A do të ndjekësh drejtimin e dashur të Jehovait?
«Urrej çdo shteg të rremë.»—PSAL. 119:128.
1, 2. (a) Ndërsa kërkon drejtim për të mbërritur në një destinacion të caktuar, ç’lloj paralajmërimi do të vlerësoje dhe pse? (b) Çfarë paralajmërimesh u jep Jehovai atyre që i shërbejnë dhe pse?
IMAGJINO sikur duhet të shkosh në një destinacion të caktuar. Për të ditur drejtimin, i kërkon ndihmë një miku të besueshëm që e njeh rrugën. Ndërsa të jep udhëzime të hollësishme, mund të të thotë: «Ki kujdes te kthesa tjetër! Tabela të çon në rrugë të gabuar. Shumë e ndjekin atë dhe në fund humbasin.» A do ta vlerësoje merakun e tij dhe a do t’ia vije veshin paralajmërimit? Në disa mënyra, Jehovai është si ai mik. Na jep udhëzime të kujdesshme se si të mbërrijmë në destinacionin tonë, jetën e përhershme, por edhe na paralajmëron për ndikimet e këqija që mund të na çonin në rrugë të gabuar.—Ligj. 5:32; Isa. 30:21.
2 Në këtë artikull dhe në atë vijues, do të shqyrtojmë disa ndikime për të cilat na paralajmëron Miku ynë, Perëndia Jehova. Le të mbajmë parasysh se Jehovai i jep këto paralajmërime nga meraku dhe dashuria. Do që të mbërrijmë në destinacion. Atij i dhemb në shpirt kur sheh se njerëzit dorëzohen para ndikimeve të këqija dhe humbasin rrugën. (Ezek. 33:11) Në këtë artikull, do të trajtojmë tri ndikime negative. Ndikimi i parë është një forcë e jashtme, i dyti një forcë e brendshme. I treti nuk është as real, e megjithatë është shumë i rrezikshëm. Duhet të dimë se cilat janë këto ndikime dhe si na mëson Ati ynë qiellor t’u rezistojmë. Një psalmist i frymëzuar i tha Jehovait: «Urrej çdo shteg të rremë.» (Psal. 119:128) Ai urrente gjithçka që do ta shtynte të mos i bindej Jehovait. A ndihesh kështu edhe ti? Le të shohim se si mund të jemi të vendosur të shmangim «çdo shteg të rremë».
«Mos shko pas shumicës»
3. (a) Pse mund të jetë e rrezikshme të shkojmë pas udhëtarëve të tjerë kur nuk jemi të sigurt se cilën udhë të marrim? (b) Cilin parim të rëndësishëm gjejmë te Dalja 23:2?
3 Ta zëmë se je nisur për një udhëtim të gjatë. Çfarë do të bësh nëse nuk je i sigurt se cilën udhë të marrësh? Ndoshta tundohesh të shkosh pas udhëtarëve të tjerë—sidomos nëse sheh që shumë shkojnë në të njëjtin drejtim. Kjo është e rrezikshme. Në fund të fundit, ata udhëtarë mund të mos jenë duke shkuar atje ku do të shkosh ti ose edhe ata mund të kenë humbur. Lidhur me këtë, shqyrto një parim që gjendet në një nga ligjet që iu dha Izraelit të lashtë. Ata që shërbenin si gjykatës ose dëshmitarë në çështjet gjyqësore, u paralajmëruan për rrezikun që ‘të shkonin pas shumicës’. (Lexo Daljen 23:2.) Pa dyshim, është tepër e lehtë për njerëzit e papërsosur të dorëzohen para presionit të të tjerëve, duke shtrembëruar drejtësinë. Por, a kufizohet vetëm në çështjet gjyqësore parimi për të mos shkuar pas shumicës? Jo, aspak.
4, 5. Si u vunë nën presion Josiu dhe Kalebi që të shkonin pas shumicës, por çfarë i ndihmoi të rezistonin?
