndjenja që shprehu apostulli Pavël. Të gjithë vuajmë nga mëkati i trashëguar, dhe kur veprimet tona nuk pasqyrojnë dëshirën e zjarrtë që të kënaqim Jehovain, mund të ndihemi të mjerë. Disa të krishterë që kanë bërë një mëkat serioz mendojnë madje se është e pamundur që Perëndia t’i falë.
2. (a) Si e tregon Psalmi 34:22 se shërbëtorët e Perëndisë nuk ka pse t’i mbytë ndjenja e fajit? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Shih kutinë «Mësime apo modele profetike?»)
2 Gjithsesi, Shkrimet na sigurojnë se ata që gjejnë strehë te Jehovai nuk ka pse t’i mbytë ndjenja e fajit. (Lexo Psalmin 34:22.) Çfarë përfshin të gjesh strehë te Jehovai? Cilët hapa duhet të hedhim që Jehovai të na tregojë mëshirë e të na falë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i marrim duke shqyrtuar masën e qyteteve të strehimit në Izraelin e lashtë. Vërtet, ajo masë u mor nën besëlidhjen e Ligjit, i cili u zëvendësua në festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s. Ama të mos harrojmë se ai Ligj vinte nga Jehovai. Prandaj, nga masa e qyteteve të strehimit mësojmë pikëpamjen e Jehovait për mëkatin, për mëkatarët dhe për pendimin. Në fillim, le të ndalemi pak çaste te qëllimi dhe funksioni i atyre qyteteve.
«CAKTONI QYTETET E STREHIMIT»
3. Si vepronin izraelitët kur bëhej një vrasje me dashje?
3 Për Jehovain, të gjitha rastet e gjakderdhjeve në Izraelin e lashtë ishin çështje serioze. Ai që vriste dikë me dashje vritej nga «gjakmarrësi», pra nga mashkulli që ishte i afërmi më i ngushtë i viktimës. (Num. 35:19) Ky veprim bënte shlyerjen për gjakun e pafajshëm njerëzor që ishte derdhur. Ekzekutimi i shpejtë i vrasësit ishte një mbrojtje që Toka e Premtuar të mos përdhosej, sepse Jehovai urdhëroi: «Mos e ndotni vendin ku jeni. Vendin e ndot gjaku [i derdhur i njeriut].»—Num. 35:33, 34.
4. Si veprohej në Izrael në rastet e gjakderdhjeve aksidentale?
4 Por, si vepronin izraelitët në rastet e gjakderdhjeve aksidentale? Ndonëse vrasja ishte aksidentale, ai që vriste dikë pa dashje ishte prapëseprapë fajtor për derdhjen e gjakut të pafajshëm. (Zan. 9:5) Megjithatë, me mëshirë, i jepej mundësia të shpëtonte nga gjakmarrësi duke ikur me të shpejtë në një nga gjashtë qytetet e strehimit. Atje mund të gjente mbrojtje. Ai duhej të qëndronte në qytetin e strehimit derisa të vdiste kryeprifti.—Num. 35:15, 28.
5. Pse masa e qyteteve të strehimit mund të na ndihmojë të njohim akoma më mirë Jehovain?
5 Emërtimi i atyre qyteteve si qytete strehimi nuk ishte ide e njerëzve. Vetë Jehovai e urdhëroi Josiun: «Thuaju bijve të Izraelit: ‘Caktoni qytetet e strehimit.’» Atyre qyteteve iu dha një status i veçantë: ‘u shpallën të shenjta’. (Jos. 20:1, 2, 7, 8) Përderisa Jehovai u përfshi drejtpërdrejt në veçimin e atyre qyteteve për një rol special, mund të pyesim: si na ndihmon kjo masë që ta kuptojmë më mirë mëshirën e Jehovait? Dhe ç’na mëson për mënyrën si mund të gjejmë strehë tek Ai sot?
«AI DUHET . . . T’U THOTË Ç’KA PËR TË THËNËa PLEQVE»
6, 7. (a) Përshkruani rolin e pleqve në gjykimin e atij që vriste dikë pa dashje. (Shih figurën hapëse.) (b) Pse ishte e mençur që i arratisuri t’u drejtohej pleqve?