4 Faktikisht, presioni që ‘të shkojmë pas shumicës’ mund të ndikojë te ne pothuajse në çdo kohë. Mund të lindë papritur dhe ta kemi shumë të vështirë t’i rezistojmë. Mendo, për shembull, për presionin që hasën njëherë nga të tjerët Josiu dhe Kalebi. Bënin pjesë në një grup prej 12 burrash që shkuan në Tokën e Premtuar për ta vëzhguar. Kur u kthyen, dhjetë burra bënë një raport mjaft negativ e shkurajues. Madje thanë se disa nga banorët e vendit ishin gjigantë që e kishin prejardhjen nga nefilimët, pasardhësit e engjëjve rebelë dhe të grave që patën. (Zan. 6:4) Por kjo ishte absurde. Ata hibridë të ligj ishin fshirë nga faqja e dheut shumë shekuj më parë me anë të Përmbytjes, pa lënë as edhe një pasardhës. Megjithatë, edhe ideja më e pabazë mund të ndikojë fuqimisht tek ata që kanë besim të dobët. Raportet negative të dhjetë vëzhguesve përhapën me shpejtësi frikë dhe panik mes popullit. Pas pak, shumica ishin të sigurt se do të ishte një gabim të hynin në Tokën e Premtuar siç kishte urdhëruar Jehovai. Çfarë bënë Josiu dhe Kalebi në atë situatë që mund të bëhej e dhunshme?—Num. 13:25-33.
5 Ata nuk shkuan pas shumicës. Ndonëse shumica e izraelitëve nuk donin ta dëgjonin, ata dy burra thanë të vërtetën e iu përmbajtën asaj—madje edhe kur i kërcënuan se do t’i vritnin me gurë. Ku e gjetën guximin? Pa dyshim, një pjesë e madhe e guximit vinte nga besimi i tyre. Njerëzit me besim e shohin qartë ndryshimin midis pohimeve të pabaza të njerëzve dhe premtimeve të shenjta të Perëndisë Jehova. Kur më vonë Josiu dhe Kalebi folën për besimin e tyre te Jehovai, u thanë të gjithëve se ai i mban gjithnjë premtimet. (Lexo Josiun 14:6, 8; 23:2, 14.) Josiu dhe Kalebi ishin të lidhur me Perëndinë e tyre besnik dhe as që e çonim nëpër mend ta lëndonin vetëm e vetëm që të shkonin pas shumicës. Prandaj qëndruan të palëkundur, duke lënë një shembull të shkëlqyer për ne sot.—Num. 14:1-10.
6. Në cilat mënyra mund të ndihemi nën presionin që të shkojmë pas shumicës?
6 A ndihesh ndonjëherë nën presionin që të shkosh pas shumicës? Patjetër, njerëzit që janë të larguar nga Jehovai dhe që tallen me normat e tij morale janë vërtet një shumicë sot. Kur bëhet fjalë për zbavitjen dhe dëfrimin, kjo shumicë shpesh nxit ide të pabaza. Mund të këmbëngulin se imoraliteti, dhuna dhe spiritizmi, kaq të përhapura në programet televizive, në filmat dhe në videolojërat, janë të padëmshme. (2 Tim. 3:1-5) Po ti, kur zgjedh zbavitjen dhe dëfrimin për veten e familjen, a lejon që ndërgjegjja tepër toleruese e të tjerëve të ndikojë te vendimet e tua dhe të modelojë ndërgjegjen tënde? A nuk do të tregonte kjo se faktikisht po shkon pas shumicës?
7, 8. (a) Si stërviten ‘aftësitë tona perceptuese’ dhe pse kjo stërvitje është më e dobishme se ndjekja e një morie me ligje të ngurta? (b) Pse të ngroh zemrën shembulli i shumë të rinjve të krishterë?