6 Pasi vriste aksidentalisht dikë, i arratisuri së pari duhej ‘t’u thoshte ç’kishte për të thënë pleqve’ te porta e qytetit të strehimit ku shkonte. Atje duhej ta mirëpritnin. (Jos. 20:4) Pas njëfarë kohe, atë e kthenin te pleqtë e qytetit ku kishte ndodhur vrasja, dhe ata pleq gjykonin çështjen. (Lexo Numrat 35:24, 25.) Vetëm pasi ata deklaronin se vrasja ishte aksidentale, i arratisuri kthehej në qytetin e strehimit.
7 Pse përfshiheshin pleqtë? Ata duhej ta mbanin të pastër kongregacionin e Izraelit dhe të ndihmonin atë që vriste dikë pa dashje të nxirrte dobi nga mëshira e Jehovait. Sipas një studiuesi të Biblës, nëse i arratisuri i linte gjërat pas dore dhe nuk u drejtohej pleqve, «vinte veten në rrezik». Ai shtonte: «Gjaku i tij binte mbi kokën e tij, sepse nuk e shfrytëzoi masën e sigurisë që kishte marrë për të Perëndia.» Atij që kishte vrarë dikë pa dashje i ishte siguruar ndihmë, por duhej ta kërkonte dhe ta pranonte atë ndihmë. Po të mos kërkonte strehë në një nga qytetet që kishte zgjedhur Jehovai, i afërmi më i ngushtë i të vrarit kishte lirinë ta vriste.
8, 9. Pse një i krishterë që ka kryer mëkat serioz duhet t’u drejtohet për ndihmë pleqve?
8 Sot një i krishterë që ka kryer mëkat serioz duhet të kërkojë ndihmë nga pleqtë e kongregacionit që të rimëkëmbet. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Së pari, masën që pleqtë të trajtojnë rastet e mëkateve të rënda e ka marrë Jehovai, siç tregohet në Fjalën e tij. (Jak. 5:14-16) Së dyti, kjo masë u jep forcë keqbërësve të penduar që të mbeten nën kujdesin e Perëndisë dhe të mos e bëjnë rrugë mëkatin. (Gal. 6:1; Hebr. 12:11) Së treti, pleqtë janë ngarkuar dhe janë stërvitur që t’u japin siguri mëkatarëve të penduar, duke ndihmuar t’u lehtësohet dhimbja dhe ndjenja e fajit. Jehovai i quan këta pleq «një strehë . . . nga shtrëngata». (Isa. 32:1, 2) A nuk je dakord edhe ti se kjo masë është një shprehje e mëshirës së Perëndisë?
9 Shumë shërbëtorë të Perëndisë e kanë provuar çfarë lehtësimi gjen kur kërkon dhe merr ndihmë nga pleqtë. Për shembull, një vëlla që quhet Daniel bëri një mëkat serioz, por për disa muaj ngurronte t’u drejtohej pleqve. Ai pranon: «Pasi kishte kaluar tërë ajo kohë, mendoja se pleqtë nuk bënin dot më asgjë për mua. Ama, gjithë kohës rrija me frikë në zemër, duke pritur pasojat e veprimeve të mia. Dhe kur i lutesha Jehovait, ndieja se duhej t’i paraprija çdo gjëje me një ndjesë për atë që kisha bërë.» Më në fund, Danieli kërkoi ndihmë nga pleqtë. Ndërsa hedh vështrimin pas, ai thotë: «Vërtet, kisha shumë frikë t’u drejtohesha pleqve. Por, pas kësaj, m’u duk sikur dikush më hoqi nga supet një barrë të stërmadhe. Tani ndiej se mund të komunikoj me Jehovain pa asnjë pengesë.» Sot Danieli ka një ndërgjegje të pastër, dhe kohët e fundit u emërua shërbëtor ndihmës.
«DUHET TË IKË NË NJË NGA KËTO QYTETE»
10. Që t’i tregohej mëshirë, cilin hap të vendosur duhej të bënte ai që vriste dikë pa dashje?
10 Që t’i tregohej mëshirë, ai që vriste dikë pa dashje duhej të vepronte. Duhej të ikte në qytetin më të afërt të strehimit. (Lexo Josiun 20:4.) Nuk e imagjinojmë dot që i arratisuri të tregohej indiferent. Jeta e tij varej nga mbërritja sa më shpejt në atë qytet dhe nga qëndrimi atje! Kjo nënkuptonte sakrifica nga ana e tij. Duhej të hiqte dorë nga puna e mëparshme, nga rehatitë e shtëpisë dhe nga liria për të udhëtuar—deri në kohën kur të vdiste kryeprifti.b (Num. 35:25) Por pa diskutim që ia vlente t’i duronte ato vështirësi. Nëse largohej nga qyteti, i arratisuri do të tregonte se ishte zemërgur e nuk i bëhej vonë për gjakun që kishte derdhur, si edhe do të vinte në rrezik jetën e vet.
11. Cilat veprime të një të krishteri të penduar tregojnë se nuk është mosmirënjohës për mëshirën e Perëndisë?
11 Edhe sot, për të nxjerrë dobi nga mëshira e Perëndisë, keqbërësit e penduar duhet të veprojnë. Duhet ta braktisim plotësisht rrugën e mëkatit e ‘të ikim’ larg jo vetëm nga mëkatet serioze, por edhe nga mëkatet më të vogla që shpesh çojnë në gabime të rënda. Apostulli Pavël përshkroi nën frymëzim veprimet e të krishterëve të penduar në Korint. Ai shkroi: «Sa fryte solli te ju ky trishtim në mënyrë të perëndishme: sa përkujdesje të madhe, po, sa shfajësim, po, sa indinjatë, po, sa frikë, po, sa dëshirë të zjarrtë, po, sa zell, po, sa zhdëmtim!» (2 Kor. 7:10, 11) Me anë të veprimeve të zellshme për të braktisur rrugën e mëkatit, i tregojmë Jehovait se nuk jemi neglizhentë dhe nuk abuzojmë me mëshirën e tij.
12. Nga çfarë mund t’i duhet të heqë dorë një të krishteri, që Perëndia të vazhdojë t’i tregojë mëshirë?
12 Nga çfarë mund t’i duhet të heqë dorë një të krishteri, që Perëndia të vazhdojë t’i tregojë mëshirë? Ai duhet të jetë i gatshëm të heqë dorë edhe nga diçka që e ka të shtrenjtë, nëse për shkak të saj do të rrezikonte të kryente mëkat. (Mat. 18:8, 9) Nëse disa miq të shtyjnë të bësh gjëra që e lëndojnë Jehovain, a do ta shkëputësh shoqërinë me ta? Nëse e ke të vështirë të pish me karar pije alkoolike, a je i gatshëm të shmangësh rrethanat ku mund të tundohesh ta teprosh me pijen? Nëse lufton me dëshirat seksuale imorale, a po shmang çdo film, sit ose aktivitet që mund të ngjallë mendime të papastra? Mos harro: çdo sakrificë që bëjmë për të mbajtur integritetin ndaj Jehovait ia vlen! Asgjë nuk është më e dhimbshme se të ndihesh i braktisur nga ai. Në të njëjtën kohë, asgjë nuk të fal më shumë kënaqësi se të ndiesh ‘përherë dashamirësinë’ e tij.—Isa. 54:7, 8.
«ATO DO T’JU SHËRBEJNË SI STREHIM»
13. Shpjegoni pse një i arratisur mund të ndihej i sigurt, i mbrojtur dhe i lumtur në qytetin e strehimit.
13 Pasi hynte në qytetin e strehimit, i arratisuri ishte i sigurt. Jehovai tha për ato qytete: «Ato do t’ju shërbejnë si strehim.» (Jos. 20:2, 3) Jehovai nuk kërkonte që ai që kishte vrarë dikë të gjykohej prapë për të njëjtën çështje. Gjithashtu, gjakmarrësit nuk i lejohej të hynte në qytet e ta vriste të arratisurin. Kështu, i arratisuri nuk kishte pse t’i trembej asnjëherë hakmarrjes. Brenda qytetit ishte i sigurt nën mbrojtjen e Jehovait. Ai ishte një qytet strehimi, jo një burg strehimi. Në qytet, të arratisurit i jepej mundësia të punonte, të ndihmonte të tjerët dhe t’i shërbente Jehovait në paqe. Po, ishte e mundur që ai të bënte një jetë të lumtur e domethënëse!