7 Jehovai na ka dhënë një dhuratë të çmuar që të na ndihmojë të marrim vendime—«aftësitë perceptuese». Megjithatë, këto aftësi duhen stërvitur «nëpërmjet përdorimit». (Hebr. 5:14) Po të shkonim pas turmës, nuk do t’i stërvitnim aftësitë perceptuese, dhe as do të na i stërviste këto aftësi një mori rregullash të ngurta për çështje që lidhen me ndërgjegjen. Ja përse, për shembull, popullit të Jehovait nuk i jepet një listë me filma, libra dhe site Interneti që duhet të shmangë. Ngaqë kjo botë ndryshon kaq shpejt, një listë e tillë do të ishte e vjetruar menjëherë pasi të dilte. (1 Kor. 7:31) Dhe më keq akoma, nuk do të na lejonte të përmbushnim përgjegjësinë tonë jetësore që të peshonim me kujdes dhe me lutje parimet biblike, e më pas të merrnim vendime në bazë të këtyre parimeve.—Efes. 5:10.
8 Sigurisht, për shkak të vendimeve tona të bazuara në Bibël, ndonjëherë të tjerët mund të mos na shohin me sy të mirë. Të rinjtë e krishterë në shkollë mund të hasin presion të fortë nga shumica që të shohin e të bëjnë ato gjëra që shohin e bëjnë të tjerët. (1 Pjet. 4:4) Prandaj, është bukur të vërejmë të krishterë të rinj e të moshuar që imitojnë besimin e Josiut e të Kalebit, duke mos pranuar të shkojnë pas shumicës.
Mos ndiq ‘zemrën dhe sytë’!
9. (a) Pse gjatë një udhëtimi mund të jetë e rrezikshme të ndjekim thjesht impulset tona? (b) Pse ishte i rëndësishëm për popullin e lashtë të Perëndisë ligji që gjendet te Numrat 15:37-39?
9 Ndikimi i dytë i rrezikshëm që do të diskutojmë tani, është i brendshëm. Mund ta ilustrojmë në këtë mënyrë: nëse do të bëje një udhëtim për në një destinacion të caktuar, a do të të shkonte ndër mend të lije mënjanë hartën dhe thjesht të ndiqje impulset e tua—ndoshta duke shkuar në çdo rrugë që dukej se ofronte pamje të bukura? Është e qartë se po të ndiqje këto impulse, nuk do të arrije atje ku kishe ndër mend. Lidhur me këtë, të shqyrtojmë një ligj tjetër që Jehovai i dha Izraelit të lashtë. Shumë veta sot ndoshta e kanë të vështirë të kuptojnë ligjin që iu dha izraelitëve për të vënë te rrobat thekë dhe një kordon të hollë blu. (Lexo Numrat 15:37-39.) Por, a e kupton pse ishte i rëndësishëm ky ligj? Bindja ndaj këtij ligji e ndihmonte popullin e Perëndisë të ishte i ndryshëm dhe të qëndronte i ndarë nga kombet pagane përreth. Kjo ishte jetësore nëse donin të fitonin dhe të vazhdonin të kishin miratimin e Jehovait. (Lev. 18:24, 25) Gjithsesi, ky ligj zbulon edhe një ndikim të rrezikshëm të brendshëm që mund të na largojë nga destinacioni ynë, jeta e përhershme. Në ç’kuptim?
10. Si ka treguar Jehovai se e njeh në thellësi natyrën njerëzore?
10 Vër re një arsye pse Jehovai ia dha atë ligj popullit të tij: «Nuk do të silleni lart e poshtë duke ndjekur zemrat dhe sytë tuaj, që po ju çojnë në kurvëri.» Jehovai e njeh në thellësi natyrën njerëzore. Ai e di mirë se sa lehtë joshet zemra, ose personi ynë i brendshëm, nga gjërat që shohim. Ja pse Bibla na paralajmëron: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» (Jer. 17:9) A e kupton pra, se sa i përshtatshëm ishte paralajmërimi që u dha Jehovai izraelitëve? Ai e dinte mirë se ata do të prireshin të shihnin popujt paganë përreth dhe të josheshin nga ajo që do të shihnin. Mund të tundoheshin të dukeshin si ata jobesimtarë e më pas të mendonin, të ndiheshin dhe të silleshin si ata.—Prov. 13:20.