14. Për çfarë mund të jetë i sigurt një i krishterë i penduar?
14 Disa shërbëtorë të Perëndisë që kanë kryer një mëkat serioz por që janë penduar, ndihen «të burgosur» të ndjenjës së fajit. Madje u duket se Jehovai do t’i shohë gjithmonë si të njollosur nga ai gabim i rëndë. Nëse ndihesh kështu, të lutemi të mos kesh pikë dyshimi se kur Jehovai të fal, mund të ndihesh i sigurt për mëshirën e tij! Danieli, i cituar më sipër, e provoi sa e vërtetë është kjo. Pasi pleqtë e ndreqën dhe e ndihmuan të rifitonte një ndërgjegje të pastër, ai tregon si u ndie: «Tani mund të merrja frymë lirisht. Pasi çështja ishte trajtuar siç duhej, s’kisha pse të ndihesha më fajtor. Pasi mëkati është fshirë, është fshirë një herë e mirë. Jehovai thotë se ai vetë t’i heq nga supet barrët që të rëndojnë dhe i vë shumë larg teje. Nuk do t’i shohësh kurrë më.» Pasi hynte në qytetin e strehimit, i arratisuri s’kishte pse të rrinte më me frikë në zemër se mos vinte gjakmarrësi. Në mënyrë të ngjashme, pasi Jehovai na e ka falur një mëkat, s’ka pse të kemi frikë se mos kërkon ndonjë arsye që ta hapë prapë atë çështje ose që të na gjykojë për atë mëkat.—Lexo Psalmin 103:8-12.
15, 16. Si mund të ta forcojë sigurinë te mëshira e Perëndisë roli i Jezuit si Shpërblyes dhe Kryeprift?
15 Ç’është e vërteta, ne kemi një arsye më të fortë se izraelitët që të ndihemi të sigurt për mëshirën e Jehovait. Pasi u shpreh sa i mjerë ndihej që nuk arrinte t’i bindej në mënyrë të përsosur Jehovait, Pavli tha me gjithë zemër: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Rom. 7:25) E pra, megjithëse luftonte me mëkatin dhe me gabimet e së kaluarës—për të cilat ishte penduar—Pavli ndihej i sigurt se Perëndia e kishte falur nëpërmjet Jezuit. Si Shpërblyesi ynë, Jezui na pastron ndërgjegjen dhe na jep paqe të brendshme. (Hebr. 9:13, 14) Si Kryeprifti ynë, «ai është në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta». (Hebr. 7:24, 25) Roli i kryepriftit i siguronte izraelitët se mëkatet e tyre do të faleshin. Sa më shumë duhet të na sigurojnë ne shërbimet që kryen Kryeprifti ynë, Jezui, se mund «të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur».—Hebr. 4:15, 16.
16 Prandaj, që të gjesh strehë te Jehovai, trego besim te flijimi i Jezuit. Kjo s’do të thotë thjesht të pranosh se shpërblesa vlen për njerëzit në tërësi. Përkundrazi, ki besim se shpërblesa të sjell dobi ty. (Gal. 2:20, 21) Ki besim se shpërblesa është baza që të falen mëkatet e tua. Ki besim se shpërblesa të jep ty shpresën që të jetosh përgjithmonë. Flijimi i Jezuit është një dhuratë që Jehovai ta ka bërë ty.
17. Pse dëshiron të gjesh strehë te Jehovai?
17 Qytetet e strehimit pasqyrojnë mëshirën e Jehovait. Nëpërmjet kësaj mase, Perëndia jo vetëm theksoi se jeta është e shenjtë, por edhe ilustroi si na ndihmojnë pleqtë, çfarë përfshin pendimi i vërtetë dhe pse mund të jemi plotësisht të bindur që Jehovai na fal vërtet. A po gjen strehë te Jehovai? Nuk ekziston asnjë vend më i sigurt! (Psal. 91:1, 2) Në artikullin tjetër do të shohim si mund të na ndihmojnë qytetet e strehimit që të imitojmë drejtësinë dhe mëshirën e pashoqe të Jehovait.
a Në gjuhën origjinale, kjo shprehje ka kuptimin «duhet t’ua parashtrojë çështjen e tij».
b Sipas veprave judaike të referimit, kishte shumë mundësi që familjarët e afërt të atij që kishte vrarë dikë pa dashje shkonin me të në qytetin e strehimit.