11. Si mund të joshemi nga shqisat tona?
11 Në këtë kohë, është edhe më e lehtë që zemra jonë e pabesë të joshet nga shqisat. Jetojmë në një botë që na e bën të lehtë të ndjekim dëshirat e gabuara. Atëherë, si mund ta zbatojmë parimin që gjendet te Numrat 15:39? Mendo këtë: nëse të tjerët në shkollë, në punë ose në lagje vishen në mënyrë gjithnjë e më provokuese, a mund të ndikohesh edhe ti? A mund të tundohesh ‘të ndjekësh zemrën dhe sytë’ e të joshesh nga ajo që sheh? Pastaj mos ndoshta tundohesh të ulësh standardet e tua duke u veshur në mënyrë të ngjashme?—Rom. 12:1, 2.
12, 13. (a) Çfarë duhet të bëjmë nëse sytë tanë priren të enden aty ku nuk duhet? (b) Ç’mund të na nxitë që të mos bëhemi tundim për të tjerët?
12 Duhet të kultivojmë urgjentisht vetëkontroll. Nëse sytë tanë priren të enden aty ku nuk duhet, le të kujtojmë vendosmërinë e patundur të Jobit besnik, i cili bëri një marrëveshje me sytë e tij—mori një vendim të prerë për të mos parë në mënyrë romantike asnjë grua që nuk ishte bashkëshortja e vet. (Jobi 31:1) Po ashtu, edhe mbreti David mori një vendim: «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.» (Psal. 101:3) Çfarëdo gjëje që mund të na e dëmtojë ndërgjegjen e pastër dhe marrëdhënien tonë me Jehovain, është ‘gjë e poshtër’. Këtu do të përfshihej çdo tundim që u bën thirrje syve dhe rrezikon ta joshë zemrën drejt keqbërjes.
13 Nga ana tjetër, me siguri nuk do të donim kurrë të bëheshim në njëfarë kuptimi ‘gjë e poshtër’ për të tjerët, duke i tunduar drejt keqbërjes. Prandaj e marrim seriozisht këshillën e frymëzuar në Bibël që të vishemi në mënyrë të rregullt e me modesti. (1 Tim. 2:9) Modestia nuk është diçka që mund ta përcaktojmë thjesht si të na leverdisë. Duhet të marrim parasysh ndërgjegjen dhe ndjeshmërinë e atyre që kemi përreth, duke vënë paqen e tyre mendore dhe mirëqenien e tyre para preferencave tona. (Rom. 15:1, 2) Kongregacioni i krishterë është bekuar me mijëra e mijëra të rinj që lënë shembuj të shkëlqyer në këtë drejtim. Sa krenarë na bëjnë ata, ndërsa nuk pranojnë ‘të ndjekin zemrat dhe sytë’, por në vend të kësaj zgjedhin t’i pëlqejnë Jehovait në gjithçka që bëjnë—madje edhe në mënyrën si vishen!
Mos ndiq «gjërat e kota» ose joreale
14. Cilin paralajmërim për të mos ndjekur «gjërat e kota» ose joreale dha Samueli?
14 Imagjino sikur udhëtimi yt të të çonte në një shkretëtirë të paanë. Ç’do të ndodhte nëse do të ndërroje rrugë që të ndiqje një mirazh? Po të ndiqje këtë iluzion, mund të rrezikoje jetën. Jehovai e njeh mirë këtë lloj rreziku. Shqyrto një shembull: izraelitët donin të kishin një mbret njerëzor, ashtu si kombet përreth. Në fakt, kjo dëshirë përbënte një mëkat të rëndë, sepse kështu do të hidhnin poshtë Jehovain si Mbretin e tyre. Ndonëse Jehovai i lejoi të kishin një mbret njerëzor, e urdhëroi profetin e tij Samuel që t’u jepte një paralajmërim të qartë për të mos ndjekur «gjërat e kota» ose joreale.—Lexo 1 Samuelit 12:21.
15. Në cilat mënyra izraelitët ndoqën gjëra joreale?
15 Mos vallë ata mendonin se një mbret njerëzor do të ishte disi më real, më i besueshëm se Jehovai? Nëse ishte kështu, po ndiqnin vërtet një gjë joreale. Gjithashtu, rrezikonin të ndiqnin shumë iluzione të tjera satanike. Mbretërit njerëzorë fare lehtë do t’i çonin në idhujtari. Idhujtarët mendojnë gabimisht se objektet fizike—perënditë prej druri ose guri—janë disi më reale, më të besueshme se Perëndia i padukshëm, Jehovai, i cili krijoi gjithçka. Mirëpo, siç theksoi apostulli Pavël, idhujt nuk janë «asgjë». (1 Kor. 8:4) Ata nuk mund të shohin, të dëgjojnë, të flasin ose të veprojnë. Mund të shihen e të preken, por nëse do t’i adhuroje, faktikisht do të ishe duke ndjekur një gjë joreale—një iluzion të kotë që do të të sillte vetëm rrënim.—Psal. 115:4-8.
16. (a) Si i josh sot Satanai shumë njerëz që të ndjekin gjëra joreale? (b) Pse mund të themi se gjërat materiale janë thjesht joreale, sidomos krahasuar me Perëndinë Jehova?
16 Satanai është ende shumë i aftë që t’i bindë njerëzit të ndjekin gjëra joreale. Për shembull, ka joshur mjaft njerëz që t’u drejtohen gjërave materiale për siguri. Paratë, gjërat që zotërojmë dhe një punë me rrogë të majme mund të duken sikur i zgjidhin të gjitha problemet. Por, ç’probleme zgjidhin ato kur nuk ke më shëndet të mirë, kur sistemi ekonomik rrënohet ose kur godet një katastrofë natyrore? Ç’probleme zgjidhin kur njerëzit ndihen bosh përbrenda, kanë nevojë për një qëllim, drejtim dhe përgjigje për pyetjet më të thella të jetës? Çfarë lehtësimi mund të sjellin përballë vdekjes? Nëse u drejtohemi gjërave materiale që të plotësojmë nevojat frymore, do të zhgënjehemi. Gjërat materiale nuk i zgjidhin problemet, janë thjesht gjëra joreale ose të kota. Me kalimin e kohës, ato madje nuk mund të japin as siguri fizike, sepse nuk mund t’ia zgjatin shumë jetën njeriut ose ta mbrojnë nga sëmundjet dhe vdekja. (Prov. 23:4, 5) Por, sa real është Perëndia ynë, Jehovai! Vetëm duke pasur një marrëdhënie të fortë me të, mund të gjejmë siguri të vërtetë. Ç’bekim i çmuar është ky! Le të mos e braktisim kurrë Perëndinë që të ndjekim gjëra joreale!
17. Çfarë je i vendosur të bësh në lidhje me ndikimet negative që kemi trajtuar?
17 A nuk jemi të bekuar që kemi Jehovain si Mikun dhe Udhërrëfyesin tonë në udhëtimin e jetës? Nëse vazhdojmë t’u vëmë veshin paralajmërimeve të tij kundër tri ndikimeve të këqija—shumicës, zemrës sonë dhe gjërave joreale—do të kemi më shumë mundësi të mbërrijmë në destinacionin tonë, jetën e përhershme. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë tri paralajmërime të tjera që na jep Jehovai për të na ndihmuar që të urrejmë e të shmangim shtigjet e rreme që largojnë nga rruga shumë veta.—Psal. 119:128.
Çfarë mendon?
Si mund t’i zbatojmë personalisht parimet që zbulohen në shkrimet vijuese?
[Figura në faqen 11]
A tundohesh ndonjëherë të shkosh pas shumicës?
[Figura në faqen 13]
Pse është e rrezikshme të ndjekësh impulset e tua?
[Figura në faqen 14]
A po ndjek ndonjë gjë të kotë ose joreale?